Amaneti i Besnikut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Profeti i fundit, i dërguari i Zotit Muhamedi (a.s) u njoh dhe thirrej me epitetin ‘El-Emin’ -Besniku, dhe e meritoi ta gëzonte këtë titull që para se t’i vinte profetësia, pra para se t’i shpallej Kur’ani dhe të urdhërohej nga Zoti të thirrte njerëzit në Islam me të. Pra, ai e mishëroi Islamin në esencë e përmbajtje para se i madhi Zot t’i mësonte atij formën e gjërave për ta përsosur dhe perfeksionuar të jetuarit sipas manualit Hyjnor, Kur’anit dhe shembullit më të mirë njerëzor, traditës profetike,  pra që njerëzit të kishin modelin më të mirë për t’u ndjekur në çdo aspekt dhe dimsenion të jetës, pejgamberin e Tij, njeriun më të mirë dhe më të kompletuar të njerëzimit, Muhamed Mustafanë (a.s).

Pse pikërisht kjo cilësi e dalloi atë dhe pse ne muslimanët, pasuesit e tij, duhet të reflektojmë seriozisht në këtë cilësi?!

Sepse besnikëria mbart thelbin e virtyteve më të larta humane si: vërtetësinë, sinqeritetin, amanetin, përgjegjshmërinë, durimin, etj.

Kjo është arsyeja se pavarësisht se ithtarët e feve kundërshtare e armiqësuan Muhamedin (a.s) deri aty sa tentuan ta eleminonin edhe fizikisht, ndërkohë Ai kishte sakrifikuar çdo gjë nga vetja dhe gjithë jetën e tij që edhe ata (armiqtë e hapur) të njihnin Zotin dhe të vërtetat e mëdha, ta adhuronin Krijuesin siç i takon dhe të arrinin paqen dhe lumturinë në të dyja botët.  Megjithëse ata u treguan armiqsorë ndaj tij, ata i besonin atij, jetën, pasurinë dhe amanetin, sepse Allahu i Madhëruar “nuk e kishte dërguar atë (Muhamedin) veçse mëshirë për gjithë botën.”[1]

Për të ardhur keq dhe turp që shumë prej nesh, që pretendojmë se e duam dhe e ndjekim shembullin e tij, veshim dhe ç’veshim vetëm rrobën dhe formalen e Islamit dhe harrojmë se: gënjeshtra, pabesia, tradhëtia, paburrëria, papërgjegjshmëria, mosmbajtja e fjalës dhe amanetit, lajkat janë e kundërta e asaj që është  me të vërtetë Islami dhe përfaqësoi mësuesi i njerëzisë, Muhamedi (a.s)  dhe përngjasuan shokët dhe brezat a parë të mirë. Ngatërrojmë shpeshherë  privilegjin duke zhvleftësuar amanetin me të cilin jemi ngarkuar, për të cilin Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne ja propozuam amanetin qiejve, tokës dhe maleve, por ata refuzuan ta pranojnë këtë nga frika, kurse njeriu e mori mbi vete. Ai (njeriu) me të vërtetë është i padrejtë dhe injorant!”[2]

Krenaria nuk dëshmohet me parrulla, po punë dhe devocion të pastër.

Autor: Ibrahim Xhepmetaj

[1] – Sure Enbija: 107.

[2] – Sure Ahzab: 72.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.