Do kishte qenë më mirë të mos e kishe bërë këtë!

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ahmedi takoi shokun e tij Enesin në xhami. Ata falën së bashku namazin e pastaj dolën nga xhamia dhe filluan të bisedonin:

Ahmedi: Po si je more Enes?

Enesi: Mirë, elhamdulilah.

Ahmedi: Si mendon shoku im, të hamë së bashku drekën nesër, meqenëse kemi dalë me sukses në provime?

Enesi: Me kënaqësi Ahmed. Ti je shoku im më i mirë.

Të nesërmen Enesi shkon te shtëpia e Ahmedit dhe bëhen gati për të ngrënë drekën së bashku.

Ahmedi: Enes! Pse nuk ha, çfarë ke?

Enesi: Në të vërtetë nuk po më pëlqen ushqimi, nuk e di… nuk është gatuar mirë dhe se ç’ka diçka sipër tij që nuk më pëlqen.

Ahmedi: Në rregull, po shkoj të sjell diçka tjetër për të ngrënë.

Enesi: Mos u mundo Ahmed. S’ka problem se u ngopa.

Pas vaktit të drekës Enesi largohet nga shtëpia e Ahmedit dhe shkon drejt e në shtëpinë e vet. Kur hyri në shtëpi, tha:

Enesi: Selamu alejkum mamushi im i dashur. Dhe i puthi dorën së ëmës.

Mami: Alejkum selam biri im i dashur. Falenderoj Allahun që të kam të mirë.

Enesi: Mami, jam i uritur, prandaj të lutem më përgatit diçka për të ngrënë.

Mami: A nuk the që sot ishe për drekë tek shoku yt Ahmedi?

Enesi: Po, por ushqimi atje nuk më pëlqeu dhe kështu që nuk hëngra.

Mami: I the atij se nuk të pëlqeu ushqimi?!

Enesi: Po, ia thashë, pasi më pyeti se pse nuk po haja.

Mami: Ke gabuar biri im. Do kishte qenë më mirë të mos e kishe bërë këtë, pasi profeti Muhamed (a.s) kur e kishte ushqimin para e hante nëse e donte, e nëse nuk e pëlqente e linte atë dhe nuk fliste se pse e linte atë.

Enesi: Faleminderit mami për këtë këshillë të vyer, inshallah nesër do t’i kërkoj falje shokut tim për sjelljen jo të hijshme dhe të premtoj se nuk kam për ta sharë asnjëherë tjetër ushqimin.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.