Profeti (a.s) tregon: Allahu e krijoi Ademin 60 kutë (rreth 30 metra) të gjatë. Pasi e krijoi atë, i tha: “Shko dhe përshëndeti ata engjëj dhe dëgjo përgjigjen e tyre, sepse ajo do të jetë përshendetja jote dhe përshëndetja e pasardhësve të tu. Kështu Ademi u tha engjëjve: Es selamu alejkum. Kurse engjëjt iu përgjigjën: Es selamu alejkum ue rahmetullah, duke i shtuar përshëndetjes së Ademit “Ue rahmetullah” Çdokush që do të hyjë në Xhenet, do t’i ngjajë Ademit (në pamje dhe në formë). Qysh atëherë pasardhësit e Ademit kanë ardhur duke u zvogëluar, deri në këtë kohë.”[1]
Argumentet dhe dobitë e hadithit:
1 – Krijimi i Ademit (a.s) në 60-të kutë dëshmon për fuqinë dhe madhështinë e Allahut.
2 – Krijimi i Ademit (a.s) hedh poshtë teorinë se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni.
3 – “Es Selamu alejkum” është përshëndetja islame që zë fill qysh me krijimin e njeriut te parë dhe do të jetë edhe përshëndetja e banorëve të Xhenetit.
4 – Është e pëlqyeshme për atë që e kthen selamin ta kthejë atë ne formën më të mirë e më të bukur duke shtuar fjalët e selamit (aq sa lejohet).
5 – Hadithi është argument se banorët e Xhenetit do të kenë të njëjtën gjatësi që ka pasë edhe Ademi (a.s)
6 – Gjatësia e njerëzve përgjatë historisë njerëzore ka ardhur duke u shkurtuar derisa ka arritur në standartin e sotshëm.
7 – Ndoshta zbulimi i dinosaureve gjigandë dhe ndërtesave gjigande dëshmojnë se njerëzit që kanë jetuar përpara nesh kanë qenë të mëdhenj në trup. Dhe dinosauret e ndërtesat kanë qenë në raport te drejtë me madhësinë e trupit të njerëzve (Allahu e di më mirë).
Autor: Elton Harxhi
[1] – Buhariu (3326)