Në kohët e lashta, në një nga fshatrat e varfër të Indisë, jetonte një bujk i pafat dhe i varfër. Ai ishte zhytur në borxhe tek një aga i pasur në fshat. Borxhdhënësi, ishte një plak i moshuar dhe shumë i shëmtuar, por që kishte rënë në sevda me vajzën e varfanjakut, e cila ishte e bukur. Për tu martuar me vajzën e tij, agai i bëri një ofertë, do ia falte të gjithë borxhet nëse do ta pranonte për dhëndër. Kjo ofertë e tmerroi bujkun e varfër, por më shumë tmerroi vajzën e tij. Atëherë, agai hileqar, u bëri një ofertë tjetër, sipas të cilës fati do vendoste për martesën e tyre. Ai u tha se në një qese me flori, do të vendose dy guralecë, një të bardhë dhe një të zi. Vajza duhej të fusë dorën në qese dhe të nxjerrë njërin nga dy guralecët.
Nëse do të nxirrte guralecin e zi, ajo duhej të martohej me again, i cili nga ana e tij do ia falte të gjitha borxhet babait të saj.
Nëse do të nxirrte gurin e bardhë, ajo nuk do të martohej me again dhe ky i fundit do ia falte të gjitha borxhet bujkut.
Nëse vajza do të refuzonte të nxjerrë gurin, babai i saj do të burgosej.
Të gjithë njerëzit qëndronin në këmbë, në trotuarin e shtruar me guralecë, pranë çifligut të agait. Teksa të gjithë prisnin momentin, agai u kërrus për të marrë dy guralecë. Vajza i nguli një shikim të mprehtë dhe dalloi se agai plak mori dy guralecë të zinj dhe i futi në qese. Mandej, duke ia zgjatur qesen vajzës, i kërkoi të nxjerrë gurin.
Imagjinoje veten në mesin e turmës që kishte mbajtur frymën! Çfarë këshille do i jepje asaj në ato momente të vështira?
Nëse do e analizonim rastin në fjalë, do gjejmë se ajo ndodhej para tre alternativave:
1 – Të refuzojë nxjerrjen e guralecit
2 – Të tregojë dhe vërtetojë praninë e dy guralecëve të zinj, duke e demaskuar again mashtrues.
3 – Të nxjerrë guralecin e zi dhe të sakrifikojë veten, për të shpëtuar babanë nga borxhet dhe burgu.
Medito pak rreth kësaj ndodhie! Ajo na tregon diferencën mes të menduarit sipërfaqësor dhe atij logjik. Kjo vajzë nuk mund të dalë nga telashi, nëse mendojmë sipërfaqësisht dhe në mënyrë tradicionale. Çoji ndërmend dhe një herë tre alternativat e saj! Çfarë këshille do i jepje ti kësaj vajze në ato çaste?
Le të shohim vajzën, si veproi. Ajo e futi dorën në qese dhe që andej nxori guralecin. Por, pa e hapur dorën për të treguar çfarë ngjyre kishte, ajo bëri sikur u pengua, u rrëzua mbi trotuarin e mbushur me guralecë, ku i ra dhe guraleci që mbante në dorë. Kështu, ishte e pamundur të gjykohej se çfarë ngjyre kishte guraleci që kishte nxjerrë ajo nga qesja.
Por… ishte e mundur që të konstatohej ngjyra e guralecit që gjendej akoma në qese. Vetëm atëherë, mund të gjykohej drejt çfarë ngjyre kishte qenë guraleci i nxjerrë nga qesja. Meqë guraleci në qese ishte ngjyrë e zezë, supozohej që vajza të kishte nxjerrë guralecin e bardhë. Dhe, meqë agai borxhdhënës e kishte të pamundur të demaskojë veten, duke pohuar se kishte futur dy guralecë të zinj, pranoi t’ia falë borxhet bujkut, edhe pse nuk u martua me vajzën e tij.
Kjo vajzë, e bëri të mundur atë që dukej krejtësisht e pamundur. Ekzistojnë zgjidhje edhe për problemet më të ndërlikuara, por ne thjesht nuk përpiqemi të mendojmë.