Nga ana gjuhësore, fjala “Mualak” ka kuptimin: “i lidhur, i varur, i kapur”
Në terminologjinë e hadithit, termi “Hadith Mualak” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që i është fshirë vargu dhe transmetuesi apo autori i librit përmend vetëm tekstin e tij”
Fjala që i përshtatet më shumë këtij termi do të ishte: “Informatë”.
Hadithi Mualak shfaqet në disa forma:
– Fshirja e gjithë vargut të hadithit: Shembull: Buhariu thotë: “Ebu Humejdi ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) i ka ngritur duart deri tek supet” Pra fshihet i gjithë vargu, përveç sahabiut, apo përveç sahabiut dhe tabi`init. Transmetohet se Abdullah ibn Saibi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka lexuar suren Mu`minun në namazin e Sabahut, deri tek pjesa kur flitet për Musain dhe Harunin (a.s)” Nafi`a thotë: “Ibn Umeri (r.a) lëshonte duart para gjunjëve, kur binte në sexhde”
– Dijetari i hadithit nuk e përmend fare atë që ia ka treguar hadithin, por përmend mësuesin e këtij të fundit: Buhariu thotë: “Maliku ka thënë (Buhariu ka lindur disa vite pasi Maliku ka ndërruar jetë): Më ka treguar Zejd ibn Eslemi, i cili ka thënë: Ata`u ibn Jesari më ka treguar: Ebu Said Khuderiu (r.a) më ka treguar, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s), duke thënë: “Kur dikush pranon Islamin dhe konstatohet se është i përkushtuar, Allahu ia shlyen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë. Pas kësaj do të ketë vetëm shpërblim të drejtë. Një e mirë do t`i shumëfishohet nga 10 deri në 700 – fish, një e keqe do t`i vlerësohet vetëm një, përveç rastit kur Allahu e fal atë”
Gjykimi për hadithin mualak
Hadithi Mualak është hadith i dobët, mirëpo nëse gjendet vargu i tij, atëherë në bazë të kritikës mund të vlerësohet sipas llojeve: i vërtetë, i pranuar apo i dobët. Buhariu shënon në Sahihun e tij 1341 hadithe të llojit mualak. Lind pyetja: “A janë të vërteta këto hadithe”? Dijetarët kanë thënë: “Kur Buhariu përmend shprehjet: “Thotë – ,”قَالَ “Transmetohet – رَوَى ”, “Është përmendur – حَكَى ”, hadithi është i vërtetë.
Shembull: Transmetohet se Abdullah ibn Saibi (r.a) ka thënë: “I Dërguari I Allahut (a.s) ka lexuar suren Mu`minun në namazin e Sabahut, deri tek pjesa kur flitet për Musain dhe Harunin (a.s)”. Muslimi e shënon këtë hadith në Sahihun e tij me varg. Kur Buhariu thotë: “Thuhet se – قِيلَ ”, “Transmetohet se – رُوِىَ ”, “Është thënë se – حُكِيَ ” etj, hadithi mund të jetë i dobët.
Shembull: Thuhet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka gjykuar, që në fillim të shlyhet borxhi i të vdekurit dhe më pas të zbatohet testamenti”. Muslimi shënon në Sahihun e tij vetëm 12 hadithe Mualak dhe të gjitha këto hadithe janë të vërteta.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com



















