Lidhja e usulistit me juristin (fakihun) është e integruar, pasi ata konsiderohen si dy anët e të njëjtës medalje, ku secila anë ka specifikat e veta. Objektivi i të dyve është gjetja e ligjit sheriatik. Për të arritur tek ky objektiv, secili ndjek një metodë të caktuar. Puna e usulistit është baza, mbi të cilën ndërton juristi, madje nëse nuk i ka këto baza, ai nuk mund të ndërtojë asgjë, përveçse një ndërtesë shumë të brishtë, që shkërmoqet me erën e parë që fryn.
Për të arritur qëllimin final, usulisti dhe juristi përmbushin detyrat që u përkasin. Usulisti lexon tekstet sheriatike, duke iu referuar dijeve të përfituara nga rregullat e gjuhës arabe, parimeve sheriatike dhe burimeve sheriatike. Pas studimit, hulumtimit, analizës së thellë dhe shoshitjes, usulisti del në një konkluzion, të cilin e sintetizon në një parim juridik universal. P.sh: kur lexon urdhrat e përmendura në ajetet: “O besimtarë! Plotësoni detyrimet!”([1]); “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut)”([2]); “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj”;([3]) “Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bini në ruku bashkë me ata që bien në ruku”([4]); “Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart, si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga ana e Allahut. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”([5]), si edhe urdhëresat e tjera të përmendura në Kuran dhe në Sunet, që janë urdhëresa konkrete, usulisti sintetizon parimin juridik: “Urdhëri është obligues dhe detyron kryerjen e veprës”. Ky parim është universal, pasi përputhet me shumë detaje apo çështje të tjera. Po nëpërmjet kësaj metode, usulisti arrin të sintetizojë parimin për ndalesat sheriatike. P.sh: kur ai lexon ajetet: “Dhe mos iu afroni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar”([6]),; “Thuaju: “Ejani t`ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni” ([7]), ai mediton në këto urdhëra ndalues dhe sintetizon parimin: “Urdhri ndalues është obligues dhe ndalon kryerjen e veprës”. Kur usulisti lexon të gjitha tekstet e pakufizuara sheriatike, sintetizon parimin: “Teksti i pakufizuar përfshin çdo person, të cilit i përshtatet ky tekst”. Kur usulisti lexon të gjitha tekstet juridike përgjithësuese dhe për të cilat nuk ka specifikim, sintetizon parimin: “Teksti përgjithësues përfshin në ligjërimin e tij të gjithë ata që i përshtaten këtij ligjërimi”. Kështu vepron me të gjitha parimet juridike universale.
Këtu mbaron roli i usulistit dhe puna e tij në përcaktimin e parimeve juridike universale dhe gjithëpërfshirëse, të cilat janë të gatshme për juristin të nxjerrë ligje prej tyre.
Juristi nuk merret me përcaktimin dhe sintetizimin e parimeve juridike, por roli i tij fillon fill pas rolit të usulistit. Juristi i referohet parimeve juridike universale, për të deduktuar një ligji specifik nga një argument specifik. Kur ai kërkon të zbulojë një ligj sheriatik në fjalët e Allahut të Madhëruar: “…të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji)”([8]), ai hulumton në këtë tekst dhe konstaton, se ka një ndalesë, prandaj i referohet parimit juridik të ndalimit të sintetizuar nga usulisti. Ai lexon parimin: “Urdhri ndalues është obligues dhe ndalon kryerjen e veprës” dhe konstaton, se është gjykim gjithëpërfshirës, prandaj del në përfundimin: “Vrasja e tjetrit është haram”. Ky tekst është specifik vetëm për vrasjen dhe nuk vlen si gjykim për të ndaluar një vepër tjetër, si p.sh: kamatën, korrupsionin, imoralitetin etj, prandaj ky tekst sheriatik nuk është përgjithësues, por specifik vetëm për një çështje.
Nëse juristi kërkon të zbulojë ligjin për namazin në ajetin “Faleni namazin”([9]) ai arsyeton si vijon: fjala “Faleni” është folje në formën urdhërore dhe parimi juridik i përcaktuar nga usulistët është: “Urdhëri është obligues dhe detyron kryerjen e veprës”. Rezultati: namazi është detyrë, duke iu referuar këtij parimi juridik universal, mirëpo burimi i kësaj dipozite është specifik dhe nuk vlen për çështje të tjera.
Kjo metodë që ndjekin juristët për të argumentuar dhe arsyetuar ligjet sheriatike, përbëhet nga argumentet logjike të ndërthurura me burimet sheriatike dhe parimet juridike. Kur juristi arsyeton faktin, se namazi është detyrë, ai thotë: “Namazi është urdhëresë që duhet zbatuar dhe argument për këtë është fjala e Allahut: “Faleni namazin”. Çdo urdhëresë duhet zbatuar. duke iu referuar parimit juridik: “Urdhëri është imperativ dhe obligon kryerjen e veprës”, apo ai e arsyeton këtë, duke thënë: “Fjala “Faleni” është në urdhërore dhe ky urdhër nuk është ndryshuar nga asnjë faktor tjetërsues, prandaj çdo urdhër që ruan tiparet e veta, është detyrë të zbatohet”.
Bashkëveprimi mes usulistit dhe juristit është i qartë dhe roli i secilit prej tyre përmbush qëllimin e përbashkët: nxjerrjen e ligjit sheriatik. Kështu, bëhet i qartë përkufizimi që usulistët i kanë bërë dijes së Usul Fikhut: “Njohja e parimeve juridike dhe burimeve të përgjithshme sheriatike, nëpërmjet të cilave konkretizohet deduktimi i ligjeve sheriatike”, si dhe përkufizimi që i kanë bërë dijes së Fikhut: “Njohja e ligjeve sheriatike praktike të përftuara nga argumentet e detajura dhe specifike”.([10]) Në përgjithësi, usulistët kanë qenë juristë dhe pjesa më e madhe e juristëve kanë qenë usulistë.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Kurani: Maide, ajeti: 1.
([2]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 132.
([3]) – Kurani: Enfal, ajeti: 60.
([4]) – Kurani: Bekare, ajeti: 43.
([5]) – Kurani: Maide, ajeti: 38.
([6]) – Kurani: Isra, ajeti: 32.
([7]) – Kurani: Enam, ajeti: 151.
([8]) – Kurani: Enam, ajeti: 151.
([9]) – Kurani: Bekare, ajeti: 43.
([10]) – Muaved, “El-Vesîtu fî Usûli`l-Fikh”, v. 1, f. 12-14.



















