Agjërimi në 10 – të ditët e Dhul Hixhes

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Disa njerëz thonë se agjërimi i 10-të ditëve të Dhul Hixhes janë bidat dhe si rrjedhojë nuk lejohet që të agjërohet gjatë këtyre ditëve. Mirëpo ky mendim është shumë i dobët dhe i pabazë, sepse agjërimi i këtyre ditëve është një veprim i pëlqyer. Për ta sqaruar më mirë këtë gjë, mendoj që ta trajtoj në disa pika:

Pika e parë: Medh’hebi i juristëve në lidhje me agjërimin e këtyre ditëve

Pika e dytë: Argumentet e përgjithshme dhe specifike

Pika e tretë: Citatet dhe agjërimi i këtyre ditëve nga selefët

Pika e katërt: Kundërpërgjigje ndaj atyre që thonë se agjërimi i 10-të ditëve të Dhul Hixhes është bidat.

Pika e parë: Medh’hebi i juristëve në lidhje me agjërimin e këtyre ditëve:

Si mund të konsiderohet agjërimi i 10-të ditëve të Dhul Hixhes bidat, ndërkohë që juristët e katër medh’hebeve kanë rënë dakord që agjërimi i këtyre ditëve është i pëlqyeshëm. Madje edhe Dhahiritë janë të po këtij mendimi. Më poshtë do të rendis mendimin e secilit prej medh’hebeve:

Medh’hebi Hanefi:

Imam Kasani ka thënë: [Përsa i përket agjërimit vullnetar; të gjitha ditët janë ditë në të cilat mund të agjërohet sipas medh’hebit tonë. Muhamedi transmeton prej imam Ebu Hanifes se ai ka thënë: Lejohet agjërimi vullnetar jashtë Ramazanit në të gjitha ditët, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo punë e birit të Ademit është e tija përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të.”[1]Thënia e Profetit (a.s): “Kush agjëron për çdo muaj tre ditë: ditën e trembëdhjetë, të katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë, quhet sikur ka agjëruar të gjithë vitin.”[2] Në këtë hadith, Profeti (a.s) e ka konsideruar të gjithë vitin si ditë ku mund të agjërohen në përgjithësi. Po ashtu Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason atë edhe me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali quhet sikur ka agjëruar të gjithë vitin.”[3] Kështu pra Profeti (a.s) të gjithë vitin e ka bërë agjërim pa ndërprerje. Po ashtu Profeti (a.s) ka thënë: “Ai që agjëron agjërim vullnetar është epror (emir) i vetes së tij; nëse dëshiron agjëron e nëse nuk dëshiron nuk agjëron.”[4] Kjo sepse agjërimi është i mirë dhe ibadet – ashtu siç e cekëm më lart – në të gjitha ditët, përveçse në ato ditë që agjërimi është i papëlqyeshëm apo mubah.][5]

Medh’hebi Maliki:

Imam Hatabi thotë: [Është veprim i pëlqyeshëm agjërimi i 10-të ditëve të Dhul Hixhes, sepse është transmetuar se Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi i një dite prej saj është si të agjërosh një muaj.” Kështu është cituar në librin “Mukadimat”. Kurse në librin “Edh Dhehireh” është cituar se Profeti (a.s) ka thënë: Agjërimi i një dite prej saj është i barazvlefshëm me agjërimin e një viti”… Me 10 – të ditët nënkuptohen 9 – të ditët e para të muajit të Dhul Hixhes. Kështu është cituar në librin “Esh Sher’h El Kebir” sepse në ditën e kurbanit nuk agjërohet… Kjo dispozitë fetare ka lidhje me atë person që nuk është duke bërë haxh.][6]

Medh’hebi Shafi’i:

Imam Neueuiju thotë: [Agjërim vullnetar që konsiderohet sunet është edhe agjërimi i 10 – të ditëve të Dhul Hixhes, përveç ditës së kurban bajramit][7]

Medh’hebi Hanbeli:

Imam El Merdaui thotë: [Është i veprim i pëlqyer agjërimi i 10 – të ditëve të Dhul Hixhes. Të këtij mendimi janë të gjithë juristët (e medh’hebit) pa përjashtim. Dita më e mirë është dita e 9 – të, dita e Arafatit, pastaj dita e 8 – të dhe ajo është dita e Teruijes. Ky është mendimi i juristëve të medh’hebit.][8]

Medh’hebi Dhahirij:

Imam Ibn Hazmi thotë: [Agjërimi i 10 – të ditëve të Dhul Hixhes deri në ditën e Kurbanit është veprim i pëlqyeshëm (mustehab). Argument për këtë është hadihi i transmetuar na Ibn Abasi se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ditë që punët e mira janë të dashura për Allahun më shumë se në këta 10 – të ditë. As lufta në rrugë të Allahut – e pyetën? As lufta në rrugë të Allahut, përveç atij personi që ka dalë vetë dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre – u përgjigj ai.”[9]

Ebu Muhamedi ka thënë: Këto 10- të ditë janë ditët e Dhul Hixhes. Agjërimi është një vepër e mirë dhe brenda këtyre ditëve është edhe Dita e Arafatit.][10]

Pika e dytë: Argumentet e përgjithshme dhe specifike:

Si mund të jetë agjërimi i 10 – të ditëve të Dhul Hixhes bidat, kur për agjërimin e këtyre ditëve ka argumente të përgjithshme dhe argumente specifike:

Argumenti i përgjithshëm:

“Nuk ka ditë që punët e mira janë të dashura për Allahun më shumë se në këta 10 – të ditë. As lufta në rrugë të Allahut – e pyetën? As lufta në rrugë të Allahut, përveç atij personi që ka dalë vetë dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre – u përgjigj ai.”[11]

Qëllimi i argumentit nëpërmjet këtij hadithi është fakti se “vepër e mirë” është një shprehje përgjithsuese, në të cilën padyshim përfshihet agjërimi.

Argumenti specifik:

Disa prej grave të Profetit (a.s) kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë agjëruar në 9 – të ditët e Dhul Hixhes, Ditën e Ashurasë, tre ditë në muaj dhe të hënën dhe të enjten e parë të muajit.”[12]

Pika e tretë: Citatet dhe agjërimi i këtyre ditëve nga selefët:

Si mund të konsiderohet agjërimi i këtyre ditëve bidat, ku asnjëri prej selefëve, të parëve të këtij Umeti nuk e kanë thënë një gjë të tillë? Madje e kundërta vërtetohet. Prej selefëve të cilët e kanë miratuar agjërimin e këtyre ditëve janë Ibn Omeri, Muhamed ibn Sirini, Muxhahidi, Ata’, Katadeh e shumë e shumë të tjerë. Transmetohet se kur dikush prej tyre është pyetur se nëse një njeri gjatë këtyre ditëve; A është më mirë që të agjërojë ditët që i ka lënë kaza nga Ramazani, apo të agjërojë këto ditë. Ata kanë dhënë përgjigje se agjërimi kaza i Ramazanit është më mirë, por nuk e kanë mohuar dhe as që e kanë ndaluar agjërimin e këtyre ditëve.[13] Madje pyetja që mund të shtrohet në këtë kontekst është se kush prej selefëve ka thënë se agjërimi i këtyre është bidat?  Kush e miraton një gjë të tillë duhet të vijë me argument.

Pika e katërt: Kundërpërgjigje ndaj atyre që thonë se agjërimi i 10-të ditëve të Dhul Hixhes është bidat:

Ata të cilët thonë se agjërimi i 10 – të ditëve të Dhul Hixhes është bidat, e argumentojnë këtë mendim me hadithin që transmeton imam Muslimi se Aishja (r.a) ka thënë: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut të agjërojë 10- të ditëshin asnjëherë.”[14]

Qëllimi i argumentimit me këtë hadith, konsiston në faktin se Profeti (a.s) nuk i ka agjëruar asnjëherë këto ditë dhe duke qenë se udhëzimi më i mirë është udhëzimi profetik, atëherë si rrjedhojë e kësaj ne nuk duhet të agjërojmë këto ditë dhe kush i agjëron ka vepruar një vepër të cilën nuk e ka vepruar Profeti (a.s).

Në lidhje me këtë hadith, dijetarët kanë dhënë disa përgjigje:

1 – Në këtë kontkest neve na prezantohen dy hadithe: Hadithi i Aishes që nuk e ka parë Profetin (a. s) të agjëroj dhe hadithi i grave se Profeti (a.s) ka pasë agjëruar në 9 – të ditët e Dhul Hixhes. Dhe ashtu siç është përcaktuar në shkencën e “Usul Fikh” i jepet përparësi pohimit ndaj mohimit.

2 – Nëse midis fjalës së Profetit (a.s) dhe veprës së tij, ka përplasje (në dukje), në këtë rast favorizohet, apo i jepet përparësi fjalës. Pra në rastin konkret, Profeti (a.s) ka thënë se “Nuk ka ditë që punët e mira janë të dashura për Allahun më shumë se në këta 10 – të ditë.”[15] Kurse Aishja (r.a) na tregon se Profeti (a.s) nuk ka agjëruar asnjëherë në këto 10 – të ditë, pra nuk e ka vepruar. Padyshim që në këtë rast – sipas rregullave të shkencës së “Usul Fikh”  – favorizohet fjala, që nënkupton se agjërimi i këtyre ditëve është i pëlqyeshëm.

Duke qenë se në shkencën e “Usul Fikh” është përcaktuar se midis haditheve nuk ka përplasje, atëherë edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me përplasje, prandaj juristët i kanë dhënë verdiktet e tyre në lidhje me hadithin e transmetuar nga Aishja (r.a). Sa më poshtë po i paraqesim, verdiktet e tyre:

3– Fakti që Profeti (a.s) nuk i ka agjëruar asnjëherë këto 10 – të ditë nuk do të thotë gjë, sepse ai (a.s) shumë gjëra nuk i ka vepruar nga frika se nëse do t’i vepronte atëherë do të obligohej edhe Umeti i tij për t’i vepruar. Imam Ibn Haxheri ka thënë: [Hadithin në fjalë[16]nuk mund ta kundërshtojë hadithi të cilin e ka transmetuar Ebu Daudi dhe të tjerë se Aishja (r.a) ka thënë se “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk i ka agjëruar asnjëherë këto 10 – të ditë” sepse mund të ndodhë që Profeti (a.s) nuk e bën një vepër, megjithëse ka dëshirë që ta veprojë, nga frika se mos kjo vepër bëhet obligim për Umetin e tij, ashtu sikurse ky hadith është transmetuar tek Buhariu dhe Muslimi nga vetë Aishja (r.a)][17]

4 – Profeti (a.s) nuk i ka pasë agjëruar këto ditë për shkak të ndonjë arsye, të ndonjë sëmundjeje ose thjesht Aishja (r.a) nuk e ka parë. Imam Neueuiju ka thënë: [Dijetarët kanë thënë: Ky hadith të jep përshtypjen se agjërimi i 10 – të ditëve është i papëlqyeshëm (mekruh). Me 10 – të ditët nënkuptohen 9 – të ditët e para të Dhul Hixhes. Ata kanë thënë se: Ky është interpretimi i duhur, sepse agjërimi i 9 – të ditëve nuk është një veprim i papëlqyeshëm (mekruh). Madje agjërimi i tyre është mjaft i pëlqyeshëm (mustehab), sidomos dita e 9 – të që është Dita e Arafatit. Në kapitujt e mëparshëm (të Muslimit) janë transmetuar hadithe që flasin për vlerën e agjërimit në Ditën e Arafatit. Kurse tek Libri i saktë i haditheve të Buhariut është transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: ““Nuk ka ditë që punët e mira janë të dashura për Allahun më shumë se në këta 10 – të ditë.”[18] Bëhet fjalë për 10 – të ditët e para të Dhul Hixhes. Kurse fjalët e Aishes se ai (a.s) nuk i ka agjëruar ato, mund të interpretohen se ai (a.s) nuk i ka agjëruar ato për ndonjë arsye kalimtare, për ndonjë sëmundje, udhëtim apo çfarëdo lloj arsye tjetër. Ose ndoshta ajo nuk e ka parë që ai (a.s) të agjërojë në këto ditë, por kjo gjë jo domosdoshmërisht nënkupton faktin se ai (a.s) nuk ka agjëruar. Argument për këtë është hadithi se disa gra të Profetit (a.s) kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë agjëruar në 9 – të ditët e Dhul Hixhes, Ditën e Ashurasë, tre ditë në muaj dhe të hënën dhe të enjten e parë të muajit.”[19] Allahu e di më mirë.][20]

5 – Aishja (r.a) ka mohuar agjërimin e 10 – të ditëve për arsye se dihet që dita e dhjetë është Dita e Kurban Bajramit dhe në këtë ditë është i ndaluar kategorikisht agjërimi.

6 – Një mendim tjetër është se mosagjërimi i këtyre ditëve nga ana e Profetit (a.s) është specifikë e tij. Megjithatë të pretendosh një gjë të tillë duhet me sjellë argument. Prandaj ky mendim nuk qëndron.

Përfundim:

Në fund të këtij punimi shkencor themi se agjërimi i 10 – të të Dhul Hixhes është veprim i pëlqyer, kurse mendimi se agjërimi i këtyre ditëve është bidat është një mendim anormal (shadh) dhe nuk mund të merret për bazë.

Elton Harxhi

[1] – Buhariu (1904) dhe Muslimi (1151).

[2] – Tirmidhiu (761). Hadithi është Hasen Sahih.

[3] – Muslimi (1164).

[4] – Xhamius sagir: 5105. Hadithi është Sahih.

[5] -“Bedaius Sanaiu fit tertibish sherai’i”  i Alaudin Kasanit, fq: 1/554-558.

[6] – “Meuahibul Xhelil Fi Sher’h Muhtasar Halil” i Hatabit, fq: 3/175-176.

[7] -“Reudatut Talibin” i Neueuiut, fq: 2/388.

[8] -“El Insaf” i Alaudin El Merdaui, fq: 3/345.

[9] – Buhariu (969).

[10] -“El Muhal la bil athar” i Ali ibn Hazmit, fq: 4/440.

[11] – Buhariu (969).

[12] – Ahmedi (26468). Hadithi është Daif.

[13] – Për informacione më të detajuara shih Musanaf ibn Ebi Shejbeh, Musanaf Abdurrezak dhe Letaiful Mearif.

[14] – Muslimi (1176).

[15] – Buhariu (969).

[16] – Të transmetuar nga Ibn Abasi për vlerën e punëve të mira në 10 – të ditët e Dhul Hixhes.

[17] -“Fet’hul Bari” i Ibn Haxher Askelanit, fq: 3/291.

[18] – Buhariu (969).

[19] – Ahmedi (26468). Hadithi është Daif.

[20] – “Sahihu Muslim bi Sherhi Imam En Neueuij” i Neueuijut, fq: 8/102.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.