Përparësia e veprës së përhershme ndaj veprës së ndërprerë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kurani Famëlartë dhe po ashtu edhe Suneti i Profetit (a.s) kanë sqaruar se veprat te Allahu janë të ndryshme në shkallë dhe se ka prej tyre që janë më të mira dhe më të dashura për Allahun sesa të tjerat.

Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë e barazuat dhënien ujë haxhinjve dhe mirëmbajtjen e xhamisë së shenjtë me atë që besoi në Allahun dhe Ditën e Fundit dhe luftoi në rrugë të Allahut? Ata nuk janë të barabartë para Allahut. Allahu nuk e udhëzon popullin e padrejtë. Ata që besuan, emigruan dhe luftuan në rrugë të Allahut me pasuritë dhe jetët e tyre janë në shkallë më të lartë te Allahu. Dhe ata janë të shpëtuarit.”[1]

Kurse Profei (a.s) ka thënë: “Besimi ka mbi gjashtëdhjetë – apo mbi shtatëdhjetë – degë. Më e larta është: ‘La ilahe il-lallah’ (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut), dhe më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga.”[2]

Ky ndryshim në shkallë nuk është i rastësishëm, por është i ndërtuar mbi kritere dhe parime që duhet të merren parasysh, dhe pikërisht këtë po e shqyrtojmë këtu.

Nga këto kritere janë:

Për të qenë një vepër e përhershme, do të thotë se njeriu që bën një vepër të mirë duhet ta kryejë atë vazhdimisht dhe të jetë i rregullt në realizimin e saj, ndryshe nga veprat që i bëhen herë pas here, duke e kryer atë në disa raste dhe duke e lënë në të tjera. Në lidhje me këtë, Profeti (a.s) ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen vazhdimisht, edhe nëse janë të pakta.”[3]

Mesruku ka thënë: E pyeta Aishen (r.a): “Cila ishte vepra më e dashur për të Dërguarin e Allahut (a.s)?” Ajo tha: “Ajo që bëhet në mënyrë të vazhdueshme.”[4]

Po ashtu nga Aishja (r.a) transmetohet se ka thënë: “Pejgamberi (a.s) hyri te ajo dhe aty ndodhej një grua. Ai pyeti: “Kush është kjo?” Ajo tha: “Filanja, për të cilën thuhet se fal shumë namaz.” Ai (a.s) tha: “Mjaft! Veproni aq sa mundeni, sepse, pasha Allahun, Allahu nuk lodhet derisa ju vetë të lodheni.”[5]

Fjala “mjaft” përdoret si një ndalim dhe qortim, që njeriu, gjatë kryerjes së një ibadeti, të mos e mbingarkojë veten përtej mundësive të tij. Kryerja e një vepre të mirë vazhdimisht, edhe nëse ka një volum të vogël, është më e vlefshme se ajo vepër që mund të ketë një volum më të madh, por që ndërpritet pas një periudhe. Ndoshta, vepra që, megjithëse është më e vogël në volum, është e përhershme dhe e vazhdueshme, mund të shpërblehet më shumë se një vepër me volum të madh, e cila ndërpritet dhe nuk vazhdon.

Kjo është arsyeja pse në mendjen e njerëzve është ngulitur bindja se, në të gjitha punët, ato që kryhen vazhdimisht, edhe pse në një sasi të vogël, janë më të mira se ato që kryhen me volum të madh, por që më vonë ndërpriten,

Kjo ishte edhe arsyeja pse Pejgamberi (a.s) paralajmëroi nga teprimi dhe ekzagjërimi në fe, nga frika se një ditë njeriu mund të lodhet nga vepra, apo të humbasë fuqinë për ta përballuar atë për shkak të natyrës së tij njerëzore të dobët, dhe si pasojë të ndërpresë veprën në mes të rrugës. Një njeri që ngutet dhe e lodh kafshën gjatë udhëtimit, do të mbetet i bllokuar në mes të rrugës, ndërkohë që edhe kafsha do të dobësohet, duke I humbur kështu të dyja. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Veproni aq sa mundeni, sepse Allahu nuk lodhet derisa të lodheni ju” Gjithashtu ai (a.s) ka thënë: “Mbani një udhë të mesme, sepse kush përpiqet që ta përballojë këtë fe me zor, ajo do ta mundë.”[6]

Shkaku i këtij hadithi – siç e transmeton Burejde – ishte ajo që ai ka thënë: Dola një ditë për një nevojë, dhe papritur e pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke ecur përpara meje. Më kapi për dore dhe filluam të ecnim bashkë. Kur, përpara nesh, pamë një burrë që po falte namaz, i cili e zgjaste rukunë dhe sexhden. Pejgamberi (a.s) tha: “A mendon se ky po e fal namazin sa për sy e faqe?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Pastaj ma lëshoi dorën dhe bashkoi duart e tij, dhe nisi t’i ngrejë e t’i ulë, duke thënë: “Mbani një udhë të mesme…” (deri në fundin e hadithit)

Po ashtu, nga Suhejl ibn Hunejf transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos e vështirësoni jetën tuaj, sepse ata që ishin para jush u shkatërruan për shkak të ashpërsisë së tepruar ndaj vetes, dhe do të gjeni mbetje të tyre në manastiret dhe kështjellat (të tyre)”[7]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton harxhi

[1] – Sure Teube: 19 – 20.

[2] – Muslimi.

[3] – Buhariu dhe Muslimi me tekstin në fjalë.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Buhariu dhe Muslimi.

[6] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[7] – Ebu Daudi. Hadithi është Daif.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *