Allahu është i Urti

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Selman Aude

Prej emrave të Zotit tonë, me të cilët Ai na e ka prezantuar Veten e Tij dhe i ka përmendur në Librin e Tij, përmes gjuhës së profetëve dhe të dërguarve të Tij, është emri i Tij “El Hakim-i Urti”. Emri i Allahut “i Urti” ka ardhur në Kuranin Fisnik nëntëdhjetë e katër herë. Këtu mund të përmendim: “i Gjithëdijshmi, i Urti!”[1], “i Lavdishmi, i Urti”[2], “i Urti, i Gjithëdijshmi”[3] dhe “(Ai-Allahu është) Bujar i madh, i Urtë”[4].

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “(Thuaj) A të kërkoj gjykatës përveç Allahut (të Urtë të gjykojë midis meje dhe jush)? Kur Ai është që ua zbriti librin në mënyrë të detajuar?…”[5].

Kjo fjalë argumenton, se një nga emrat e Tij është gjithashtu edhe “El Hakem-Gjykuesi”.

Kuptim që del nga rrënja e këtij emri është pra edhe “El Hakem-Gjykuesi”, i ardhur pesë herë në trajtën e shumësit, si për shembull: “…e Ai është më i miri i gjykatësve”[6], “…ndërsa Ti je më i drejti (i drejti Gjykues) i të drejtëve!”[7] dhe “A nuk është Allahu më i urti i gjykuesve?!”[8].

“El Hakim-i Urti” është Ai, që i bën gjërat me urtësi, i përsos ato dhe i vendos në vendin e duhur. Allahu Lavdiplotë thotë: “…(kjo është) mjeshtëri e Allahut, që përsosi çdo gjë”[9]. I urtë është ai, që e vendos çdo gjë në vendin e duhur me vlerën e duhur, as më para as më pas, as më tepër as më pak, Krahas kësaj, ky emër ka edhe urtësi të tjera kulminante dhe madhështore, që ne nuk arrijmë t’i përshkruajmë dhe as t’i imagjinojmë.

Në kuptimet e urtësisë përmendim: Urtësinë e Allahut Lavdiplotë të demostruar në krijesat e Tij. Për ta kuptuar këtë, mjafton të shikojmë njeriun, trupin e tij, mendjen dhe shpirtin e tij. Të  gjitha këto gjëra burojnë nga urtësia e Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhërishëm. Ai e krijoi njeriun në formën më të mirë dhe kjo gjë shprehet edhe në Kuranin fisnik: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ulëtin e të ulëtëve” [10]. Synimi me “Pastaj e zbritëm atë në më të ulëtin e të ulëtëve” ka të bëjë me gjendjen e njeriut, kur thyhet në moshë, plaket dhe i bien fuqitë. Pastaj Allahut i Lartësuar vijon duke thënë: “Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë”, duke u premtuar kështu atyre shpërblimin madhështor në botën e Amshimit. Këta janë njerëzit, të cilët në këtë dynja i nënshtrohen ligjeve dhe realiteteve, që diktojnë jetën e robërve në dynja. Allahu i Lavdishëm dhe Lartmadhëruar u premton këtyre njerëzve shpërblimin madhështor, që nuk ndërpritet kurrë në Amshim. Më pas Allahu i Lartësuar thotë: “E pas gjithë kësaj, ç’të shtyri të përgënjeshtrosh ditën e shpërblimit (përgjegjësisë)?”, pra: o ti njeri!, çfarë të bën të përgënjeshtrosh fenë.. “A nuk është Allahu më i urti i gjykuesve?!”[11]. A nuk e shikon, se Allahu i Lartësuar të ka krijuar në formën më të përsosur?

Këto që thamë përmbajnë argumente të qarta mbi unin dhe horizontet. Ato tregojnë mbi urtësinë e Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar, detyrën e besimit në Të dhe adhurimit të Tij, si dhe bindjen se duhet të vihemi nën komandën e Tij.

Prej fesë është: Kthimi tek Allahu i Lartësuar për t’u gjykuar në botën e Amshimit, gjë kjo që në tërësi është prej treguesve të urtësisë së Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar.

Prej kuptimeve të urtësive të Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar është: Ndryshimi i gjuhëve me të cilat flet njeriu në rangun e racave të tij të larmishme. Sa mrekulli e madhe fshihet aty, sa çudi të madhe përbën një gjë e tillë! Allahu i Lartësuar është Ai, që caktoi për njeriun fjalët dhe mrekullinë e gjuhës e bëri shkak, që njeriu të ketë mundësi të kuptojë, mendojë, të marrë dituri, informacion dhe të mësojë.

Në gjuhët e folura nga njerëzit gjenden kuptime madhështore. Pra gjuha është argument mbi zotësinë e Allahut të Lartësuar, mbi hyjninë e Tij, madhështinë e Tij, dhuntinë e Tij mbi krijimin e këtij njeriu dhe pajisjen e tij me aftësinë për t’u shprehur qartë. Allahu i Lavdishëm e cek si dhunti faktin e mësimit të njeriut që të flasë qartë, duke thënë: “Rrahmani – (Mëshiruesi – Zoti ynë), Ai ia (njeriut) mësoi Kuranin. E krijoi njeriun. Ia mësoi atij të folurit (të shprehurit, të shqiptuarit)”[12].

Nga kuptimet e urtësisë së Tij lavdiplotë është: Gjumi, që ne njerëzit as që arrijmë ta ndjejmë, kur ai na kaplon dhe njeriu as që ia ka idenë për atë moment, që e nxjerr nga bota e zgjimit për në botën e gjumit. Kur njeriun e kaplon gjumi, ai kthehet në një gjendje, që i ngjan shumë vdekjes, ndaj dhe Allahu në Kuran, gjumin e quan vdekje, por duhet ditur, se gjumi është një vdekje e vogël. Ndodh që njeriu të shohë në gjumë ëndrra, që e dërgojnë sa në lindje në perëndim, shikon në të të gjallët dhe të vdekurit, të afërmit dhe të largëtit. Pastaj pas gjithë kësaj zgjohet dhe gjallëria, fuqia dhe aktiviteti i tij i kthehen sërish. Në gjithë këtë shpaloset urtësia e Allahut të Lavdishëm dhe të Lartësuar.

Të gjitha këto hyjnë tek urtësitë hyjnore, që i ndodhin njeriut teksa fle. Nëse njeriu do meditonte rreth këtij gjumi, tek fakti sesi njeriu e ka të pamundur të bëjë pa të, nëse njeriu do meditonte mbi këtë mirësi dhe urtësinë e Allahut në të, do i sqarohej madhështia e Krijuesit të këtij gjumi dhe kulminacionet e urtësisë së Tij. Kjo është vetëm një pjesë fare e vogël nga urtësitë e Allahut të Lartësuar dhe sekretet e Tij në lidhje me këtë krijim të çuditshëm të Tij: “Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën…”[13].

Prej kuptimeve të urtësisë lavdiplote në atë që Allahu ka krijuar, është se: Allahu i Lavdishëm i krijoi krijesat e Tij për një qëllim, urtësi dhe synim. Ai thotë: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër, por vetëm që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që ata të më ushqejnë. Allahu është furnizues i madh. Ai, fuqiforti”[14].

Pra, krijesa nuk është krijuar më kot dhe nuk do të lihet në tym, ndaj dhe Allahu Lavdiplotë ka thënë: “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?!”[15].

Nga kuptimet e urtësisë së Allahut të Lavdishëm dhe të Lartësuar është:  Sheriati-ligji që Allahu i Lartësuar zbriti në Librin e Tij përmes gjuhës së profetit të Tij, ndaj dhe Allahu i Lartësuar e përshkruan Kuranin si “i urtë”, sikurse ka thënë në thënien e Tij: “Këto që po t’i lexojmë ty (o i dërguar) janë nga ajetet, dhe nga kujtesa e urtë (janë nga Kurani i pa të meta dhe i rezistueshëm)”[16], si dhe në thënien e Tij: “Pasha Kuranin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë”[17]. Ligji i Kuranit është urtësi në synimet, sekretet dhe ambiciet e tij. Ligji i Allahut është urtësi, krijimi dhe vlerësimi i drejtë i Tij është urtësi, edhe pse disa mendje nuk arrijnë të kapin dimensionet e kësaj. Ekzistojnë ligje dhe ngjarje të tilla, dimensionet e të cilave shpalosen vetëm pas gjeneratave dhe epokave të tëra dhe dituria njerëzore ende vijon t’i zbulojë pak nga pak. Nuk është e drejtë, që padituria apo paaftësia perceptuese e individit apo grupit në kohë apo vend të jetë shkak për mosarritjen tek bindja e paluhatshme mbi vërtetësinë e asaj, që na erdhi nga Allahu, sepse Allahu është më i gjykueshmi i gjykuesve, më i dituri i të diturve, furnizuesi më i mirë dhe krijuesi më i përsosur.

Ai është i Urtë, prandaj në planifikimin dhe ligjin e Tij nuk ka vend për shkarje dhe të metë, veprimet dhe fjalët e Tij ndodhin urtësisht në vendin që u takon, me drejtësi dhe korrektësi. Ai bën vetëm atë që është e saktë dhe thotë vetëm të drejtën.

Kurani i urtë bart në të zgjidhjet e drejta, të përshtatshme dhe të duhura, përmban dispozitat dhe urtësitë e sakta, ku qëndron drejtqëndrimi i jetës së njerëzve, zgjidhja e problemeve të tyre të përditshme, qoftë në lëmin e mendimit, në atë të ekonomisë dhe të politikës, qoftë në atë shoqëror. Kurani ka vendosur sferën e përgjithshme, ku njerëzit udhëzohen. Dihet se përftimi prej këtyre urtësive dhe ligjeve nuk qëndron në nivelin e njerëzve mbarë, por ata që i përftojnë këto urtësi dhe dispozita janë dijetarët, të cilët nxënë dituri të madhe kundrejt sekreteve të shpajjes hyjnore dhe kuptimeve të interpretimit. Për fat të keq duhet thënë, se muslimanët sot kanë rënë në kllapi kundrejt kuptimit të këtij Libri të zbritur për udhëzimin real të njerëzve, për shkak të preokupimeve dhe interesave të tyre, megjithëse kuptimi i Kuranit është një nga detyrat kifaje (detyrë në rang shoqëror dhe jo  individual). Ai u obligohet dijetarëve dhe ideologëve, që t’i qasen kuptimit të Kuranit dhe të përpiqen në lëmin e shkencave të tij, për të nxjerrë prej tij ilaçet e përshtatshme për sëmundjet e kohës dhe epidemitë e saj, në rang individual dhe kolektiv. S’ka dyshim, se origjinat dhe bazat e udhëzimit tërësor gjenden në Kuranin fisnik, që ka garantuar bazat e përgjithshme, që përmirësojnë dhe standardizojnë jetën e  njerëzve, ndaj dhe Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhërishëm ka thënë: “Është Ai (Allahu), që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë (dlirësojë) ata, t’ua mësojë librin dhe Sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme“[18]. Këtu vjen argumenti, se urtësi do të thotë “ligj”.

Nga urtësia e Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhërishëm është, se Ai dërgoi profetë, të cilët i zgjodhi nga mesi i njerëzve. Këtë e thotë vetë Allahu i  Lavidshëm dhe i Lartmadhërishëm: “Juve ju ka ardhur profet (i dërguar) nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.“[19].

Allahu i Lartësuar zgjodhi si profetë më të mirët e njerëzve, që janë të kompletuar në aspektin human përsa i përket diturive, arsyeve, koncepteve, kapaciteteve dhe aftësive të tyre dhe falë kësaj realizohet përçimi në formën më të plotë i shpalljes dhe njerëzve u arrin argumenti. Ndaj dhe profeti (a.s) ishte në pozitën e tij të lartë, që e heton çdokush, që lexon biografinë e tij. Dërgimi i këtij profeti qe një dhunti, me të cilën Allahu i begatoi njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë: “Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur tek ata dërgoi nga mesi i tyre një profet që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë (dlirësoj) ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”[20].

Urtësia e Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhërishëm për të udhëzuar njerëzit dhe për të ngritur argumentin, ishte arsyeja pse Ai dërgoi profetë dhe zbriti librat hyjnor.

Nga kuptimet e urtësisë së Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhërishëm është: Që Ai u inspiron urtësinë disa prej robërve të Tij. Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhërishëm thotë: “ Ai-Allahu, ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush“[21]. Allahu i Lartësuar ia jep urtësinë disa prej robërve të Tij , në mënyrë që ata të arrijnë të konceptojnë drejt mënyrën se si t’i zgjidhin problemet, si të dalin nga tragjeditë dhe krizat, si të ndërveprojnë me situatat e vështira dhe se si t’i vendosin çështjet në vendin e tyre. Këta janë ata të urtët dhe njerëzit kanë shumë nevojë të marrin këshillat e tyre, lidhur me çështjet dhe situatat e tyre specifike apo të përgjithshme. Njerëzit e urtë janë të shumtë në shumë çështje të jetës, si për shembull në çështjet sociale, në komunikimin e ndërsjellë njerëzor, në problemet ekonomike etj. Në ditët tona kapitulli i konsulencës është një kapitull shumë i gjerë dhe shumë punonjësve në këto lëmenj Allahu i Lartësuar u ka inspiruar prej urtësisë, njohurisë dhe perceptimit, gjë që është rrezatuar me eksperiencë, përvojë, elasticitet dhe energji. Na takon që të përmendim faktin, se urtësia ka segmentet dhe kategoritë e saj, prandaj njeriu mund të posedojë një kontur të saj në një aspekt të mundshëm, edhe pse nuk është besimtar i vërtetë, edhe pse nuk është dijetar apo ekspert, edhe pse nuk posedon perceptim dhe maturi në çështje të kontureve të tjera.

Ndërsa “El Hakem-Gjykuesi“ është Ai, që posedon pushtetin, gjykimin dhe afirmimin, pa lejen e të Cilit nuk mund të zërë vend asgjë. Ai është planifikuesi dhe vepruesi: “ Ai-Allahu në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (falë mëkate, largon brenga, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.)“[22].

Gjithashtu Ai është Gjykatësi, që ka në dorë legjislacionin, lejimin dhe ndalimin (hallallin dhe haramin), gjykimi është çfarë Ai ka ligjëruar, feja apo bindja është ajo çfarë Ai ka urdhëruar dhe ndaluar, asnjë koment nuk mund t’i bëhet gjykimit të Tij dhe askush nuk mund ta anulojë vendimin e Tij. Ai ka tubuar në emrin e Tij “El Kader-Afirmimin“ dhe “Esh sheri`a-Ligjvënien“, “…Vërejtje, vetëm Atij i takon krijimi e edhe sundimi (urdhërimi)…“[23].

Kur Allahu thotë “Më i gjykueshmi i gjykuesve“ dhe “më i miri i gjykuesve“, kjo thekson me të madhe drejtësinë e Tij dhe vendosjen e çështjeve në vendin që u takojnë. Në caktimin e Tij nuk ka vend për dhunën, padrejtësinë dhe abuzimin. Në ligjin e Tij nuk ka vend për diskriminimin dhe njëanshmërinë, por ligji i Tij është garantues i të drejtave, të drejtave të pushtetarit dhe të të qeverisurve, burrit dhe gruas, të mirit dhe të keqit, muslimanit dhe jomuslimanit, të fortit dhe të dobëtit, në çdo situatë, në luftë apo në paqe dhe njëlloj për të gjithë, pa asnjë dallim.

Ndaj dhe çdo muslimani i del për detyrë, të vendoset nën pushtetin e Librit të Tij dhe Traditës së profetit të Tij në çdo detaj dhe princip, në aspektin individual, kolektiv, familjar, specifik dhe të përgjithshëm, politik, ekonomik, shoqëror, mediatik si dhe në çdo aspekt tjetër.

Nga gjykimi dhe urtësia e Tij është fakti, se Ai është i Drejti, që nuk dhunon dhe nuk i bën padrejtësi askujt, nuk ia vesh njeriut fajin e bërë nga tjetërkush, nuk e ndëshkon robin më shumë se ç‘ka gabuar dhe nuk lë asnjë bamirës pa e shpërblyer për bamirësinë e bërë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës“[24].

[1] Kuran, Bekare: 32.

[2] Kuran, Bekare: 129.

[3] Kuran, Enam: 18.

[4] Kuran, Nisa: 130.

[5] Kuran, Enam: 114.

[6] Kuran, Araf: 87.

[7][7] Kuran, Hud: 45.

[8] Kuran, Tin: 8.

[9] Kuran, Neml: 88.

[10] Kuran, Tin: 4,5.

[11] Kuran, Tin: 4-8.

[12] Kuran, Rahman: 1-4.

[13] Kuran, Rum: 23.

[14] Kuran, Dherijat: 56-58.

[15] Kuran, Muminun: 115.

[16] Kuran, Ali Imran: 58.

[17] Kuran, Jasin: 2.

[18] Kuran, Xhuma: 2.

[19] Kuran: Teube: 128.

[20] Kuran: Ali Imran: 164.

[21] Kuran: Bekare: 269.

[22] Kuran, Rahman: 29.

[23] Kuran, Araf: 54.

[24] Kuran, Kehf: 30.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.