Çdo dituri apo shkencë ka burimet, nga ku del dhe u referohet. P.sh: shkenca e Fikhut ka si burim të saj burimet ligjësuese. Shkenca e gjuhës ka si burim të saj parimet dhe rregullat e përcaktuar nga gjuhëtarët. Shkenca e Usul Fikhut bazohet dhe ka si burim të saj shumë shkenca dhe disiplina të ndryshme shkencore. Kemi të bëjmë me një tërësi diturish të përmbledhura në një shkencë, prandaj Usul Fikhu është emërtuar nga shumë dijetarë me termin: “Çelësi i të gjitha njohurive dhe shkencave”, apo “Laboratori i dijeve islame”. Bazat dhe njohuritë mbi të cilat ndërtohet Usul Fikhu janë:
1- Burimet sheriatike. Tekstet e Kuranit dhe të Sunetit që kanë të bëjnë me ligjet e çështjeve specifike dhe të çështjeve universale, siç janë parimet dhe normat juridike, të cilat kanë si referencë tekste kuranore dhe profetike. Baza e Usul Fikhut janë Kurani, Suneti dhe çka buron prej tyre.
2- Ligjet sheriatike. Ligjet sheriatike janë thelbi i Usul Fikhut. Shkenca e Usul Fikhut ka si fushë të kërkimit të saj katër gjëra: a) Ligjin sheriatik, si atë ngarkues me përgjegjësi (teklifi), ashtu edhe atë konvencional (vada`i); b) burimet sheriatike, si ato referenciale (Kurani, Suneti, Ixhmaja – konsensusi sheriatik etj), ashtu edhe ato logjike (Kijasi – Analogjia e ligjit sheriatik, Istihsani – analogjia përjashtimore, Istis`habi – status quo-ja, etj); c) Argumentimin arsyetues të këtyre ligjeve (fjalët gjithëpërfshirëse, fjalët specifike, kuptimi literal, kuptimi metaforik, etj); ç) Objektin e argumentimit, që përfshin çështjet që kanë të bëjnë me ixhtihadin dhe imitimin.
3- Gjuha arabe me të gjitha disiplinat e saj. Shpallja hyjnore e konkretizuar në Sheriatin Islam është në gjuhën arabe, prandaj burimet e tij sheriatike janë në Gjuhën Arabe. Tekstet sheriatike duhen kuptuar në bazë të rregullave dhe metodologjive të kësaj gjuhe. Mosnjohja e gjuhës arabe është pengesë thelbësore për njohjen e ligjeve sheriatike.
4- Teologjia apologjetike (kelamiste) dhe demonstrative. Burimet sheriatike janë të kushtëzuara me njohjen e Allahut të Madhëruar, i Cili është Ligjvënësi i vetëm, me njohjen e profetëve të cilët kanë komunikuar Ligjet e Tij. Shkenca e Usul Fikhut ka përvetësuar nga teologjia shumë tematika, si: Ligjvënësi, çështja e të mirës dhe të keqes, përgjegjësia sheriatike përtej aftësisë njerëzore, ligje për shumë çështje para shpalljes profetike, muxhtehidi gabon dhe gjen të vërtetën, falënderimi i Mirëbërësit, disa çështje të anulimit të disa ligjeve, etj.([1])
5- Shkenca e Fikhut. Megjithëse shkenca e Fikhut është bija e Usul Fikhut, usulisti ka nevojë për këtë shkencë. Nëse dijetari i Usulit nuk e ilustron parimin juridik universal apo të përgjithshëm me shembuj konkretë nga shkenca e Fikhut, ky parim do të ishte vetëm teorik, i thatë dhe shumë i vështirë për t`u kuptuar. Kur një usulist sintetizon parimin: “Suneti është burim i pavarur sheriatik, bindja ndaj Profetit (a.s) është detyrë dhe kundërshtimi i tij është haram”, ai duhet ta ilustrojë me shembuj dhe praktikisht konceptin e detyrës dhe haramit. Kështu veprohet me të gjitha parimet ligjore sheriatike universale dhe të përgjithshme.([2])
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Rashid, “Khulâsatu Ilmi Usûli`l-Fikh ale`l-Medhâhibi`l-Erba`ah”, f. 45-49; Abdulmunim, “Bidâjetu`l-Mubtedi”, f. 18;
([2]) – Sulemi, “Usûlu`l-Fikhi`l-Ledhî lâ Jesau`l-Fakîha Xhehluhu”, f. 24, botimi i dytë i Dar ibnul Xhevzi, Damam, 1439 H.



















