Njohja e shkaqeve të zbritjes së ajeteve dhe sureve të Kuranit është me rëndësi të veçantë, pasi kjo e ruan studiuesin e Kuranit nga keqinterpretimi i tij.
Mënyra e vetme për të njohjur shkaqet e zbritjes së Kuranit janë hadithet e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe transmetimet nga sahabët. Mirëpo duhen pranuar vetëm ato hadithe/transmetime, që plotësojnë kriteret përkatëse.
Kur një sahabi thotë: “Ky ajet është shpallur për këtë gjë”, kjo fjali ka statusin e hadithit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), edhe pse nuk është përmendur Profeti (Paqja qoftë mbi të). Shembull: Ebu Mesud Ensariu (r.a) thotë: “Kur u urdhëruam për të dhënë sadaka, sollëm atë që kishim mundësi. Ebu Ukajli solli sadaka sa ½ e Sa`asë (rreth 1.6 kg), ndërsa dikush tjetër solli pak më shumë. Hipokritët thanë: “Allahu nuk ka nevojë për sadakanë e tyre. Ebu Ukajli e ka bërë vetëm për t`u dukur”. Allahu i Madhëruar shpalli: “Sa për ata (hipokritë) që përqeshin besimtarët, që japin lëmoshë me vullnet dhe tallen me ata që nuk janë në gjendje të japin gjë përveç (fryteve të) punës së tyre, Allahu do të tallet me ta. Ata do të kenë dënim të dhembshëm”.([1])([2])
Në rastin kur një sahabi thotë, se ajeti është shpallur për filan shkak, ndërsa një tjetër thotë se ajeti është shpallur për një shkak tjetër, përparësi ka transmetimi që ka kuptim më të afërt me ajetin. Shembull: Abdullah ibn Mesudi (r.a) tregon: “E pyeta – apo dikush e pyeti – të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cili është mëkati më i kobshëm tek Allahu”? Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “T`i bësh ortak Atij, kur e di se vetëm Ai të ka krijuar”. E pyeta: “Kush vjen pas tij”? Ai (Paqja qoftë mbi të) m`u përgjigj: “Të vrasësh fëmijën tënd, nga frika se do të të hajë ushqimin”. E pyeta përsëri: “Po pas këtij”? Ai (Paqja qoftë mbi të) m`u përgjigj: “Të bësh imoralitet me bashkëshorten e fqinjit tënd”. Për të vërtetuar këto fjalë të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), u shpall: “…dhe ata që, përveç Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë imoralitet. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe”.([3])([4])
Abdullah ibn Abasi (r.a) jep një variant tjetër për shkakun e shpalljes së këtij ajeti. Ai ka thënë: “Disa idhujtarë kishin bërë shumë vrasje dhe imoralitet. Ata shkuan tek Muhamedi (a.s) dhe i thanë: “Nuk ka dyshim, se ajo në të cilën ti na fton, është shumë e mirë. Ah sikur të na tregoje, nëse ka shlyerje për ato që kemi bërë”. Allahu i Madhëruar shpalli: “…dhe ata që, përveç Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë imoralitet. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe”.([5]) Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër: “Thuaj: “O robërit e Mi, që e keni tepruar me gjynahe, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut…”!([6])([7])
Të dyja transmetimet janë të vërteta, mirëpo transmetimit të Ibn Abasit (r.a) i jepet më shumë përparësi, pasi shpallja ka ardhur pas pyetjes së idhujtarëve, ndërsa Ibn Mesudi (r.a) vë në pah, se fjalët e të Dërguarit të Allahut (a.s) janë në përputhje me ajetin kuranor.([8])
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Kurani: Teube, ajeti: 79.
([2]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (1349) dhe Muslimi (1018).
([3]) – Kurani: Furkan, ajeti: 68.
([4]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4483) dhe Muslimi (86).
([5]) – Kurani: Furkan, ajeti: 68.
([6]) – Kurani: Zumer, ajeti: 53.
([7]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4532) dhe Muslimi (122).
([8]) – “El-Mukaddimât El-Esâsije fî Ulûmi`l-Kurân”, (fq: 47).



















