Emërtimet e haditheve sipas lidhjes që kanë me tekstin (llojet e teksteve të transmetura)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Hadithi Merfu:

Nga ana gjuhësore, fjala “Merfu`a” ka kuptimin: “lartësim, ngritje”.

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith merfu” përkufizohet me fjalët: “Çdo fjalë, vepër, miratim apo cilësi fizike dhe morale, që sahabët apo transmetuesit ia cilësojnë të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të)”.

Një formë transmetimi e tillë është:  “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë…”, ose

transmetuesi thotë: “Ebu Hurejra (r.a) transmeton “merfuan”, pra kjo është fjalë, që nënkupton

se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “…”.

Termi Hadith Musned:

Hadith me varg të pandërprerë deri tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të).

– Nëse një sahabi thotë një fjalë, pa ia cilësuar të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), atëherë fjala e tij duhet studiuar në disa këndvështrime, me qëllim që të përcaktohet nëse fjala e tij ka statusin e hadithit apo jo. Kur sahabiu thotë: “Jemi urdhëruar, jemi ndaluar”, apo “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) vepronim kështu e ashtu”, apo “Nga Suneti është kështu e ashtu, këtë nuk e bënim” etj, në këto raste – sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve – thënia e sahabiut ka statusin e hadithit.

– Nëse sahabiu thotë diçka, që nuk është frut i mendjes së tij, apo thotë gjëra që thuhen vetëm nëpërmjet shpalljes, edhe në këtë rast fjala e tij ka statusin e hadithit. Në lidhje me fjalët e sahabëve, ato duhen parë dhe analizuar. Për shembull, çdo fjalë që ka thënë Ebu Hurejra (r.a) pa ia cilësuar të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) është hadith.

Muhamed ibn Sirini (r.a) tregon, se Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “…”. Një person e pyeti: “E ka thënë si fjalë të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të)”? Ibn Sirini ia ktheu: “Çdo fjalë e Ebu Hurejas (r.a) është fjalë e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të

Hadithi Kudsij:

Nga ana gjuhësore, fjala “kudsij” do të thotë “i pastër, i shenjtë, hyjnor, i begatë”.

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith kudsi” përkufizohet me fjalët: “Çdo fjalë që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i cilëson Allahut të Madhëruar, ku formulimi është nga i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)”.

Kjo gjë e dallon Hadithin Kudsij nga Kurani, pasi Kurani – si fjalë dhe kuptim  është nga Allahu i Madhëruar, sepse është cilësi dhe fjalë e përjetshme e Tij.

Shembull: Buhariu (r.a) shënon: Na ka treguar Jahja ibn Kethiri, i cili thotë: Na ka treguar Lejthi, i cili transmeton nga Junusi, ndërsa ky transmeton nga Ibn Shihabi, i cili thotë: Ebu Seleme më ka thënë: Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: “Njerëzit më ofendojnë. Ata shajnë kohën, ndërsa Unë jam Koha. Çdo gjë që ndodh është në Dorën Time, Unë sjell natën dhe ditën”.

Ndryshe nga Kurani, Hadithi Kudsij i nënshtrohet të gjitha disiplinave të shkencës së hadithit, pasi ai mund të jetë i vërtetë, i pranuar, i dobët, i refuzuar, i trilluar etj.

Hadithi Meukuf:

Nga ana gjuhësore, fjala “meukuf” ka kuptimin: “i ngritur, i ndaluar”.

Ky term është mjaft i goditur, pasi transmetuesi e ndalon tekstin tek sahabiu dhe nuk ia cilëson të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të).

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith meukuf ” përkufizohet me fjalët: “Çdo fjalë, vepër, miratim apo cilësi fizike dhe morale që transmetuesi ia cilëson sahabëve”.

Shembull: Ibn Ebi Shejbeh (r.a) shënon: Na ka treguar Ibn Nemiri, i cili transmeton nga Ismaili, i cili transmeton nga Ebu Sinani, ky transmeton nga Ebu Ahuasi, ndërsa ky i fundit transmeton, se Abdullah ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Kush thotë tre herë: I kërkoj falje Allahut, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar me të drejtë, i Cili është i Gjallë dhe i Përjetshëm”, i falen mëkatet edhe nëse ka ikur nga

fronti i luftës”.

Hadithi Maktua:

Nga ana gjuhësore, fjala “maktua ka kuptimin: “kapërcim, i prerë, i shkëputur”.

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith maktua” përkufizohet me fjalët: “Çdo fjalë, vepër, miratim apo cilësi fizike dhe morale që transmetuesi ia cilëson tabi`inëve”.

Shembull: Daramiu thotë: “Na ka treguar Ahmed ibn Abdullah ibn Junus, i cili ka thënë: na ka treguar Zaideh, i cili transmeton nga Eamashi, ai transmeton nga Muslimi, ndërsa ky i fundit transmeton, se Mesruk ibn Exhda (r.a) ka thënë: “Mjafton si dituri për njeriun, që të ketë frikë Allahun dhe mjafton si injorancë për njeriun, që të mahnitet me atë që di”.

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.