Imamllëku

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Imamllëku është nga detyrat më me vlerë dhe ka të bëjë me udhëheqjen e njerëzve në namaz. Ashtu siç ka shpërblim të madh, ka edhe përgjegjësi të madhe. Imami duhet të plotësojë disa kushte të caktuara për t`u prirë njerëzve në namaz. Imami kryen atë detyrë, që ka kryer edhe i Dërguari i Allahut (a.s).

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imami është përgjegjës, kurse muezini është besnik. O Allah udhëzoi imamët dhe fali muezinët”[1]

Ebu Ali Misriu tregon: “Po udhëtonim me Ukbeh ibn Amir Xhuheniun (r.a), kur u bëmë gati të falemi, e nxitëm që të dilte imam. Ai tha, se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Nëse ai që i prin një grupi, e fal namazin të plotë, të plotë e ka për vete dhe për xhematin (namazin). Nëse nuk e fal namazin të plotë, namazi për xhematin është i plotë, ndërsa ai merr mëkatin”[2]

Abdullah ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Tre persona do të jenë në mes të parfumeve në Ditën e Kijametit; Robi i cili kryen detyrën ndaj Allahut dhe pronarit të tij. Një burrë, i cili u prin imam njerëzve dhe ata janë të kënaqur me të. I treti është një burrë, që thërret Ezanin e pesë namazeve”[3]

Nuk është e pëlqyeshme që të bëhet imam një person, të cilin nuk e do xhemati

Abdullah ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (A.s) ka thënë: “Allahu nuk ua pranon namazin tre personave; atij që i prin imam xhematit, ndërkohë që xhemati e urren atë, atij që fal namazin mbrapsht, pra e fal atë pasi ka kaluar koha dhe atij që robëron një person, që është i lirë”[4]

Talha ibn Ubejdullah (r.a) u priu imam disa njerëzve në namaz. Pasi mbaroi namazin, ai tha: “Unë harrova t’u kërkoja leje për të dalë imam. A jeni të kënaqur që unë u priva imam”? Ata thanë: “O përkrahës i të Dërguarit të Allahut! Si të mos jemi të kënaqur me ty si imam”?! Talha (r.a) u shpreh, se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (A.s) duke thënë: “Cilido që u prin imam njerëzve dhe ata nuk e duan, namazi i atij që del imam nuk do t’i kalojë veshët e tij (nuk do të pranohet, namazi nuk do të ngrihet lart)”[5]

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (A.s) ka thënë: “Nuk i lejohet dikujt që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të dalë imam pa lejen e njerëzve. Imami nuk duhet ta veçojë veten e tij me lutje, duke përjashtuar xhematin. Nëse vepron kështu, ai ka tradhëtuar xhematin”[6]

Kushtet që duhet të plotësojë dikush, për të qenë imam

1- Të jetë musliman.

2- Të ketë arritur pjekurinë seksuale. Fëmija nuk e ka detyrë namazin për veten e tij, rrjedhimisht namazi i tij vlen vetëm për vete dhe jo për të tjerët. Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Fëmija nuk duhet të dalë imam, pa arritur moshën”.  Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Fëmija nuk del imam, pa arritur pubertetin”[7]

3- Të jetë i aftë mendërisht.

4- Të jetë mashkull. Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Vendosni femrat në fund, atje ku i ka përcaktuar Allahu”[8]

5- Të mos ketë sëmundje kronike, që cënojnë vlefshmërinë e namazit, si: prostati, gjakrrjedhja e hundëve, apo belbëzimi.

Kush e meriton të jetë imam

Ebu Hanife është i mendimit, se përparësinë për të qenë imam e ka ai person, i cili është më i ditur se të tjerët në çështjet e fesë, edhe pse mund të ketë të tjerë që dinë më shumë Kuran sesa ai, më pas ai që di më shumë Kuran, më pas më i devotshmi, pastaj më i moralshmi dhe më pas më i moshuari.

Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nga pjesëtarët e Umetit tim: Ebu Bekri është më i mëshirshmi me ta; Umeri është më i ashpëri në të drejtë; Uthmani është më me sedërliu; Aliu është gjykatësi më i aftë; Ubej ibn Kabi e lexon Kuranin më mirë se kushdo tjetër; Muadh ibn Xhebeli e njeh hallallin dhe haramin më mirë se kushdo tjetër; Zejd ibn Thabiti i njeh më mirë çështjet e trashëgimisë. Çdo popull ka besnikun e tij dhe besniku i këtij Umeti është Ebu Ubejdeh ibn Xherrah”[9]

Dihet, se i Dërguari i Allahut (A.s) ka urdhëruar Ebu Bekrin, që ta zëvendësojë në namaz, për shkak se ka qenë më i dituri i sahabëve dhe nuk ka urdhëruar Ubej ibn Kabin, i cili e lexonte Kuranin më mirë se të tjerët.

Ebu Saidi (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (A.s) na mbajti një predikim, ku tha: “Allahu i ka dhënë mundësi robit të Tij, që të përzgjedhë mes jetës në këtë botë dhe asaj që Ai i ofron. Robi ka përzgjedhur atë që ofron Allahu i Madhëruar”. Kur dëgjoi këto fjalë, Ebu Bekri filloi të qajë. Ne u habitëm, se përse po qante nga fjalët që tha i Dërguari i Allahut (A.s), pra për robin që kishte bërë përzgjedhjen. Mirëpo ai që kishte bërë përzgjedhjen ishte pikërisht i Dërguari i Allahut (A.s. Këtë e kishte kuptuar vetëm Ebu Bekri, prandaj ai ishte më i dituri në mesin tonë”[10]

Ebu Jusufi është i mendimit, se imam del ai që di më shumë Kuran, më pas ai që është më i ditur me Sunetin, më pas më i moshuari. Ebu Mesud Ensariu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imam për njerëzit del ai që di më shumë nga Libri i Allahut. Nëse janë të barabartë në leximin e Kuranit, imam del ai që di më shumë nga Suneti. Nëse janë të barabartë në diturinë për Sunetin, imam del ai që ka bërë më parë Hixhretin dhe nëse janë të barabartë edhe në këtë gjë, imam del ai që ka pranuar më parë Islamin/apo më i moshuari.  Askush nuk duhet të dalë imam para atij që ka pushtetin në atë vend dhe askush nuk duhet të ulet në shilten/dyshekun e të zotit të shtëpisë pa lejen e tij”[11]

Këto janë kriteret bazë, të cilat duhet t`i kenë parasysh ata që përzgjedhin dhe emërojnë imamët. Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s!) ka thënë: “Nëse janë tre veta, le të dalë njëri imam. Ai që e meriton të jetë imam, është ai që di më shumë Kuran”[12]

I Dërguari i Allahut (a.s!) i ka thënë Malik ibn Huejrithit (r.a): “Kur të hyjë koha e namazit dhe ju të dy jeni bashkë, bëni ezanin dhe Ikametin, ndërsa imam le të bëhet më i madhi prej jush”[13]

Nuk lejohet që dikush tjetër të dalë imam pa lejen e imamit zyrtar

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Askush nuk duhet të dalë imam para atij që e ka pushtetin në atë vend”[14]

Malik ibn Huejrith (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që viziton një grup njerëzish, nuk duhet të dalë imam për ta, por imami duhet të jetë prej tyre”[15]

Lejohet që i verbëri të dalë imam

Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka lënë dy herë si zëvendës të tij në Medine Ibn Um`mu Mektumin (r.a). Ai falej si imam dhe ishte i verbër.[16]

Lejohet falja e namazit pas një personi të shthurur, por më e mira është shmangia e tij

Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Zgjidhni për imam njerëzit më të mirë që keni, sepse ata janë delegacioni mes jush dhe Zotit tuaj”[17]

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Xhihadi është detyrë për ju pas çdo udhëheqësi: i devotshëm qoftë ai apo i shthurur. Falja e namazit është detyrë pas çdo muslimani, i devotshëm qoftë ai apo i shthurur, madje edhe nëse ka kryer mëkate të mëdha. Falja e namazit të xhenazes është detyrë ndaj çdo muslimani, i devotshëm qoftë ai apo mëkatar – edhe nëse i ka bërë të gjitha mëkatet e mëdha”[18]

Abdul Kerim El Buka ka thënë: “Kam arritur 10 shokë të të Dërguarit të Allahut (a.s), të cilët faleshin pas imamllarëve gjakatarë”

Lejohet që banori të lidhet pas një imami udhëtar

Banori nuk jep selam me imamin udhëtar, por ngrihet dhe plotëson namazin. Imran ibn Husajni (r.a) tregon: “Sa herë që i Dërguari i Allahut (a.s) udhëtonte, falte dy rekate derisa të kthehej në Medine [i shkurtonte namazet]. Ai ka qëndruar në Meke për 18 net dhe i ka falur namazet me nga dy rekate, përveç Akshamit që e ka falur me 3 rekate. Pasi falte namazet e shkurtuara, thoshte: “O banorë të Mekes! Ngrihuni dhe falni dy rekate të tjera, sepse ne jemi udhëtarë”[19]

A lejohet që një person, i cili nuk e ka falur farzin, të lidhet pas një personi që po fal sunetin

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Ebu Hanife është i mendimit, se ky veprim nuk lejohet. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos veproni në kundërshtim me imamin”[20]

Mirëpo mendimi më i drejtë është, se lejohet që një person i cili nuk e ka falur farzin, të lidhet pas një personi që po fal namaz sunet. Xhabiri (r.a) tregon, se Muadhi (r.a) falte Jacinë me të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe më pas shkonte tek fisi i tij dhe falte namazin e Jacisë me ta, duke dalë imam.[21]

Nëse imami falet në këmbë, lejohet që pasuesi të qëndrojë ulur, nëse ka arsye

Enesi (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) ka qenë sëmurë, është falur ulur pas Ebu Bekrit (r.a), duke qenë i mbështjellë me një rrobë.[22]

Nëse imami falet ulur, atëherë edhe xhemati duhet të falet ulur

Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (A.s) u fal në shtëpi dhe ishte në mëdyshje. Ai u fal ulur, ndërsa xhemati pas tij qëndronte në këmbë. Ai u bëri me shenjë që të ulen. Pasi mbaroi namazin, ai tha: “Imami është përcaktuar që ta pasoni. Kur të bjerë në ruku, bini edhe ju në ruku. Kur të bjerë në sexhde, bini edhe ju në sexhde. Nëse falet ulur, faluni edhe ju ulur”[23]

Lejohet që personi me abdes të falet pas imamit që ka marrë tejemum

Dihet se Amr ibn Asi (r.a) është falur imam duke qenë me Tejemum. Ibn Abasi (r.a) ka qenë me Tejemum dhe është falur si imam i një grupi, ku pjesëtarë të tij ishin edhe disa sahabë”

Nëse dikush falet pas një imami, i cili ka gabuar duke lënë një shtyllë të namazit dhe ai nuk e di këtë gjë, namazi i pasuesit është i plotë dhe i pranuar

Sehl ibn Sadi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imami është përgjegjës. Nëse ai falet sipas rregullave, shpërblehet edhe ai edhe xhemati, nëse ai gabon, gabimi është vetëm për të dhe jo për xhematin”[24]

Nuk është e pëlqyeshme, që imami të falet në një vend më të lartë se xhemati. Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar, që imami të qëndrojë në një vend më të lartë se xhemati”[25]

Mirëpo lejohet që pasuesi të jetë në një vend më të lartë se imami. Ebu Hurejrah (r.a) është falur në tavanin e xhamisë, duke qenë pasues i një imami [i cili po falej në xhami][26]

Leximi i imamit në namaz dhe lehtësimi i namazit

Katadeh tregon: “Dikush e pyeti Enesin (r.a): “Si ishte leximi i të Dërguarit të Allahut (a.s) në namaz”?! Ai u përgjigj: “I Dërguari i Allahut (a.s) lexonte duke zgjatur shkronjat”. Enesi (r.a) lexoi“Bismilahirr`rrahmanirr`rrahim” dhe zgjati “Bismil`laah”, “Rrahmaan” dhe “Rrahiim”[27]  Është e pëlqyeshme që gjatë leximit të heshtet pak pas çdo ajeti. Umu Selemeh (r.a) u pyet për leximin e të Dërguarit të Allahut (a.s). Ajo u përgjigj: “Leximi i tij ishte: “Bismilahirr`rrahmanirr`rrahim. Elhamdu lil`lahi rrab`bil alemin. Err`rrahmanirr`rrahim”. Ai e lexonte ajetin, heshtte, lexonte tjetrin heshtte e kështu deri në fund”[28]

Ebu Hurejrah (r.a) ka thënë: “Nuk jam falur pas një personi, namazi i të cilit të jetë kaq i ngjashëm me namazin e të Dërguari të Allahut (a.s) sesa namazi i këtij (Umer ibn Abdulazizit)”. Sulejmani thotë: “Ai i zgjaste dy rekatet e para të Drekës dhe i shkurtonte dy të fundit, falej shkurt në Ikindi, në Aksham lexonte suret e shkurtra të Mufasal, në Jaci lexonte suret e mesme të Mufasal-it dhe në mëngjes lexonte suret e gjata të Mufasal-it”.(826) Abullah ibn Amri (r.a) tregon, se çdo sure të vogël apo të madhe të Mufasal-it e ka dëgjuar t`i lexonte i Dërguari i Allahut (a.s), kur u printe njerëzve në namaz.[29]

Duke u bazuar në këto hadithe, themi se imami duhet të dijë përmendësh të paktën suret “El Mufasal”. Ky duhet të jetë niveli minimal i mësimit përmendësht të Kuranit nga imami i një xhamie.

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet imam me njerëzit, le të falet sa më lehtë, sepse mes tyre është i sëmuri, plaku dhe nevojtari, ndërsa kur ndonjëri falet vetëm, le ta zgjasë sa të dojë (namazin)”[30]

A është kusht, që pasuesi të dijë nëse imami është me abdes, apo nëse falet sipas medh`hebit të tij (pasuesit)

Themi se për këto nuk ka ndonjë argument të qartë. Nuk është vërtetuar, që sahabët të kenë pyetur ndonjëherë të Dërguarin e Allahut (A.s), nëse ka pasur abdes apo jo. Gjithashtu nuk është vërtetuar, që duhet pyetur për medh`hebin e atij që falet si imam.

Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[2] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[3] – Tirmidhiu. Hadithi është Daif.

[4] – Ebu Daudi. Hadithi është Daif.

[5] – Tabaraniu në “El Kebir”. Hadithi është Sahih.

[6] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[7] – Vargu i thënies është Daif.

[8] – Thënie e saktë.

[9] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[10] – Buhariu.

[11] – Muslimi.

[12] – Muslimi.

[13] – Buhariu dhe Muslimi.

[14] – Muslimi.

[15] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[16] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[17] – Darakutni. Hadithi është Daif.

[18] – Hadithi është Daif.

[19] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[20] – Bezzari. Hadithi është Daif.

[21] – Buhariu dhe Muslimi.

[22] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[23] – Buhariu dhe Muslimi.

[24] – Ibn Maxheh. Hadithi është Sahih.

[25] – Ebu Daudi: hadithi është Sahih.

[26] – Thënie e pranuar.

[27] – Buhariu.

[28] – Ebu Daudi: Hadithi është Sahih.

[29] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[30]– Buhariu dhe Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *