Këshilla nga Ibn El Xheuzi për muajin e Ramazanit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1- Mjerë ti! Ky muaj është pranvera e devotshmërisë dhe aroma e tij është shpërndarë kudo.

2- Sa për t’u habitur! Gjendja jote i ngjan muajve të vitit:

Pasuria jote në bujari është si “Muharremi” (e ndaluar).

Zemra jote për përmendjen e Zotit është si “Seferi” (bosh).

Dëshirat dhe epshet e tua janë si “dy Rabia” (të lulëzuara).

Duart e tua në dhënie janë si “dy Xhumada” (të ngrira).

Veshi yt ndaj këshillave është si “Rexhebi” (i shurdhër).

Kujdesi yt për rininë tënde është si “Shabani” (duke ikur).

Prandaj, ndërto në këtë muaj me pendim atë që është dobësuar dhe rrënuar.

3- O agjërues, kupto vlerën tënde, ule shikimin tënd dhe bëje adhurimin tënd të pastër për Atë që të krijoi. Mos e lër asgjë nga ajo që Ai të ka rekomanduar dhe urdhëruar.

4- Ruajeni agjërimin tuaj nga përgojimi, namazin tuaj nga shpërqendrimi dhe njihni madhështinë e së Vërtetës së Lartë. Kini kujdes që përfundimi juaj të mos jetë dështimi.

5- Lartësoni Zotin në Ramazan, sepse një tesbih vlen sa shtatëdhjetë. Ruajini gjymtyrët tuaja, sepse Zoti është ndihmuesi juaj. Bëni syfyr me një lot, trishtim dhe psherëtimë. Falni dy rekate që të fitoni hyritë e Xhenetit. Qëndroni me Zotin, deri kur do të jeni me shejtanin e mallkuar?

6- Ky është Ramazani, koha e Kuranit. Ky është Ramazani, çelësi i mendjeve të ndriçuara. A ka ndonjë mes jush që t’i ketë shfaqur efektet e agjërimit të tij?

7- Në këtë muaj ndriçojnë dritat, ëmbëlsohen teravitë, braktisen veprat e shëmtuara. Fryn flladi i pranimit të adhurimit – a e ndieni aromën e tij?

8- Zgjateni qëndrimin në namaz këtë muaj, nxitni veten për ta kryer agjërimin dhe duroni, sepse janë vetëm disa ditë. Në këtë muaj shlyhen mëkatet dhe gjynahet, në të ngrihen flamujt e sinqeritetit.

9- Mblidhni lulet e jetës përpara se të veniten. Përfitoni nga shëndeti para se të vijë vdekja. Flisni me përmendjen e Zotit, deri kur do të heshtni? Kujtoni një shtëpi që nuk i ngjan shtëpive të kësaj bote.

10- Ku janë ata që ishin me ju vitin e kaluar? A nuk i ndryshoi rrota e kohës dhe i largoi? A ka ndonjë mes jush që e ka vendosur sinqerisht të pendohet? A ka ndonjë që e ka tronditur paralajmërimi i rëndë i ndëshkimit?

11- Sikur t’u thuhej banorëve të varreve: “Shprehni dëshirat tuaja!”, ata do të dëshironin një muaj si ky i juaji. Prandaj, shikoni çështjen tuaj, Zoti ju mëshiroftë! Ata u morën, ndërsa ju shpëtuat. Ata humbën shpërblimin e agjërimit, ndërsa ju e fituat. Falënderoni Atë që i vdesi ata dhe ju dha jetë, njihni dhuntitë e Tij, sepse Ai ju dhuroi këtë mundësi.

12- Kush ju garanton që do të jetoni deri në vitin tjetër? Le të zgjohet nga plogështia dhe përtacia ai që është i neglizhuar.

13- O ti që je i pavëmendshëm ndaj madhështisë së këtij muaji, kuptoje vlerën e kohës tënde!

O ti që flet shumë dhe dëmton të tjerët, ruaje gjuhën tënde!

O ti që do të pyetesh për veprat e tua, mendo mirë për to!

O ti që je i njollosur me gabime, pastroje veten me pendim!

O ti që çdo vepër e keqja është regjistruar për ty, rishiko ditarin e jetës tënde!

14- Nuk ka agjëruar ai që vazhdon të hajë mishin e njerëzve (përgojon)!

15- Vëllezër të mi, ky është muaji i zgjimit! Kjo është koha për kujdes dhe vetëpërmirësim!

16- Sa e sa njerëz shpresonin të arrinin këtë muaj, por nuk e arritën, sepse vdekja i befasoi dhe i mori! Sa e sa të tjerë e prisnin ditën e agjërimit me shpresë, por dora e fatit ua mbylli sytë me vdekjen! Sa e sa të tjerë mendonin se do ta takonin mes miqve të tyre, por vdekja i hodhi në pluhurin e varrit të tyre.

17- Shfrytëzoje shëndetin dhe jetën tënde në këtë muaj, para se të mbetesh peng në varrin tënd, para se të mbarojë koha jote, të humbasësh mundësitë, të ligështohet fuqia jote, të shuhet zëri yt, të rrëshqasë këmba jote dhe të dalë në pah pendimi yt! Sepse jeta nuk është gjë tjetër veçse orë që kalojnë dhe çaste që rrëmbehen, e të gjitha ato janë të numëruara për ty, ndërsa vdekja afrohet tek ti çdo çast.

18- Pasha Zotin, sikur t’u thuhej banorëve të varreve: “Shprehni dëshirat tuaja!”, ata do të dëshironin vetëm një ditë nga Ramazani.

19- Nëse humbet në këtë muaj, kur do të fitosh? Nëse nuk udhëton drejt mirësive tani, kur do të nisesh?

20- O robër të Zotit! Gëzimi i trupit është në iftar kur shijon ushqimin, ndërsa gëzimi i besimit është në suksesin e përmbushjes së agjërimit.

21- O ti që e shpërdoron kohën në gjëra që e dobësojnë besimin! Nuk të shoh në Ramazan ndryshe nga sa je në muajt Xhumada dhe Sha’ban! A nuk të nxit drejt së mirës ajo që duhet të të nxisë? A nuk të pengon nga e keqja ajo që duhet të të pengojë? Kur do të bëhesh i pari, o i mbetur prapa?

22- Një grup njerëzish shiti një shërbëtore para Ramazanit. Kur ajo shkoi tek blerësi, ai i tha: “Përgatit atë që është e përshtatshme për agjërimin.” Ajo u përgjigj: “Dikur isha tek njerëz që e kishin të gjithë kohën e tyre si Ramazan!”

23- Kush i jep iftar një agjëruesi, ka shpërblimin e një agjëruesi. Prandaj, përpiqu ta agjërosh Ramazanin për gjashtëdhjetë ditë!

24- Sa njerëz e pritën këtë muaj me shpresë, por shpresa e tyre u zhgënjye! Ku janë ata tani? Kanë mbetur vetëm me veprat e tyre në varret e tyre! Pasha Zotin, harresa e vdekjes është një mangësi në mendje. A nuk të mjafton qëndrimi i të gjallëve si një këshillë nga ata që kanë ikur?

25- O ti dembel, kjo është koha e zgjimit! O ti mendjemadh, qortimi ka dhembjen e një kamxhiku!

26- Vëllezër, respektoni të drejtën e këtyre ditëve sa më shumë që të mundeni dhe falënderoni Atë që ju dha shëndetin dhe ju mundësoi t’i arrini. Sa e sa njerëz shpresuan të arrinin këtë muaj, por nuk arritën atë që dëshironin! Nëse dyshon, shiko fqinjët e tu dhe reflekto.

27- O ti që përpiqesh në adhurim, ky muaj është pranvera e përkushtimit tënd!

O ti që falënderon Zotin, kjo është koha për të dëshmuar mirënjohjen tënde!

O ti që kërkon të mirën, ky është momenti për ta synuar atë!

28- Ah, ç’kohë të ndritshme, sa të larta janë vlerat e tyre! Ç’orë të vyera, sa të buta dhe të çmuara janë!
Netët e tij ndriçojnë me namazin e teravive, ditët e tij shndrisin me përmendjen e Allahut dhe tesbihun.
Fryti i tij: sinqeriteti dhe besnikëria. Përfundimi i tij: shpëtimi nga gjynahet dhe çlirimi nga zjarri i Xhehenemit.

29- Ku janë ata që ishin me ju në Ramazanin e kaluar? A nuk i fshiu vdekja e pashmangshme?
Ku janë ata që ishin me ju në këto ditë? A nuk i morën muajt dhe vitet që kaluan?

Autor: Ibn El Xheuzi

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *