Objektivat kryesorë të studimit të shkencës së Usulu Fikhut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1- Njohja e shkencës së Usul Fikhut. Usul Fikhu është dija formuese e dijetarit musliman në përgjithësi dhe usulistit([1])  e juristit në veçanti. Dijetarët muxhtehidë kanë thënë se nuk i lejohet një muslimani që nuk e njeh këtë shkencë, të japë fetva apo të gjykojë mes njerëzve. Imam Shafiu ka thënë: “Nuk i lejohet askujt të flasë për fenë e Allahut, përveç atij që e njeh mirë Librin e Allahut, ajetet anuluese dhe të anuluara, ajetet e qarta dhe ajetet shumëkuptimore, interpetimin dhe kohën e shpalljes së tyre, ajetet e shpallura në Meke dhe në Medine, që e di se çfarë synohet prej tyre dhe përse janë shpallur; që e njeh shumë mirë hadithin e të Dërguarit të Allahut (a.s), hadithin anulues dhe të anuluar, pra të njohë hadithin njësoj siç njeh Kuranin; që e njeh mirë gjuhën arabe dhe poezinë, e cila i nevojitet për të kuptuar Sunetin dhe Kuranin, duke e përdorur me objektivitet gjuhën arabe; që i njeh mirë mospajtimet mes dijetarëve të vendeve të ndryshme. Të gjitha këto të jenë të rrënjosura dhe të jenë tipare të tij. Nëse ai i përmbush këto kritere, atëherë i lejohet të japë fetva për hallallin dhe haramin, përndryshe nuk i lejohet një gjë e tillë”.([2])

2- Rëndësia e shkencës së Usul Fikhut. Rëndësia e një shkence vlerësohet me produktin që ajo sjell. Produkti i shkencës së Usul Fikht është njohja e ligjeve sheriatike, nëpërmjet të cilave njeriu arrin të shpëtojë në këtë botë dhe në botën tjetër. Subkiu ka thënë: “Çdo dijetar qëndron në skaj të ixhtihadit, por jo çdonjëri prej tyre e përvetëson atë, përveç atij që ka depërtuar thellë në shkencën e Usul Fikhut, që ka marrë nga burimet e tij atë që është më e kulluara, që ka notuar thellë në detin e tij, që ka pirë ujin e kristaltë të tij dhe e ka kaluar natën, duke e studiuar Usul Fikhun, ndërkohë që gjymtyrët e tij nuk i janë dorëzuar gjumit”.([3]) Ibn Tejmije ka thënë: “Çdo njeri (dijetar) duhet të ketë parime universale, tek të cilat i referon detajet, pasi vetëm kështu flet me dituri dhe drejtësi. Më pas duhet të njohë edhe se si kanë ndodhur detajet, përndryshe do të mbetet në iluzion dhe padituri në lidhje me to, ashtu siç do të mbetet i paditur dhe i padrejtë në trajtimin e parimeve madhore, mirëpo këto sjellin dëm dhe shkatërrim të madh mes njerëzve”.([4])

3- Formimi i mendësisë shkencore të ekuilibruar. Shkenca e Usul Fikhut i skicon muslimanit rrugën e qartë, që duhet të ndjekë për të kuptuar drejt fenë, i jep çelësat për të kuptuar synimin e Ligjvënësit në ligjësimin e dispozitave të ligjit sheriatik, e aftëson dhe i mundëson zotësi dhe dhunti për të deduktuar ligje sheriatike nga burimet sheriatike, ashtu siç e mbron atë nga amullia në mendime dhe në qëndrime.

4- Formimi i mendësisë juridike tek juristi musliman. Nga vetë emërtimi, synimi i kësaj shkence është garantimi i bazave dhe metodave të shëndosha për zbulimin dhe deduktimin e ligjeve sheriatike në përputhje me qëllimin e Ligjvënësit. Juristi musliman nuk mund të jetë i tillë, nëse nuk e njeh mirë shkencën e Usul Fikhut, pasi ai nuk mund të ndërtojë, nëse fillimisht nuk hap themelet.

5- Formimi i mendimit kritik tek juristi musliman. Shkenca e Usul Fikhut konsiderohet mburoja e mendjes nga gabimi dhe devijimi. Me parimet dhe normat e saj, kjo shkencë formëson mendimin kritik larg nga subjektivizmi. Metodologjia e Usul Fikhut është metodologji kërkimore, demonstruese, mbrojtëse dhe analizuese.

6- Formimi i mendimit argumentues tek juristi musliman. Shkenca e Usul Fikhut e furnizon mendjen e studiuesit me metodat e deduktimit të ligjeve sheriatike, duke iu referuar burimeve dhe argumenteve sheriatike. Kështu, juristi musliman është i aftë ta konceptojë një çështje, ta trajtojë, ta analizojë, ta argumentojë dhe ta mbrojë atë. Shkenca e Usul Fikhut e ndihmon juristin që të ketë mendim të argumentuar, e furnizon atë me parime dhe norma juridike pohuese dhe mohuese, e nxit të gjejë argumentin më të qartë, më bindës dhe më të mbrojtur ndaj objeksioneve.

7- Hapja e horizonteve të mendimit të lirë dhe të hulumtimit. Deduktimi i dispozitave të ligjit sheriatik dhe arsyetimi i tyre është një fushë e gjerë dhe e hapur për dijetarët muxhtehidë deri në Ditën e Kijametit. Allahu (xh.sh) me urtësinë e Tij ka dashur t`i nderojë dijetarët, prandaj u ka dhënë mundësinë të japin maksimumin e mundit të tyre për plotësimin e hapësirave juridike sheriatike në ato çështje, për të cilat nuk ka tekst sheriatik, apo ka tekst aludues.

8- Mbrojtja nga amullia dhe kaosi në fushën e Fikhut Islam. Mungesa e Usul Fikhut ka nxjerrë në pah  kundërthëniet dhe fetvatë e çoroditura, që kanë ardhur si pasojë e mosnjohjes së shkencës së Usul Fikhut. Dihet se kjo shkencë e mbron hoxhën, studiuesin, myftiun dhe mësuesin nga gabimet në deduktimin e ligjeve apo në dhënien e fetvave.

Autor: Rushit Musallari

([1]) Usulist: Me këtë term emërtohet dijetari ekspert i shkencës së Usul Fikhut, i cili është i aftë të sintetizojë parime dhe norma juridike sheriatike.

([2]) – Bagdadi, “El-Fakîhu ue`l-Mutefakih”, v. 2, f. 331-332, (1048), botim i parë i Dar Ibn Xhevzi, Damam, 1996.

([3]) – Subki, “El-Ibhâxhu fî Sherihi`l-Minhâxh”, v. 1, f. 6, botimi i parë i DKI, Bejrut, 1984.

([4]) – Ibn Tejmije, “Mexhmûu`l-Fetâvâ”, v. 20, f. 203.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *