I lënduar në zemër, me lot që i rridhnin nga sytë dhe me dëshpërim tha: “Do të doja shumë të përqendrohesha në namazin tim dhe të qaja gjatë tij, ashtu siç i dëgjova të qanin ata që faleshin pas imamit gjatë netëve të Ramazanit.” Pastaj vazhdoi rrëfimin e tij duke thënë:
“Jemi tre vëllezër në shtëpi, dhe unë jam i mesmi. Babai ynë na rrihte për shkak të namazit dhe ishte shumë i ashpër me ne. Më kujtohet kur na zgjonte për të falur namazin e sabahut, na zgjonte duke na rrahur, teksa ishim në gjumë. Çoheshim të trembur, të frikësuar, sikur ishim në një film horror. Shkonim me të për të falur sabahun unë dhe vëllezërit e mi, shpesh pa marrë abdes nga frika. Edhe tani, kur shkoj për t’u falur, ndiej urrejtje për shkak të dhunës që kam përjetuar nga babai im.”
Një tjetër histori më tregoi dikush tjetër, duke thënë: “Babai im më thërriste çdo ditë, më merrte telefonin dhe kontrollonte çfarë kishte brenda. Më pyeste nëse kishte ndonjë foto të pahijshme apo filma me përmbajtje të keqe. Unë i përgjigjesha sinqerisht se nuk kishte, por ai nuk më besonte. E kontrollonte telefonin dhe e mbante pranë vetes për ta monitoruar. Kur e pashë që më trajtonte në atë mënyrë, fillova të interesohem për të parë foto të pahijshme dhe filma pornografikë – jo nga dëshira, por nga inati. Kështu fillova të ndjek një sjellje të devijuar, dhe jam ende kështu deri në këtë moment.”
Një histori e tretë është ajo e një vajze që filloi të komunikonte me djem, duke shkëmbyer me ta foto dhe video përmes telefonit dhe internetit. Kur e pyeta për arsyen e këtij veprimi, ajo m’u përgjigj:
“Kjo që bëj është një reagim ndaj sjelljes së nënës sime ndaj meje.” Megjithëse nëna e saj është e përkushtuar në fe dhe jep mësime e këshilla fetare, ajo vazhdimisht sillet si spiune duke e kontrolluar kompjuterin dhe telefonin e vajzës së saj, nuk i beson asaj dhe nuk e merr për të vërtetë atë që ajo i thotë.
Një histori e katërt është ajo e një burri mbi të tridhjetat që me dhimbje më tha: “Unë pi duhan, madje jashtëzakonisht shumë dhe kjo për shkak të babait tim.” U habita nga kjo përgjigje dhe e pyeta: “Si është e mundur?” M’u përgjigj: “Kur isha i vogël, rreth 12 vjeç, kisha shokë që pinin duhan. Unë ulesha me ta, por nuk pija dhe nuk më pëlqente duhani. Kur kthehesha në shtëpi, babai ndiente erën e duhanit në rrobat e mia dhe më rrihte rëndë, duke më ndaluar të pija. I thosha: ‘Më beso, unë nuk pi duhan, janë shokët e mi që pijnë’, por ai nuk më besonte – edhe pse u përpoqa shumë herë ta bindja. Kështu mora një vendim: të filloja me të vërtetë të pija duhan, përderisa po më rrihte çdo ditë pavarësisht ser thoja të vërtetën apo gënjeja. Tani kam kaluar të tridhjetat dhe ende vazhdoj të pi duhan, megjithëse e urrej.”
Këto janë shembuj që i kam përjetuar vetë dhe kam marrë pjesë në trajtimin e tyre – nuk janë thjesht histori që m’i kanë treguar të tjerët. Ajo që i bashkon të gjitha këto raste është përpjekja e prindërve për t’i edukuar fëmijët e tyre me frymën e besimit dhe përkushtimit në fe – një qëllim fisnik dhe i bukur që të gjithë e dëshirojmë dhe e synojmë – por, fatkeqësisht, ata kanë përdorur metoda të gabuara edukimi për shkak të mungesës së njohurive në fushën e edukimit, apo mungesës së kulturës së përshkallëzimit, fleksibilitetit dhe durimit në ngulitjen e vlerave fetare.
Kjo bie ndesh me metodologjinë profetike ku thuhet: “Me të vërtetë kjo fe është e fortë, prandaj futuni në të me butësi.” Shprehja “e fortë” nënkupton se feja është e gjerë, e fuqishme dhe e thellë – dhe këto kuptime, kur i ngulitim te fëmijët tanë, kërkojnë butësi, mirësi dhe durim. Me fëmijët nuk bën dobi dhuna, ashpërsia dhe rrahja.
Qëllimi nuk është që fëmijët tanë të praktikojnë adhurimet vetëm në pamje të jashtme, por që t’i praktikojnë me dashuri dhe dëshirë. Prandaj, sfida më e madhe në edukimin fetar është: si t’i bëjmë fëmijët tanë që jo vetëm të jenë të kujdesshëm ndaj namazit dhe adhurimeve, por edhe t’i duan dhe t’i ruajnë ato me zemër. Ky është një synim që kërkon art dhe aftësi edukative.
Ato që përmendëm më lart nga historitë reale të viktimave të edukimit fetar të gabuar, përsëriten në shumë shtëpi. Thelbi i këtyre rezultateve negative është edukimi sipas metodës së ashpërsisë, një qasje të cilën Allahu i Lartësuar ia ndaloi edhe të Dërguarit të Tij fisnik, duke thënë: “Sikur ti të ishe i ashpër dhe me zemër të vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.”[1]
Prandaj sot i shohim fëmijët tanë që largohen prej nesh, dhe të gjithë pyesin e thërrasin: “Si t’i bindim fëmijët tanë? Si t’i bëjmë të dëgjojnë fjalën tonë?”
Përgjigjja është e thjeshtë dhe ekuacioni është i thjeshtë: T’u japim atyre siguri dhe ndjesi paqeje, të mos i përgjojmë, t’i trajtojmë me respekt dhe butësi, t’i besojmë kur flasin dhe të dimë si të dialogojmë me ta.
Në këtë mënyrë, ata do të na binden, përgjigjen dhe respektojnë. Ndërsa nëse i trajtojmë me ashpërsi dhe dhunë, mund të na duket se kemi arritur sukses dhe do të gëzohemi për përmirësimin e sjelljes së tyre përkohësisht, duke menduar se është përmirësim i qëndrueshëm. Por, në të vërtetë, mund t’ua kemi shkatërruar personalitetin, sjelljen dhe vlerat pa e kuptuar, ndërkohë që mendojmë se po bëjmë mirë.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Ali Imran: 159.