Vërtet netët dhe ditët, muajt dhe vitet kalojnë shpejt dhe mbarojnë shpejt. Ato janë vendqëndrime të afateve të jetës dhe përcaktime të veprave. Allahu i Lartësuar i ka veçuar disa prej tyre dhe i ka bërë stinë të mirësive dhe kohë të adhurimeve, në të cilat shtohen veprat e mira dhe shlyhen gjynahet. Ndër këto kohë të mëdha e me shpërblim të shumtë është Dita e Arafatit. Të shumta janë ajetet kuranore dhe hadithet që flasin për vlerën e kësaj dite. Sa më poshtë po i rendis për ty o lexues i nderuar, që t’i kesh të lehta për t’i mbajtur mend dhe kujtuar:
1 – Dita e Arafatit është një nga ditët e muajve të shenjtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj në Librin e Allahut, prej ditës kur i krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë.”[1] Muajt e shenjtë janë: Dhul-Ka’de, Dhul-Hixhe, Muharrem dhe Rexheb. Dita e Arafatit është nga ditët e muajit Dhul-Hixhe.
2 – Dita e Arafatit është një nga ditët e muajve të Haxhit. Allahu i Lartësuar thotë: “Haxhi është në muaj të caktuar.”[2] Muajt e Haxhit janë: Sheval, Dhul-Ka’de dhe Dhul-Hixhe.
3 – Dita e Arafatit është një nga ditët e njohura për të cilat Allahu ka lavdëruar në Librin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Që të përfitojnë nga të mirat për veten e tyre dhe të përmendin emrin e Allahut në ditë të caktuara.”[3] Ibn Abbasi (r.a) ka thënë: Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.
4 – Dita e Arafatit është një nga dhjetë netët për të cilat Allahu është betuar, duke treguar statusin dhe vlerën e lartë të tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha dhjetë netët.”[4] Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Ato janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.” Ibn Kethiri ka thënë: “Kjo është ajo që është më e saktë.”
5 – Dita e Arafatit është një nga dhjetë ditët më të vlefshme, në të cilat veprat e mira janë më të mira sesa në çdo ditë tjetër të vitit. Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka vepër më të pastër tek Allahu dhe më të shpërblyer sesa një vepër e mirë që bëhet në dhjetë ditët e kurbanit.” U pyet: “As xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai tha: “As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç një njeriu që del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë prej tyre.”[5]
6 – Në Ditën e Arafatit, Allahu e përsosi fenë dhe e plotësoi mirësinë e Tij. Omeri (r.a) ka thënë: “Një burrë prej çifutëve më tha: O prijës i besimtarëve, ka një ajet në Librin tuaj që ju e lexoni, sikur të na kishte zbritur neve, ne do ta kishim bërë atë ditë feste.” Ai e pyeti: “Cili ajet?” Ai tha: ‘Sot jua përsosa fenë tuaj dhe jua plotësova mirësinë Time dhe jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj.’[6] Omeri tha: “Ne e dimë shumë mirë ditën kur ky ajet i është shpallur Profetit (a.s), në atë ditë ai ishte duke qëndruar në Arafat dhe ka qenë ditë e Xhuma.”
7 – Agjërimi i Ditës së Arafatit. Vlera e agjërimit në këtë ditë është përmendur si pjesë e nëntë ditëve të Dhul-Hixhes që Profeti (a.s) ka nxitur të agjërohen. Henide ibn Halid transmeton nga gruaja e tij nga njëra prej grave të Profetit (a.s) se ka thënë: “Profeti (a.s) agjëronte nëntë ditët e Dhul-Hixhes, ditën e Ashures dhe tre ditë nga çdo muaj: të hënën e parë të muajit dhe dy të enjtet.”[7] Gjithashtu, për vlerën e agjërimit, posaçërisht në Ditën e Arafatit, Profeti (a.s) ka thënë: “Ai shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.”[8] Kjo vlen për atë që nuk është në haxh. Sa për haxhiun, nuk është e preferuar të agjërojë në Arafat, sepse ajo është ditë feste për ata që qëndrojnë në atë vend.
8 – Ajo është dita e festës për ata që ndodhen në vendqëndrimin e Arafatit. Profeti (a.s) ka thënë:
“Dita e Arafatit, dita e therrjes dhe ditët e qëndrimit në Mina janë festa jonë, e myslimanëve.”[9]
9 – Lutja në Ditën e Arafatit ka vlerë të madhe. Profeti (a.s) ka thënë: “Lutja më e mirë është lutja që bëhet në Ditën e Arafatit.”[10] Ibn Abdil-Berri (r.h) ka thënë: “Ky hadith është argument për vlerën më të lartë të Ditës së Arafatit mbi ditët e tjera.”
10 – Në këtë ditë ka më shumë njerëz që lirohen nga zjarri i Xhehenemit. Profeti (a.s) ka thënë:
“Nuk ka ditë më shumë se Dita e Arafatit në të cilën Allahu e liron dikë nga zjarri.”[11]
11 – Allahu krenohet me banorët e Arafatit para banorëve të qiellit. Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet Allahu krenohet me banorët e Arafatit para banorëve të qiellit.”[12]
12 – Tekbiri (thënia “Allahu Ekber”) në këtë ditë ka rëndësi të veçantë. Dijetarët kanë thënë se tekbiri ndahet në dy lloje: Tekbir i kufizuar (pas çdo namazi farz), fillon që nga mëngjesi i Ditës së Arafatit.
Ibn Haxheri (r.h) ka thënë: “Nuk ka hadith të saktë nga Profeti (a.s) për këtë çështje, por më e sakta është ajo që na është përcjellur nga Aliu (r.a) dhe Ibn Mes’udi (r.a) se tekbiri fillon nga mëngjesi i Ditës së Arafatit deri në fund të ditëve të qëndrimit në Mina.” Tekbir i pakufizuar që mund të bëhet në çdo kohë dhe fillon që nga dita e parë e Dhul-Hixhes. Ibn Omeri (r.a) dhe Ebu Hurejra (r.a) dilnin në treg dhe bënin tekbir, dhe njerëzit vepronin njëjtë.
13 – Në këtë ditë kryhet shtylla kryesore e Haxhit. Profeti (a.s) ka thënë: “Haxhi është qëndrimi në Arafat”[13]
Autor: Rashid el – Adeuani
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Teube: 36.
[2] – Sure Bekare: 197.
[3] – Sure Haxh: 28.
[4] – Sure Fexhr: 2.
[5] – Darimi. Zinxhiri i transmetimit është “Xhejjid”.
[6] – Sure Maide: 3.
[7] – Ebu Daudi. Hadithi është “Sahih”.
[8] – Muslimi.
[9] – Ebu Daudi. Hadithi është “Sahih”.
[10] – Tirmidhiu. Hadithi është “Sahih”.
[11] – Muslimi.
[12] – Ahmedi. Hadithi është “Sahih”.
[13] – Buhariu dhe Muslimi.