Vlera e natës së mesit të muajt Shaban

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Muadh ibn Xhebeli (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Allahu i shikon të gjithë krijesat e Tij në natën e mesit të muajit Shaban. Allahu i fal të gjithë krijesat e Tij, përveç idhujtarit (jobesimtarit) dhe të mllefosurit (i cili është i hidhëruar dhe nuk flet me vëllain e tij musliman)”[1]

Aishja (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Më erdhi Xhebraili (a.s.) dhe më tha: “Sonte është nata e mesit të muajit Shaban. Në këtë natë, Allahu fal dhe shpëton robërit e Tij nga zjarri i Xhehnemit, aq sa është numri i qimeve të leshit të deleve të fisit Benu Kelb. Në këtë natë Allahu nuk e shikon idhujtarin, të hidhëruarin me vëllain e tij, atë që shkëput lidhjet farefisnore, atë që lëshon rrobën poshtë kyçit të këmbës për mendjemadhësi, atë që keqtrajton prindërit dhe pijanecin”[2].

Abdullah ibn Amri (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Allahu i shikon të gjithë krijesat e tij në natën e mesit të muajit Shaban. Ai i fal robërit e Tij, përveç dy vetave; të hidhëruarin me vëllanë e vet dhe atë që vret padrejtësisht”[3]

Aishja (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) më tha: “A e di se çfarë nate është sonte”? I thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë”. I Dërguari i Allahut (a.s.) tha: “Është nata e mesit të muajit Shaban. Në këtë natë, Allahu shikon robërit e Tij. Ai i fal ata, që kërkojnë faljen dhe i mëshiron ata, që kërkojnë mëshirën, ndërsa ata që kanë inate dhe smirë mes tyre, i vonon (nga mëshira dhe falja derisa të pajtohen)”[4].

Aliu (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kur të jetë nata e mesit të muajit Shaban, faluni natën dhe agjëroni ditën. Kur dielli fillon të perëndojë në këtë ditë, Allahu (xh.sh.) zbret në qiellin e dunjasë dhe thotë: “A ka ndonjë që kërkon falje, që ta fal?! A ka ndonjë që kërkon furnizim (rrizk), që ta furnizoj?! A ka ndonjë të sprovuar në trup (me sëmundje), që ta shëroj?! Allahu i thërret robërit e Tij dhe ua shpalos atyre mirësitë e Tij deri në agim”[5].

Abdullah ibn Umeri (r.a.) ka thënë: “Janë pesë netë në të cilat duaja nuk refuzohet: nata e xhumasë, nata e parë e muajit Rexhep, nata e mesit të muajit Shaban, nata e Fitër Bajramit dhe nata e Kurban Bajramit”[6].

Ata’ ibn Jasari (r.h) ka thënë: “Nuk di të ketë natë më të madhe pas natës së Kadrit sesa nata e mesit të muajt Shaban. Allahu (xh.sh.) zbret në qiellin e dunjasë dhe i fal të gjithëve, përveç idhujtarit, atë që mban inat dhe mëri ndaj tjetrit dhe atë që shkëput lidhjet farefisnore”[7]

Ibn Rexhebi thotë: “Në lidhje me gjallërimin e kësaj nate me namaz nate, dijetarët kanë dy mendime: 1) Pëlqehet që të falet me xhemat në xhami. Halid ibn Madani dhe Lukman ibn Amiri (Tabiinë) dhe shumë të tjerë, vishnin rrobat më të mira, parfumoseshin dhe atë natë e kalonin në xhami duke u falur. Veprimin e tyre e ka miratuar edhe Is`hak ibn Rahaveji, i cili ka thënë: “Falja e namazit të natës në këtë natë në xhami nuk është bidat”. 2) Nuk pëlqehet grumbullimi në xhami për të falur namaz nate, për të rrëfyer tregime dhe për të bërë dua. Nuk ka ndonjë gjë nëse njeriu falet vetëm apo me njerëzit e tij. Këtë fetva ka dhënë edhe Evzaiu, imami i Shamit, juridit dhe eruditi i tij. Sipas meje, ky mendim më duket më i drejti në dashtë Allahu… Ata’ ibn Jasari (r.h) ka thënë: “Nuk di të ketë natë më të madhe pas natës së Kadrit sesa nata e mesit të muajt Shaban. Allahu (xh.sh.) zbret në qiellin e dunjasë dhe i fal të gjithëve, përveç idhujtarit, atë që mban inat dhe mëri ndaj tjetrit dhe atë që shkëput lidhjet farefisnore. Atë, të cilin Allahu e ka shpëtuar nga Xhehenemi, i ka dhënë dhuratën më të madhe, nërsa kush është privuar nga kjo gjë, i them: “Allahu të shpëtoftë nga sprova ku ke rënë! Kjo është një fatkeqësi shumë e madhe”.

Poeti thotë:

“Qava për veten time,

sepse e meriton të vajtohet për të,

pasi nuk dyshoj se kam humbur jetën time,

nëse them se kam bërë vepra të mira,

nuk mund ta gënjej veten,

pasi e di se po shpif!

Në netët e Shabanit dhe sidomos në natën e mesit të tij,

e di se fermani për mua do të zbresë,

prandaj e kam të domosdoshme t`i përgjërohem Atij…

ndoshta Zoti i Gjithësisë më fal dhe emrin nga lista e fatkeqeve ma largon”.

Ndër të tjera, Ibn Rexhebi thotë: “Është e mirë që besimtari ti përkushtohet adhurimit në këtë natë, duke bërë dhikër, duke e lutur Allahun që t`ia falë mëkatet, t`ia mbulojë të metat dhe t`ia largojë pikëllimet dhe brengat. Para se të bëjë këto gjëra, le ta fillojë me pendim të sinqertë, pasi nuk ka dyshim se Allahu ia pranon pendimin kujtdo që pendohet: “Në këtë natë fisnike ngrihu dhe falu, pasi është ajka e të gjithë muajit, sa të rinj ngrysen në këtë natë duke qenë të shkujdesur, ndërkohë që në faqen e librit të tij exheli është shkruar. Nxito të bësh të mira para se të mbarojë kjo natë, ruhu nga sulmi i vdekjes duke bërë punë të mira, agjëroje ditën e saj për hatër të Allahut dhe ji shpresëmirë ndaj Tij, që në hall dhe brengë të të përfshijë Hiri i Tij”.

Burimi: “Letaiful Mearif” i Ibn Rexhebit

Përktheu: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Tabaraniu dhe Ibn Hibani.

[2] – Bejhakiu në Shuabul Iman.

[3] – Ahmedi.

[4] – Bejhakiu në Shuabul Iman.

[5] – Ibn Maxheh.

[6] – Bejhakiu në Shuabul Iman.

[7] – Lakelai Sherhul Usuli.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *