Vonesa nuk është refuzim, por përzgjedhje hyjnore

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ibn Ata’il-lah El Iskenderi (r.h) ka thënë:

“Mos lejo që vonesa e dhuratës, megjithë ngulmimin në lutje të të çojë në dëshpërim, sepse Ai të ka garantuar përgjigje, por në atë që Ai zgjedh për ty, jo në atë që ti zgjedh për veten tënde, dhe në kohën që Ai dëshiron, jo në kohën që ti dëshiron.”

1 – Pikat kryesore që trajton kjo urtësi:

Kjo urtësi trajton katër pika kryesore

1 – Vonesa e përgjigjes nuk duhet ta dobësojë shpresën e besimtarit.

2 – Allahu i përgjigjet lutjes, por jo domosdoshmërisht në formën që njeriu pret.

3 – Ajo që Allahu zgjedh për robin e Tij është më e mirë se ajo që ai zgjedh për veten e tij.

4 – Përgjigja e lutjes vjen në kohën më të përshtatshme sipas urtësisë hynore.

2 – Shpjegimi i urtësisë:

Kjo urtësi është një korrigjim i thellë i mënyrës se si njeriu e kupton lutjen. Shumë njerëz e shohin duanë si një kërkesë që duhet të realizohet menjëherë dhe sipas dëshirës së tyre. Por ky lloj perceptimi është i gabuar. Në realitet lutja është adhurim para se të jetë kërkesë, përgjigja e Allahut nuk është gjithmonë “Po” në formën se si e këron njeriu, por ajo mund të vonohet për arsye që i di Allahu i Madhëruar.  Kjo përputhet me kuptimin se Allahu është i Urti dhe i Gjithëdituri, ndërsa njeriu ka njohuri të kufizuar. Allahu i Madhëruar thotë: Ndoshta ju e urreni një gjë, e ajo është e mirë për ju; dhe ndoshta e doni një gjë, e ajo është e keqe për ju. Allahu di, e ju nuk dini.”[1] Kjo tregon se përgjigjja hyjnore nuk matet sipas dëshirës sonë, por sipas dijes dhe urtësisë së Tij.

Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka asnjë musliman që lutet me një lutje në të cilën nuk ka mëkat dhe as shkëputje të lidhjeve farefisnore, veçse Allahu i jep me të njërën prej trejave: ose ia shpejton përgjigjen e lutjes së tij, ose ia ruan për në ahiret, ose largon prej tij një të keqe të ngjashme me të. Ata thanë: “Atëherë do të lutemi më shumë.” Ai tha: “Allahu është edhe më Bujar (jep edhe më shumë).”[2] Ky hadith profetik është treguesi më i qartë se Allahu i Madhëruar i përgjigjet lutjes së njeriut me njërën prej tre rasteve të cilën Ai e zgjedh për robin e Tij.

Nga jeta e sahabëve, shohim shembullin e Omer ibn Hatabir (r.a) i cili thoshte: “Unë nuk shqetësohem për përgjigjen, por për lutjen; sepse nëse më jepet lutja, jepet edhe përgjigjja.” Kjo tregon një nivel të lartë besimi dhe dorëzimi. Ibn Axhibi thotë: “Shkallët e lutjes janë tre: Lutja nga nevoja (të cilën edhe kafsha e bën), lutja nga dashuria, kur robi lutet për t’u afruar te Allahu dhe lutja nga dija dhe robëria, ku njeriu nuk lutet për të marrë, por për të qenë present para Tij… Në këtë shkallë të tretë, nuk ka më rëndësi kur vjen përgjigja, sepse vetë akti i qëndrimit para Tij është dhurata më e madhe.”[3]

Në jetën e përditshme, shpesh ndodh që njeriu kërkon një punë, një lidhje apo një mundësi, dhe nuk e merr atë menjëherë; më vonë kupton se ajo që nuk iu dha ishte në fakt mbrojtje për të, ose se Allahu i hapi një derë më të mirë. Kështu, kjo urtësi na mëson se duaja nuk është mjet për të imponuar vullnetin tonë, por mënyrë për t’u lidhur me Zotin dhe për t’iu dorëzuar zgjedhjes së Tij. Nëse njeriu e kupton këtë, ai lutet me përulësi, pret me durim dhe jeton me bindje se çdo përgjigje, në çdo kohë dhe formë, është për të mirën e tij.

3 – Analizë shpirtërore:

Në planin shpirtëror, kjo urtësi trajton një sëmundje të fshehtë të zemrës: varësinë e zemrës së njeriut tek rezultati dhe jo tek Allahu i Lartësuar. Kur njeriu lutet me ngulm, por dëshpërohet kur nuk e merr atë që do, kjo tregon se ai është i lidhur me rezultanin dhe jo me Krijuesin.

Nëpërmjet kësaj urtësie, autori dëshiron prej nesh që në rast mospërgjigje të lutjes, njeriu duhet të bëjë durim dhe të presë përgjigjen kur ajo t’i vijë, por pa e humbur besimin. Megjithëse përgjigja po vonohet, njeriu duhet të pranojë me kënaqësi dhe me gjithë shpirt atë që Allahu i Madhëruar ka përcaktuar. Në të njëjtën kohë njeriu duhet t’i mbështetet plotësisht Allahut të Madhëruar duke besuar se përzgjedhja e Tij është më e mira.

Nuk ka dyshim se ajo zemër dhe ai shpirt që e kupton këtë qetësohet, nuk luhatet nga vonesat dhe e sheh çdo gjë si pjesë e mëshirës hyjnore.

4 – Udhëzime praktike:

1 – Mos e lidh lutjen me afat kohor. Mos thuaj: Unë u luta dhe nuk ndodhi asgjë.

2 – Lutu vazhdimisht dhe mos e ndërpre atë. Ngulmimi në lutje është thelbi i adhurimit edhe nëse nuk sheh rezultat të menjëhershëm.

3 – Beso se përgjigja të vjen në forma të ndryshme. Jo domosdoshmërisht mund të marrësh atë që kërkove, por mund të marrësh diçka më të mirë, ose mund të ruhesh nga ndonjë e keqe.

4 – Kontrollo zemrën tënde! Pyete veten: A jam i lidhur me Allahun apo me atë që kërkoj?

5 – Kujto mirësitë e mëparshme që Allahu t’i ka dhënë. Reflekto me veten tënde se sa herë Allahu të ka dhënë nga mirësitë dhe begatitë e Tij, pa i kërkuar ato.

6 – Praktiko durimin aktiv! Vazhdo të punosh dhe të përmirësohesh ndërkohë që pret përgjigjen.

7 – Thuaj sa më shumë: Zgjedhja Jote o Allah është më e mira për mua se ajo që unë zgjedh për veten time. Padyshim që kjo thënie forcon nënshtrimin dhe dorëzimin e plotë tek Allahu i Madhëruar.

5 – Mesazhi i urtësisë:

Mesazhi thelbësor i kësaj urtësie është se njeriu nuk duhet ta masë përgjigjen e lutjes nga Allahu sipas dëshirës dhe kohës së vet, porse ai duhet të besojë në zgjedhjen dhe kohën e tij. Kjo urtësi na mëson se vonesa nuk është refuzim, mungesa nuk është harresë dhe ndryshimi i rezultatit nuk është padrejtësi, por pëkundrazi është manifestim i urtësisë, mëshirës dhe dijes së Allahut të Madhëruar. Nëse njeriu e kupton këtë, ai nuk do dëshpërohet kurrë, ai do ta lusë Allahun me sinqeritet të plotë dhe do të jetë më i qetë shpirtërisht.

Autor: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Bekare: 216.

[2] – Muslimi.

[3] – Marrë nga libri “Urtësi të thella” në gjuhën shqipe i Izet Laçit, fq: 31.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *