Ai ka qenë keqbërës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Vetëm Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Me të vërtetë, atë njeri që Allahu i Madhëruar e ka udhëzuar në rrugë të drejtë nuk ka kush ta humbasë e ai njeri që e ka humbur veten e tij nuk ka kush ta udhëzojë në rrugë të drejtë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahu të Madhëruar, Një të Vetëm e të pashok në sundimin e Tij. Gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, i cili e përçoi mesazhin hyjnor tek të gjithë njerëzit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për profetin Muhamed, familjen, të afërmit, shokët dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Në fillim të sures Kasas, Allahu i Madhëruar thotë: “Ta Sin Mim”[1]

Ta Sin Mim janë tre shkronja të gjuhës arabe. Kuptimin e vërtetë të këtyre shkronjave e di vetëm Allahu i Madhëruar. Megjithatë dijetarët duke komentuar këto dhe shkronja të tjera që përmenden në sure të tjera kanë thënë se Kurani përbëhet nga këto shkronja të cilat arabët i njohin. Duke qenë se ata dyshojnë se Kurani është prej Allahut të Madhëruar, atëherë le të sjellin një Kuran të ngjashëm duke u bazuar tek shkronjat e gjuhës arabe. E në fakt, kjo ishte një sfidë e hapur për ta, të cilës askush prej arabëve nuk i bëri ballë. Kjo dëshmon qartë se Kurani është fjala e Allahut të Madhëruar që ia shpalli robit të Tij, Muhamedit (a.s).

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “Këto janë Vargjet e Librit të qartë.”[2]

Libri i qartë është Kurani Fisnik, të cilin Allahu i Madhëruar e zbriti si udhërrëfyes për mbarë njerëzimin, për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë.

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “Ne t’i lexojmë ty disa nga lajmet e Musait dhe Faraonit me vërtetësi për njerëzit që besojnë.”[3]

Që do të thotë se Ne ty o Muhamed po të tregojmë ndodhinë e Musait (a.s) me Faraonin. Po të tregojmë ndodhinë e përballjes së të Vërtetës me të Kotën, të Mirës me të Keqen dhe Besimit me Mosbesimin. Po të tregojmë ndodhinë e profetit Musa (a.s) i cili është përfaqësues i të Mirës dhe si ai u përball me të Keqen që përfaqsohej nga Faraoni.

Ndodhitë të cilat janë përmendur në Kuranin Fisnik janë të vërteta, nuk janë mite dhe as tregime, të cilat ai që i dëgjon kënaqet dhe vetëm kaq. Përkundrazi ato janë ngjarje dhe ndodhi prej të cilave duhet të nxjerrim sa më shumë mësime e përfitime. E në fakt ata që nxjerrin mësime prej tyre janë besimtarët, prandaj edhe Allahu i Madhëruar thotë: “Për njerëzit që besojnë.”

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet që Faraoni e ngriti shumë veten lart në tokë”[4]

Në këtë ajet kuranor, Allahu i Madhëruar na tregon se kush është në të vërtetë Faraoni. Dhe jo vetëm në këtë ajet, por edhe në ajete të tjera kuranore. Faraoni është njeriu më mizor që ka parë historia e njerëzimit. Ai ishte mohues i Zotit dhe jo vetëm kaq, por e quante veten zot. Ai ishte arrogant e mëndjemadh. Ai ishte zullumqar dhe mizor. Ai ishte egoist, diktator dhe tiran. Ai e mbante veten me të lartë, ashtu sikurse e përmend dhe Allahu i Madhëurar në këtë ajet. Ai ishte kriminel dhe një vrasës gjakftohtë. Ai ishte mosmirënjohës ndaj të mirave që i kishte dhënë Allahu i Madhëruar. Ai i skllavëroi dhe i nënçmoi njerëzit. Ai ishte një diktator që dëgjonte vetëm mendimin e vet dhe që kërcënonte çdokënd që mendonte ndryshe nga ai. Ai ishte njeri i shthurrur dhe i prishur.

Këto janë disa prej cilësive të tij të cilat Allahu i Madhëruar i ka përmendur në Kuranin Fisnik.

Po çfarë kishte bërë Faraoni? Allahu i Madhëruar thotë: “Ai i ndau njerëzit në grupe duke e shtypur njërin prej tyre.”[5]

Në këtë frazë, Allahu i Madhëruar na tregon se Faraoni i kishte ndarë njerëzit në grupe e në shtresa të ndryshme: një prej tyre ishin Koptët dhe të tjerët ishin Benu Israilët. Koptët i përkisnin popullit të tij, kurse Benu Israilët nuk i përkisnin popullit të tij, të cilët i kishte nështruar e skllavëruar. Ajo që vlen të theksohet në këtë ajet kuranor është se Allahu i Madhëruar thotë se ishte Faraoni, ai i cili e bëri këtë ndarje, sepse ndarja në shtresa e grupe është evidente në çdo shoqëri e qytetërim. Përse Allahu i Madhëruar thotë se ishte Faraoni ai që e bëri këtë ndarje? Për të na treguar se veprimi i tij – i skllavërimit të Benu Israilëve – ishte një prej mizorive dhe krimeve të tjera të tij.

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “Duke vrarë bijtë e tyre dhe duke i lënë gjallë gratë.”[6]

Në këtë frazë, Allahu i Madhëruar na tregon fytyrën e vërtetë të Faraonit. Kur Allahu e dërgoi Musain (a.s) tek Faraoni që të pendohej e të kthehej tek Zoti, ai e refuzoi me arrogancë dhe mëndjemadhësi mesazhin me të cilën erdhën Musai (a.s) dhe Haruni (a.s). Midis tij dhe Musait (a.s) u zhvillua një debat i gjatë. Teksa lexon debatin, lehtësisht arrijmë të lexojmë se Musai (a.s) e ka shumë të qartë objektivin e tij: ta thërrasë Faraonin të kthehet tek Allahu i Madhëruar. Kurse Faraoni, vazhdimisht mundohet t’i japë debatit një kah tjetër për ta anashkaluar thirrjen e Musait. Në një prej këtyre debateve, ai i drejtohet Musait (a.s) dhe i thotë: A nuk ishe ti ai që ke vrarë një njeri nga mesi ynë?! Pra si guxon të më thërrasësh të besoj tek Allahu kur ti je kriminel?! Në këtë kontekst, ia vlen të ndalemi dhe të mendojmë pak: Kush është krimineli i vërtetë?

Historia na tregon se vrasja e Koptit nga Musai (a.s) ishte krejt padashje dhe mbi të gjitha ai (a.s) kishte kërkuar falje tek Allahu i Madhëruar dhe e kishte pranuar se veprimi i tij ishte prej shejtanit të mallkuar.

E përsa i përket Faronit, le të fillojmë dhe të numërojmë krimet e tij:

Komentuesit e Kuranit tregojnë se Faroni kishte parë një ëndërr, të cilën ia komentuan se nga Benu Israilët do të lindte një djalë që kur të rritej do t’i jepte fund pushtetit të tij. Këtu fillon çmenduria dhe psikopatia e këtij krimineli. Ai i jep urdhër ushtarëve të vrasin çdo foshnje mashkull që do të lindte nga Benu Israilët. E ushtarët e vunë në zbatim urdhërin e tij. Ajo që të gjithë ne arrijmë të kuptojmë – lehtësisht – është vrasja e foshnjeve të pafajshme. Por nuk përjashtohet mundësia që janë vrarë, torturuar; lënduar e burgosur edhe prindërit apo të afërmit e foshnjeve, sepse cili është ai prind që do të pajtohej me vdekjen e fëmijës së tij?! E ushtarët kanë vrarë apo lënduar familjarët e foshnjes duke mos marrë një urdhër të drejpërdrejtë nga Faraoni, por që vetëkuptohet se vrasja e tyre nga ushtarët nënkupton përligjje nga vetë Faraoni.

Le të vazhdojmë..

Kur Musai (a.s) këmbënguli në misionin për të cilin ishte dërguar dhe në çdo diskutim midis tij dhe Faraonit fitoi, Faraoni tha: “Më lejoni ta vras Musain dhe le të thërrasë Zotin e tij.”[7] Pikë së pari, kujt po i kërkonte leje Faraonit për vrasjen e Musait, ndërkohë që askush nuk kishte guximin të fliste përpara tij?! Dhe së dyti, vërtet ai mendoi që të vriste Musain (a.s). Por në këto momente do të shfaqet një episod, që do ta ndryshojë rrjedhën e këtij paramendimi. Dhe mbi të gjitha, Musai (a.s) kërkoi mbështetje tek Allahu i Madhëruar që ta ruante nga ky krim i shëmtuar.

Në këto momente do të shfaqet një njeri nga familja e Faraonit, i cili më parë e kishte fshehur besimin, dhe thotë: “A do të vrisni një njeri që thotë se Allahu është Zoti im”[8] Në këto momente, ky njeri e shpreh haptazi besimin e tij, lirinë e fjalës që në gjuhën e Faraonit nëkupton urdhërin për ta vrarë. Dhe vërtet kështu ndodhi.

Le të vazhdojmë..

Musai (a.s) i thotë Faraonit, po sikur unë të vij me një argument nga Zoti im, a do të pranosh. Hajde – thotë Faraoni. Musai (a.s) i sjell mrekullinë e shkopit dhe të dorës. Faraoni thotë që kjo është një magji, të cilën mund ta bëjmë edhe ne. Musai (a.s) dhe Faraoni lanë një ditë për t’u takuar me magjistarët ku secili prej palëve do të argumentonte vërtetësinë e asaj që mbarte. Kur magjistarët – numri i të cilëve ishte shumë i madh – e humbën sfidën karshi Musait (a.s) dhe e kuptuan të Vërtetën, ranë në sexhde dhe thanë ne besojmë tek Allahu, Zoti i Musait dhe i Harunit. Padyshim që besimi i magjistarëve në prezencë të njerëzve ishte një tronditje mjaft e madhe për Faraonin. Duke qenë se ai ishte mësuar që askush mos ta kundërshtonte tha: “Besoni tek Musai para se t’ju jap leje unë?!”[9]Mirëpo këto ishin fjalë boshe dhe tashmë nuk kishin më asnjë ndikim tek magjistarët, sepse besimi kishte depërtuar në thellësi të shpirtit të tyre. Mirëpo çmenduria, psikopatia, skizofrenia dhe mizoria e Faraonit nuk kishte kufi. Ai tha: “Unë do t’ju pres duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe sigurisht që do t’ju kryqëzoj në trungjet e hurmave dhe vërtet që do ta merrni vesh se cili prej nesh mund të japë ndëshkim më të ashpër e më të gjatë.”[10] Dhe kështu brenda një dite, ai vrau rreth tetëdhjetë mijë besimtarë, ashtu siç thuhet në disa komente.

Le të vazhdojmë..

Faraoni merr vesh që parukerja e bashkëshortes së tij ishte besimtare dhe jep urdhër që ta vrasin. Duke njohur skizofreninë e tij kjo nuk është ndonjë gjë e madhe (në këndvështrimin e Faronit), por skizofrenia e tij arrin kulmin kur merr vesh se gruaja e tij, Asija kishte pranuar besimin. Ndoshta për hir të dashurisë dhe një bashkëjetese shumë vjeçare duke ndarë të njëjtin shtrat, ai mund ta falte atë. Por tashmë ai ishte kthyer në një paranojak që vriste çdokënd që i dilte kundër, prandaj nuk e kurseu as atë.

Le të vazhdojmë..

Benu Israilët – kur ishin në Egjipt – i drejtohen Musait (a.s) me këto fjalë: “Ne jemi lënduar para se të vije ti, edhe pasi na erdhe.”[11] Faraoni na ka lënduar duke vrarë foshnjet tona para se të lindje ti dhe tani pas shumë vjetësh me ardhjen tënde si profet i dërguar tek Faraoni, ai po na lëndon akoma, duke na shtypur, torturuar, munduar dhe vrarë.

Pra Faraoni e kishte treguar mizorinë e tij, natyrën e tij kriminale para se Musai (a.s) të lindte dhe pas ardhjes së tij. Këtu vlen të theksojmë – në rastin e dytë – se kur një njeriu i janë errësuar sytë përpara të Vërtetës, krimet dhe mizoritë e tij sa vijnë edhe shtohen. Prandaj nuk përjashtohet mundësia që sa më shumë që Faraoni afrohet me fundin e tij, aq më shumë shtohen krimet dhe mizoritë e tij.

Akoma nuk kemi mbaruar..

Pas shumë peripecish, apo e thënë ndryshe argumente që Allahu i Madhëruar i dërgoi Faraonit, ai u dorëzua dhe i la të lirë Benu Israilët të largoheshin nga Egjipti bashkë me Musain (a.s). Musai (a.s) u nis natën bashkë me popullin e tij drejt tokës së premtuar duke lënë prapa krahëve të tyre Egjiptin. Të nesërmen, kur Faraoni u ngrit në mëngjes, u bë pishman se e kishte lënë Musain (a.s) dhe popullin e tij të lirë. Prandaj menjëherë përgatiti ushtrinë dhe i arriti Benu Israilët në bregun e detit. A mos vallë Faraoni kishte shkuar me pushime, apo e kishte marrë malli për Benu Israilët?! Apo.. Nuk ka dyshim se do të bënte atë që dinte të bënte më mirë, të vriste dhe të priste këdo që i dilte përpara. Këtë gjë ne e vëmë re shumë qartë tek fjalët demoralizuese të Benu Israilëve, të cilët thanë: “Me siguri na zunë.”[12]

E shikoni pra se kush është krimineli, vrasësi, agresori, mizori dhe tirani i vërtetë?!  A e kuptoni se përse Allahu i Madhëur thotë në Kuran: “Vërtet që Faraoni e ngriti shumë veten lart në tokë”[13]. Vrasja e foshnjeve, të afërmëve, magjistarëve që shprehën lirisht besimin e tyre, të Benu Israilëve, të gjitha këto tregojnë se sa njeri i pashpirt dhe mizor ishte Faraoni. Prandaj edhe Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ka qenë keqbërës”[14]

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin.”[15]

Ky është ligji i Allahut të Madhëruar në Tokë që na e ka treguar në Kuranin Fisnik. Kur njeriu e shton zullumin, mizorinë, padrejtësinë dhe kujton se është lartësuar mbi njerëzit, në të vërtetë i ka përgatitur fundin vetes së tij, por një fund të hidhur e të dhembshëm. Kjo në këtë botë, kurse në botën tjetër ndëshkimi është më i dhemshëm dhe i përhershëm. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Ata i përgënjeshtruan shpalljet e Zotit të tyre dhe kështu ne i shkatërruam për shkak të gjynaheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i fundosëm.. Të gjithë ata ishin keqbërës.”[16] “Ato qytete Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat.”[17] “Eh, sa shumë qytete, të cilat kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt, që të ka përzënë, Ne i kemi shkatërruar dhe nuk kanë parë asnjë ndihmës!”[18] “Kur vendosim ta shkatërrojmë një qytet, Ne i urdhërojmë të pasurit e tij (për të bërë mirë), kur ata bëjnë mbrapshti në të, atëherë përmbushet vendimit kundër tyre dhe Ne i shkatërrojmë gjer në themel.”[19]

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Në ditët e sotme, të gjithë ne jemi dëshmitarë të mizorisë, terrorit dhe gjenocidit që ushtria izraelite po ushtron ndaj popullsisë civile në Palestinë. Kjo mizori e tyre nuk është e çastit, po ajo shtrihet në të gjithë gjatësinë e formimit të shtetit të izraelit qysh para 75 – së vitesh. Nëpërmjet ndodhisë së Faraonit, Allahu i Madhëruar na tregon se historia përsërit vetveten dhe po ashtu se ligji i Allahut të Madhëruar i shkruar për popujt është i pashmangshëm. Ajo që po bën shteti sionist i izraelit nuk është gjë tjetër vetëm se një lartësim në tokë me mëndjemadhësi dhe arrogancë që po shkon drejt fundit të tij të pashmangshëm, atë të shkatërrimit të tij për shkak të arrogancës, mizorisë e tiranisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu ka qenë edhe ligji i Allahut edhe për ata që kanë qenë më parë! Ti kurrsesi nuk do të gjesh ndryshim në ligjet e Allahut.”[20]

E lusim Allahun e Madhëruar t’i ndihmojë vëllezërit tanë në Palestinë, t’i pranojë të rënët e tyre si dëshmorë, t’i shërojë të sëmurët, t’i strehojë të pastrehët dhe t’i përkrahë me ndihmën e Tij për të çliruar Palestinën nga pushtuesit izraelitë.

Amin.

Imam – Hatib: Elton Harxhi

[1] – Sure Kasas: 1

[2] – Sure Kasas: 2

[3] – Sure Kasas: 3

[4] – Sure Kasas: 4

[5] – Sure Kasas: 4

[6] – Sure Kasas: 4

[7] – Sure Gafir: 26.

[8] – Sure Gafir: 28.

[9] – Sure Taha: 71.

[10] – Sure Taha: 71.

[11] – Sure A’raf: 129.

[12] – Sure Shuara: 61.

[13] – Sure Kasas: 4

[14] – Sure Kasas: 4.

[15] – Sure Kasas: 5-6.

[16] – Sure Enfal: 54.

[17] – Sure Kehf: 59.

[18] – Sure Muhamed: 13.

[19] – Sure Isra: 16.

[20] – Sure Ahzab: 62.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.