Qasje juridike e bazuar në objektivat e sheriatit
Familja muslimane tashmë nuk përballet vetëm me sfidat e saj tradicionale, por jeton në zemër të një bote ku ndryshimet ndodhin me ritme të shpejta. Në këtë botë ndërthuren revolucioni digjital, presionet ekonomike, globalizimi kulturor dhe ndryshimet intelektuale në një mënyrë të paprecedentë.
Ndërkohë që anëtarët e familjes mund të jenë të ulur nën të njëjtën çati, secili prej tyre mund të jetojë në një botë të ndryshme virtuale, duke marrë vlerat, idetë dhe konceptet e veta nga burime të shumta, të cilat i tejkalojnë kufijtë e shtëpisë, shkollës dhe shoqërisë lokale.
Pikërisht këtu shfaqet nevoja për të rishqyrtuar funksionet e familjes muslimane dhe rolet e saj edukative, në dritën e zhvillimeve dhe risive të shpejta që karakterizojnë kohën tonë.
Në strukturën qytetëruese islame, familja muslimane përbën bërthamën e parë në formimin e njeriut të mirë dhe hapësirën edukative ku formësohen vlerat, parimet, orientimet intelektuale dhe sjelljet e tij.
Islami i ka kushtuar familjes një rëndësi të veçantë, duke e cilësuar atë si një besëlidhje të fortë, e cila mbështetet në qetësinë shpirtërore, dashurinë dhe mëshirën. Gjithashtu, Islami e ka lidhur përmirësimin e shoqërisë me përmirësimin e familjes dhe prishjen e saj me prishjen e familjes.
Për këtë arsye, familja është bërë shtylla themelore në ruajtjen e fesë, identitetit, vlerave dhe zhvillimit të qytetërimit njerëzor.
Allahu i Lartësuar e ka vendosur themelin e ndërtimit familjar mbi unitetin njerëzor dhe plotësimin e ndërsjellë të natyrshëm. Ai thotë: “O ju njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, prej tij krijoi bashkëshorten e tij dhe prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra.”[1] Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe prej shenjave të Tij është se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato, dhe ndërmjet jush vendosi dashuri e mëshirë.”[2]
Megjithatë, familja muslimane në kohën e sotme përballet me një sërë ndryshimesh të shpejta, të cilat kanë ndikuar në strukturën, funksionet dhe marrëdhëniet e saj të brendshme. Këto ndryshime vijnë si pasojë e transformimeve digjitale, kulturore, ekonomike dhe intelektuale që po përjeton bota bashkëkohore.
Kjo situatë kërkon një analizë shkencore dhe të vetëdijshme të këtyre transformimeve, si dhe rikthimin te këndvështrimi islam, i cili është në gjendje të sigurojë ekuilibrin ndërmjet ruajtjes së parimeve të pandryshueshme të legjislacionit Islam dhe ndërveprimit pozitiv me zhvillimet e kohës.
Së pari: Koncepti i familjes muslimane dhe rëndësia e saj qytetëruese
Në këndvështrimin islam, familja nuk konsiderohet thjesht një lidhje shoqërore që bashkon bashkëshortët dhe fëmijët, por është një institucion edukativ, moral dhe qytetërues, të cilit i është besuar ruajtja e domosdoshmërive dhe objektivave themelore mbi të cilat mbështetet zhvillimi dhe qytetërimi njerëzor.
Familja është shkolla e parë ku njeriu merr parimet e besimit dhe të moralit. Pikërisht prej saj fillon procesi i edukimit intelektual dhe shoqëror të individit.
Islami ia ka ngarkuar familjes përgjegjësinë e edukimit, përkujdesjes dhe përmirësimit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri!”[3]
Tradita profetike e ka sqaruar qartë këtë përgjegjësi. I Dërguari i Allahut (a.s) “Secili prej jush është përgjegjës dhe secili prej jush do të japë llogari për ata që ka nën përgjegjësinë e tij…”[4]
Gjithashtu, Islami e ka bërë sjelljen e mirë dhe moralin bazën e stabilitetit familjar dhe të vazhdimësisë së lidhjeve ndërmjet pjesëtarëve të saj.
Profeti (a.s) kathënë: “Besimtarët me besimin më të plotë janë ata që kanë moralin më të mirë, ndërsa më të mirët prej jush janë ata që sillen më mirë me gratë e tyre.”
Imam Gazaliu (r.h) e thekson këtë amanet edukativ duke sqaruar se fëmija është një amanet në duart e prindërve të tij dhe se personaliteti i tij formësohet në bazë të vlerave dhe parimeve që mbillen tek ai.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që prindërit të kujdesen vazhdimisht për të, duke e edukuar, përkujdesur dhe udhëzuar në aspektin moral dhe të sjelljes.
Nga këtu kuptohet se familja nuk është thjesht një njësi shoqërore, por një çështje qytetëruese, e lidhur ngushtë me të ardhmen e umetit, identitetin e tij dhe rrugëtimin e tij historik.
Institucionet e mëdha të shoqërisë, duke filluar nga shkolla dhe universiteti e deri te institucionet ekonomike, politike dhe mediatike, e marrin bazën e tyre fillestare nga njeriu, personaliteti dhe vetëdija e të cilit formohen në masë të madhe brenda familjes.
Prandaj, çdo projekt reformues apo projekt që synon rilindjen dhe përparimin e shoqërisë, nëse nuk e vendos familjen në qendër të vëmendjes së tij, do të mbetet me ndikim të kufizuar, pavarësisht madhështisë së sloganeve apo mundësive që disponon.
Dijetarët islamë, përgjatë shekujve, e kanë kuptuar këtë të vërtetë dhe për këtë arsye kanë lidhur përmirësimin e shoqërisë me përmirësimin e familjes, ashtu siç kanë lidhur drejtësinë e sjelljes së përgjithshme me qëndrueshmërinë e edukimit brenda familjes.
Për rrjedhojë, sfidat me të cilat përballet sot familja muslimane nuk i kufizojnë pasojat e tyre vetëm brenda një shtëpie, por shtrihen edhe në sigurinë intelektuale, stabilitetin shoqëror dhe aftësinë qytetëruese të umetit për të vazhduar dhe për t’u ripërtërirë.
Çdo dobësi që e prek familjen reflektohet në formimin e njeriut, ndërsa çdo reformë që fillon brenda saj jep fryte në formën e përparimit dhe stabilitetit të të gjithë shoqërisë.
Së dyti: Ndryshimet kryesore bashkëkohore që ndikojnë në familjen muslimane
1 – Revolucioni digjital dhe transformimi teknologjik
Epoka bashkëkohore po përjeton një revolucion teknologjik të paprecedentë, i cili ka ndryshuar natyrën e marrëdhënieve shoqërore dhe format e komunikimit njerëzor.
Telefonat inteligjentë dhe platformat e rrjeteve sociale janë bërë tashmë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të anëtarëve të familjes.
Megjithëse këto teknologji ofrojnë mundësi për mësim, dije dhe komunikim, ato kanë sjellë njëkohësisht edhe sfida të shumta. Ndër to mund të përmendim dobësimin e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet pjesëtarëve të familjes, pakësimin e dialogut familjar, zgjerimin e hendekut ndërmjet brezave, ekspozimin e madh ndaj ndikimeve të ndryshme intelektuale dhe kulturore, si dhe shtimin e prirjes drejt individualizmit dhe izolimit shoqëror.
Fëmijët tashmë marrin një pjesë të konsiderueshme të njohurive dhe vlerave të tyre nga burime që ndodhen jashtë rrethit familjar. Kjo kërkon që prindërit të kalojnë nga roli i mbikëqyrjes tradicionale në rolin e udhëzimit të vetëdijshëm dhe të ndërtimit të imunitetit intelektual.
Në këtë kontekst shfaqet rëndësia e edukimit të bazuar në besim, i cili mbështetet në vetëkontrollin dhe vetëdijen për mbikëqyrjen e Allahut të Lartësuar, si në fshehtësi, ashtu edhe në publik.
Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a nuk e di ai se Allahu sheh?”[5] Gjithashtu, Kurani na udhëzon për domosdoshmërinë e verifikimit të informacionit dhe të mosndjekjes së thashethemeve. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pabesueshëm ju sjell ndonjë lajm, verifikojeni atë…”[6]
Ndërsa Profeti (a.s) ka thënë: “I mjafton njeriut si gënjeshtër që të përcjellë gjithçka që dëgjon.”[7]
2 – Familja muslimane në epokën e inteligjencës artificiale
Inteligjenca artificiale përfaqëson një nga transformimet më të rëndësishme teknologjike të shekullit XXI. Ndikimet e saj kanë filluar të tejkalojnë fushën teknologjike, duke u shtrirë edhe në fushën edukative dhe atë familjare.
Sot, fëmijët ndërveprojnë me mjete inteligjente të afta për të prodhuar njohuri, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të orientuar interesat e tyre. Kjo i shndërron këto mjete në një faktor të ri të procesit të edukimit dhe të ndikimit intelektual.
Nga ana tjetër, aplikacionet e inteligjencës artificiale i ofrojnë familjes mundësi të mëdha në fushën e arsimimit, të të nxënit individual, të zhvillimit të aftësive dhe të organizimit të jetës së përditshme.
Megjithatë, këto mundësi shoqërohen edhe me sfida që lidhen me besueshmërinë e informacionit, mbrojtjen e privatësisë dhe mundësinë e orientimit të vetëdijes apo të ndikimit në vlera dhe qëndrime.
Prandaj, pyetja që shtrohet sot nuk është më: A duhet të ndërveprojmë me inteligjencën artificiale apo jo? Përkundrazi, pyetja është: Si duhet të ndërveprojmë me të, duke pasur vetëdije fetare dhe etike?
Ajo që kërkohet është përgatitja e një brezi që zotëron njëkohësisht aftësi teknologjike dhe aftësi kritike, i cili përfiton nga këto mjete pa u bërë rob i koncepteve apo gjykimeve që prodhojnë algoritmet.
3 – Transformimet ekonomike dhe presionet e jetesës
Transformimet ekonomike bashkëkohore përbëjnë një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet familja muslimane. Rritja e kostos së jetesës dhe shtimi i konsumit kanë krijuar presione të konsiderueshme, të cilat kanë ndikuar në stabilitetin psikologjik dhe shoqëror të shumë familjeve.
Gjithashtu, kultura konsumatore ka ndikuar në lidhjen e lumturisë me paraqitjen dhe të mirat materiale, gjë që në disa raste ka dobësuar praninë e vlerave shpirtërore dhe morale në marrëdhëniet familjare.
Islami ka udhëzuar drejt maturisë dhe ekuilibrit në shpenzime.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk e teprojnë dhe as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë një qëndrim të matur ndërmjet këtyre dyjave.”[8]
Gjithashtu, Profeti (a.s) ka sqaruar vlerën dhe shpërblimin e shpenzimit për familjen, duke e konsideruar atë ndër format më të mëdha të shpërblimit tek Allahu.
4 – Globalizimi kulturor dhe sfida e identitetit
Globalizimi ka sjellë një hapje të paprecedentë ndërmjet kulturave dhe popujve, duke bërë që individi të ekspozohet çdo ditë ndaj mesazheve intelektuale dhe vlerave që vijnë nga mjedise të ndryshme.
Megjithatë, rreziku i kësaj dukurie nuk qëndron vetëm në përhapjen e informacionit, por edhe në përhapjen e sistemeve të referimit dhe të pikëpamjeve, të cilat riformësojnë mënyrën se si njeriu e sheh veten, familjen dhe shoqërinë e tij.
Shumë prej platformave mediatike globale nuk përcjellin vetëm njohuri, por bartin me vete edhe koncepte dhe pikëpamje të caktuara mbi lirinë, moralin, familjen dhe marrëdhëniet njerëzore.
Pikërisht këtu shtrohet pyetja thelbësore: Nga duhet t’i marrë familja muslimane kriteret dhe parimet udhëheqëse për të kuptuar jetën dhe për të ndërtuar marrëdhëniet e saj?
Ruajtja e identitetit nuk nënkupton izolimin nga bota, por zotërimin e një kriteri vleror dhe njohës, i cili mundëson përfitimin nga arritjet njerëzore pa u shkrirë dhe pa u asimiluar në sisteme referimi që bien ndesh me parimet e pandryshueshme islame.
Njeriu musliman nuk duhet të jetë një imitues i verbër, i cili sillet mirë kur njerëzit sillen mirë dhe sillet keq kur ata sillen keq.
5 – Ndryshimi i roleve shoqërore brenda familjes
Shoqëritë moderne kanë përjetuar transformime të gjera në rolet e burrit dhe të gruas, si rezultat i zhvillimit të arsimit, punës dhe kërkesave ekonomike.
Në parim, këto transformime nuk bien ndesh me sheriatin, përderisa mbeten të kufizuara dhe të orientuara nga objektivat dhe vlerat e tij. Problemi shfaqet atëherë kur marrëdhëniet ndërmjet pjesëtarëve të familjes shndërrohen në një arenë konflikti, në vend që të jenë një hapësirë plotësimi të ndërsjellë dhe bashkëpunimi.
Kurani Famëlartë e ka përcaktuar parimin e bashkëjetesës së mirë dhe të sjelljes së ndershme si bazë të marrëdhënieve familjare. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe jetoni e silluni mirë me to!”[9]
Ndërsa Profeti (a.s) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij.”
Së treti: Mekanizmat e edukimit dhe dialogut në ndërtimin e vetëdijes familjare.
Me hapjen e hapësirës së dijes dhe informacionit përpara fëmijëve, familja nuk është më burimi i vetëm i informacionit. Kjo e bën të domosdoshëm kalimin nga metodat e mësimdhënies së drejtpërdrejtë dhe të transmetimit të njohurive në mënyrë të njëanshme, drejt metodave të dialogut, diskutimit dhe ndërtimit të mendimit kritik të disiplinuar dhe të orientuar nga parimet dhe vlerat.
Kurani Famëlartë paraqet një model të lartë edukativ në këshillat e Llukmanit drejtuar birit të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “O biri im! Mos i bëj Allahut shok (në adhurim)!”[10] Më pas thotë: “O biri im! Fale namazin, urdhëro për vepra të mira…”[11]
Edhe suneti profetik e ka mishëruar këtë metodë edukative në fjalët që Profeti (a.s) ia drejtoi Abdullah ibn Abbasit duke i thënë: “O djalosh! Unë do të të mësoj disa fjalë…”
Për t’i shndërruar këto parime në praktikë konkrete, familja mund të mbështetet në këto mekanizma:
1 – Organizimi i takimeve dhe bisedave të rregullta familjare.
2 – Nxitja e mendimit kritik të disiplinuar dhe të mbështetur në parime.
3 – Forcimi i leximit të përbashkët dhe i diskutimeve që lidhen me dijen dhe njohuritë.
4 – Ndërtimi i modelit praktik të sjelljes së mirë brenda familjes, nëpërmjet shembullit personal.
5 – Udhëzimi dhe orientimi në përdorimin e mjeteve digjitale, në vend që të mbështetemi vetëm në ndalimin e tyre.
Së katërti: Jurisprudenca e pasojave dhe menaxhimi i transformimeve familjare
Rëndësia e jurisprudencës së pasojave rritet gjithnjë e më shumë në një kohë transformimesh të shpejta. Vendimet familjare tashmë nuk vlerësohen vetëm në bazë të ndikimeve dhe pasojave të tyre të menjëhershme, por edhe në bazë të rezultateve të ardhshme që mund të sjellin për fëmijët, familjen dhe shoqërinë.
Imam Shatibiu ka përcaktuar se shqyrtimi i pasojave dhe i përfundimeve të veprimeve është një çështje e konsideruar dhe e synuar nga sheriati. Ai thotë: “Detyrimet fetare, siç është përmendur më parë, janë ligjëruar për realizimin e interesave dhe dobive të njerëzve. Këto interesa janë ose të kësaj bote, ose të botës tjetër.
Sa u përket interesave të botës tjetër, ato lidhen me përfundimin e njeriut të ngarkuar me përgjegjësi fetare në ahiret, në mënyrë që ai të jetë prej banorëve të begatisë dhe jo prej banorëve të xhehenemit.
Ndërsa interesat e kësaj bote, nëse i shqyrtojmë me kujdes veprimet njerëzore, do të vërejmë se ato janë paraprirëse të rezultateve që sjellin dobi. Ato përbëjnë shkaqe që çojnë drejt pasojave të caktuara, të cilat janë të synuara nga Ligjvënësi (Allahu). Këto pasoja janë përfundimet që burojnë nga shkaqet.
Prandaj, marrja në konsideratë e këtyre pasojave gjatë vlerësimit të shkaqeve është një kërkesë e domosdoshme. Pikërisht ky është kuptimi i shqyrtimit të pasojave dhe përfundimeve të veprimeve.”
Nisur nga ky këndvështrim, familja duhet të marrë parasysh pasojat e hapjes së pakontrolluar ndaj mediave, pasojat e varësisë digjitale, dobësimit të identitetit fetar dhe shpërbërjes së lidhjeve familjare mbi brezat e ardhshëm.
Edukimi i suksesshëm nuk është ai që mjaftohet vetëm me trajtimin e problemeve pasi ato të kenë ndodhur, por është ai që parashikon ndikimet dhe pasojat e tyre të ardhshme dhe përpiqet t’i parandalojë ato përpara se të shfaqen.
Së pesti: Familja muslimane ndërmjet qëndrueshmërisë dhe ripërtëritjes
Ndër veçoritë më të mëdha të sheriatit islam është aftësia e tij për të bashkuar qëndrueshmërinë në parimet bazë me ripërtëritjen në mjete dhe metoda.
Parimet themelore të besimit dhe të moralit mbeten të pandryshueshme, ndërsa mjetet e edukimit, të reformimit dhe të komunikimit mbeten të hapura ndaj zhvillimit, përmirësimit dhe përpjekjes intelektuale juridike që njihet si ixhtihadi.
Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj, përgëzoji robërit e Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët dhe ndjekin atë që është më e mira prej tyre.”[12]
Ripërtëritja e kërkuar nuk nënkupton riformulimin apo heqjen dorë nga parimet e pandryshueshme fetare. Përkundrazi, ajo nënkupton përtëritjen dhe zhvillimin e mekanizmave dhe metodave që e bëjnë familjen më të aftë për ta përmbushur misionin e saj në një realitet që vazhdimisht ndryshon.
Së gjashti: Drejt një këndvështrimi të mbështetur në objektivat e sheriatit për forcimin e familjes muslimane.
Familja myslimane, në këndvështrimin e qasjes së bazuar në objektivat e sheriatit, nuk përfaqëson thjesht një njësi shoqërore që ruan kohezionin e strukturës së shoqërisë, por konsiderohet si mjedisi i parë ku objektivat e përgjithshme të Sheriatit marrin formë dhe mishërohen në praktikë. Kjo ndodh përmes ndërthurjes së funksioneve të saj edukative, morale, ekonomike dhe psikologjike me ruajtjen e pesë domosdoshmërive themelore mbi të cilat mbështetet qytetërimi njerëzor dhe misioni i njeriut si mëkëmbës në tokë: ruajtja e fesë, e jetës, e mendjes, e pasardhësve dhe e pasurisë. Për këtë arsye, familja përbën fushën më të gjerë ku vihet në provë efektiviteti i Sheriatit në realizimin e objektivave të tij madhore dhe në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet individit dhe shoqërisë.
Imam Ibn Ashuri ka theksuar se objektivi i përgjithshëm i legjislacionit islam qëndron në ruajtjen e rendit të umetit dhe në vazhdimësinë e mirëqenies së tij, përmes përmirësimit të individëve dhe të mjediseve që i formësojnë ata. Nuk ka dyshim se familja zë vendin e parë ndër këto mjedise që themelojnë një qytetërim njerëzor të qëndrueshëm.
Një ndër aspektet më të rëndësishme që nxjerr në pah analiza e ndryshimeve bashkëkohore përmes perspektivës së objektivave të sheriatit është fakti se krizat aktuale familjare nuk janë probleme të pjesshme dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, por në thelb përfaqësojnë çrregullime që prekin strukturën e përgjithshme të objektivave të familjes. Dyshimet ideologjike dhe devijimet doktrinare cenojnë funksionin e familjes në ruajtjen e fesë. Ndërkohë, mbizotërimi i përmbajtjeve digjitale të pakontrolluara, së bashku me shpërqendrimin njohës dhe varësinë nga teknologjia, kërcënojnë objektivin e ruajtjes së mendjes. Dobësimi i lidhjeve bashkëshortore dhe gërryerja e roleve edukative cenojnë ruajtjen e pasardhësve dhe vazhdimësinë e misionit qytetërues ndërmjet brezave. Po kështu, dhuna familjare në format e saj të ndryshme përbën cenim të objektivit të ruajtjes së jetës dhe të dinjitetit njerëzor, ndërsa krizat ekonomike dhe kultura e konsumit të tepruar dobësojnë objektivin e ruajtjes së pasurisë dhe pengojnë funksionet e saj zhvillimore.
Kjo ndërthurje e objektivave të Sheriatit bëhet edhe më e qartë përmes shembullit të familjes që lejon që pajisjet inteligjente dhe platformat e komunikimit shoqëror të zënë vendin e prindërve në orientimin dhe edukimin e fëmijëve. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një zhvillim teknologjik dhe një lehtësim i jetës së përditshme, por në realitet mund të çojë në një varg çrregullimesh të ndërlidhura që prekin disa objektiva njëkohësisht. Ky proces mund të fillojë me ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve doktrinare ose morale të paqarta, të cilat cenojnë ruajtjen e fesë; më pas mund të zhvillohet në forma të varësisë digjitale që dobësojnë përqendrimin dhe aftësinë e të menduarit kritik, duke ndikuar kështu në ruajtjen e mendjes. Këto pasoja reflektohen më vonë në marrëdhëniet familjare dhe në komunikimin ndërmjet anëtarëve të familjes, duke kërcënuar ruajtjen e pasardhësve dhe stabilitetin familjar, krahas dëmeve psikologjike dhe të sjelljes që prekin ruajtjen e jetës dhe të mirëqenies njerëzore.
Kjo dëshmon se shumë prej sfidave bashkëkohore nuk janë probleme të izoluara, por kriza komplekse që kërkojnë një trajtim gjithëpërfshirës të bazuar në objektivat e Sheriatit, përtej zgjidhjeve tradicionale dhe të pjesshme.
Duke u mbështetur në këtë, perspektiva bashkëkohore e familjes nga këndvështrimi i objektivave të sheriatit nuk duhet të kufizohet vetëm në trajtimin e pasojave të krizave pasi ato të kenë ndodhur, por duhet të orientohet drejt ndërtimit të një imuniteti paraprak, të bazuar në objektivat e Sheriatit, i cili e bën familjen të aftë të ndërveprojë në mënyrë të vetëdijshme me ndryshimet e shpejta, pa humbur identitetin dhe misionin e saj.
Kjo mund të realizohet përmes forcimit të referencës së besimit në formimin e personalitetit, përforcimit të identitetit qytetërues dhe të kulturës së shëndoshë digjitale, zhvillimit të aftësive të dialogut dhe të mendimit kritik të udhëhequr nga vlerat, si dhe përgatitjes së bashkëshortëve në aspektin njohës, psikologjik dhe shoqëror për jetën familjare. Krahas këtyre, nevojitet edhe kultivimi i kulturës së stabilitetit ekonomik dhe i konsumit të përgjegjshëm, si dhe orientimi i teknologjive moderne në mënyrë që ato të shërbejnë si mjete për thellimin e komunikimit familjar dhe jo si faktorë të shpërbërjes së tij.
Në këtë mënyrë, familja kalon nga një gjendje mbrojtëse përballë valëve të njëpasnjëshme të ndryshimit, në pozitën e një aktori qytetërues, i cili është i aftë të riprodhojë vlerat, të krijojë kapital njerëzor dhe të ndërtojë ndërgjegjen kolektive të umetit.
Madje, mund të thuhet se familja, në perspektivën e objektivave të Sheriatit, nuk është institucion që synon vetëm ruajtjen e asaj që ekziston, por edhe institucion për ndërtimin e së ardhmes. Ajo përbën laboratorin e parë ku formohet sistemi i vlerave, kuptimeve dhe vizioneve që drejtojnë sjelljen e individëve dhe të shoqërive. Ky është një dimension me rëndësi të thellë qytetëruese, i cili ende ka nevojë për më shumë argumentim teorik dhe shtjellim shkencor në studimet bashkëkohore të objektivave të sheriatit.
Përfundim
Ndryshimet bashkëkohore kanë krijuar një realitet të ri për familjen muslimane, në të cilin sfidat ideore, kulturore, ekonomike dhe teknologjike ndërthuren me njëra-tjetrën dhe zhvillohen me ritme të shpejta. Megjithatë, këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht dobësimin e rolit të familjes apo zbehjen e misionit të saj, por mund të përbëjnë një mundësi për të rizbuluar funksionet e saj qytetërimore dhe për të përtërirë mënyrat e saj të edukimit dhe të formimit të brezave.
E ardhmja e familjes muslimane nuk ndërtohet as përmes kundërshtimit pasiv të ndryshimeve dhe as përmes përqafimit të tyre pa një gjykim të vetëdijshëm, por përmes ndërtimit të një modeli familjar të ekuilibruar, i cili ndërthur qëndrueshmërinë me përtëritjen, autenticitetin e shpalljes hyjnore me veprimin e arsyes, si dhe ruajtjen e identitetit me angazhimin pozitiv në ndërtimin e së ardhmes. Sfida e vërtetë nuk qëndron në ekzistencën e vetë ndryshimeve, por në aftësinë për t’i menaxhuar dhe orientuar ato në shërbim të njeriut, vlerave dhe shoqërisë.
Nëse kombet vlerësohen sipas fuqisë së institucioneve të tyre, familja mbetet institucioni i parë dhe me ndikimin më të thellë në formimin e njeriut dhe në ndërtimin e qytetërimit. Për këtë arsye, mbrojtja e saj dhe zhvillimi i funksioneve të saj edukative, njohëse dhe besimore nuk janë çështje që i përkasin vetëm sferës private, por përbëjnë një çështje me rëndësi për të gjithë bashkësinë myslimane dhe për të ardhmen e saj. Prandaj, familja e shëndoshë myslimane mbetet pikënisja e çdo projekti reformues, mburoja më e fortë përballë sfidave ideore dhe kulturore, si dhe pikënisja e vërtetë për rikthimin e bashkësisë myslimane në rolin e saj qytetërimor dhe në dëshminë e saj para njerëzimit.
Kurani fisnik këtë synim të lartë e ka shprehur në fjalën e Allahut të Madhëruar: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”[13]
Me përmirësimin e familjes përmirësohet njeriu dhe me përmirësimin e njeriut ngrihet bashkësia myslimane dhe ajo rimerr misionin e saj qytetërimor për të qenë dëshmitare para njerëzimit dhe për të sjellë mirësi për të gjithë botën.
Autore: Nida Halid Bedevi
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nisa: 1.
[2] – Sure Rum: 21.
[3] – Sure Tahrim: 6.
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Sure Alek: 14.
[6] – Sure Huxhurat: 6.
[7] – Muslimi.
[8] – Sure Furkan: 67.
[9] – Sure Nisa: 19.
[10] – Sure Lukman: 13.
[11] – Sure Lukman: 17.
[12] – Sure Zumer: 17 – 18.
[13] – Sure Furkan: 74.



















