Akuza për imoralitet
Teksa Profeti (a.s) dhe myslimanët e tjerë po ktheheshin nga beteja me fisin Benu Mustalik – fis i cili ishte revoltuar dhe kishte dashur të sulmojë Medinen – myslimanët po pushonin në një vend. Me ta këtë herë kishin dalë dhe hipokritët, për të zbuluar ndonjë pikë të dobët të myslimanëve.
Teksa të gjithë pushonin, shërbëtori i Omer ibn Hatabit – një djalë i ri në moshë – dhe një djalë i ri nga banorët e Medines, shkojnë të mbushin ujë në një pus aty pranë. Ngaqë ishin të rinj, filluan të bëjnë shaka me njëri-tjetrin, më pas filluan ta shtyjnë njëri-tjetrin dhe filluan të zihen. Shërbëtori i Omerit thirri:”O muhaxhirë.” Kurse djali tjetër thirri:”O Ensarë.”
Disa nga myslimanët që ishin të dobët në besim, filluan të shkëmbejnë fjalë mes tyre. Profeti (a.s) i zemëruar dhe i skuqur në fytyrë u ngrit dhe u drejtua nga ata që flisnin:”A po nxisni zakone të injorancës duke qenë unë në mesin tuaj?! Lëreni se i vjen era qelb!”
Megjithatë Abdullah ibn Ubej ibn Selul, e shfrytëzon këtë rast dhe i jep përmasa më të mëdha. Duke qenë se ishte nga fisi Hazrexh, ai filloi tu thotë pjesëtarëve të fisit të tij dhe të fisit Eus:”A e shikoni se çfarë keni bërë? E strehuat atë dhe të tjerët në vendin tonë, kurse sot na poshtërojnë. Për Zotin shembulli i Muhamedit dhe muhaxhirëve të tjerë, është si ajo fjala që thotë:”Ushqeje qenin të të kafshojë! Për Zotin, nëse kthehemi në Medine, të mirët prej nesh, do i nxjerrin të poshtërit.”
Këto fjalë i arrijnë Profetit (a.s) dhe nevrikoset shumë. Pranë tij ndodhej dhe Omer ibn Hatabi, i cili i thotë:”Më lër t’ia këpus kokën këtij hipokriti o i dërguar i Zotit!” Por Profeti (a.s) ia ktheu:”Jo o Omer. Njerëzit do të thonë që Muhamedi vret shokët e tij, pastaj.”
Profeti (a.s) në çdo betejë që dilte, merrte me vete njërën nga gratë e tij. Në betejën e Benu Mustalik, Profeti (a.s) kishte marrë Aishen (r.a).
Ndodhinë e shpifjes ndaj Aishes, e tregon vetë ajo, ku thotë: ”U ndal ushtria për të pushuar. Gjatë pushimit, unë dola për të kryer nevojat e mia dhe u largova larg ushtrisë. Kur u ktheva u dha urdhër për t’u nisur në udhëtim. Në atë çast kërkova varësen që kisha në qafë dhe pashë që ajo mungonte. Meqenëse nuk ishte varësja e ime, por e një motre të cilës ia kisha marrë hua, zbrita nga pajtani dhe u nisa andej nga kisha qenë për të kërkuar varësen e humbur. Pasi e gjeta, u ktheva, por pashë që ushtria ishte larguar. Gratë në atë kohë ishin të dobëta dhe ata që kishin vendosur pajtanin tim mbi deve, nuk e kishin ndjerë që unë nuk isha brenda. Kështu u gjenda në shkretëtirë, pa njeri. U ula duke menduar me vete që do e shohin që nuk jam dhe do të kthehen të më kërkojnë. Teksa isha ulur, më erdhi gjumë dhe fjeta. Në ato çaste vjen Safvan ibn Muatil. Ai kishte emigruar nga Meka dhe kishte marrë pjesë në Bedr. Atë Profeti (a.s) e kishte lënë të udhëtojë pas ushtrisë me qëllim që nëse dikush mbetet pas, ose humbet diçka nga ushtria, ai ta merrte. Sa më pa më njohu dhe ktheu shpinën duke thënë:”Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi” me qëllim që të zgjohesha. Unë u zgjova dhe pashë që ai e uli devenë dhe hypa në të. Për Zotin, as ai nuk më foli asnjë fjalë, dhe as nuk i fola asnjë fjalë. Ai më shoqëroi nëpër shkretëtirë, derisa arritëm në Medine.”
Kur arritën në Medine, Profeti (a.s) e pyeti Aishen se ku kishte qenë dhe ajo i rrëfeu atë që kishte ndodhur dhe çështja u mbyll me kaq.
Por kur Abdullah ibn Ubej ibn Selul e pa Safvanin duke tërhequr për dore devenë ku ndodhej Aisheja dhe askush tjetër nuk i shoqëronte, nuk mund t’a linte pa e shfrytëzuar këtë për qëllimet e tij të mbrapshta. Duke dashur të nxisë kureshtjen e njerëzve ai doli para dhe filloi të thotë:”Kush është kjo? Mos është filania?! Jo jo. Qenka Aisheja! Po ky kush është?! Safvani?! Po nga vijnë?! E përse janë vetëm?!
Për Zotin, mendoj se Aisheja ka kaluar natën me Safvanin.”
Pasi tha këto fjalë, ai heshti dhe nuk foli më, pasi e kishte bërë atë që duhej. Fjalët filluan të përhapen si era. Kryesisht, ishin hipokritët ata që morën përsipër përhapjen e kësaj akuze të rëndë. Pre e kësaj sprove ranë dhe disa besimtarë të thjeshtë, gjithsesi numri i tyre ishte i vogël.
Tashmë, shpifjet dhe akuzat lidhur me nderin e Aishes (r.a) kishin depërtuar në çdo shtëpi të Medines. Gruaja e të dërguarit të Zotit dhe vajza e Ebu Bekrit akuzohej për çështje nderi. Ajo akuzohej për tradhti bashkëshortore me Safvanin, një nga nxënësit e Profetit (a.s).
Myslimanët dhe besimtarët, prisnin që Profetit (a.s) t’i vijë Xhibrili (a.s) dhe t’ia sqarojë si qëndron puna. Aq shumë flitej mbi nderin e Aishes, saqë edhe njerëzit më të mirë dhe më të afërt të Profetit (a.s) filluan të lëkunden.
Hipokritët vazhdonin t’i hedhin benzinë zjarrit, ndërkohë që një grup besimtarësh vazhdonin ta refuzonin me forcë. Për hipokritët, ky nuk ishte një rast thjesht sa për të shfryrë mllefin e tyre, por ata kishin rastin ta rrënojnë bashkësinë e re që ishte formuar.
Vëllazëria që kishte kultivuar Profeti (a.s) gjatë këtyre viteve mes myslimanëve, dukej sikur kishte pësuar çarje dhe nga çasti në çast do shuhej. Akuzat, shpifjet dhe thashethemet vazhduan për një muaj rresht pa u ndalur.
Në shumë raste të tjera, kur situata ishte kritike, Profetit (a.s) i shpallej Kurani dhe i rrëfente si qëndron e puna. Por në këtë rast, Xhibrili (a.s) nuk i fliste asgjë rreth kësaj çështjeje.
Tregon Aisheja:”Vazhduan fjalët për një muaj të tërë. Unë gjatë kësaj kohe isha sëmurë me temperaturë dhe shumicën e muajit e kalova e sëmurë, pa dëgjuar gjë se çfarë ka ndodhur. Ajo që shihja ishte se Profeti (a.s) kur hynte brenda, e shihja të mërzitur dhe më thoshte:”Si je o Aishe?” pa folur gjë tjetër veç këtyre fjalëve. Ndërkohë që herët e tjera kur sëmuresha, ai më kushtonte një kujdes tepër të veçantë.
Vazhdoi kjo gjendje derisa u shërova dhe dola me disa gra jashtë Medines. Me ne ishte dhe një grua e mirë që e thërrisnin Umu Mustah. – Ajo kishte një djalë me emrin Mustah, që edhe ai ishte i mirë dhe nga ata që kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit, por që në këtë rast kishte folur dhe ai për nderin e Aishes.
Kur dolëm në shkretëtirë pengohet Umu Mustah dhe thotë:”Qofsh fatkeq o Mustah (për djalin e saj).”
Unë i thashë:”Si e mallkon djalin tënd, në një kohë që ai është nga njerëzit e mirë dhe që ka marrë pjesë në Bedr?”
Ajo mu kthye dhe më tha:”Ah e mjera ti! A nuk e di se çfarë ka thënë dhe çfarë ka bërë ai?”
“Çfarë?” – e pyeta unë.
Ajo më tha:”Ai dhe shokët e tij të kanë akuzuar për imoralitet me Safvanin.”
Më pas shkova në shtëpi dhe e gjeta Profetin (a.s) të mërzitur dhe i thashë:”A më lejon që të qëndroj në shtëpinë e babait, që të kujdeset për mua nëna?”
“Po” – më tha Profeti (a.s).
Shkova në shtëpi dhe i thashë nënës: “O nënë, çfarë po thonë njerëzit?” Ajo më tha: “O vajza ime qetësohu. Nuk ka grua të bukur, që e do burri dhe që ka shemra të tjera, veçse do të flasin për të.”
Unë e pyeta përsëri:”A e kanë thënë këtë gjë njerëzit?”
“Po” më tha. E pyeta përsëri:”Po babai a di gjë?”
“Po” më tha përsëri.
E pyeta për të tretën herë:”Po i dërguari i Zotit, a e di?”
“Po” më tha.
Atë ditë kam qarë gjithë ditë pa mu ndalur lotët për asnjë çast, gjë e cila i shqetësoi prindërit e mi. Me lot dhe të qara e kalova edhe atë natë, në të cilën nuk mbylla sy. Vazhdova në një gjendje të tillë për tre ditë rresht.
Ndërkohë, Profeti (a.s) vajti tek Ali ibn Ebi Talib dhe Usame ibn Zejdi dhe u kërkoi mendim.
Usame i tha:”Ajo është familja jote dhe nuk dimë veç të mira për të.”
Kurse Aliu i tha:”Gra të tjera ka shumë o i dërguar i Zotit. Zoti të ka dhënë liri, prandaj divorcoje dhe martohu me një tjetër!”
Ai mendonte se çështja e përcjelljes së mesazhit është më e rëndësishme se të merrej me këtë.
Veç kësaj, Aliu i tha:”Gjithësesi, më mirë pyet shërbëtoren e Aishes. Nëse din diçka ajo, do të ta tregojë.”
Atëherë Profeti (a.s) vajti tek shërbëtorja e Aishes, Berire dhe i tha:”O Berire! Më trego, çfarë din mbi Aishen! Për Zotin unë nuk di rreth saj veçse gjëra të mira.”
Berire iu përgjigj:”O i dërguar i Allahut! Për Zotin edhe unë nuk di veçse të mira.”
Pasi këtë çështje e hapi mes disa përkrahës të tij, ai e zgjeroi rrethin dhe një ditë u ngjit në minber dhe foli para njerëzve:”O ju njerëz. Kam dëgjuar se dikush (Abdullah ibn Ubej ibn Selul), më ka lënduar në familjen time. Deri sot nuk di për familjen time veç gjëra të mira dhe për këtë kanë dëshmuar dhe të tjerë. Ata flasin mbi një burrë (për Safvan-in) për të cilin nuk di veçse gjëra të mira. Ai kurrë nuk është ndarë prej meje, kur unë nuk ndodhesha në shtëpi (pasi filluan të shpifin se Safvani shkonte në shtëpinë e profetit (a.s) kur ai nuk ishte) dhe kurrë nuk ka hyrë në shtëpinë time, vetëmse me lejen time. A me jepni leje që të marr të drejtën time nga ky burrë (Abdullah ibn Ubej ibn Selul)?”
Nga këto fjalë, çohet Usejd ibn Hudejr, i pari i fisit Eus dhe foli:”O i dërguar i Zotit, nëse ai është nga fisi ynë Eus, ia këpusim kokën. Kurse nëse është nga fisi Hazrexh i vëllezërve tanë, na urdhëro që t’ia këpusim kokën.”
Fisi Hazrexh deri tani nuk kishin folur, pasi Abdullah ibn Ubej ibnu Selul ishte nga fisi i tyre. Por kur dëgjuan fjalët e Usejd ibnu Hudejr, çohet Sad ibn Ubade dhe thotë: ”Për Zotin gënjen, se kurrë nuk mundesh t’i presësh kokën.”
Ai ishte njeri i mirë dhe i devotshëm, por për momentin e humbi dhe e përfshiu një valë fanatizmi fisnor.
Usejd ibn Hudejr ia ktheu përsëri: ”Ai që gënjen je ti. Ti je mynafik dhe po mbron një mynafik.”
Këto ndodhnin teksa Profeti (a.s) ishte akoma në minber. Me këto fjalë u ngritën në këmbë burrat e dy fiseve, u ndezën gjakrat dhe gati nuk nisi lufta mes tyre.
Kur pa Profeti (a.s) që gjakrat u ndezën, zbriti nga minberi dhe i zemëruar u tha: ”A kërkoni të ngjallni zakonet e injorancës, duke qenë unë mes jush? Lëreni se i vjen era qelb dhe kthehuni në shtëpitë tuaja!”
Të gjithë shtëpitë e Medines, vlonin nga debatet mbi akuzat që i bëheshin Aishes, gruas së Profetit (a.s).
Një nga këto shtëpi e cila fliste rreth kësaj çështjeje ishte dhe ajo e Ebu Ejub El-ensarit. Një ditë teksa ai qëndronte me gruan në shtëpi i tha:”O nëna e Ejubit, nëse do ishe në vendin e Aishes, a do të mund ta bëje, atë që thonë se e ka bërë ajo?”
“Jo për Zotin, nuk do të mund ta tradhëtoja të dërguarin e Zotit” –iu përgjigj.
Ebu Ejubi i tha:” Aisheja është më e mirë se ti (dhe s’mund ta bëjë këtë).”
Gruaja e tij e pyeti:”Po ti nëse do të ishe në vendin e Safvan ibnu Muatil, a do mund të mendoje keq për gruan e të dërguarit të Zotit?”
Ebu Ejubi i tha:”Jo për Zotin.”
Ajo i tha:”Safvani është më i mirë se ti (dhe s’mund ta bëjë diçka të tillë).”
Një grup besimtarësh, as nuk i besonin dhe as nuk i përgënjeshtronin akuzat që i bëheshin Aishes, por i konsideruan si tërheqëse dhe filluan t’i përhapin. Nga këta ishte Hasan ibn Thabit, poeti i Profetit (a.s).
Zejneb bint Xhahsh ishte një ndër gratë e Profetit (a.s), e cila rivale e Aishes në dashurinë për Profetin (a.s). Duke e ditur këtë, Profeti (a.s) vajti tek ajo dhe e pyeti:”Çfarë mendon ti o Zejneb?”
Ajo iu përgjigj:” Unë i ruaj veshët dhe gojën nga fjalët e padrejta. Për Zotin nuk di të them rreth saj, veçse të mira.”
E çuditshme është se ajo që kishte folur më shumë kundër Aishes, ishte motra e Zejnebes, Hinne bint Xhahsh.
Pafajësia e Aishes shpallet në Kuran
Tregon Aisheja:”Teksa qëndroja në shtëpinë e babait duke qarë pa pushim, hyri i dërguari i Zotit. Bashkë me Profetin (a.s), u ul dhe Ebu Bekri dhe Umu Ruman. Para se të hynte Profeti (a.s), kishte ardhur një nga gratë e Medines për të më ngushëlluar dhe kur më pa duke qarë, u ul edhe ajo duke qarë bashkë me mua.
Pasi u ul Profeti (a.s) më tha:” O Aishe, nëse je e pafajshme, pafajësinë tënde do e shpallë vetë Zoti. Nëse ke vepruar ndonjë gjynah, kërkoji falje Zotit, pasi njeriu kur vepron ndonjë gjynah dhe pendohet tek Zoti, Ai ia pranon pendimin dhe e fal.”
Kur dëgjova këto fjalë nga i dërguari i Zotit (a.s), në çast mu ndalën lotët dhe duke iu drejtuar babait i thashë:”A nuk i përgjigjeni të dërguarit të Zotit?”
Ai mu përgjigj duke qarë:”Për Zotin nuk di se çfarë t’i them.”
Më pas iu drejtova nënës dhe i thashë:”A nuk i përgjigjesh të dërguarit të Zotit?” Ajo mu përgjigj duke qarë:”Për Zotin nuk di se çfarë t’i them.”
Atëherë mblodha forcat, thava lotët që më rridhnin dhe u thashë:”Unë shoh që duke e dëgjuar shpesh këtë fjalë, e paskeni besuar në vetvete. Nëse u them që jam e pafajshme nuk më besoni. Nëse them që kam vepruar diçka, që në fakt nuk e kam bërë dhe që vetë Zoti e di që jam e pafajshme, do më besonit.
Për Zotin nuk di ç’tju them, veç asaj që tha babai i Jusufit (nga hidhërimi e harroi dhe emrin e Jakubit) kur tha:”Do të bëj durim të bukur. I kërkoj Zotit ndihmë për atë që thoni.” (Jusuf, 83)
Pasi thashë këto fjalë, u çova dhe shkova tek shtrati im dhe fillova të them:”O Zot, unë jam e sigurtë që do e shpallësh pafajësinë time, por të lutem shpalle tani, pasi ndihem e rrënuar.”
Babai dhe nëna shpërthyen me të qara, kurse Profeti (a.s) nuk lëvizi. Për Zotin pa u çuar nga vendi ku ishte ulur, i erdhi Xhibrili. Ne e njohëm pasi Profetit (a.s) iu rëndua trupi, u shtri mbi shtrat dhe filloi ti rrjedhë djersa mbi ballë. Nga këto shenja e kuptuam që ishte Xhibrili (a.s).
Pasi erdhi Profeti (a.s) në vete, buzëqeshi pas një muaji dhe tha:”O Aishe, gëzohu se Zoti e shpalli pafajësinë tënde prej shtatë qiejve, me Kuran që do të lexohet deri në Ditën e Kijametit!”
Unë u thashë:” Unë mendoja se pafajësia do të vinte me anë të një ëndrre të cilën Profeti (a.s) do e shihte në gjumë. Por kurrë nuk e imagjinoja që të zbresin pjesë Kurani nga qielli të cilat do të lexohen deri në ditën e kiametit.”
Menjëherë, Profeti (a.s) filloi të lexojë ajetet që iu shpallën: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh. Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë?! ” (Nur 11)
Nëse dëgjon diçka jo të mirë mbi një besimtar, e ke obligim që të mendosh mirë për të. Jo vetëm që nuk duhet ta besosh dhe ta përhapësh, por duhet ta harrosh dhe të mendosh më të mirën.
Këto ajete janë të mjaftueshme për të vërtetuar pozitën që gëzon gruaja në islam. Gjëja më e shtrenjtë për një burrë është nderi i familjes së tij. Gjëja më e shtrenjtë për një grua, është nderi i saj. Për këtë nder, Zoti shpalli ajete Kurani në të cilat u bën thirrje njerëzve të tregohen të matur kur dëgjojnë shpifje dhe akuza të paqena.
“Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut.” Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!” Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë.” (Nur, 13-17)
Tregon Aisheja:”Me të dëgjuar këto ajete, babai dhe nëna më thanë:”Çohu o Aishe, përshëndete të dërguarin e Zotit dhe falënderoje atë!”
Kurse unë ua ktheva:”Jo për Zotin, nuk çohem dhe nuk e falenderoj as atë dhe as juve. Ai që do të falënderoj është Ai që e shpalli pafajësinë time nga lart shtatë qiejve.”
Ata njerëz të cilët përgojojnë dhe flasin për nderin e të tjerëve, ata studentë që flasin keq për vajzat, ata njerëz të cilët flasin keq për komshinjtë… mos e konsiderojnë diçka të tillë si të lehtë. Ajo është një shkelje shumë e rëndë para Allahut.
Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:”Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini. Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, si dhe fakti se Ai është i Butë e Mëshirues (dënimi i Tij do të shpejtonte)!” (Nur, 19-20)
Qëndrimi i Profetit (a.s)
Siç e pamë dhe më lart, Profeti (a.s) as nuk qëndroi duarkryq dhe as nuk ndërmori ndonjë masë ndaj atyre që shpifnin dhe përhapnin akuzat. Fillimisht, ai filloi të mbledhë informacion nga njerëzit më të afërt.
Kjo tregon se Profeti (a.s) ishte njeri si gjithë të tjerët. Ai dinte veç gjëra të mira rreth gruas së tij dhe këtë opinion ua tha si njerëzve të afërt ashtu dhe të gjithë myslimanëve në xhami.
Kjo ndodhi, është nga argumentet që vërtetojnë profecinë e Profetit (a.s). Nëse do të ishte Profeti (a.s) ai që e ka shkruar Kuranin – siç pretendojnë disa orientalistë – ai nuk do të lejonte që i gjithë qyteti të akuzojë të shoqen për një muaj rresht. Që në fillim, ai do të kishte pretenduar se i ishin shpallur ajete ku konfirmohej pafajësia e të shoqes.
Thotë Zoti në Kuran:”Sikur ai (Muhamedi), në mënyrë të rreme, të Na kishte veshur ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte.” (Hakka, 44-47)
Profeti (a.s) durimtar dhe i matur
Edhe pse akuzohej nderi i familjes së tij, Profeti (a.s) demonstroi një maturi të rrallë. Në këtë rast, akuzohej familja e atij që u mësonte njerëzimit pastërtinë morale, gjë e cila i bënte këto akuza shumë të rënda dhe rrënuese. Me reagimin e tij të matur, ai sikur i dërgon mesazhe të rëndësishme bashkëshortëve të çdo kohe:
1 – Mesazhi i parë është që të tregohen të durueshëm dhe të matur.
2 – Mesazhi i dytë, është që të mos nxitojnë.
3 – Mesazhi i tretë, mos i fryj zjarrit. Edhe pse flitej për nderin e të shoqes, Profeti (a.s) nuk i foli asaj asnjë fjalë të rëndë. Aisheja tregon:”Ajo që më shqetësonte më shumë, është se Profeti (a.s) nuk më thoshte asgjë tjetër veçse:”Si jeni?”
Ka njerëz të cilët me të dëgjuar një fjalë mbi të shoqen, e divorcojnë menjëherë. Gjëja më e madhe që i tha Aishes në prezencën e prindërve të saj ishte:“O Aishe, nëse je e pafajshme, pafajësinë tënde do e shpallë vetë Zoti. Nëse ke vepruar ndonjë gjynah, kërkoji falje Zotit, pasi njeriu kur vepron ndonjë gjynah dhe pendohet tek Zoti, Ai ia pranon pendimin dhe e fal.”
Por edhe moskokëçarja është e dënueshme dhe e pavend. Ndërkohë që lagja apo qyteti ziejnë duke akuzuar familjen tënde, kurse ty nuk të bëhet vonë për asgjë, edhe kjo është e papranueshme. Profeti (a.s) – siç e pamë – u vu në lëvizje, pyeti njerëzit më të afërt dhe çështjen e shtroi për diskutim edhe në xhami.
Gjatë jetës së tij, Profeti (a.s) u përball me vështirësi, brenga dhe fatkeqësi nga më të ndryshmet. Akoma pa lindur, atij i vdiq babai. Në moshën gjashtëvjeçare humbi dhe nënën. U keqtrajtua nga mekasit pasi iu shpall Kurani, i vdes xhaxhai që e mbronte Ebu Talibi, i vdes e shoqja Hadixheja, i vritet në Uhud xhaxhai tjetër Hamzai, i vdisnin fëmijët në vegjëli etj…
Me këto fatkeqësi që kaloi Profeti (a.s), sikur i bën thirrje të gjithë atyre që vuajnë dhe kalojnë sprova të tillë që të bëjnë sabër dhe të durojnë.
Qëndrimi i Aishes (r.a)
Nga qëndrimi dhe reagimet e Aishes, mësojmë sigurinë e besimtarit në caktimin dhe ndihmën e Zotit. Nëse ti o motër akuzohesh dhe për ty përflitet lart e poshtë, të jesh e sigurtë se shumë shpejt do të merret vesh e vërteta dhe do të shpallesh e pafajshme. Por edhe nëse ke rrëshqitur dhe ke vepruar diçka haram, zgjidhja është që të pendohesh dhe të kërkosh falje nga Zoti i lartësuar.
Me këtë rast, ajo përsëriti fjalët e Jakubit a.s kur humbi dy djemtë më të dashur.
“Do të bëj durim të bukur. I kërkoj Zotit ndihmë për atë që thoni.” (Jusuf, 83)
Ajo që vlen të përmendet për Aishen, është se e gjithë kjo që ndodhi, për shkak të një varëseje që kishte humbur. Edhe pse e dinte se mund të largohet ushtria, ajo vendosi ta kërkojë, pasi nuk ishte e saj dhe e kishte amanet.
Një qëndrim tjetër pozitiv, është se kur dëgjoi çfarë thuhej për të dhe se vetë i dërguar i Zotit e dinte, i kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Profetit (a.s) që të shkojë në shtëpinë e Prindërve. Jo siç bëjnë disa gra sot, që në rast konfliktesh të ngjashme, u shkruajnë një libër burrave ku u tregojnë se janë larguar në shtëpinë e prindërve.
Kur dëgjoi për akuzat që ishin përhapur, ajo qau papushim dy ditë dhe një natë. Kjo, edhe pse ishin akuza të pabaza dhe të pavërteta. Po ti o vëlla dhe oj motër, a të rrjedhin lot nëse vepron ndonjë gjynah?
Për shkak se pafajësia e saj u shpall nga vetë Zoti, shumë transmetues hadithesh, kur transmetojnë hadithe të Aishes, e fillojnë me fjalët:”E kam dëgjuar atë që iu shpall pafajësia nga qielli të thotë….”
Kur prindërit e Aishes i kërkuan të falenderojë Profetin a.s, ajo u tha:”Jo për Zotin, nuk çohem dhe nuk e falënderoj as atë dhe as juve. Ai që do të falënderoj është Ai që e shpalli pafajësinë time nga lart shtatë qiejve.”
Qëndrimi i Ebu Bekrit (r.a)
Ebu Bekri e ndihmonte Mustah-un me të holla, pasi ishte i varfër. Kur dëgjoi që ai merrej me këto thashetheme dhe akuza të ulëta, u betua se nuk do e ndihmojë më kurrë. Pasi u shpallën ajetet e pafajësisë së Aishes, u shpall dhe ajeti:
Të mos betohen të pasurit nga mesi juaj, se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Zotit lanë vendlindjet e tyre. Por le t’i falin dhe ta kalojnë këtë. A nuk dëshironi që Zoti t’ju falë dhe juve?” (Nur 22)
Ebu Bekri kur e dëgjoi këtë verset tha:”Sigurisht, unë dua të më falë Zoti” dhe vazhdoi ta ndihmojë Mustah si më parë.
Zoti i lejoi hipokritët të merren me thashetheme dhe akuza të pabaza për një muaj, me qëllim që këtë ndodhi ta bëjë shembull për brezat e ardhshëm. Të marrësh nëpër gojë nderin e dikujt tjetër, është nga gjynahet më të rënda.
Në fund të kësaj teme, u bëj thirrje të gjithë njerëzve që t’i frikësohen Zotit dhe të mos e bëjnë objekt të bisedave nderin e të tjerëve. Ruaje gjuhën o vëlla dhe oj motër nga akuzat ndaj të tjerëve për çështje nderi. Ruaje veten nga zemërimi i Zotit në raste të tillë.
Autor: Amër Halid
Përktheu: Elmaz Fida