Duhet kurajo!

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Duhet kurajo të durosh duke vepruar, jo thjesht rezistuar ndaj situatave rehatiprishëse, me durim të bukur.

Duhet kurajo të guxosh të përballesh me frikërat më të mëdha.

Duhet kurajo të zhytesh në përjetime të së kaluarës pa rënë në melankoli dehëse.

Duhet kurajo të shohësh përtej ravijëzimeve të shqisave.

Duhet kurajo të hapësh sytë kur s’të mbajnë qepallat.

Duhet kurajë të dashurosh fisnikërisht.

Duhet kurajo të ruash sekretin.

Duhet kurajo të ujitësh dhe kujdesesh për farën e dashurisë, pa e përmendur atë, duke i duruar mundimeve të përkujdesjes së saj.

Duhet kurajo të presësh dhe të veprosh në kohën e duhur, vendin e duhur në mënyrën e duhur.

Duhet kurajo të ngrihesh menjëherë pas rrëzimit.

Duhet kurajo të fitosh hallallin, të shpenzosh në hallall, të jetosh me të.

Duhet kurajo të lypësh vetëm të mirën, t’i qëndrosh asaj edhe kur rrethanat ta imponojnë përlyerjen në mëkat.

Duhet kurajo të mbetesh vetvetja në gjendje deliri dhe ngazëllimi.

Duhet kurajo të marrësh shembujt më të mirë dhe njëkohësisht të jesh vetvetja duke mos e krahasuar veten me asnjeri dhe pa imituar (jo ndjekur, pasuar apo frymëzuar) askënd.

Duhet kurajo të bindësh veten të luftojë çdo betejë me veten për t’u bërë vetja e saj më e mirë.

Duhet kurajo t’i flasësh vetes e të dëgjojë, të kuptojë, të bindet.

Duhet kurajo të thuash “jo”, të mbrosh qëndrimin tënd, të marrësh vendimin më të duhur për veten.

Duhet kurajo të rrish me veten, ti kushtosh kohë të veçantë asaj.

Duhet kurajo të flasësh drejtpërdrejt dhe pa doreza me njerëzit  e afërt.

Duhet kurajo të shohësh veten në pasqyrë dhe të monologosh pa zë, e pa u çmendur.

Duhet kurajo të jetosh të tashmen pa u ligështuar për të kaluarën dhe pa u frikësuar për atë që po vjen.

Duhet kurajo të mbash ndienjat për vete, të akumulosh dhimbje e në fund në vetmi, përulësisht vetëm për vetëm me Zotin, t’i qash hallet dhe lotët të rrjedhin nga sytë e zemrën ta fshish në pasqyrë.

Duhet kurajo të zgjedhësh vetminë kundrejt shoqërisë së keqe dhe shoqërimin me të mirët, kur të rrihet vetëm e vetmia të dëmton.

Duhet kurajo të vetëpërmbahesh çdo herë pa i hequr fytyrës vellon e bukur të zemërimit ndaj shëmtirave dhe padrejtësisë.

Duhet kurajo të ëndërrosh bukur e ëndrrat mos t’i ndash me askënd, por t’i kujtosh e të lodrosh me  mendimet e tua.

Duhet kurajo të meritosh të thirresh besnik.

Duhet kurajo t’i pretendosh dhe vërtetosh vetes sinqeritetin.

Duhet kurajo të mendosh çdo gjë pa u shpërqëndruar nga ndjesitë.

Duhet shumë kurajo të jesh trim i vërtetë, i gatshëm çdo moment për të sakrifikuar veten për gjërat që ja vlejnë edhe kur s’ke kohë të bësh një vlerësim të tillë, t’i japësh përparësi të tjerëve.

Duhet kurajo të jesh i butë me mikun e i ashpër me armikun.

Duhet kurajo të mbash rrallën në fund sikurse duhet kurajo të jetosh me nder dhe modesti si udhëheqës i valles.

Duhet kurajo të mos hutohesh me turmën kur ata sulen drejt plaçkës së lirë.

Duhet kurajo të shtysh vullnetin edhe kur s’të tërheq.

Duhet kurajo të flasësh kur dyshon se s’do ta zbatosh atë që thua, megjithatë për shkak të fjalës i jep vetes besën ta çosh deri në fund.

Duhet kurajo të bësh mirë pa i treguar askujt arsyet.

Duhet kurajo të mbash lidhjet e dobta fort, marrëdhëniet e momentit gjatë.

Duhet kurajo të lësh mrapa të kaluarën pa e harruar atë.

Duhet kurajo të përfytorosh të ardhmen tënde me vetëbesim.

Duhet kurajo të bësh një punë të mirë, sado e vogël, por të përkryer dhe në vazhdimësi.

Duhet kurajo që pasi ke rënë në gabime, mëkate, të mos bësh një gabim dhe mëkat më të madh duke thënë: “Unë kështu jam, s’kam shpresë.”

Duhet kurajo të dëgjosh më shumë nga ç’flet, të rezervohesh sepse edhe nëse fjala është argjend  heshtja është flori.

Duhet kurajo të fluturosh lart pa shkëputur “këmbët” nga toka.

Duhet kurajo të mbetesh aty gjatë kur mbërrin në majë.

Duhet kurajo të kujtosh gjërat që s’vijnë pa e sforcuar kujtesën.

Duhet kurajo të kesh shokë, e megjithatë të zgjedhësh të rrish me veten, sepse e di që shoqërimi me ta është më i keq se të qëndruarit vetëm.

Duhet kurajo të reduktosh pritshmëritë ndaj njerëzve ose ti ç’bësh thuajse fare.

Duhet kurajo të jesh realist dhe optimist në të njëjtën kohë.

Duhet kurajo ti japësh kohë gjësë dhe ta mbushësh me gjëra kohën.

Duhet kurajo ta çmosh kohën tënde pa përçmuar kohën e të tjerëve. Duhet kurajo të duash me masë, të urresh me masë.

Duhet kurajo t’i japësh çdokujt vendin që i takon, pa e ndjerë veten superior dhe pa të qesëndisur mendjemadhësinë.

Duhet kurajo të duash për ndienjën të urresh për të keqen.

Duhet kurajo të kesh armiq, por ti me mundësh duke mos u bërë si ata, e për shkak të sjelljes tënde të respektojnë dhe të duan.

Duhet kurajo të zgjedhësh mes dy të ngjashmeve dhe të vendosësh mes dy të këqijave më pak të dëmshmen.

Duhet kurajo të mendosh gjatë, për më gjatë, të përfytyrosh të ardhmen i lumtur dhe ngadhënjimtar.

Duhet kurajo për shumë gjëra…

Në fund më e vështira është se duhet kurajo për të pasur kurajë!

Autor: Ibrahim Xhepmetaj

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *