Emri më madhështor i Allahut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me Allahun në zemër, kur brishtësohem,

Me Allahun në lotim, kur përlotem,

Me Allahun në shpirt, lart në qiell,

Me Allahun në trup, kur rrëzohem,

Me Allahun në ajrimet e mëngjesit,

Me Allahun kur hëna hijeshon,

Me Allahun në fryrjen e erërave,

Re-stimuluese që shiun formojnë,

Dhe me të jeta dhe bima gjallon,

Lulet lulëzojnë dhe hurma ëmbëlton,

Me Allahun në plagën që shërim pëson,

Me Allahun në kockën që rikuperon,

Me Allahun në vuajtjen që rëndon,

Me Allahun në brengën që eliminon,

Me Allahun në prehjet e zemrës,

Që vendimit hyjnor veten ia dorëzon,

Me Allahun kur ndërgjegjja gufon,

Kur perceptimi dhe vështrimi zgjon.

Allahu i Lartësuar e prezantoi Veten e Tij hyjnore tek krijesat e Veta me emra, të cilët janë që të gjithë të përsosur dhe me atribute supriore.

Por a ka Allahu i Lartësuar ndonjë emër specifik, që bën të përshkruhet se ai është emri i Tij më madhështor?

Dhe nëse po, a e dinë njerëzit atë apo jo?

A ekziston ndonjë gjurmë dëshmuese lidhur me këtë emër?

A posedon ky emër ndonjë specifikë ose domethënie, që e dallon atë nga emrat e tjerë të Allahut?

Disa dijetarë janë të mendimit se Allahu i Lartësuar nuk posedon ndonjë emër që të përshkruhet se ai është emri i Tij më madhështor, gjë të cilën e përmend imam Taberiu, Ibn Hibani, Bakalaniu etj, të cilët mohojnë që Allahu lavdiplotë dhe i lartëmadhëruar të ketë një emër më madhështor se çdo emër tjetër i Tij, dhe mbi këtë konsideratë u shprehën: “Të gjithë emrat e Allahut Lavdiplotë janë emra të përsosur dhe të gjithë atributet e Tij janë superiore. Ato nuk dallohen nga njëri-tjetri dhe nuk bëhet dallim midis këtyre emrave dhe as këtyre atributeve”.

Por shumica e dijetarëve theksojnë, se Allahu lavdiplotë dhe i lartëmadhëruar e ka një emër i cili është emri i Tij më madhështor, për të cilin kanë ardhur një sërë hadithesh (thëniesh profetike) nga Profeti [a.s.], prej të cilëve përmendim:

Burejde ibn Husajbi [r.a] transmeton, se Profeti [a.s] dëgjoi një burrë të lutej duke thënë:

“O Allahu im, të lus Ty ngase unë dëshmoj se Ti je Allahu e veç Teje nuk ka hyjni, je i Vetmi, Samedi (i panevojshmi për askënd dhe i domosdoshmi për gjithkënd), je Ai i cili nuk ke lindur dhe as je i lindur dhe për të cilin nuk ka ndonjë të ngjashëm (as shembull).

Me këtë rast Profeti [a.s] tha: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im (ose tha: Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit), e ka lutur Allahun me emrin e Tij më madhështor me të cilin nëse lutet, Ai jep dhe nëse thirret, përgjigjet”. Ky hadith është transmetuar nga Ehlu suneni (dijetarët më të mëdhenj transmetues të hadithit), Ahmedi etj, dhe zinxhiri i transmetimit të tij është hasen (i mirë), madje ai konsiderohet hadithi më i saktë i ardhur nga Profeti [a.s] në kapitullin e emrit më madhështor të Allahut.

Ky hadith është argument mbi prezencën e emrit më madhështor të Allahut dhe lidhur me përcaktimit e tij në përmbajtjen e grupit të emrave prezent në: “O Allahu im, të lus Ty ngase unë dëshmoj se Ti je Allahu e veç Teje nuk ka hyjni, je i Vetmi, Samedi (i panevojshmi për kënd dhe i domosdoshmi për gjithkënd), je Ai i cili nuk ke lindur dhe as je i lindur dhe je Ai i për Cili nuk ka ndonjë të ngjashëm (as shembull)”.

Kur disa persona e citojnë këtë, gabojnë duke shtuar fjalën “el ferd-uniku”, përkatësisht duke thënë: “El ehad (i vetmi), el Ferd (uniku) es Samed (i panevojshmi për askënd dhe i domosdoshmi për gjithkënd)”. Por fjala “el ferd-uniku”, nuk ka ardhur në asnjë tekst, as nga ato të Kuranit dhe as nga ato të Sunetit (traditës profetike), dhe as dijetarët myslimanë nuk e konsiderojnë këtë prej emrave të përsosur të Allahut të Lartësuar. S’ka dyshim se kjo fjalë është teprim, dhe megjithëse dikush e presupozon të ketë ardhur në hadithe, në të vërtetë një gjë e tillë është e pabazuar.

Në një tjetër hadithi Enesi [r.a] transmeton, se një burrë u lut duke thënë: “O Allahu im, të lutem duke qenë se Ty të takon falënderimi, nuk ka hyjni veç Teje, Ti je i lëvduari o Shpikësi i qiejve dhe i tokës, o Poseduesi i madhështisë dhe fisnikërisë, o i Gjallë, o i Përjetshëm, unë po të lus Ty”.

Me këtë rast Profeti [a.s] tha: “A e dini se me çfarë e luti Allahun?!” Thanë: Allahu dhe i dërguari i Tij janë më të dijshëm. Tha: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, e thirri Allahun me emrin e Tij më madhështor me të cilin nëse thirret përgjigjet dhe nëse lutet jep”. Këtë hadith e transmetojnë Ehlu sunen (dijetarët më të mëdhenj transmetues të hadithit) edhe Ahmedi, ndërkaq hadithi i cekur më parë është më i fuqishëm. Gjithsesi në këtë kapitull ka edhe hadithe të tjera.

Këto hadithe tregojnë se Allahu lavdiplotë dhe i lartmadhëruar ka një emër që është më madhështori dhe ky emër është një emër i përcaktuar, por a është ky emër emri “Allah” siç janë shprehur një grup dijetarësh? Ata janë shprehur kështu, duke qenë se emri “Allah” është emri tek i cili përkojnë të gjithë emrat e tjerë. Nisur nga këtu thuhet: “Allahu është i Gjithëpushtetshmi, Allahu është Krijuesi, Allahu është Furnizuesi, Allahu është Jetëdhënësi, Allahu është Jetëmarrësi, Allahu është i Gjithëdijshmi, Allahu është Gjithëdëgjuesi, Allahu është Gjithëvështruesi“.

Po kështu qëndron çështja edhe në suren El Ihlas “Kul hue Allahu Ehad”. Emri “Allah” është emri, i cili tregon mbi hyjninë e Tij, mbi meritën e Allahut lavdiplotë që të adhurohet i vetëm e i pashoq.

Ka edhe mendime se ky emër më madhështor është “El haju (I gjalli) El kajum (i përhershmi)”, gjë mbi të cilën kanë ardhur disa tekste. Këto citime janë thënë nga dijetarët islam.

Dhe me sa duket, edhe pse hadithi i parë që u përmend është më i fuqishëm në saktësi, pra hadithi në të cilin thuhet “…je i Vetmi, Samedi (i panevojshmi për kënd dhe i domosdoshmi për gjithkënd), je Ai i cili nuk ke lindur dhe as je i lindur dhe je Ai i Cili nuk ka ndonjë të ngjashëm (as shembull)”, do qe mirë kësaj t’i shtonim gjithashtu tekstin e hadithit tjetër dhe të themi krahas hadithit të parë edhe: “Ti je i lëvduari o Shpikësi i qiejve dhe i tokës, o Poseduesi i madhështisë dhe fisnikërisë, o i Gjallë, o i Përjetshëm”, me ç’rast kemi katërcipëruar gjithë hadithet, në të cilat presupozohet që jetë përmendur ky emër.

Lidhur me atë që u tha më lart, është thënë se me emrin më madhështor synohet çdo emër i Allahut të Lartësuar me të cilin robi e lut me përgjërim dhe përqendrim Allahun e Lartësuar, në një formë të tillë që teksa lutet, në mendjen e robit nuk gjendet askush veç Allahut të Lartësuar. Ai person që e përmend Zotin dhe e përjeton këtë gjendje do të marrë përgjigje. Ky është një interpretim i përcjellë në adresë të Xheafer es Sadikut, Xhunejdit etj. Por, ky interpretim, edhe pse qëndron në vetvete, nuk ka të bëjë me çështjen e emrit më madhështor.

Gjendet edhe një interpretim tjetër, sipas të cilit emri më madhështor i Allahut ka mbetur sekret dhe nuk është përcaktuar, ashtu siç gjejmë të jetë fshehur prej Allahut të Lartësuar përcaktimi i Natës së Kadrit, edhe pse Nata e Kadrit është një e vërtetë e sigurt, për të cilën nuk gjejmë një datë të përcaktuar që të evitojë mendimet e ndryshme rreth saj, gjë e cila është lënë e tillë, që njerëzit të jenë edhe më të angazhuar dhe preokupuar kundrejt saj dhe të avancojnë në çështjen e Natës së Kadrit, prandaj ka prej tyre që përpiqen gjatë gjithë muajit të Ramazanit, ka prej tyre që përpiqen në dhjetëditëshin e fundit, ka prej tyre që përpiqen në netët teke të dhjetëditëshit të fundit dhe ka prej tyre që përpiqen në një natë të vetme, në natën e 27-të.

Në këtë kontekst vjen edhe momenti apo koha e ditës së xhuma (të premte), në të cilën lutja e besimtarit merr përgjigje.

Po kështu, lidhur me emrin më madhështor të Allahut të Lartësuar, duhet thënë se lypet që personi t’i marrë në konsideratë të gjithë emrat e verifikuar të Allahut, me shpresë që ta gjejë emrin më madhështor të Allahut lavdiplotë dhe të lartmadhëruar.

Në fund themi se epërsi ka mendimi, sipas të cilit theksohet se Allahu i Lartësuar e ka një emër më madhështor, i cili ka karakteristikat dhe specifikat e tij, prej të cilave përmendim:

Së pari: Nëse i lutemi Allahut lavdiplotë me këtë emër, Ai jep, dhe nëse thirret me të, Ai përgjigjet. Ky emër është prezent në tubimin e thënies sonë: “O Allahu im, të lus Ty ngase unë dëshmoj se Ti je Allahu e veç Teje nuk ka hyjni, je i Vetmi, Samedi (i panevojshmi për kënd dhe i domosdoshmi për gjithkënd), je Ai i cili nuk ke lindur dhe as je i lindur dhe je Ai i Cili nuk ka ndonjë të ngjashëm (as shembull), Ti je i lëvduari, o Shpikësi i qiejve dhe i tokës, o Poseduesi i madhështisë dhe fisnikërisë, o i Gjallë, o i Përjetshëm”.

Nëse personi lutet me këtë lutje, ai e ka lutur Allahun lavdiplotë dhe të lartmadhëruar me emrin e Tij më madhështor, dhe ka tubuar kështu atë që ka ardhur nga tekstet e shenjta, sidomos nëse  këtij tubimi i shton edhe përkushtimin e zemrës së tij, duke iu dedikuar me çiltërsi Zotit të vet, duke u strehuar tek Ai dhe duke i vënë cak varësisë ndaj njerëzve dhe lakmimit prej tyre.

Çfarë thamë lidhur me emrin më madhështor të Allahut, nuk ka të bëjë me atë person i cili e lut Allahun me fjalë, ndërsa zemra e tij është e shkujdesur dhe e preokupuar me diçka tjetër, edhe në qoftë se ai e lut Allahun me emrin e Tij më madhështor [Allahu e di më së miri]. Një person i tillë nuk ka arritur të bashkojë midis zemrës dhe gjuhës, kësisoj, për këtë rob nuk përmbushet kompletimi i premtimit. Allahu lavdiplotë ka thënë në lidhje me mushrikët (idhujtarët të cilët i bëjnë shok Allahut): “Kur hipin ata (idhujtarët) në anije (e hetojnë se u është këputur lidhja me tokën, frikësohen dhe) i luten sinqerisht Allahut, e kur Ai i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, ja, po ata të njëjtit i lusin idhujt!”[1], pra idhujtarët kur hipin në anije e lusin Allahun lavdiplotë dhe i përgjërohen Atij, shkakun tashmë ia dedikojnë vetëm Allahut dhe askujt tjetër, prej nga ku vjen dhe çiltërsia e tyre me të cilën ata i drejtohen Allahut, e cila pasohet me përgjigje dhe shpëtimin e tyre.

Njeriu duhet t’i drejtohet Zotit të tij me zemrën dhe gjymtyrët e tij, duke u përthyer dhe duke u ndjerë krejtësisht i nevojshëm për Allahun.

Disa thonë: Ky emër më madhështor, është ai që përmend Allahu i Lartësuar në thënien e Tij: “E ai i cili kishte dituri nga libri tha…”[2], thonë se personazhi i kësaj thënie kuranore, e thirri Allahun me emrin e Tij më madhështor me të cilin nëse lutet, jep, dhe nëse thirret përgjigjet.

Disa të tjerë kanë thënë: Emri më madhështor gjendet tek gërmat e veçuara të fillim-sureve (ha mim, ajn sin kaf, kef he je ajn sad), gjë për të cilën nuk ka argument, pasi ky interpretim është vetëm hamendësim, dhe këto presupozime duhet të mbahen larg nga libri i Allahut të Lartësuar dhe nga emri i Tij më madhështor, pasi dihet se Allahu lavdiplotë u është drejtuar njerëzve me një gjuhë të qartë arabe dhe mrekullia e Kuranit nuk qëndron në pamundësinë e njerëzve për ta kuptuar atë, dhe ne realitet njerëzit ndryshojnë në perceptimin e kuptimeve, domethënieve dhe dimensioneve të citimeve të Kuranit.

Disa të tjerë mendojnë, se vetëm një grup i veçantë arrin ta kuptojë emrin më madhështor të Allahut, si për shembull Ehlul Bejti (familjarët e Profetit). Por kjo gjë nuk është e vërtetë. Aliu [r.a] ishte një prej katër khalifëve (udhëheqësve) të drejtë të myslimanëve, që ishte edhe prej të udhëzuarve dhe të nderuarve të Ehlul Bejtit (familjarëve të Profetit), por megjithatë kur u pyet nga Ebu Xhahijfe [r.a] i cili i tha: A dispononi ju diçka prej Shpalljes (shkresë të përftuar nga i Dërguari i Allahut), veç asaj që gjendet në Librin e Allahut? – Aliu [r.a.] u përgjigj: Pasha Atë që ka çarë farëzën dhe që ka bërë më së miri atmosferën, ajo çfarë unë di është vetëm kuptimi, të cilin Allahu ia jep një personi për Kuranin si dhe di atë që gjendet në këtë shkresë (një shkresë që dispononte Aliu r.a). – Ebu Xhahijfe [r.a] thotë: I thashë: E çfarë ka në shkresë”? Aliu [r.a] tha: “Ed dijeh (para zhdëmtuese për efekt gjakmarrje), çlirimin e të robëruarit dhe që myslimani nuk duhet të vritet në zhdëmtim të një mosbesimtari (kafiri)”.[3]

Pra ky emër, nuk është një emër specifik për një grup të caktuar, pasi në fenë e Allahut nuk ka avantazhe dhe mbajtje me hatër, por kjo fe vlerëson dhe lartëson atë që i afrohet Allahut lavdiplotë përmes mësimit të diturisë së vlefshme, punës së vlefshme, adhurimit dhe besimit. Allahu ia shpalos këtij personi diturinë, mirësinë, dhuntinë dhe begatinë e Tij hyjnore, sepse njeriu nuk lëvdohet as për shkak të atdheut dhe as për shkak të përkatësisë së vet familjare, por atë e lëvdon puna e tij:

Ebu Lehebi është në Zjarr, dhe kjo teksa ai,

tek fisi i Profetit, Benu Hashim, ka përkatësi,

E, Selmani që është nga Kharasani i Persisë,

Është në xhenetin Firdeus, në skaj të lartësisë,

Mos pandeh se përkatësia familjare të shpëton

Nga Zjarri i Xhehenemit “Ledha”, që përvëlon,

Edhe nëse fisit më dinjitoz i përkatëson.

Në disa faqe interneti gjendet një shkresë, në të cilën tregohen emrat e përsosur të Allahut të Lartësuar dhe ku thuhet se me këto emra njeriu gjen shërim, ashtu që në këtë shkresë çdo emri i është bashkangjitur një larmi sëmundjesh që thuhet se ky emër specifik i shëron, sëmundje nga kanceri e deri tek gripi, duke u thënë se çdo emër i Allahut ka specifikën e vet për trajtimin me energji jetike ekskluzive të një sëmundje të veçantë prej këtyre sëmundjeve. Një gjë e tillë [edhe pse ai që e ka bërë atë mund të jetë lodhur] nuk do të thotë se e vërteta është kështu, pasi çështjet që janë trajtuar këtu nuk mund të merren si të vërteta, nëse nuk e kanë fillin e tyre tek Profeti [a.s].

Nuk ka problem nëse i lutesh Allahut apo nëse kërkon shërim nga Ai përmes këtyre emrave të përsosur, ose edhe nëse ia lexon ato të sëmurit. Ajo që duhet të kihet parasysh është, që të mos specifikohet dhe përcaktohet shërimi i disa sëmundjeve të veçanta në varësi të disa emrave specifik prej emrave të përsosur të Allahut.

Autor: Selman Aude

[1] Ankebut: 65.

[2] Neml: 40.

[3] Transmetim i Buhariut dhe Muslimit.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.