Feja dhe njeriu i mirë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Omer ibn Hatabi (r.a) teksa po rrinte me disa prej shokëve të tij në një shtëpi të thjeshtë, i pyeti ata: “Çfarë dëshire keni, që t’ua plotësojë Zoti juve?”

Ata u menduan dhe i pari tha: “Do kisha dëshirë, që kjo shtëpi të ishte e mbushur me pasuri e ta shpërndaja në të katër anët botës për njerëzit nevojtarë”.

Dikush tjetër tha: “Do kisha dëshirë që kjo shtëpi të ishte e mbushur me armë, që t’u vijmë në ndihmë atyre, që u është bërë padrejtësi. Foli i treti, foli i katërti e ai vetë heshti. Pastaj shokët e pyetën: “Po ti o prijës i besimtarëve çfarë dëshire ke?

Ai  tha: “Unë do kisha dëshirë, që kjo shtëpi e thjeshtë, të ishte e mbushur me burra si Ebu Ubejde Ibn Xherrah dhe t’i shpërndaja në katër anët e botës, që t’u sillnin njerëzve mirësinë!”

Omer Ibn Hatabi (r.a) ishte nga ata njerëz, që e dinte se suksesi vjen nga besimtarët, vjen nga njerëzit e mirë. E dinte se po të kishte qoftë dhe një shtëpi me burra si Ebu Ubejde ibn Xherrah, do ndryshonte gjendja e kësaj bote.

E dinte se burri i mirë dhe njeriu i mirë e sjell pasurinë, e sjell armën, bën dhe strukturat e i heq të gjitha pengesat, që mund t’i dalin përpara.

Islami është fe e Zotit, është fe e gjithë njerëzve, është fe e ekuilibruar,  është fe e natyrshme.

Tani, ç`kërkon Islami prej njeriut? Ç`kërkon prej familjes? Çfarë kërkon ky Islam prej botës?

Ky Islam kërkon gjënë më kryesore, NJERIUN E MIRË.

Objektivi kryesor i kësaj feje është, të edukojë një njeri të mirë, qoftë dhe një, por ama të jetë njeri i mirë.

Nuk është fjalë e lehtë të edukosh një njeri të mirë. Mund të ndryshojë bota, mund të lëvizin malet prej vendit të tyre, mund të ndryshojë rrjedha e lumenjve, mund të rregullohen rrugët tona, mund të mos ketë ndërprerje dritash dhe uji, por pyetja është nëse ndryshon njeriu. Ky është problemi serioz, problemi më i madh.

Njeriu mund ta ndryshojë veshjen e tij, shtëpinë e tij, mund t`i përmirësojë dhe kushtet e tij, por pyetja që të rri në zemër është “A ka ndryshuar ky njeri?”

Islami ka ardhur për këtë njeri. Ta ndryshojë njeriun, ta bëjë atë njeri të mirë.

Prandaj vëllezër, sikur të punonte shteti e të jepte investimet më të mëdha për të edukuar njeriun e mirë, do ishte gjëja më e madhe që mund të bënte ai shtet. Prandaj shoqëria duhet të përqendrohet tek njeriu i mirë. Nëse njeriu është i mirë, atëherë ai ka për t’i bërë rrugët, ka për t’i sjellë edhe dritat, ka për t’i rregulluar të gjitha. Nuk e them unë, e ka thënë historia diçka të tillë.

Sikur shkolla të punonte, për të nxjerrë një nxënës të mirë, që në të ardhmen ai t’i shërbejë shoqërisë, kjo do ishte gjëja më e madhe, që mund të bëjë ajo shkollë.

Sikur prindi të mundohej të edukonte një fëmijë të mirë, që nesër të bëhej njeri i mirë, ky do ishte kontributi më i madh, që ky prind do të bënte për të gjithë njerëzit e tjerë.

Sikur vetë njeriu të rrinte pak me veten e tij, të bëhej njeri i mirë, kjo do ishte puna më e madhe, investimi më i madh që mund të bëjë për gjithë botën, për gjithë shoqërinë.

Profeti Muhamed (a.s) ishte i zgjuar. Ai realisht nuk ndërtoi kështjella as kala, nuk vendosi gur mbi gur, por ai u mor me njeriun, me edukimin e tij për 13 vite në Meke dhe 10 vite në Medine. E gjithë puna e tij ishte njeriu i mirë dhe këtu investoi gjithçka, sepse ai e dinte, se njeriu i mirë i sjell të gjitha.

Pikërisht këtë bëri Islami. Islami nuk fitoi me ushtri, as me pasuri e as me kështjella, por fitoi me njerëzit e mirë.

Këta njerëz hynë në zemrat e njerëzve të tjerë, se ishin të drejtë, ishin të mëshirshëm. Ata nuk ishin njerëz mashtrues, njerëz që pushtonin për qejfet e tyre dhe mbarë bota e pa, se ata ishin ndryshe, ishin njerëz të mirë dhe prandaj ua hapi zemrat, ua hapi dhe shtëpitë. Për këtë investoi profeti Muhamed (a.s).

Sot ne krenohemi me punën e atyre që ishin para nesh. Shikoni xhamitë e muslimanëve, është gjë e mirë, që xhamitë të jenë të bukura. Por kush është brenda këtyre xhamive?

Shikoni kështjellat e lashta të muslimanëve. A ka burra brenda këtyre kështjellave?

Nuk është ky civilizimi vëllezër. Civilizimi Islam pati njeriun dhe për njeriun të gjithë duhet të kontribuojmë.

Kush është njeriu i mirë? Të gjithë njerëzit duan të jenë të mirë, madje thonë “Jemi njerëz të mirë”. Zoti ka vendosur disa rregulla, me të cilat mund të matet njeriu, që me të vërtetë të quhet njeri i mirë.

Njeriu i mirë, pikësëpari është njeriu që beson në Zot, është njeriu që beson në veten e tij. Ai ka besuar se nuk ka ardhur kot në këtë jetë, se ka një Zot të mëshirshëm, një Zot që e ka krijuar në formën më të bukur. i ka dhënë mendjen, i ka dhënë të gjitha aftësitë: aftësinë për të folur, për t’u shprehur, për të punuar, madje i ka dhënë edhe aftësinë për të kundërshtuar Allahun (xh.sh) kur bën mëkate. Ky është Zoti i gjithësisë.

Nëse njeriu pikësëpari nuk beson te ky Zot, ky njeri realisht nuk ka vlerë.

Njeriu i mirë është njeriu, që beson tek Allahu (xh.sh), është njeriu që beson tek vetja e tij. Ai nuk sorollatet natën e ditën pa ditur se ku të shkojë. Ai e di se ka ardhur njëherë dhe ka për të dalë prej kësaj bote. Çdo njeri është unik në botë dhe muslimani e di këtë. Ai punon, sepse e di se është mëkëmbës i Zotit në tokë, prandaj mundohet të bëjë mirë, t’i shërbejë kësaj toke, ta rregullojë atë, se ia ka lënë amanet Allahu (xh.sh).

Njeriu i mirë është ai që e di, se një ditë ka për të dalë përpara Zotit. E di se ka për të dhënë llogari për gjithçka para Zotit, i cili e ka parë në çdo moment.

Ai njeri që nuk beson në jetën tjetër, kushdo qoftë ai, nuk ka mundësi të rrijë pa mashtruar, sepse nefsi është i dobët. Kurse njeriu, që e di se do të dalë një ditë përpara Zotit, ai në mos sot, nesër do të bëhet njeri i mirë patjetër dhe  do të mundohet të përmirësohet çdo ditë.

Njeriu i mirë është ai që e ka çliruar njëherë e mirë mendjen e tij, ka thënë “Këtu ka vetëm një Zot, nuk ka zot tjetër veç Allahut”. Nuk adhurohet pushteti, nuk adhurohet pasuria, nuk adhurohet epshi, adhurohet vetëm një, Allahu (xh.xh).

Njeriu i mirë ka kuptuar se edhe gjëja më e vogël i shërben asaj që është më lart, e ka kuptuar se bota inorganike i shërben botës bimore. Bota bimore i shërben asaj shtazore e të gjitha këto bashkë i shërbejnë njeriut.

Po ti o njeri kujt i shërben? Ti për kë je? Gjithçka qenka për ty. Ti vallë për kë je?

Njeriu i mirë e ka kuptuar thënien ku Zoti thotë: “Unë s’i krijova xhinët dhe njerëzit, vetëm se për adhurim”. Prandaj ai e kujton Allahun (xh.sh) në çdo moment dhe çdo punë e bën për të fituar kënaqësinë e Tij. Por kur ky njeri nuk njeh Zotin e gjithësisë, nuk respekton Allahun (xh.sh), vallahi ka treguar jeta, se askush s’ka për ta respektuar këtë njeri, sepse ai s’ka respektuar veten e tij.

Njeriu i mirë është njeriu i virtytit dhe moralit, njeriu i pastër, i pastër në shpirtin e tij, i pastër në mendjen e tij, i pastër në rrobën dhe trupin e tij. Ai është i pastër në të gjithë kuptimin e fjalës “i pastër”. Shembulli më i mirë është profeti Muhamed (a.s). Ai (a.s) ka thënë: “Mua më ka edukuar Zoti dhe ma ka përsosur edukatën, prandaj merrmëni për shembull”. Atë nuk e edukoi prindi, por Allahu (xh.sh) deshi kështu, prandaj e bëri atë njeriun më të moralshëm”.

Njeriu i mirë është ai që është i drejtë, është i mëshirshëm, është besnik, është bujar me të gjithë njerëzit.

Njeriu i mirë nuk është ai që thonë çifutët “Brenda nesh, çifutëve, duhet të respektojmë rregullat, ndërsa me njerëzit e tjerë nuk ka problem, se nuk janë njerëz, janë gjysmë njerëzish, madje janë kafshë”. Njeriu i mirë nuk është kështu. Njeriu i mirë është njëlloj me të gjithë njerëzit e tjerë, besimtarë apo jobesimtarë qofshin, sepse gjithçka ai e bën për Allahun (xh.sh).

Ky është njeriu për të cilin ka nevojë sot bota. Njeriu që në çdo situatë është i rregullt, është i moralshëm, nëse në të vërtetë beson në Allahun (xh.sh).

Njeriu i mirë sipas fesë islame, është njeriu që respekton mendjen e tij, njeriu që mëson, njeriu që lexon, njeriu që e ka kuptuar se fjala e parë që zbriti, ishte fjala “IKRA” (lexo). Ai njeri që është i paaftë në zanatin e tij, i paaftë në klasën e tij, ai që pret ndihmë prej të tjerëve, nuk është njeri i mirë në konceptin islam.

Ti mund të jesh i mirë në zemrën tënde, por je i paaftë, të tjerët të shikojnë me mëshirë dhe Zoti nuk e do diçka të tillë. Ai nuk do, që besimtari të shikohet me mëshirë, përkundrazi do që ti të jesh më i afti më i miri, më i miri për fëmijët tuaj, për familjen tënde, më i dobishmi për njerëzit e tjerë.

Kjo fe na ka mësuar, se nuk është ndonjë habi e madhe të jesh shkencëtar dhe të jesh besimtar, pasi kjo është gjëja më normale. Habia më e madhe është, të pretendosh se je shkencëtar dhe nuk beson tek Zoti, apo beson tek Zoti dhe nuk mëson.

Kjo fe na ka mësuar, se të dyja janë prej Allahut (xh.sh). Ky është njeriu i mirë, njeriu që çdo ditë lartëson veten e tij, çdo ditë përmirëson shkencën e tij, njeriu që zbaton urdhrin e Zotit.

Allahu (xh.sh) shprehet në shumë vende në Kuran: A s’e keni parë veten tuaj? A s’e keni parë botën ku jetoni? A s’e shikoni ushqimin që hani? Kujt i drejtohen këta urdhra?

Neve na drejtohen të gjitha këto. Pra Allahu (xh.sh) duket sikur na thotë: “Shikojeni botën, mësoni dhe përfitoni çdo ditë!

Njeriu i mirë është njeriu i punës, nuk është ai murgu apo dervishi që rri në xhaminë e tij e nuk del, duke menduar se “më mirë jam këtu, jam më i qetë me Zotin e gjithësisë”, por është njeriu që derdh djersën e tij për t’i shërbyer të gjithë botës. Është njeriu që ka kuptuar se puna është ibadet, puna është xhihad i shenjtë. Puna më e mirë është, që t’u shërbesh fëmijëve tuaj me djersën e ballit, që të mos shtrijnë dorën nesër.

Njeriu i mirë e ka kuptuar drejt hadithin e profetit (a.s) i cili ka thënë: “Nëse po bëhet Kijameti dhe ndonjëri prej jush ka në dorë një fidan, le ta mbjellë atë”.

Njeriu i mirë është ai që beson se ushqimi me i pastër është ushqimi që e fiton me djersën e ballit të tij. Njeriu më i mirë është tregtari, që është besnik. Profeti (a.s) ka thënë: “Tregtarin besnik e ringjall Zoti me shehidët, me dëshmorët në rrugën e Allahut (xh.sh)”.

Njeriu i punës fatkeqësisht po humbet në xhamitë tona, po humbet në ambientet e muslimanëve. Sot shohim muslimanë, që kanë ngatërruar dynjanë me ahiretin, besimin tek Zoti me mbështetjen tek Zoti, njerëz që s’po kuptojnë se puna ka qenë dhe është ibadet, siç është namazi, si çdo lloj adhurimi tjetër. Ky është njeriu që do Zoti i gjithësisë.

Një nga muslimanët bashkëkohorë, Zoti e mëshiroftë, e përshkruante njeriun musliman prej të cilit pritet hajr me 10 cilësi:

Ai thoshte: “Njeriu i mirë që duam të edukojmë, duhet të jetë:

1-  i shëndoshë në besimin e tij.

2- I rregullt në adhurimin  e tij.

3- I fortë në moralin e tij.

4- I rregullt në trupin e tij.

5- Me kulturë të gjerë.

6- I aftë për të fituar.

7- I dobishëm për të tjerët.

8- I kujdesshëm ndaj kohës së tij.

9- Shumë kërkues ndaj vetes së tij.

10- I sistemuar në punët e tij.

Prej këtij njeriu, dashtë Allahu, do të vijnë shumë mirësi.

Qëllimi kryesor i kësaj feje është njeriu i mirë. Islami kërkon njerëz të punës dhe jo njerëz të librave, as njerëz të historisë. Mos thuaj: “Ka qenë babai im, ka qenë gjyshi im”, por tregoje me punën tënde se kush je ti. Ky është njeriu që kërkon Zoti i gjithësisë, njeri që e tregon veten e tij me punë, me angazhim.

Për ta përmbledhur, dua që të mbani mend dhe të kuptoni dy gjëra:

1-  Gjëja e parë:

A e di se kontributi më i madh që mund të bësh, është rregullimi i vetes tënde. Nëse ti mundohesh të rregullosh veten tënde, ke bërë gjënë më të madhe. Nëse dëshiron ta lartësosh fenë e Zotit, lartëso besimin tënd. Feja është me njerëz, nuk është me xhind, nuk është me krijesa të padukshme. Ne jemi pjesë e fesë. Kur ti e respekton veten tënde, kur ti ngre veten tënde, ke ngritur fenë e Allahut (xh.sh). Prandaj profeti (a.s) tha: “Xhihadi më i madh është xhihadi me veten”. Shpesh rrimë dhe i bëjmë llogaritë të tjerëve. Nëse njeriu do të merrej seriozisht me veten e tij nuk do i dilte koha as të shikonte nga tjetri e jo më të merrej me të metat e tij. Prandaj le t’i kthehemi vetes tonë, të korrigjojmë gabimet dhe të përsosim punët dhe moralet tona, sepse tek e fundit Zoti për punën tonë do të na pyesë në ditën e Gjykimit.

2- Gjëja e dytë:

Të punosh me një njeri, me qëllim që ta bësh atë njeri më të mirë, është gjëja më e madhe. Profeti (a.s) shfrytëzonte rastet më të habitshmet për të bërë një njeri të mirë.

Në betejën e Hajberit, profeti (a.s) caktoi si komandant Aliun (r.a). Pasi i dha shpatën, i tha: “Merre o Ali dhe dije, se nëse Allahu (xh.sh) të bën shkak, që një njeri i vetëm të udhëzohet në Islam, do të ishte më mirë për ty sesa e gjithë dynjaja me çka brenda”. Edhe në ato momente profeti (a.s) mendonte për vlerën e madhe që ka besimi dhe njeriu i mirë.

Mendoni pak vëllezër. Dikush është bërë sebep, që ne kemi hyrë në këtë fe. Përse të mos bëhemi unë e ti shkak që dikush të udhëzohet në Islam. Kjo është gjëja më e madhe që ne mund të bëjmë. Ai për të cilin ti do të bëhesh sebep, do të bëhet sebep për një të tretë. Kështu shtohet e mira dhe pakësohet e keqja.

E lus Zotin e gjithësisë me mëshirën e Tij më të pafund, me cilësitë e Tij më të bukura, me emrat e Tij më të lartë të na udhëzojë tek rruga e mirë, të na ndihmojë të bëhemi njerëz të mirë. Të na e tregojë rrugën e mirë tamam siç është ajo e të na japë forcë ta ndjekim atë. Të na e tregojë të keqen siç është ajo e të na japë forcë t’i largohemi asaj. E lusim Allahun (xh.sh) të na bëjë njerëz të mirë, Njerëz që kontribuojnë për familjen e tyre, për fëmijët e tyre, për shoqërinë e tyre.

Amin

Imam – Hatib:  Ferid Piku

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.