Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i një fjale të keqe është si një pemë e keqe që është shkulur nga sipërfaqja e tokës, pa pasur asnjë qëndrueshmëri.”[1]
Allahu e ka krahasuar fjalën e ligë me pemën e keqe, e cila përzihet me pemët e tjera dhe i dëmton ato; prandaj ajo duhet shkulur nga rrënjët e saj. Veprimi është shprehur në kohën e shkuar për të treguar pavlefshmërinë dhe çrrënjosjen e saj, sepse vepra e atyre që pengojnë nga rruga e Allahut patjetër përfundon në dështim dhe humbje. Ibn Kajjimi ka thënë: “Allahu i Lartësuar e ka përmendur shembullin e fjalës së keqe dhe e ka krahasuar atë me pemën e keqe që është shkulur nga sipërfaqja e tokës, e cila nuk ka asnjë lloj qëndrueshmërie: pa rrënjë të forta, pa degë të larta dhe pa fruta të pastra; nuk ka as hije, as prodhim, as trung të qëndrueshëm; rrënjët e saj nuk janë të ngulitura në tokë, poshtë saj nuk ka begati, sipër saj nuk ka bukuri, nuk jep fryt dhe nuk ngrihet lart, por përkundrazi shkulet e hiqet.”
Tek fjala e keqe përfshihet edhe dëmin verbal, si përmendja e të mirës me qëllim përuljeje ndaj njerëzve; Allahu thotë: “Një fjalë e mirë dhe falja është më e mirë se një sadaka që përcillet me fyerje.”[2] Fyerja me fjalë në këtë rast është kur ai që e jep sadakanë ia përmend atë atij, siç thotë Allahu: “Mos u mburr me atë që jep e të duket shumë!”[3]
Nuk ka dyshim se fjala e keqe në rradhë të parë e dëmton atë që e thotë atë. Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, robi (njeriu) mund të flasë një fjalë që e zemëron Allahun, pa i kushtuar vëmendje, dhe për shkak të saj bie në Xhehenem.”[4]
Në kuptimin e fjalës së keqe hyn çdo gjë që prish marrëdhëniet mes njerëzve, shton armiqësinë dhe nxit të keqen mes tyre. Profeti (a.s) ka thënë: “Ruajuni urrejtjes, sepse ajo është shkatërruese; nuk po them ju shkatërron flokët, por shkatërron fenë.”[5] dhe gjithashtu ka thënë: “Prishja e marrëdhënieve mes njerëzve është shkatërruese.”[6]
Pra, prishja e marrëdhënieve është “shkatërruese”, domethënë zhdukëse e shpërblimeve dhe e të mirave, dhe e shkul fenë ashtu siç brisku shkul flokët.
Fjala e pahijshme është gjithashtu një formë e fjalës së keqe, si ajo që prish marrëdhënien mes bashkëshortëve dhe shkatërron shtëpinë, edhe nëse folësi nuk i kushton rëndësi. Për këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nxit një grua kundër burrit të saj ose një rob kundër zotërisë së tij.”[7]
Nxitja e prishjes mund të bëhet me ose pa qëllim, me qëllim të mirë ose të keq, por në të gjitha rastet është e ndaluar. Prandaj njeriu duhet të mendojë për ndikimin e fjalës së tij para se ta thotë, dhe të flasë vetëm mirë.
Ndezja e fitnes mes njerëzve është ndër fjalët më të këqija. Transmetohet nga Xhabiri se Profeti (a.s) kishte dalë kanë dalë në një ekspeditë. Xhabiri tregon për një incident që ndodhi midis një muhaxhiri dhe një ensari, nga e cila sa nuk ndodhi një përleshje midis ensarëve dhe muhaxhirëve. Kur Profeti (a.s) e mori vesh një gjë të tillë, tha: “Lëreni atë, sepse ajo është e keqe.!”[8]
Një pasojë negative e fjalëve të këqija është kur midis dy bashkëshortëve ka grindje dhe mosmarrëveshje të shumta derisa në fund për shkak të tyre çifti ndahet dhe pasojët i vuajnë vetë ata, por edhe familjarët.
Profeti (a.s) e ka paralajmëruar umetin e tij edhe nga qëndrimi pesimist i dikujt që me fjalët e tij ai i çon njerëzit në dëshpërim dhe humbje shprese, duke thënë: “Kur njeriu thotë: “Njerëzit u shkatërruan”, ai është më i shkatërruari prej tyre.”[9]
Hattabi ka thënë: “Kuptimi i saj është se njeriu vazhdon të shajë njerëzit dhe të përmendë të metat e tyre, duke thënë: njerëzit u prishën dhe u shkatërruan e të ngjashme me këtë; dhe kur e bën këtë, ai është më i shkatërruari prej tyre, pra më i keqi në gjendje, për shkak të mëkatit të përgojimit, dhe ndoshta kjo e çon në vetëpëlqim dhe në mendimin se ai është më i mirë se ata.”
Autor: Ahmed Mustafa Nasir
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline
[1] – Sure Ibrahim: 26.
[2] – Sure Bekare; 263.
[3] – Sure Muddethir: 6.
[4] – Buhariu.
[5] – El Edeb el Mufred. Hadithi është Sahih.
[6] – Muslimi.
[7] – Hakimi.
[8] – Buhariu
[9] – Muslimi.



















