Foluni njerëzve, aq sa arrijnë të kuptojnë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ftesa në rrugë të Allahut duhet të bëhet me urtësi dhe këshillë të mirë. Urtësia shfaqet në njohjen e asaj që është e përshtatshme për secilin grup njerëzish”. Ftuesi i mençur nuk ia thotë të gjitha ato që di çdo personi që njeh. Ai sillet me njerëzit në bazë të kapaciteteve të tyre e jo në bazë të kapacitetit të tij, madje as që i obligon të tjerët përtej mundësive të tyre.

Duke komentuar ajetin kuranor: “Por jini dijetarë të mësimeve të Zotit” Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Jini të urtë e dijetarë”, ndërsa imam Buhariu ka thënë: “Dijetar i mësimeve të Zotit është ai, i cili u mëson njerëzve gjërat elementare, para se t`iu mësojë ato të ndërlikuarat”([1]).

Të fillosh me gjërat elementare të dijes, do të thotë të njohësh nivelin e perceptimit të njerëzve, në mënyrë që ata të mos largohen nga ftesa. Imam Ibn Haxheri ka thënë: “Gjërat elementare janë çështjet e qarta, ndësa të ndërlikuarat janë më të detajuara”([2]).

Ka shumë tekste që vlejnë si argument për këtë rregull. Më poshtë po përmendim disa prej tyre:

1 – Imam Buhariu shënon një hadith, të cilin e ka vendosur në kapitullin e titulluar nga po ai vetë: “Lënia e disa gjërave të lejuara nga frika se ato mund të keqkuptohen nga njerëzit dhe si pasojë ata bëjnë një veprim më të rëndë se kjo“. Më pas ai transmeton nga Es’ued, i cili thotë: “Ibn Zubejri më tha: “Aishja (r.a) të ka treguar ty shumë të fshehta. A të ka folur ndonjëherë për Qaben”? Unë i thashë: “Po, ajo më ka thënë, se njëherë Profeti (a.s) i kishte thënë: “Oj Aishe! Nëse populli yt nuk do të kishte qenë kaq i ri në fe, (sepse sapo e kishin pranuar Islamin) atëherë do ta kisha prishur Qaben dhe do ta kisha rindërtuar me dy dyer, nga njëra derë të hynin njerëzit dhe nga tjetra të dilnin([3]).

Imam Ibn Haxheri ka thënë: “Nga ky hadith kuptojmë, se ndonjëherë mund të mos e veprojmë diçka që sjell dobi, për të mos shkaktuar ndonjë dëm”([4]).

2 – Imam Buhariu ka thënë: “Kapitull: Veçimi i një grupi njerëzish, nga frika se mos ata nuk arrijnë të kuptojnë. Aliu (r.a) ka thënë: “Foluni njerëzve sipas asaj që ata njohin (dinë). (Mos vallë dëshironi, që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij”([5])? Imam Ibn Haxheri ka thënë: “Një grup dijetarësh e kanë konsideruar të papëlqyeshme, që t`ua japësh dijen disa njerëzve, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë atë. Imam Ahmedi dhe imam Maliku e kanë konsideruar të papëlqyeshme, që t’iu tregosh njerëzve ato hadithe, që bëjnë fjalë për cilësitë e Allahut. Imam Ebu Jusufi nuk pëlqente, që t’iu fliste njerëzve për hadithet “Garib”, madje as Ebu Hurejra (r.a) nuk ka folur për fitnen ndërmjet sahabëve. Po kështu ka vepruar edhe Hudhejfe (r.a), ndërsa Hasanit nuk i ka pëlqyer veprimi i Enesit (r.a), i cili e ka njoftuar Haxhaxhin për ngjarjen e Urenijinëve, sepse ai (Haxhaxhi) e mori këtë ngjarje si argument për të derdhur gjakun e muslimanëve”([6]).

Ndodhia e Urenijinëve është kjo: Ata ishin nga fisi Urejne dhe shkuan tek Profeti (a.s), por ambienti i Medines nuk ishte i përshtatshëm për ta (dhe ata filluan të sëmureshin). Profeti (a.s) u dha atyre deve nga devetë e Zekatit, që të pinin qumësht dhe të kishin shërim prej urinës së deveve. Mirëpo ata vranë barinjtë dhe i morën devetë. Atëherë Profeti (a.s) i ndoqi  (bashkë me një grup sahabësh) dhe pasi i kapën, dha urdhër që atyre t`iu priten duart e këmbët dhe pastaj ata u lanë pa ujë në shkretëtirë. Pra, vërejmë se Haxhaxhi e mori këtë ngjarje si argument, për të derdhur gjakun e muslimanëve, ashtu siç ka thënë edhe imam Ibn Haxheri.

3 – Imam Muslimi transmeton, se Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: “Nëse u flet njerëzve me diçka që ata nuk e kuptojnë, atëherë kjo është sprovë për ta”.

4 – Imam Buhariu shënon në sahihun e tij: “Profeti (a.s) tha: “O Muadh“! Muadhi (r.a) ia ktheu: “Urdhëro, o i Dërguar i Allahut”. Profeti (a.s) tha përsëri: “O Muadh“! Muadhi (r.a) ia ktheu: “Urdhëro, o i Dërguar i Allahut” Profeti (a.s) tha për herë të tretë: “O Muadh“! Muadhi (r.a) ia ktheu përsëri: “Urdhëro, o i Dërguar i Allahut”. Atëherë profeti (a.s) tha: “Çdo njeriu, i cili dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, Allahu ia ka ndaluar hyrjen në zjarr“. Muadhi pyeti: “O i Dërguar i Allahut, A t`i lajmëroj njerëzit, që të gëzohen (me këtë)”?  Profeti (a.s) tha: “Jo, sepse ata do të bazohen  tek kjo fjalë“. Muadhi e ka treguar këtë hadith vetëm pak para se të ndërronte jetë, nga frika se mos po fshihte diturinë”([7]).

Nëse njerëzit do ta kishin dëgjuar këtë hadith, do ta interpretonin atë në mënyrë të gabuar dhe si rrjedhojë nuk do të punonin fare, por do t’iu mjaftonte vetëm që të dëshmonin. Shprehja: “Nga frika se mos po fshihte diturinë” do të thotë, se: Muadhi (r.a) i njoftoi njerëzit për këtë gjë, pak para se të ndërronte jetë, në mënyrë që transmetimi i këtij hadithi të mos ndërpritej me vdekjen e tij.

Në lidhje me këtë rregull, njerëzit ndahen në disa kategori:

Kategoria e Parë: Masa e gjerë e njerëzve:

Mënyra e komunikimit me ta është mjaft e vështirë, sepse gjendja e tyre është si gjendja e fillestarit (analfabetit), i cili do të mësojë shkrim e këndim. Çdo vështirësi apo problem që hasin, i shmang ata nga rruga e ftesës islame. Personave të tillë nuk mund t’iu flasësh për çështje të ndërlikuara, detaje të hollësishme, argumente të komplikuara apo rregullore të ndryshme. Me këtë kategori njerëzish duhet të merret një njeri, i cili e njeh mirë artin e komunikimit. Kjo kategori është e fokusuar më shumë tek ndjenja sesa tek argumentet. Plotësimi i nevojave personale dhe kushteve të tyre të jetesës janë mekanizmat më të mirë, me të cilët mund të depërtosh në zemrat e tyre. Shembujt e marrë nga jeta e tyre e përditshme janë shembujt më konkretë. Ata më shumë motivohen nga ndjenjat sesa nga logjika. Motivimi për të bërë vepra të mira dhe qortimi për të mos bërë vepra të këqija ndikon shumë tek ata. Ajo që i motivon ata më tepër, janë historitë e njerëzve të mirë e të devotshëm, si dhe historia e Profetit (a.s), të treguara në formë rrëfenje dhe jo të shpjeguara me analiza.

Kategoria e Dytë: Studentët, të shkolluarit dhe të ngjashmit me ta:

Kjo kategori kërkon analiza, konkluzione, përfundime dhe argumente. Prandaj duhet të kemi parasysh nivelin e tyre gjatë komunikimit. Ftuesi, i cili ka aftësi të komunikojë me masat e gjera, ndoshta nuk ka mundësi të komunikojë me ata, të cilët i përkasin një niveli më të lartë, sepse ky ftues mund të jetë në një nivel më të ulët dhe kjo do të konsiderohej si sprovë për këtë katëgori njerëzish.

Kategoria e Tretë: Të specializuarit në fusha të ndryshme:

Çdo specialitet ka termat dhe instrumentet e tij. Ai, i cili ka njohuri rreth këtij mjedisi të specializuar, e ka mjaft të lehtë që t’ua tërheqë vëmendjen specialistëve në bazë të fakteve që ata kanë përpara. Ai ftues, i cili ndodhet në mesin e avokatëve, ka nevojë që të njohë disa ligje, të mira apo të këqija qofshin ato, ndërsa kur ndodhet në mesin e doktorëve, ai ka nevojë që të ketë njohuri në fushën e mjekësisë, që t’i ftojë ata të meditojnë në fuqinë e Allahut, në krijimin e njeriut dhe funksionet e organeve të trupit. Nëse ftuesi është i shkolluar vetëm në fushën e teologjisë fetare, atëherë ai do të refuzohet së tepërmi nga kjo kategori njerëzish (avokatë apo doktorë). Që të mos ndodhë kjo, ftuesi duhet të pajiset minimalisht me kulturë të përgjithshme. Nëse ai angazhohet me ftesën islame në një zonë të caktuar, atëherë atij i del për detyrë, që ta studiojë mirë zonën dhe të zgjerojë bagazhin e tij kulturor në lidhje me atë vend.

Autor: Hemam Abdurahim Seid

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] -“Fet’hul Bari”: 1/160.

[2] -“Fet’hul Bari”: 1/162.

[3] – Buhariu (126).

[4] -“Fet’hul Bari”: 1/225.

[5] -“Fet’hul Bari”: 1/225.

[6] -“Fet’hul Bari”: 1/225.

[7] – Buhariu (128).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *