Havarixhët (1/6)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Zanafilla e havarixhëve dhe përkufizimi i tyre

Dijetarët i kanë përkufizuar havarixhët me disa përkufizime. Ndër to është ai që ka paraqitur Ebu el-Hasan el-Esh’ariu, i cili thotë se emri havarixh i referohet atij grupi që doli kundër halifit të katërt të drejtë, Ali ibn Ebi Talibit (r.a). Ai ka sqaruar se shkaku i emërtimit të tyre me këtë emër ishte pikërisht dalja e tyre kundër Aliut. Ai ka thënë: “Shkaku pse u quajtën havarixh është dalja e tyre kundër Aliut (r.a), pasi ai pranoi arbitrazhin.”

Pra, havarixhët janë ai grup njerëzish që u rebeluan kundër Aliut (r.a) pasi ai pranoi arbitrazhin në Betejën e Siffinit. Ata njiheshin edhe me emërtime të tjera përveç emrit havarixh, si: Harurijje, Shurat, Marikah dhe Muhakkimeh. Ata i pranonin të gjitha këto emërtime, përveç emrit Marikah, sepse e mohonin se kishin dalë nga feja ashtu siç del shigjeta nga gjahu i saj.

Megjithatë, disa dijetarë mendojnë se fillimi i havarixhëve daton që në kohën e Profetit (a.s) dhe se havarixhi i parë ishte Dhul-Huvejsirah, i cili kundërshtoi të Dërguarin e Allahut (a.s) në ndarjen e një sasie ari që Aliu (r.a) ia kishte dërguar nga Jemeni.

Kjo bëhet e qartë në hadithin e transmetuar nga sahabiu i nderuar Ebu Seid el-Hudriu (r.a), i cili tregon: “Ali ibn Ebi Talibi i dërgoi të Dërguarit të Allahut (a.s) nga Jemeni një copëz ari të papastruar plotësisht nga dheu i saj. Profeti (a.s) e ndau atë mes katër personave: Ujejne ibn Hisn, El-Akra’ ibn Habis, Zejd el-Hajl dhe i katërti ishte ose Alkame ibn Ulathe ose Amir ibn Tufejl. Një burrë nga të pranishmit tha: “Ne ishim më të denjë për këtë se këta.” Kur kjo i arriti Profetit (a.s), ai tha: “A nuk më besoni mua, ndërkohë që unë jam besniku i Atij që është në qiell? Mua më vjen lajmi i qiellit mëngjes e mbrëmje.” Pastaj u ngrit një burrë me sy të futur thellë, me mollëza të dala, me ballë të spikatur, me mjekër të dendur, kokë të rruar dhe rrobë të ngritur mbi kyçe, e tha: “O i Dërguari i Allahut, ki frikë Allahun!” Profeti (a.s) iu përgjigj: “Mjerë për ty! A nuk jam unë njeriu në tokë që ka më shumë të drejtë të ketë frikë Allahun?” Burri u largua. Halid ibn Velidi tha: “O i Dërguari i Allahut, a të mos ia pres qafën?” Ai tha: “Jo, ndoshta ai falet.” Halidi tha: “Sa shumë ka prej atyre që falen e thonë me gjuhët e tyre atë që nuk gjendet në zemrat e tyre.” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Unë nuk jam urdhëruar të shqyrtoj zemrat e njerëzve dhe as t’u çaj barkun.” Pastaj e pa atë duke u larguar dhe tha: “Nga pasardhësit e këtij njeriu do të dalë një popull që do ta lexojë Librin e Allahut me gjuhët e tyre, por ai nuk do t’u kalojë përtej fytit. Ata do të dalin nga feja ashtu siç del shigjeta nga gjahu.” Transmetuesi thotë: “Mendoj se tha: “Sikur t’i arrija, do t’i vrisja ashtu siç u shkatërrua populli i Themudit.”

Ibn Xheuzi (r.h) duke komentuar këtë hadith thotë: “Havarixhi i parë dhe më i shëmtuari në gjendjen e tij ishte Dhul-Huvejsirah et-Temimij.”

Në një transmetim tjetër, Profeti (a.s) i tha: “Mjerë për ty! Kush do të ishte i drejtë nëse unë nuk jam i drejtë? Do të ishe i humbur dhe i dështuar nëse unë nuk do të isha i drejtë.”

Pastaj Ibn Xheuzi shton: “Ky ishte havarixhi i parë që doli në Islam. Fatkeqësia e tij ishte se u mbështet në mendimin e vet. Po të ishte ndalur dhe të kishte reflektuar, do ta kuptonte se nuk ka mendim mbi mendimin e të Dërguarit të Allahut (a.s). Ndjekësit e këtij njeriu janë ata që luftuan kundër Ali ibn Ebi Talibit.”

Ndër dijetarët që kanë pohuar se havarixhi i parë ishte Dhul-Huvejsirah janë edhe: Ebu Muhamed Ibn Hazmi dhe Shehristani.

Disa dijetarë të tjerë mendojnë se zanafilla e havarixhëve filloi me rebelimin kundër Othman ibn Affanit (r.h), përmes trazirave që çuan në vrasjen e tij padrejtësisht dhe me armiqësi. Këto trazira u quajtën Fitneja e Parë.

Edhe Ibn Kethiri i quajti me emrin havarixh turmat e çrregullta që u ngritën kundër Othmanit dhe e vranë atë.

Mendimi më i saktë rreth zanafillës së havarixhëve

Megjithëse ekziston një lidhje e fortë ndërmjet Dhul-Huvejsirahit, turmave që dolën kundër Othmanit (r.a) dhe havarixhëve që u ngritën kundër Aliut (r.a) për shkak të arbitrazhit, termi “havarixh” në kuptimin e tij të saktë dhe teknik zbatohet vetëm për ata që dolën kundër Aliut për shkak të çështjes së arbitrazhit. Kjo për arsye se ata përbënin një grup të organizuar me tiparet e një sekti, me orientimin e vet politik dhe mendimet e veta të veçanta, duke lënë një ndikim të qartë në aspektin ideologjik dhe doktrinar, ndryshe nga rastet e mëparshme.

Burimi: islamstory.com

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *