Historia e Musait (05)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dhjetë cilësitë e një lideri

Siç e kemi theksuar dhe më parë, profetin Musa (a.s.) e nderoi Zoti si asnjë njeri dhe profet tjetër (përveç profetit Muhamed (a.s.) gjatë Miraxhit), duke i folur atij direkt, pa ndërmjetës. Zoti thotë në Kuran: “Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt.”[1]

Pa dyshim, teksa lexon dhe mendon mbi këtë gradë dhe nder, menjëherë të lind pyetja: Përse ky nder kaq i madh? Përse u zgjodh pikërisht Musai (a.s.) që t’i flasë Zoti direkt dhe pa ndërmjetës? Cili ishte thelbi i mesazhit të profetit Musa (a.s.)?

Profeti Muhamed (a.s.) thotë në një hadith: “Shembulli im dhe i profetëve të parakaluar, është si shembulli i një personi që ndërton një shtëpi dhe lë një tullë mangët. Njerëzit, të mahnitur nga shtëpia i vijnë asaj rrotull dhe thonë: ‘Sa shtëpi e bukur, sikur të ishte vënë dhe kjo tullë! Unë jam ajo tullë që plotëson shtëpinë.’”

Ndërtesën për të cilën kanë kontribuar të gjithë profetët, e plotësoi profeti Muhamed (a.s.) me mesazhin e tij përmbyllës. Kjo na bën të ngremë dhe njëherë pyetjen e mësipërme: Cila ishte tulla e profetit Musa (a.s) në këtë ngrehinë? Cili ishte mesazhi i tij?

Këtë përgjigje do e përmbledhim në një rresht të vetëm: Ai ishte një lider i dërguar nga Zoti, për t’i dhënë fund padrejtësisë, duke e transformuar popullin e tij nga të shtypur, në krenar dhe me dinjitet.

Misioni i profetit Musa (a.s.) konsiderohet si misioni më i vështirë – pas atij të profetit Muhamed (a.s.) – në të gjithë historinë e njerëzimit. Unë këtë fakt e them dhe e përsëris pa më të voglin hezitim. Prej tij kërkohej të ballafaqohej me tiranin më të madh në historinë njerëzore, Faraonin, i cili kishte vrarë padrejtësisht mijëra fëmijë. Veç kësaj, prej Musait (a.s.) kërkohej ta ftonte Faraonin në njësimin e Zotit. I kërkohej të ftonte të gjithë njerëzit të besonin në një Zot të vetëm. I kërkohej të shpëtonte Benu Israilët nga dhuna dhe shtypja e Faraonit. I kërkohej t’i nxirrte Benu Israilët nga Egjipti, me qëllim që të edukonte një popull të ri dhe krenar, të cilët do të ndërtonin civilizimin.

Për ta ndihmuar në përmbushjen e këtij mesazhi, sa të vështirë, po aq edhe fisnik, Zoti e kishte pajisur me aftësi dhe tipare të përshtatshme. Kështu, ai ishte i gjatë, ezmer, flokëkaçurrel, gjithë muskuj dhe me personalitet të fortë.

Zoti e nderoi duke i folur direkt dhe pa ndërmjetës, pasi profeti Musa (a.s.) kishte nevojë për moral. Misioni i tij ishte shumë i vështirë, thika nuk do i ndahej nga qafa, që nga lindja deri në vdekje, gjë e cila duhej të mposhtej me besim të palëkundur, moral të lartë dhe forcë shpirtërore.

Të gjithë profetët janë kërcënuar me ekzekutim, madje disave u janë bërë atentate të shumta. Por rasti i profetit Musa (a.s.) ndryshon, pasi ai e filloi jetën me thikën në fyt dhe e mbylli po ashtu. Përveç përballjes me Faraonin tiran dhe shpirtkatran, atij i duhej ta nxirrte popullin nga shtypja në liri, nga nëpërkëmbja në krenari.

Për të arritur gjithë këtë, profetit Musa (a.s.) i duhej ndihmë dhe përkrahje e pazakontë. Që të ishte i qëndrueshëm në mesazhin e tij, i nevojitej besim dhe kurajë, gjë e cila nuk iu kursye nga Zoti i madhëruar.

Një tregues tjetër i vështirësisë së misionit të profetit Musa (a.s.), është se fjala “frikë” përmendet shpeshherë në historinë e tij në Kuran. Ai përballej me situata nga më të ndryshmet dhe më të vështirat dhe është e natyrshme që të frikësohej, pasi në fund të fundit ishte njeri si të tjerët. Profeti Musa (a.s.) njihet me epitetin “përkrahës i të shtypurve”. Përveç mesazhit të njësimit të Zotit, një profet dhe i dërguar i Zotit, paska pasur si mision të përkrahë dhe të ndihmojë të shtypurit. Thelbi i “La ilahe il-lAllah” është të çlirohesh nga çdo përulje tjetër dhe t’u dorëzohesh krejtësisht ligjeve dhe dispozitave të Zotit. Thelbi i saj është që të mos i frikësohesh askujt tjetër përveç Allahut. Nuk ka asnjë krijesë më të pasur, më fisnike, më të fuqishme, më krenare etj… se Allahu.

Edhe pse në pamje të parë duket si koncept i kohëve moderne, por profeti Musa (a.s.) ishte ai që foli dhe luftoi për të drejtën e lirisë së popujve. Nuk është civilizimi evropian ai që kërkoi i pari të drejtën e popujve për të qenë të lirë, por është një profet dhe i dërguar i Zotit. Janë profetët e Zotit dhe feja e Tij, ata që vendosën bazat e lirisë së popujve. Si është e mundur që sot të akuzohet feja se është kundër lirisë se njerëzve?!

Etapat e historisë së Musait (a.s.)

Historia dhe jeta e profetit Musa (a.s.) kaloi në katër etapa: Dy prej tyre janë përgatitore, kurse dy të tjerat ekzekutive.

Etapa e parë shtrihet nga lindja e tij deri në moshën tridhjetëvjeçare, në pallatin e Faraonit. Tridhjetë vitet e para, Musai (a.s.) i kaloi mes pallatit të Faraonit dhe nënës së tij në lagjen e Benu Israilëve.

Etapa e dytë përgatitore, ka të bëjë me dhjetë vitet që kaloi në Medjen, në Jordaninë e sotme.

Etapa e tretë, që është edhe etapa e parë ekzekutive, është kur fillon të përballet me Faraonin. Kjo etapë zgjat pesëmbëdhjetë vjet.

Kurse etapa e katërt, është ajo pas largimit nga Egjipti, etapë në të cilën atij i kërkohet të formojë dhe edukojë një brez të ri krenar dhe me dinjitet. Pak a shumë, profeti Musa (a.s.) ka jetuar shtatëdhjetë e pesë vjet. Tridhjetë vjet ai i kaloi mes shtëpisë së nënës dhe pallatit të Faraonit. Dhjetë vjet i kaloi në Medjen. Për pesëmbëdhjetë vjet u përball me Faraonin dhe 15-20 vite të tjera i kaloi me popullin e tij në Jordani dhe Sina.

Formimi i Musait (a.s.) si lider

Profeti Musa (a.s.) është shembulli tipik i një njeriu të formuar nga vetë përkujdesja hyjnore. Në rreshtat në vazhdim, do të njihemi me një lider të formuar dhe të edukuar nga vetë Zoti. Etapa e parë e formimit të Musait (a.s.), ndodh në Egjipt, mes pallatit luksoz të Faraonit dhe kasolles modeste të nënës së tij, në lagjen e varfër të Benu Israilëve. Ai duhej të njihej me jetën e luksit dhe jetën e mjerimit, me kulturën e shtresës më të lartë dhe atë të shtresës me të ulët. Kjo, me qëllim që të dinte si të komunikonte me të dyja këto shtresa. Gjatë këtyre tridhjetë viteve, Zoti e pajisi me dhjetë tipare dhe cilësi, të cilat e shndërruan në një lider të suksesshëm. Nëse dëshiron që fëmija yt të bëhet një lider i suksesshëm, më trego sa prej këtyre cilësive i posedon. Le t’i shohim cilat janë këto cilësi dhe sa prej tyre kemi ne.

Det dhe lumë

Nëna e Musait (a.s.), e cila u hoq si mëndeshë, këmbënguli që djali të rritej pranë brigjeve të Nilit, mes shtëpive të varfra të Benu Israilëve. Asija, gruaja e Faraonit, i ofroi të holla që të jetonte me ta në pallat, gjatë kohës që do e ushqente foshnjën, por nëna e Musait (a.s.) refuzoi. Ajo nuk e harronte premtimin e Zotit, që do t’ia kthente foshnjën e saj, jo thjesht që ta ushqente me qumësht, por edhe që të rritej dhe edukohej në prehrin e saj.

Duke qenë se nëna e Musait (a.s.) ishte mëndesha e vetme që pranonte foshnja për t’u ushqyer me qumësht, Asija i pranoi kushtet e saj. Kështu, Musai (a.s.) ashtu siç lindi pranë Nilit, edhe u rrit pranë tij. Si në kohët e lashta, ashtu edhe sot, lumi Nil është jetësor për banorët përreth tij.

Profeti Musa (a.s.), ka kujtime të shumta me lumin Nil dhe ujin në përgjithësi. Fillimisht, ai u braktis në këtë lumë. Më pas u gjet po në këtë lumë nga gruaja e Faraonit. Jetën e kaloi mes lagjes së Benu Israilëve që ishte në breg të lumit dhe pallatit të faraonit, i cili edhe ky ishte ndërtuar në breg.

Kur rritet dhe arrin të marrë Benu Israilët, ai kalon mes dy dallgëve të detit, dallgë të cilat e mbysin Faraonin. Më vonë, ai bën një udhëtim interesant me Hidrin.

Shohim që lidhjet e Musait (a.s.) me detin janë lidhje që dëshmojnë madhështinë dhe fuqinë e Zotit, jo thjesht pushime të kaluara pranë ujit të tij të kaltër.

Edhe vetë emri Musa, ka lidhje me ujin. Në gjuhën egjiptiane të lashtë, Musa do të thotë “i shpëtuari nga uji”. Mu, do të thotë ujë, kurse si i shpëtuar. Kurse disa të tjerë mendojnë se Musa, në gjuhën e vjetër egjiptiane, do të thotë biri i ujit. Këtë emër, Musa, i vunë pasi e gjetën në ujë.

Kush ia vuri emrin Musa?

Janë tre persona, ata që mund t’ia kenë vënë këtë emër. Ose është Faraoni, ose nëna e tij, ose gruaja e Faraonit, Asija. Që të jetë Faraoni ai që i vuri emrin, është diçka e paimagjinueshme, pasi ai nuk e donte këtë foshnje. Nëna e tij nuk e kishte këtë privilegj, pasi ishte thjesht një mëndeshë e paguar dhe asgjë më shumë. Prandaj mbetet alternativa e tretë, Asija, ajo që i vuri emrin. Ajo ishte nëna që e adoptoi Musain (a.s.) dhe ajo kishte të drejtë t’i vinte emrin.

Në prehrin e dy nënave

Dy vitet e mëkimit, profeti Musa (a.s.) i kaloi mes shtëpive të varfra të Benu Israilëve, pranë bregut të Nilit. Ai ishte i rrethuar nga dashuria dhe dhembshuria e nënës së tij të vërtetë Jukabid, dhe nënës së tij që e kishte birësuar, Asija. Këto dy nëna, e mbushën me dashuri dhe dhembshuri të pazakontë. Furnizimi me dashuri dhe dhembshuri, është cilësia dhe tipari i parë i një lideri. Që të jetë lider i suksesshëm dhe t’i përballojë me guxim vështirësitë e jetës, Musai (a.s.) duhej të furnizohej me shumë dashuri dhe dhembshuri. Për të marrë sa më shumë dhembshuri dhe dashuri, Zoti i dha dy nëna të dashura. Veç kësaj, nëna e vërtetë e Musait (a.s.) e trajtoi me më shumë dashuri dhe butësi, pasi u privua prej tij një herë. Kështu, do e vlerësonte më shumë faktin se i biri iu kthye, pasi e kishte hedhur në lumë. Të njëjtën gjë do të bënte edhe Asija, e cila gjer atëherë ishte privuar nga fëmijët, pasi nuk lindte dot. Ajo gjeti një foshnje në breg të lumit, u lidh dhe e deshi fort dhe tashmë të gjithë arsenalin e saj të dashurisë dhe dhembshurisë, e derdhi mbi këtë foshnje.

Që dikush të jetë lider i suksesshëm dhe i dobishëm, duhet të plotësojë një kriter, të jetë i dashur dhe i dhembshur me njerëzit. Por, një person, i cili nuk është furnizuar me dashuri, si mund t’ju falë të tjerëve dashuri dhe dhembshuri!

Jeta mes nënës së tij të vërtetë dhe nënës birësuese, është vendimtare për profetin Musa (a.s.). Studimi i kësaj etape të jetës së Musait (a.s.), na zbulon shumë sekrete dhe sjellje të tij në moshën madhore. Gjatë kësaj periudhe të jetës, ai zbulon se nuk i përket shtresës së faraonit, nuk është biri i tij, se Benu Israilët janë të shtypur dhe të dhunuar etj…

Të dyja nënat e Musait (a.s.), e pajisën dhe e furnizuan me dashuri dhe dhembshuri, e cila do i duhej në misionin e tij si lider. Një lider pa dashuri dhe dhembshuri, është tiran, i pashpirt dhe zemërkazmë. Në historinë njerëzore hasim kushedi sa liderë të pashpirt dhe të pamëshirshëm, por që, përveç shkatërrimeve, nuk kanë asnjë arritje tjetër.

Që Musai (a.s.) t’i shpëtonte të shtypurit nga dhuna e Faraonit, duhej të ishte i dashur dhe i dhembshur, cilësi këto që i përftoi nga dy nënat. Një lider që formohet nga përkujdesi hyjnor, nuk mund të jetë veçse i dhembshur dhe i dashur. Dashuria dhe dhembshuria e dy nënave, nën hijen e kushteve dhe rrethanave të vështira ku u rrit Musai (a.s.), e bënë atë të aftë për misionin që e priste.

Shumë prindër mendojnë se duke u dhënë të holla fëmijëve dhe duke u plotësuar çdo kërkesë, e kanë përmbushur rolin e tyre si prindër. Në fakt, t’i furnizosh fëmijët e tu me dashuri dhe dhembshuri, është shumë herë më e dobishme se t’u japësh të holla.

Në pallatin e Faraonit

Pasi qëndroi për dy vjet në shtëpinë e nënës së tij të vërtetë, e cila e ushqente me qumështin e gjirit të saj, Musai (a.s.) u kthye në pallatin e Faraonit. Ai ishte djali i birësuar i Asijes, gruas së Faraonit, e cila iu përkushtua totalisht edukimit dhe formimit të tij. Gjatë qëndrimit në shtëpinë e Faraonit, Musai (a.s.) u pajis me tre cilësi të tjera, të cilat janë thelbësore për një lider të ardhshëm. Jeta në pallat i jepte privilegjin që të arsimohej nga mësues të kualifikuar. Në shtëpinë e nënës së tij të vërtetë, Musai (a.s.) aq që mund ta ëndërronte këtë lloj arsimi dhe edukimi. Për të përmbushur mesazhin e Zotit, ai duhej të arsimohej në institucionet më të mira të kohës, të cilat gjendeshin në pallatin mbretëror. E gjithë kjo përgatitje bëhej pasi misioni i profetit Musa (a.s.) ishte shumë i vështirë. Ai është personaliteti më i madh në histori, që është përballur me tiranët, që shtypnin popullin e pafajshëm. Në gjithë historinë njerëzore, nuk ka personalitet që është përballur me padrejtësinë dhe shtypjen, siç është përballur profeti Musa (a.s.). Nëse do të flasim me parametrat e sotëm, Gandin, shumë mirë mund ta radhisim tek nxënësit e profetit Musa (a.s.). Po ashtu është edhe revolucioni francez, me ndryshimin e vetëm se në këtë revolucion u derdh shumë gjak, kurse Musai (a.s.) e arriti pa derdhur asnjë pikë gjak, pa dhunë. Historia e Musait (a.s.) është përmendur në pesëdhjetë sure të Kuranit dhe kjo me qëllim që umeti mysliman të edukohet që ta refuzojë padrejtësinë, shtypjen dhe tiraninë.

Tipari dhe cilësia e tretë që Musai (a.s) përfton gjatë qëndrimit në pallatin e Faraonit, është forca fizike. Po t’u referohemi librave, që flasin mbi pallatin mbretëror të faraonëve dhe mënyrës si i edukonin fëmijët, do të çuditesh. Përveç shkencave të ndryshme – histori, kimi, astrologji, matematikë – ata i kushtonin vëmendje të veçantë edhe formimit fizik të fëmijëve të tyre. Prandaj, do të shohim që Musai (a.s.) ishte truplidhur dhe shumë i fuqishëm, fuqi të cilën e vuri në shërbim të njerëzve të varfër dhe të shtypur.

Një tipar dhe cilësi tjetër të cilën e përfitoi në shtëpinë e Faraonit, është liria. Duke jetuar në pallatin e Faraonit, ai nuk e shijoi kurrë poshtërimin dhe nënshtrimin. Kjo i fali atij krenari dhe e bëri kryelartë. Prandaj nuk e pati të vështirë të përballej me Faraonin. Ai kishte ngrënë në një tavolinë me faraonin, e kishte parë si komunikonte me familjen e tij, e kishte parë të sëmurej, e kishte parë si ndihej kur kishte nevojë për tualet etj…

Pra, cilësia tjetër e një lideri është liria. Të jesh i lirë do të thotë të mos i nënshtrohesh kujt. Të jesh i lirë do të thotë që të mos jesh i nënshtruar ndaj gjynaheve të çfarëdo lloji qofshin, pirje duhani, konsumim alkooli, drogë, marrëdhënie jashtëmartesore etj… Vëlla i nderuar! Mos e shkatërro fizikun tënd me duhan, alkool, drogë apo gjynahe të tjera. Fiziku dhe shëndeti do të të duhen në të ardhmen për të realizuar objektivat dhe ëndrrat e tua.

Realiteti i parë

Në vitet e fëmijërisë, kur kishte mbushur moshën tetëvjeçare, Musai (a.s.) shumicën e kohës e kalonte në pallatin e Faraonit. Herë pas here ai shkonte dhe vizitonte mëndeshën e tij, e cila në fakt ishte nëna e vërtetë, por edukimin, arsimin dhe formimin fizik i merrte në pallat.

Gjatë këtyre viteve, Asija, gruaja e Faraonit fillon t’i tregojë të vërtetën e madhe, që ajo nuk ishte nëna e tij e vërtetë. Ajo ishte e ndërgjegjshme që një ditë Musai (a.s.) do ta kuptonte se nuk është biri i vërtetë i saj. Musai e ndjente se Faraoni nuk e donte fort. Po ashtu, fakti që ai ishte gjetur në brigjet e lumit Nil dihej nga shumë shërbëtore dhe punonjës të pallatit mbretëror. Asija i tregoi se edhe vetë emrin, Musa, ia kishin vënë në bazë të asaj që kishte ndodhur. Musa, do të thotë i shpëtuar nga uji.

Me këtë, tek Musai (a.s.) fillon të marrë jetë cilësia dhe virtyti tjetër, trimëria, guximi dhe kuraja. Bashkë me dhembshurinë dhe dashurinë, Musai (a.s.) tashmë do të merrte edhe trimërinë dhe guximin, me të cilat do të do të përballej me vështirësitë dhe sfidat e jetës.

Pa dyshim që Musai (a.s.) e ka pyetur Asijen se kush ishte nëna e tij dhe ajo i është përgjigjur se nuk e dinin. Ajo i tregoi se për ta ushqyer vitet e para, kishin pajtuar mëndeshën e tij të dashur, Jukabid. Nëna e tij e vërtetë, Jukabid, ia kishte mbajtur të fshehtë atësinë dhe mëmësinë, pasi kishte frikë se mos tregonte.

Mes pallatit dhe kasolles së mëndeshës

Me kalimin e viteve, Musai (a.s.) filloi ta vizitojë mëndeshën e tij të dashur dhe njëkohësisht nënën e tij të vërtetë, më shpesh. Asija e kishte lejuar ta vizitojë mëndeshën e tij, edhe pse ajo jetonte në një lagje të vjetër dhe të varfër të Egjiptit. Musai (a.s.) ndihej mirë kur gjendej në shtëpinë e mëndeshës së tij, edhe pse nuk e dinte se ajo ishte nëna e tij e vërtetë. Marrëdhëniet mes Musait (a.s.) dhe nënës së tij të vërtetë u forcuan shumë. Nëna e tij nuk i tregonte se ajo ishte e ëma, se e kishte hedhur në lumë nga frika e ushtarëve të Faraonit etj… Ajo e bëri këtë sepse Musai (a.s.) ishte akoma në moshë të vogël dhe frikësohej nga ndonjë reagim i pamatur i tij.

Përveç lidhjeve të forta me nënën e tij, Musai (a.s.) krijoi lidhje të forta edhe me të vëllain Harunin (a.s), lidhje të cilat mbetën të forta gjer në vdekje. Ai u lidh shumë edhe me të motrën, Merjemen. Miqësitë me familjen e mëndeshës dhe qetësia që ndjente kur ishte pranë tyre, e bënë të urrente pallatin ku ishte rritur. Personi i vetëm që i falte dashuri dhe qetësi në pallat, ishte vetëm Asija. Edhe pse i vogël në moshë, e ndjente se marrëdhëniet me Faraonin ishin të acaruara. Ai e shihte me dyshim dhe nuk e afronte pranë vetes.

Me forcimin e marrëdhënieve, nëna e tij e vërtetë filloi t’i tregojë disa gjëra mbi popullin e saj. Ajo i foli mbi një burrë shteti të madh, i cili quhej Jusuf dhe që kishte shpëtuar gjithë popullin e Egjiptit nga kriza ekonomike dhe zia.

Nëna e Musait (a.s.), Jukabid, duket që ishte shumë e zgjuar. Ajo i fliste për një personalitet nga Benu Israilët, i cili ishte i dashur edhe tek vetë egjiptianët. Për ta lidhur sa më shumë me Benu Israilët, ajo i fliste mbi personalitetin më të madh të këtij kombi, Jusufin (a.s.).

Me këtë, zbulohet një cilësi dhe tipar tjetër, për të cilin do të ketë nevojë Musai (a.s.). Kjo cilësi dhe tipar është modeli i një personi të suksesshëm në jetë. Një lider, që të vijojë rrugën e suksesit, duhet të ketë model një person të suksesshëm në jetë. Duke u rritur me suksesin e Jusufit (a.s.), i cili ishte gjyshi i Musait (a.s.), ai e bëri modelin e tij dhe jo vetëm që ndoqi rrugën e Jusufit (a.s.), por arriti më shumë se ai.

Nëse ti o prind, dëshiron që fëmija yt të bëhet një lider i madh, duhet të ketë një model të suksesshëm. Kjo është një cilësi themeltare e një lideri.

Nëna e tij nuk i foli aspak mbi vuajtjet e Benu Israilëve. Ajo nuk i tregoi se Faraoni kishte therur mijëra foshnja meshkuj të pafajshme. Nuk i tregoi se ai i poshtëronte, i nëpërkëmbte dhe i shtypte. Jo. Ajo i ofroi modelin, që Musai (a.s.) duhej të ndiqte dhe e la të lirë.

Me kalimin e kohës, mëndesha i tregoi se Jusufi (a.s.), ky burrë shteti i madh, ishte nga gjyshërit e saj. Sa herë që binte fjala për Jusufin (a.s.), ajo i tregonte diçka të re mbi të dhe popullin e tij. Ajo vazhdoi t’i rrëfejë historinë e Jusufit (a.s.) dhe të popullit të saj, gjersa një ditë i tregoi të vërtetën e madhe. Ajo i tregoi se ishte nëna e tij e vërtetë. Unë dua t’i imagjinoni ato çaste kur Musai (a.s) dëgjoi nga mëndesha e tij fjalët: “Unë jam nëna jote e vërtetë”. Pa dyshim, që para syve i kaloi e gjithë jeta. Atij i është kujtuar dashuria dhe dhembshuria e mëndeshës së tij. I janë kujtuar ditët kur i fliste mbi modelin e Jusufit (a.s.), i cili ishte i pranueshëm për të dy palët, Benu Israilët dhe egjiptianët. Më vonë i tregoi se ky model i suksesshëm është nga populli dhe kombi ynë.

Duke mbajtur një sekret kaq të madh, tek Musai (a.s.) filloi të zhvillohej edhe një vlerë tjetër, ajo e besueshmërisë dhe e amanetit.

Ditën kur e ëma i tregoi të vërtetën, i tregoi edhe shumë gjëra të tjera. Ajo i tregoi se e kishte hedhur në lumë, pasi faraoni dhe ushtarët e tij e kërkonin ta vrisnin, ashtu siç kishin vrarë njëmijë foshnja më parë. Ajo i tregoi se Zoti e kishte frymëzuar që ta hidhte në lumë, i kishte premtuar se do t’ia kthente dhe në fakt ia ktheu po atë ditë.

Edhe pse ishte një lajm befasues dhe i madh, Musai (a.s.) e përballoi me gjithë moshën e tij të njomë. Një lajm i tillë do e forconte edhe më shumë karakterin dhe personalitetin e tij. Sot ka burra të mëdhenj, të cilët ndihen të dobët dhe të pafuqishëm kur marrin lajme tronditëse, ndërsa Musai (a.s.) e përballoi me sukses. Ky ishte vetëm fillimi për të, pasi do të përballej me sfida dhe sprova nga më të ndryshmet.

Elasticitet dhe ekuilibër

Megjithatë, edhe pse i tregoi se ajo ishte nëna e vërtetë, nëna e Musait (a.s.) i kërkoi që të kthehej sërish në pallatin e Faraonit dhe të hiqej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. A nuk tregon kjo se ajo ishte një nënë e rrallë, e fisshme dhe e madhe? Këtë e vërteton vetë fakti se tre nga fëmijët e saj janë përmendur në Kuran: Haruni, Musai dhe Merjemja, vajza e saj. Nuk ka nënë tjetër, së cilës i janë përmendur të tre fëmijët në Kuran, përveç saj. Kjo është bërë, pasi ajo e çoi në vend misionin e saj si nënë, duke i edukuar fëmijët e saj në formën më të mirë.

Me këtë, ajo e pajiste djalin e saj Musanë me një cilësi tjetër të rëndësishme për një lider: elasticitetin dhe ekuilibrin. A e ndjen tani se Musai (a.s.) është rritur nën përkujdesjen e Zotit?

Me të gjitha cilësitë e mëparshme, Musai (a.s.) ishte përgatitur për t’u përballur me ngjarje të mëdha dhe tronditëse.

Veç porosive të tjera, nëna e tij e këshilloi të kthehej në pallat dhe të mos i tregonte Asijes, që e kishte birësuar, mbi ato që kishte dëgjuar nga mëndesha, pasi nuk i dihej si do të reagonte Asija.

Vallë si do të silleshe ti, nëse do të ishe në vendin e nënës së Musait? Çfarë do t’i kërkoje të bënte pasi t’i tregoje se je nëna e vërtetë? A nuk do t’i kërkoje të qëndronte në shtëpinë tënde, pasi e mori vesh të vërtetën? A nuk kishte të drejtë t’i kërkonte të qëndronte në shtëpinë e saj, larg atij pallati të mallkuar, ku Faraoni pretendonte se ishte zot? A nuk ishte logjike t’i kërkonte të mos e shihte më me sy atë vend të mbushur me idhuj, magjistarë dhe degjenerim?

Shumë njerëz këshillojnë që të distancohemi nga çdo vend që ka fesat, edhe pse mund të ketë interes nga një aspekt tjetër. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: Besimtari që hyn në kontakt me njerëzit dhe i duron bezdisjet tyre, është më i mirë se besimtari që nuk hyn në kontakt me njerëzit dhe nuk e bezdisin.”

Nëna e Musait (a.s.) e këshilloi të kthehej sërish në pallat, pasi atje do të arsimohej si askund tjetër. Nëse e braktiste pallatin, Faraoni do të hakmerrej ndaj Benu Israilëve dhe sidomos ndaj familjes së tij.

Që në moshë të njomë, profeti Musa (a.s.)  mësoi nga nëna e tij elasticitetin dhe ekuilibrin. Shumë njerëz, edhe pse me poste të larta, nuk e gëzojnë një cilësi të tillë. Më e keqja është se ka edhe ftues dhe hoxhallarë, të cilët kur konstatojnë njerëz të tillë, i akuzojnë si konformistë dhe shpifin kundër tyre.

Ky elasticitet dhe ekuilibër, do i gjendet Musait (a.s.) shumë në të ardhmen. Pasi njohu të vërtetën, ai do t’i përdorte shumë kompetenca si princ, për të zbuluar më shumë rreth origjinës dhe popullit të tij. Ai do të hapte protokollet e pallatit, do të mësonte si të sillej me njerëzit e shtresave të larta, si hahet ushqimi në pallatin mbretëror etj… Veç kësaj, ai do të mësonte edhe jetën e thjeshtë që bënin Benu Israilët. Ai do të ulej në sofra të thjeshta, do të hante ushqime nga më modestet, do të luante me fëmijët e varfër etj…

Një jetë e tillë e pasuroi me aftësi komunikimi me të gjithë shtresat sociale dhe kulturore të shoqërisë.

Mosha e pjekurisë

Zoti thotë në Kuran: “Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur,Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira.”[2]

Tashmë Musai (a.s.) dinte gjithçka rreth vetes dhe popullit të tij. Ai e dinte kush ishte nëna e tij, përse gjendej në pallatin e Faraonit, kishte mësuar si të ruante ekuilibrin, si të bashkëjetonte me të gjithë shtresat dhe kulturat, ishte trim, i lirë, i panënshtruar etj…

Cilësia dhe tipari i fundit që i nevojitej, ishte objektivi dhe misioni në jetë. Ai i vuri vetes objektiv që të shpëtonte Benu Israilët nga dhuna dhe shtypja. Shumë njerëz mendojnë se këtë mision Musai (a.s.) e filloi pasi Zoti e zgjodhi si profet. Por, në fakt, Zoti e zgjodhi për ta kryer këtë mision, pasi vetë Musai (a.s.) e kishte zgjedhur më parë. Ai e kishte parë gjendjen e mjeruar ku jetonte populli i tij. Ai kishte parë edhe luksin dhe kamjen e Faraonit. Ashtu siç kishte parë dhunën, shtypjen dhe nëpërkëmbjen që u bëhej Benu Israilëve. Musai (a.s.), si njeri me mesazh dhe mision në këtë jetë, nuk mund ta pranonte një gjendje të tillë për popullin e tij.

Lider mund të bëhesh edhe pa pasur një mision për të përmbushur. Por mos harroni, një lider i tillë ka vizion dhe horizonte shumë të ngushta, ai thjesht kërkon të hajë dhe të jetojë mirë. Por një lider i vërtetë, duhet të ketë një mision fisnik. Misioni dhe objektivi i Musait (a.s.) para se të zgjidhej si profet, ishte që të shpëtonte Benu Israilët nga dhuna e Faraonit.

Cilësia e dhjetë dhe e fundit që i duhej Musait (a.s.), ishte shoqërimi me njerëz të mirë. Një lider pa shokë dhe miq të ndershëm, është i humbur në çdo çast. Një shoqëri të tillë, profeti Musa (a.s.) do e gjejë tek vëllai i tij Haruni (a.s). Ai do të jetë bashkëshoqëruesi i Musait (a.s.) gjatë gjithë jetës. Tek Haruni (a.s), Musai (a.s.) do të gjejë përkrahësin, këshilltarin, udhëzuesin, bashkadhuruesin e Zotit, me të do të përkujtojnë Zotin bashkë, do të vendosin planin si t’i shpëtojnë Benu Israilët etj… Ata do të jenë bashkë edhe pas vdekjes në qiellin e gjashtë.

Le t’i përmbledhim dhjetë cilësitë e domosdoshme për një lider të suksesshëm:

1 – Dashuria dhe dhembshuria

2 – Arsimi special

3 – Forca fizike

4 – Shpirti i lirë

5 – Guximi dhe trimëria

6 – Modeli i shkëlqyer

7 – Elasticiteti dhe ekuilibri

8 – Të qenët i hapur me të tjerët

9 – Objektivi dhe misioni

10 – Shoqëria e mirë

Autor: Amër Halid

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Nisa: 164.

[2] – Sure Kasas: 14.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *