Profeti (a.s) mbajti një ligjëratë ditën e Bedrit; ai falënderoi Allahun, e lëvdoi Atë ashtu siç i takon dhe më pas tha:
“Unë ju nxis të bëni atë që Allahu ju ka urdhëruar të veproni dhe ju ndaloj nga ajo që Ai ju ka ndaluar. Vërtet, Allahu i Madhëruar urdhëron për tek e Vërteta, e do sinqeritetin dhe u jep njerëzve të mirë shpërblimin sipas meritës së tyre në shtëpitë e tyre (në Xhenet). Me këtë (besim) njerëzit përmenden dhe dallohen para të tjerëve.
Sot ju jeni sprovuar në një prej vendeve të së vërtetës, ku Allahu nuk pranon prej askujt asgjë tjetër përveç asaj që bëhet sinqerisht për hir të Tij.
Vërtet, durimi në kohë lufte dhe vështirësie është diçka me anë të së cilës Allahu largon brengat, shpëton prej pikëllimit dhe me të cilën ju arrini shpëtimin në Ahiret.
Midis jush ndodhet Profeti i Allahut, i cili ju paralajmëron dhe ju urdhëron. Prandaj, kini turp para Allahut të Madhëruar sot, që Ai t’ju shohë duke bërë diçka që e hidhëron Atë. Vërtet, Allahu i Madhëruar thotë: “Urrejtja e Allahut (ndaj jush) është më e madhe se urrejtja juaj ndaj vetvetes.”[1] Vështroni atë që Ai ju ka urdhëruar në Librin e Tij dhe shihni argumentet që ju ka treguar. Ai ju dha krenari pasi ishit të nënçmuar. Kapuni fort pas asaj (besimit dhe bindjes) me të cilën Zoti juaj kënaqet prej jush dhe tregoni veten para Tij në këto momente (të vështira), në mënyrë që të meritoni mëshirën dhe faljen e Tij që ju ka premtuar. Sepse premtimi i Tij është i vërtetë, fjala e Tij është e saktë dhe ndëshkimi i Tij është i ashpër.
Unë dhe ju jemi plotësisht të varur nga Allahu, i Gjalli, Mbikëqyrësi i Gjithçkaje. Tek Ai kemi mbështetur shpinën tonë, tek Ai jemi kapur fort (për mbrojtje), tek Ai mbështetemi dhe tek Ai është kthimi i të gjithëve.
Allahu më faltë mua dhe të gjithë myslimanët!”[2]
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Gafir: 10.
[2] – “Imtau el Esmai” , fq: 1/81.



















