Inteligjenca Artificiale: Një mundësi e artë që nuk duhet humbur

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mesazhi im i drejtohet të rinjve dhe të moshuarve, burrave dhe grave njësoj… ndoshta ky është një nga mesazhet më të rëndësishme që po ju shkruaj!

Ju lutem, lexojeni çdo fjalë të tij me vëmendje dhe mendim të thellë, dhe ndajeni me njerëzit që i doni. Ajo që do të shkruaj nuk është thjesht një përmbledhje idesh teorike, por një përfundim i nxjerrë nga studime dhe përvoja të gjata.

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Ndodhemi përpara një mundësie të jashtëzakonshme, e cila, mendoj se nuk do të përsëritet shpesh!

Gjatë muajve të fundit, inteligjenca artificiale ka ndryshuar shumë nga rregullat dhe ekuilibrat që njihnim në botën e tregtisë dhe të biznesit. Sot, njeriut të zakonshëm i janë hapur mundësi që deri vonë ishin ekskluzivitet i kompanive të mëdha, i njerëzve me kapital të konsiderueshëm dhe i atyre që zotëronin përvojë e njohuri të gjera.

Mundësitë që po hapen sot përmes të mësuarit dhe përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale i tejkalojnë shumë llogaritjet tradicionale të fitimit dhe humbjes, me të cilat jemi mësuar në të kaluarën.

Ajo që dikur kërkonte vite të tëra, sot mund të realizohet brenda disa muajsh. Ajo që më parë kërkonte një ekip specialistësh, sot mund të realizohet në një masë të madhe nga një person i vetëm. Ndërsa ajo që dikur kërkonte qindra mijëra, sot mund të nisë me kosto fare të ulët!

Mendo pak së bashku me mua për këto ndryshime rrënjësore!

 1 – Sot ke mundësi të arrish nivele të tilla arritjesh, produktiviteti dhe aftësie konkurruese, të cilat në të kaluarën nuk i kishe në dispozicion.

2 – Nuk ke më nevojë të punësosh një ekip të madh apo të sigurosh brenda projektit tënd të gjitha aftësitë dhe përvojat e nevojshme. Sot mund të realizosh shumë punë me burime të kufizuara njerëzore, madje ndoshta edhe i vetëm.

3 – Tashmë mund të depërtosh në tregje, rajone gjeografike dhe vende të ndryshme, ku më parë hyrja ishte e mundur vetëm përmes shpenzimeve të mëdha.

4 – Sot ke në dispozicion mjete që të ndihmojnë në analizë, planifikim, dizajn, programim, marketing dhe menaxhim, me kosto shumë të ulëta krahasuar me të kaluarën.

5 – Disa projekte që dikur kërkonin qindra mijëra, sot mund të nisin me kosto mbi 90% më të ulëta. Nuk ke më nevojë për zyrë, mobilie, pajisje dhe shpenzime të mëdha fillestare për të nisur punën.

6 – Sot mund të kalosh nga ideja te planifikimi, testimi dhe zbatimi brenda disa ditësh ose javësh, në vend që të të duhen muaj apo vite.

7 – Sigurimi i shumë aftësive, përvojave dhe mjeteve teknologjike është bërë më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm.

8 – E gjithë kjo krijon një mundësi të artë për gratë, pasi një grua mund ta nisë biznesin e saj nga shtëpia, të punojë, të prodhojë dhe të sigurojë të ardhura, pa pasur nevojë të punojë në mjedise të përziera me burra, nëse nuk dëshiron një gjë të tillë, duke e përshtatur punën sipas rrethanave dhe angazhimeve të saj familjare.

9 – Sot mund të menaxhosh shumë projekte dhe të punosh nga çdo qytet apo shtet, pa qenë i lidhur me një zyrë apo vendndodhje të caktuar.

10 – Nuk ke më nevojë të presësh që dikush të të mësojë. Mund t’i mësosh vetë këto mjete, me kosto jashtëzakonisht të ulëta.

11 – Gjuha nuk përbën më një pengesë si dikur. Sot janë të disponueshme mjete për përkthim dhe komunikim, të cilat të mundësojnë të bashkëpunosh me klientë dhe të depërtosh në tregje ku fliten gjuhë që nuk i zotëron.

12 – Mund të përgatitësh fushata reklamuese, të krijosh përmbajtje, të projektosh materiale marketingu dhe të arrish te klientët, duke përdorur burime të kufizuara.

13 – Shkencat, aftësitë profesionale, kurset dhe materialet referuese tashmë janë të disponueshme në shumë gjuhë, dhe ti mund të përfitosh prej tyre pa dalë nga shtëpia.

14 – Brenda pak ditësh mund të krijosh faqen tënde të internetit, të ndërtosh identitetin e markës tënde dhe të përgatitësh mjetet për marketing, ndjekjen e klientëve dhe shërbimin ndaj tyre.

15 – Puna me pagë nuk është më alternativa jote e vetme! Nuk je më i detyruar të trokasësh në dyert e të tjerëve apo të përulesh para dikujt për të siguruar një vend pune që nuk përputhet me ambiciet e tua, ose të pranosh një pagë që nuk i vlerëson aftësitë e tua.

Sot ke mundësinë ta krijosh vetë shansin tënd, ta ndërtosh biznesin me përpjekjet e tua dhe, ndoshta, një ditë, të kalosh nga një person që kërkon punë në një person që krijon vende pune për të tjerët.

Mesazhi im për ju është shumë i thjeshtë:

Hiqni dorë nga angazhimet dhe shpërqendrimet që mund t’i lini mënjanë, pakësoni qëndrimet e gjata nëpër tubime dhe shfletimin e rastësishëm në internet, dhe kushtojani muajt e ardhshëm mësimit serioz dhe profesional të mjeteve të inteligjencës artificiale.

Mos u ndalni te përdorimet e thjeshta dhe mos u mjaftoni vetëm me shkrimin e mesazheve apo krijimin e imazheve. Mësoni si t’i përdorni këto mjete për të ndërtuar, menaxhuar, promovuar dhe zhvilluar projekte e biznese.

E theksoj edhe një herë: Merreni këtë çështje shumë seriozisht!

Largojini shpërqendrimet për disa muaj dhe jepini vetes një mundësi të vërtetë për të mësuar dhe për të vënë në praktikë atë që mësoni. Me lejen e Allahut, do të shihni se keni arritur një nivel që më parë as nuk e kishit imagjinuar.

Vëzhgoni se si punojnë të tjerët, lexoni me vëmendje përvojat e tyre dhe mësoni nga sukseset dhe gabimet e tyre. Jini krijues dhe eksperimentoni vetë.

Kjo është një mundësi e artë dhe ndoshta nuk do të mbetet e arritshme me kaq lehtësi edhe për shumë kohë.

1 – Përcaktimi i projektit, studimi i fizibilitetit dhe testimi i tij.

Zgjidhni një ide të përshtatshme dhe studioni tregun, konkurrentët, klientët, kostot dhe të ardhurat e pritshme. Planifikojeni projektin tuaj në të gjitha aspektet dhe testojeni përpara se të investoni shuma të mëdha parash.

2 – Mësoni marketingun, shitjet dhe reklamimin.

Kushtojini marketingut pjesën më të madhe të vëmendjes suaj, sepse ai është një nga faktorët më të rëndësishëm për suksesin e një biznesi.

Mund të keni një produkt të shkëlqyer, por nuk do të keni sukses nëse nuk arrini të gjeni klientët e duhur, të komunikoni me ta dhe t’i bindni të blejnë produktin tuaj.

3 – Zbatimi dhe monitorimi i cilësisë.

Mësoni si t’i shndërroni idetë në produkte dhe shërbime konkrete, si ta mbikëqyrni procesin e punës dhe si të ruani cilësinë e produkteve apo shërbimeve, si dhe kënaqësinë e klientëve.

4 – Sistemimi i çështjeve ligjore, financiare dhe administrative

Mësoni bazat që i nevojiten biznesit tuaj dhe përdorni mjetet e disponueshme për të kuptuar procedurat dhe kërkesat përkatëse. Kur të jetë e nevojshme, kërkoni ndihmën e specialistëve.

5 – Menaxhimi përmes shifrave dhe planeve

Mos punoni në mënyrë të rastësishme dhe pa një drejtim të qartë. Mbështetuni te studimet, treguesit e performancës dhe planet konkrete. Ndiqni rezultatet dhe rishikoni vazhdimisht vendimet tuaja.

Disa këshilla shumë të rëndësishme:

Së pari: Mos nxitoni të përfshini ortakë në biznesin tuaj.

Nëse keni mundësi, fillojeni biznesin vetëm.

Mos përfshini ortakë që në fazat e para vetëm për shkak se ju mungojnë disa aftësi apo shërbime, të cilat mund t’i siguroni me kosto të ulët.

Nëse në një fazë më të avancuar keni nevojë për një ortak, merreni këtë vendim vetëm pasi të keni analizuar qartë vlerën dhe kontributin konkret që ai mund t’i sjellë biznesit tuaj.

Së dyti: Mos e ndërtoni biznesin tuaj mbi paratë e të tjerëve.

Kërkoni projekte që nuk kërkojnë kapital të madh fillestar. Ka mijëra ide biznesi që mund t’i vini në jetë me burime dhe mundësi të kufizuara.

Nëse keni nevojë për financim, kërkoni, nëse është e mundur, një hua pa interes, në vend që të hiqni dorë që në fillim nga pjesë të konsiderueshme të pronësisë së biznesit tuaj në këmbim të investimeve për të cilat mund të mos keni fare nevojë.

Përpiquni ta ruani 100% të pronësisë së biznesit tuaj, edhe në rrethanat më të vështira, për aq sa e keni të mundur.

Së treti: Mos shpenzoni shumë derisa të siguroheni për fizibilitetin e projektit.

Mos u udhëhiqni vetëm nga emocionet kur themeloni biznesin tuaj. Studioni, vlerësoni, mblidhni informacion dhe testojeni idenë përpara se të filloni.

Sot mund të përgatitni një studim paraprak fizibiliteti, që përfshin aspektet financiare, ligjore, operacionale dhe të marketingut, pa shpenzuar shuma të mëdha parash. Më pas, verifikoni në praktikë supozimet mbi të cilat e keni bazuar studimin, për të parë nëse ato qëndrojnë edhe në kushtet reale të tregut.

Së katërti: Mësoni marketingun ashtu siç duhet.

Kushtojuni marketingut dhe shitjeve pjesën më të madhe të vëmendjes suaj. Suksesi i një biznesi nuk varet vetëm nga cilësia e produktit, por edhe nga aftësia juaj për të arritur te klientët, për të kuptuar nevojat e tyre dhe për t’i bindur ata të blejnë produktin ose shërbimin tuaj

Së pesti: Mos lejoni që mungesa e një diplome apo specializimi t’ju bëhet pengesë.

Nuk është më e domosdoshme të studioni administrim biznesi, programim apo inxhinieri në universitet për të mësuar shumë nga aftësitë që ju nevojiten për biznesin tuaj.

Sot, njohuritë universitare, materialet referuese dhe përvojat profesionale janë të disponueshme në internet. Ju mund të mësoni hap pas hapi gjithçka që ju nevojitet, duke pasur parasysh se disa profesione të specializuara kërkojnë kualifikim dhe licencim zyrtar.

Së gjashti: Përpiquni që biznesi juaj të ketë një vlerë që shkon përtej fitimit.

Ju këshilloj të kërkoni një biznes që u sjell njerëzve dobi të vërtetë, zgjidh një problem, kontribuon në arsim, në zhvillim ose në përmirësimin e jetës së të tjerëve.

Megjithatë, mos e kufizoni veten vetëm te bizneset që kanë drejtpërdrejt synime shoqërore. Fusha e tregtisë hallall është shumë e gjerë dhe fitimi i lejuar është një synim legjitim.

Suksesi në tregti, pavarësia nga të tjerët, krijimi i vendeve të punës, sigurimi i të ardhurave për familjen dhe ndihma ndaj njerëzve të tjerë mund të sjellin mirësi dhe shpërblim të madh tek Allahu, nëse nijeti është i sinqertë dhe mjetet e përdorura janë të drejta e të lejuara.

Dhe mos prisni derisa të përfundoni universitetin për të filluar!

Nëse jeni 15 vjeç ose më shumë, mund të filloni që tani të mësoni, të eksperimentoni dhe të hidhni hapat e parë drejt krijimit të biznesit tuaj, në përputhje me moshën dhe rrethanat tuaja.

Nga duhet të filloni?

Ju këshilloj të filloni duke u njohur me tri platforma:

ChatGPT

Claude

Grok

Nëpërmjet këtyre platformave, do të njiheni edhe me dhjetëra mjete të tjera që mund t’ju nevojiten për biznesin tuaj.

Nëse nuk dini nga t’ia filloni, mos më pyesni mua dhe mos prisni që dikush t’jua shpjegojë!

Hapni njërën prej këtyre platformave dhe pyeteni:

Dua t’i mësoj mjetet e inteligjencës artificiale në mënyrë profesionale dhe të krijoj biznesin tim me kosto të kufizuara. Nga duhet të filloj? Cilat aftësi më nevojiten? Cilat ide biznesi janë të përshtatshme për mundësitë e mia? Më përgatit një plan praktik tre-mujor dhe më udhëzo hap pas hapi.

Do të gjeni përpara vetes hollësi, plane dhe burime mësimore, të cilat ndoshta as nuk e kishit imagjinuar se mund t’i gjenit kaq lehtë.

Po e përfundoj me një mesazh, për të cilin shpresoj të reflektoni thellë:

Kam frikë se do të vijë një ditë kur do të kthehemi pas dhe do ta shohim këtë periudhë, duke kuptuar se një mundësi e jashtëzakonshme ishte pikërisht në duart tona, por ne u morëm me gjëra të padobishme dhe e humbëm atë, derisa të tjerët na paraprinë.

Nuk po ju them se suksesi është i garantuar apo se rruga është pa sfida. Por po ju them se shumë prej pengesave që dikur i ndalonin njerëzit të krijonin bizneset e tyre, sot janë zvogëluar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën.

Prandaj, mos lejoni që kontributi juaj në këtë revolucion të kufizohet vetëm te ndjekja e lajmeve apo te admirimi i asaj që krijojnë të tjerët.

Filloni, mësoni, eksperimentoni, përpiquni dhe mbështetuni tek Allahu!

Kujtoni se furnizimi është vetëm në dorën e Allahut dhe se këto mjete nuk janë veçse shkaqe që Allahu ua ka vënë në dispozicion njerëzve. Suksesi nuk vjen vetëm nga grumbullimi i njohurive, por edhe nga mbështetja e sinqertë tek Allahu, përpjekjet e ndershme dhe bereqeti që Allahu vendos në punën dhe fitimin tonë.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe se njeriu nuk do të ketë tjetër veç asaj për të cilën është përpjekur. Dhe se përpjekja e tij do të shihet.”[1]

Lus Allahun t’ju hapë dyert e furnizimit të Tij, t’ju japë bereqet në jetën, kohën dhe punën tuaj, t’ju bëjë të mjaftoheni me hallallin e Tij e të mos keni nevojë për haramin, si dhe t’ju begatojë me mirësinë e Tij, pa pasur nevojë për askënd tjetër përveç Tij.

Ndajeni këtë mesazh me njerëzit që doni! Ndoshta ai do të bëhet shkak për hapjen e një dere të re furnizimi, për ndryshimin e një jete ose për fillimin e një biznesi, përmes të cilit Allahu do t’i sjellë dobi pronarit të tij dhe njerëzve të tjerë.

Autor: Abdul Kerim Bekkar

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Nexhm: 39 – 40.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *