Këto janë xhamitë e Irakut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kur përmenden xhamitë në Irak, disa dashakeqës nxitojnë të sjellin në vëmendje pamje që nuk pasqyrojnë realitetin, duke e kufizuar misionin e tyre në përfytyrime të ngushta dhe duke anashkaluar me dashje rolet e tyre edukative, shpirtërore dhe shoqërore, të cilat formojnë njeriun përpara se të formojnë realitetin shoqëror. Këta njerëz shpërfillin rolin e xhamive në mbarë Irakun, të cilat po zhvillojnë një nga projektet më të mëdha për edukimin dhe formimin e brezave, ndërkohë që merren me zmadhimin e anëve negative dhe harrojnë dukuritë e rënies morale dhe të sjelljes së pahijshme që po përhapen në hapësira të tjera të shoqërisë.

Xhamia në Irak është një shkollë e plotë për edukimin e shpirtrave, formimin e personalitetit, mbjelljen e vlerave dhe përgatitjen e një brezi që e mishëron Kuranin në moral dhe në sjellje, përpara se ta mbartë atë vetëm përmes memorizimit dhe recitimit. Këtë të vërtetë e dëshmojnë edhe ngjarjet e përditshme që i sheh kushdo që afrohet te shtëpitë e Allahut.

Një nga këto pamje, për shembull, është kjo: një ditë hyra, së bashku me një mikun tim dhe pa ndonjë plan paraprak, në një xhami të njohur të quajtur Xhamia Mahmud në kryeqytetin Bagdad, për të falur namazin e akshamit. Sapo filloi namazi, u befasova kur pashë se imami nuk ishte më shumë se pesëmbëdhjetë vjeç. Djali e lexonte Kuranin me një përpikëri të veçantë, me një zë të ëmbël që të rrëmbente zemrën dhe me një përulësi që ndihej nga çdokush që qëndronte pas tij në namaz. Madje dëshirova që namazi të zgjaste më shumë, aq e bukur ishte recitimi i tij dhe aq i ëmbël interpretimi.

Pas përfundimit të namazit, kërkova të gjeja djaloshin dhe e gjeta të ulur pranë shejhut të xhamisë. Aty u takova krejt papritur edhe me mikun tim, të nderuarin shejh Jahja Arrak, imamin e xhamisë, të cilin e njoh prej më shumë se njëzet vitesh. Takimi ynë nuk ishte i planifikuar. Pikërisht aty njoha edhe djaloshin Jamen, i cili la në shpirtrat tanë një gjurmë të paharrueshme me bukurinë e recitimit dhe dinjitetin e tij.

Atëherë pyeta veten: Ku janë ata që i sulmojnë xhamitë tona, përballë këtyre shembujve? Ku janë ata që përsërisin akuzat, përballë këtij procesi të qetë edukues që na sjell ndër mend figurat e djemve të rinj të cilët i edukoi i Dërguari i Allahut (a.s), derisa u bënë pishtarë të besimit dhe të thirrjes islame? A nuk ka ardhur koha që njerëzit e paanshëm të shohin çfarë lloj njeriu po nxjerrin xhamitë e Irakut, në vend që të mjaftohen me përsëritjen e gjykimeve të paragjykuara?

Djaloshi Jamen nuk ishte një rast i veçuar, por vetëm një shembull i projekteve të gjera edukative që shtrihen në të gjithë Irakun dhe dëshmojnë se investimi i vërtetë fillon te njeriu dhe se ndërtimi i një të ardhmeje të ndritur fillon nga xhamia.

Ndoshta ndër pamjet më të bukura të kohës sonë është ajo që po përjetohet në qytetin e Mosulit përmes nismës “Djelmoshat e agimit”, të ndërmarrë nga Fondacioni “Kijem”. Kjo është një përvojë edukative që meriton të shkruhet me shkronja të arta. Namazi i sabahut është shndërruar në një takim për të cilin fëmijët garojnë me njëri-tjetrin, aq sa atij që e sheh i duket sikur po shikon turmën e namazit të xhumasë dhe jo të sabahut.

Nisma ka përfshirë 504 xhami në të gjithë qytetin e Mosulit. Deri tani, në të janë përfshirë 46 138 djem, ndërsa edukimi dhe ndjekja e tyre mbikëqyret nga 1 900 edukatorë dhe pjesëtarë të stafit edukativ. Sapo thirret ezani i sabahut, rrugët e qytetit mbushen me fëmijë dhe djem të rinj, mes tyre edhe të tillë që ende nuk kanë arritur moshën e pjekurisë. Ata drejtohen për në xhami në një pamje madhështore që ngjall shpresë në zemra, sikur i gjithë qyteti të jetë vënë në lëvizje drejt shtëpive të Allahut.

Ky është një projekt që formon një brez që e njeh vlerën e namazit, disiplinës dhe përkushtimit që në moshë të hershme. Ai dëshmon se ringritja dhe fuqizimi i umetit nuk nisin nga sloganet, por nga një sexhde e sinqertë, nga një namaz i falur në kohën e tij dhe nga shpirtra të edukuar me ndërgjegjësimin se Allahu i vëzhgon, përpara se të mendojnë për vëzhgimin e njerëzve.

Edhe në fushën e thirrjes islame, xhamitë vazhdojnë të përmbushin misionin e tyre në përgatitjen e talenteve të reja që mbajnë mbi supe përgjegjësinë e përcjelljes së mesazhit dhe thirrjes drejt Allahut.

Në qytetin el-Mahavil, në jug të Bagdadit, nga Xhamia e Madhe e Ehli Bejtit u shqua djaloshi Muhamed Feuzi. Ai nuk kishte mbushur ende pesëmbëdhjetë vjeç, por arriti të tërheqë vëmendjen si një hatib i aftë i xhumasë, me një ligjërim të ekuilibruar, një stil ndikues dhe një aftësi të qartë për të paraqitur idetë dhe për të sjellë argumentet në vendin e duhur.

Kjo nuk ishte një arritje e çastit, por fryt i një përkujdesjeje të vazhdueshme edukative nga i nderuari shejh Husejn el-Aluani, i cili e përkrahu talentin e tij, e udhëzoi dhe e mbështeti hap pas hapi, derisa ai u bë një shembull i denjë për t’u admiruar ndër të rinjtë e xhamive.

Shejhu e shoqëroi atë në Mexhlisin e Dijetarëve të Irakut, në hutben e parë të xhumasë që ai mbajti, ku u nderua në shenjë vlerësimi për këtë fillim premtues dhe për zgjedhjen e tij për të qenë një ushtar në fushën e thirrjes drejt Allahut. Muhamedi u bë më pas një nga pararendësit e projektit “Thërritja drejt së mirës”, i cili shkon nëpër kafene, tregje dhe klube gjatë natës, duke i ftuar njerëzit me urtësi dhe këshillë të mirë. Kjo dëshmon se xhamia nuk mjaftohet vetëm me formimin e falësve të namazit, por formon edhe thirrës dhe bartës të mesazhit.

Nga perëndimi i Irakut, edhe provinca e Enbarit vazhdon të japë një tjetër shembull të kësaj veprimtarie përmes konkursit “Brezat e Kuranit”, i cili zhvillohet për të katërtin vit radhazi në xhamitë e provincës dhe përfshin qarqe dhe zona të ndryshme të saj.

Vitin e kaluar, numri i pjesëmarrësve arriti në rreth 9 000 garues, ndërsa këtë vit numri e ka tejkaluar ndjeshëm atë shifër dhe fazat e përzgjedhjes vazhdojnë ende. Kjo pasqyron interesimin gjithnjë e më të madh për Librin e Allahut dhe dëshirën e sinqertë të brezit të ri për t’u lidhur me Kuranin Famëlartë.

Është një pamje që sjell qetësi në zemër: radhë fëmijësh dhe djemsh të rinj presin radhën e tyre për t’u testuar, duke mbajtur në zemrat e tyre Kuranin dhe duke i mbushur shtëpitë e Allahut. Në një kohë kur shumë njerëz ankohen për humbjen e vlerave dhe dobësimin e ndjenjës së përkatësisë, këto pamje janë të mjaftueshme për të dëshmuar se Kurani vazhdon të formojë burra dhe se xhamitë vazhdojnë të nxjerrin një brez që e çmon fenë e tij dhe me të cilin krenohet çdo musliman që e do sinqerisht fenë e vet.

Këta shembuj janë dëshmi të gjalla të projekteve të gjera edukative që zhvillohen në xhamitë e Irakut në provinca të ndryshme, larg zhurmës mediatike dhe larg kamerave të atyre që kërkojnë sensacionalizëm. Janë përpjekje që formojnë njeriun, i japin vetëdijes një drejtim të shëndoshë, mbjellin besimin dhe hedhin themelet për një të ardhme më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Prandaj, nëse dikush dëshiron të njohë realitetin e xhamive të Irakut, le të mos i shohë ato me syrin e armiqësisë, por me syrin e paanshmërisë. Le të hyjë në njërën prej tyre në namazin e sabahut ose në çfarëdo kohe që dëshiron, të shohë mexhliset e Kuranit, hallkat e dijes dhe veprimtaritë edukative, e pastaj le të japë gjykimin e tij.

Atëherë kundërshtarët do ta kuptojnë se këto xhami nuk ndërtojnë thjesht mure, por ndërtojnë burra, formojnë breza, ruajnë identitetin e umetit dhe mbjellin në shpirtra besimin, moralin dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Dhe kjo është pasuria e vërtetë që meriton të ruhet dhe për të cilën brezat duhet të jenë krenarë.

Këto janë xhamitë e Irakut.

Autor: Sa’d El Halbusi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *