Kuptimet e fjalës “Nefs” në Kuran

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Fjala “en-nefs” (nefsi) me të gjitha derivatet e saj është përmendur në Kuran në dyqind e nëntëdhjetë e tetë (298) vende.

Ajo ka ardhur në dy vende në formën e foljes:

E para është fjala e Tij, i Lartësuar qoftë: “Dhe për agimin kur merr frymë (teneffes).[1]

E dyta është fjala e Tij, Madhëruar qoftë: “Dhe për këtë le të garojnë (fel jetenafes) ata që garojnë.”[2]

Ndërsa në dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë (296) vende ka ardhur në formën e emrit, prej tyre fjala e Allahut të Lartësuar: “Sot çdo nefs do të shpërblehet për atë që ka fituar; sot nuk ka padrejtësi.”[3]

Fjala “en-nefs” (nefsi) me të gjitha derivatet e saj të prejardhura ka ardhur në Kuran me disa kuptime, ndër to:

1 – “Nefsi” me kuptimin e besimtarëve, të ndjekësve të fesë dhe të vëllazërisë fetare

Prej kësaj është fjala e Allahut të Lartësuar në ngjarjen e shpifjes ndaj Aishes (r.a): “E përse, kur e dëgjuat atë, besimtarët dhe besimtaret të kishin menduar mirë për veten (enfusihim)[4] e tyre…”[5] Ibn Arefe ka thënë: “Domethënë: për besimtarët dhe për pasuesit e sheriatit të tyre.”

Nga i njëjti kuptim është edhe fjala e Allahut të Madhëruar: “Vërtet, Allahu u bëri mirësi besimtarëve kur dërgoi ndër ta një të dërguar nga mesi (enfusihim)[6] e i tyre.”[7] Ibn Is’haku ka thënë: “Allahu ju bëri mirësi juve, o besimtarë, kur dërgoi mes jush një të dërguar nga mesi juaj, që t’ju lexojë ajetet e Tij dhe t’ju pastrojë.”

Disa të tjerë kanë thënë se me këtë ajet synohen arabët – siç ka thënë imam Tabariu – pra: Ai dërgoi te arabët një profet nga mesi i tyre, nga populli i gjuhës së tyre, dhe nuk e bëri nga një popull me gjuhë tjetër, që të mos e kuptonin atë që thoshte.

Në të njëjtin kuptim është edhe fjala e Tij: “Vërtet, ju erdhi një i dërguar nga mesi (enfusikum) juaj.”[8]

Po kështu është fjala e Tij: “Mos e vrisni veten (enfusekum) tuaj.”[9] Domethënë: mos e vrisni njëri-tjetrin.

Imam Tabariu ka thënë: “Sepse Allahu i Madhëruar i ka bërë besimtarët vëllezër; kështu që ai që vret vëllanë e tij është si ai që vret veten e tij… Arabët e përdorin këtë mënyrë shprehjeje: i referohen vetes përmes vëllezërve të tyre dhe vëllezërve përmes vetes.”

Po ashtu fjala e Tij: “Dhe mos e përqeshni veten tuaj (enfusekum).” Ai që përqesh vëllanë e tij është si të përqeshë veten e tij. Imam Kurtubiu ka thënë: “Në fjalën “enfusekum” ka një vërejtje se i mençuri nuk e nënçmon veten e tij; prandaj nuk duhet ta nënçmojë tjetrin, sepse ai është si vetja e tij.”

Nga ky lloj kuptimi është edhe fjala e Tij: “Kur të hyni në shtëpi, përshëndeteni njëri-tjetrin (enfusekum).”[10] Imam Tabariu ka thënë: “Kuptimi është: kur të hyni në shtëpitë e muslimanëve, le të përshëndesë njëri-tjetrin.”

2 – “Nefsi” me kuptimin e njeriut

Prej kësaj është fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe ruajuni një Dite kur asnjë njeriu (nefsi) nuk do t’i bëjë dobi një njeriu (nefsi) tjetër dhe nuk do të pranohet prej tij ndërmjetësim.”[11]  Domethënë: asnjë njeri nuk do t’i bëjë dobi një njeriu tjetër në Ditën e Kiametit; çdo njeri është i lidhur me veprën e vet dhe me atë që kanë bërë duart e tij: nëse ka qenë e mirë – e mirë do të jetë; nëse ka qenë e keqe – e keqe do të jetë.

Në të njëjtin kuptim është edhe fjala e Tij: “Dhe u caktuam atyre në të (Teurat) se jeta (nefs) për jetën (nefs)…”[12] Domethënë: njeriu për njeriun.

Sipas këtij kuptimi është edhe fjala e Tij: “Kush vret një njeri (nefs) që nuk ka vrarë askënd ose që nuk bën shkatërrime në tokë, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzit.”[13] Domethënë: kush vret një njeri pa të drejtë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit.

Po sipas këtij kuptimi është edhe fjala e Tij: “Që njeriu (nefs) të thotë: Ah, mjerimi im për atë që kam neglizhuar ndaj Allahut”[14]

3 – “Nefsi” me kuptimin për Ademin (a.s.)

Si në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ai është që ju krijoi prej një nefsi të vetëm.”[15] Shumica e komentuesve kanë thënë se me “një nefsi të vetëm” është për qëllim Ademi (a.s.). Ngjashëm me këtë është edhe fjala e Allahut të Madhëruar: “Ai është që ju krijoi prej një nefsi të vetëm.”[16]

4 – “Nefsi” me kuptimin e shpirtit (ruh)

Si në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe engjëjt do t’i shtrijnë duart e tyre (duke thënë): Nxirrni shpirtrat (enfusekum) tuaj!”[17] Begaviu ka thënë: “Domethënë: shpirtrat tuaj me detyrim; sepse shpirti i besimtarit del me dëshirë për takimin me Zotin e tij.

Ngjashëm me këtë është edhe fjala e të Lartësuarit: “Allahu i merr shpirtrat (enfus) në kohën e vdekjes së tyre, dhe ata që nuk kanë vdekur, gjatë gjumit të tyre; pastaj mban atë për të cilin ka caktuar vdekjen dhe e kthen tjetrin deri në një afat të caktuar.”[18] Imam Tabariu transmeton nga Seid ibn Xhubejr se ai ka thënë: “Mblidhen shpirtrat e të gjallëve dhe shpirtrat e të vdekurve, dhe njihen mes tyre ata që Allahu do të njihen; pastaj mbahet ai për të cilin është caktuar vdekja, ndërsa tjetri kthehet në trupin e tij.”

5 – “Nefsi” përdoret për Vetën (Qenien) e Allahut të Lartësuar

Si në fjalën e Tij: “Allahu ju tërheq vërejtjen për Veten e Tij (nefsehu), dhe tek Allahu është kthimi.”[19]dhe: “Allahu ju tërheq vërejtjen për Veten e Tij (nefsehu), dhe Allahu është i Butë me robërit.”[20]  Domethënë: ju paralajmëron për Të; pra synohet Qenia e Tij e lartësuar me cilësitë e Tij.

6 – “Nefsi” me kuptimin e “njëri-tjetrit”

Si në fjalën e Tij: “Pastaj ju jeni ata që vrisni njëri-tjetrin (enfusekum).”[21]Domethënë: njëri prej jush vret tjetrin.

Po ashtu fjala e Allahut të Lartësuar për popullin e Musait (a.s.): “Pendohuni te Krijuesi juaj dhe vritni veten tuaj (enfusekum).”[22] Imam Kurtubiu ka thënë: “U rreshtuan në dy radhë dhe disa prej tyre vranë disa të tjerë.”

7 – “Nefsi” me kuptimin e vetë personit (qenies së tij)

Si në fjalën e Tij: “Sikur Ne t’u kishim urdhëruar atyre: Vritni veten tuaj (enfusekum)…”[23] Domethënë: sikur t’u kishim bërë obligim atyre që pretendojnë se besojnë në atë që të është zbritur ty, por që gjykojnë te taguti, të vrisnin veten e tyre, nuk do ta kishin zbatuar atë që u urdhëruam.

8 – “Nefsi” me kuptimin e zemrës

Si në fjalën e Tij: “Ne e krijuam njeriun dhe e dimë çfarë i pëshpërit nefsi i tij.”[24] Imam Begaviu ka thënë: “Ne dimë çfarë i flet zemra e tij; nuk na fshihet asgjë nga të fshehtat dhe brendësia e tij.” Po ashtu në një ajet tjetër, i Lartësuari ka thënë: “Ata nuk ndjekin tjetër veçse hamendësimit dhe asaj që ua dëshirojnë nefset e tyre.”[25]

9 – “Nefsi” me kuptimin e “asaj që është tek dikush”

Si në fjalën e Allahut, duke treguar për Isain (a.s.): “Ti e di çfarë është në nefsin tim, ndërsa unë nuk e di çfarë është në nefsin Tënd.”[26] Imam Kurtubiu ka thënë: “Kuptimi është: Ti e di çfarë është tek unë dhe në realitetin tim, ndërsa unë nuk e di çfarë është tek Ti dhe në realitetin Tënd.”

Nga sa u përmend më sipër, del se fjala “nefs” me derivatet e saj të përmendura në Kuran ka ardhur më së shumti me kuptimin e besimtarëve dhe të vëllazërisë fetare; më pas me kuptimin e njeriut në përgjithësi; dhe në shkallë më të vogël me kuptimin e Ademit (a.s.), të shpirtit, të Qenies së Allahut të Lartësuar, të vetë personit, të zemrës dhe të kuptimit “asaj që është tek dikush”.

Burimi: islamweb.net

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Tekuir: 18.

[2] – Sure Mutaffifin: 26.

[3] – Sure Gafir: 17

[4] – Në këtë kontekst kuranor fjala “nefs” është përmendur në shumës “enfus”. Sh.pk.

[5] – Sure Nur: 12.

[6] – Në këtë kontekst kuranor fjala “nefs” është përmendur në shumës “enfus”. Sh.pk.

[7] – Sure Ali Imran: 164.

[8] – Sure Teube: 128.

[9] – Sure Nisa: 29.

[10] – Sure Nur: 61.

[11] – Sure Bekare: 48.

[12] – Sure Maide: 45.

[13] – Sure Maide: 32.

[14] – Sure Zumer: 56.

[15] – Sure Nisa: 1.

[16] – Sure En’am: 98.

[17] – Sure En’am: 93.

[18] – Sure Zumer: 42.

[19] – Sure Ali Imran: 28.

[20] – Sure Ali Imran; 30.

[21] – Sure Bekare: 85.

[22] – Sure Bekare: 84.

[23] – Sure Nisa: 66.

[24] – Sure Kaf: 16.

[25] – Sure Nexhm: 23.

[26] – Sure Maide: 116.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *