Xhefri Lang jetoi si i krishterë deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, dhe më pas ai zgjodhi të jetojë si ateist, për shkak se mendja e tij nuk mund ta pranonte idenë e trinitetit hyjnor. Në moshën njëzet e tetë vjeç, ai lexoi një libër tefsiri të Kuranit, tek i cili gjeti përgjigje të qëndrueshme dhe logjike, të cilat e shtynë të shpallte pranimin e Islamit.
Ai pajtohet me atë që thotë Muhamad Asadi se ideja e Trinisë dhe mishërimit hyjnor jo vetëm që i largon njerëzit nga kisha, por edhe nga vetë besimi në tërësi.
Titulli i artikullit është tërheqës, domethënës dhe realist. Në suren Bekare, gjen se si engjëjt e pyesin Zotin e tyre për urtësinë e krijimit të Ademit…
Kjo gjë është një frymëzim për njerëzit që të meditojnë dhe të reflektojnë për urtësinë e krijimit të tyre, veteve të tyre dhe universin që i rrethon.
Kur pyetja merr një kuptim të gjallë dhe lëvizës brenda njeriut, ajo nuk shtrohet për shfaqje, për sfidim, për kokëfortësi, për luks intelektual, për mashtrim apo për shtirje. Ajo nuk hyn me forcë në atë që nuk ka rrugë për ta arritur tek të fshehtat dhe tek gjërat e paqarta…
Kur pyetja është një domosdoshmëri njohëse, një e drejtë njerëzore, madje edhe një detyrim besimi, atëherë Musai (a.s) nuk ndalet te kushti i Hidrit: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!”[1], duke ditur se ai fillimisht i premtoi se do t’i sqaronte gjërat e paqarta, por ai nuk pati durim.!
Kur pyetja bëhet për të shtuar kuptimin dhe për të zgjeruar rrethin e vetëdijes, ajo atëherë është një metodë profetike që dëgjohet dhe nuk shtypet. Shokët e Profetit e pyetnin atë për shumë çështje dhe ai u përgjigjej atyre, madje disa përgjigje erdhën në Kuran: “Të pyesin ty”. Po ashtu, ajo që Zoti i ka udhëzuar profetit të tij: “Dhe pyeti ata për fshatin…”[2] “Nëse je në dyshim për atë që të kemi shpallur, pyeti ata që lexojnë librin para teje…”[3]
Një udhëzim mahnitës në trajtimin e dyshimit përmes pyetjes… dhe në shumicën e rasteve, me të synohet umeti i tij – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – si dhe theksohet se njohuria e vërtetë merret nga ata që e posedojnë atë , kushdo qofshin ata…
Kur pyetja bëhet si një dritare nga e cila buron drita, sepse ajo është kërkim në atë që është e mundshme dhe e arritshme, e jo në çështjet e paqarta apo të fshehta, të cilat mendja nuk ka rrugë për t’i kuptuar. Atëherë ajo kërkon përgjigjen e urtë dhe të përshtatshme, nuk e bën dijetarin peng të injorantit, dhe e mban derën të hapur për më shumë hetim, verifikim dhe kërkim. Prandaj përfundimi i përgjigjes është: “Allahu e di më së miri”, dhe ndonjëherë e gjithë përgjigjja mund të jetë: “Nuk e di “ apo “nuk kam dijeni”
Është e udhës që disa pyetje të mbeten të hapura, dhe kjo për të nxitur lëvizjen e mendjes dhe për të lënë boshllëqe njohëse që stimulojnë shtimin e dijes: “Dhe thuaj: O Zoti im, ma shto dijen”[4]
Problemi i dijes, problemi i besimit dhe problemi i jetës është: Imitimi i verbër, ndalimi i zhvillimit dhe mendjemadhësia me pak dije apo sipërfqësore: “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.”[5]
Pastaj ka çështje të ndërlikuara dhe të mprehta, për të cilat është mendjemadhësi të nxitosh të japësh një përgjigje që e mbyll derën dhe e paralizon mendimin, ose të dalësh prej tyre me një gjendje shkëputjeje dhe hedhjeje poshtë të besimit.
Lëre të ardhmen të ketë të drejtën e saj, ndoshta do ta gjesh përgjigjen, ose do të heqësh dorë nga pyetja, ose do ta kalosh atë në një fushë tjetër.
Allahu urdhëroi për të pyetur, dhe Profeti (a.s) pyetjen e konsideroi atë shërim për padijen. Halil ibn Ahmed Farahidi e quajti atë çelës për drynat e dijes, dhe dijetarët e kanë këshilluar njëri-tjetrin për të pyetur. Madje Abdullah ibn el-Mubarak pa një nxënës që nuk pyeste, dhe me shaka i tha:
O rob i Allahut, nëse vonohesh të pyesësh, nesër do të kthehesh duarbosh!
Ndihmoje të dijshmin duke pyetur, sepse do ta gjesh atë të shqetësuar duke të mbajtur në pëllëmbë të dorës
Dhe nëse nuk bërtet sikurse vajtuesit, atëherë do të largohesh prej tij duar bosh.
Dikur mësuesi i mësonin nxënësit e tyre si të këmbëngulin në pyetje, dhe jo vetëm të marrin e të mësojnë përmendësh, të tundin kokën dhe të pranojnë pa menduar!
Nuk është e vërtetë ajo që thuhet se Allahu i ka djegur ata engjëj që pyetën
Pyetja i adresohet të gjithë atyre që u njohën me lajmin e madh, mëkëmbësinë e Ademit (a.s) Pyetja e tyre ishte një krahasim me atë që kishin parë më parë dhe që u kishte shkaktuar habi, në të njëjtën tokë. Ata nuk i kuptojnë prirjet, motivet, ndjenjat dhe emocionet e njerëzve, dhe nuk e njohin kuptimin e dëshirës për pasuri, pushtet, dominim apo lidhje trupore. As nuk e njohin natyrën me të cilën Allahu i ka krijuar ata që krijohen nga toka dhe për tokën, sepse ata janë të zhytur në gjendje shenjtërimi, lavdërimi dhe përmendjeje: “Ata e madhërojnë natë e ditë dhe nuk lodhen.”[6]
Pyetja e tyre i hap njeriut fushën e kërkimit për kuptimin e vet, për sekretin e qenies dhe qëllimin e ekzistencës së tij.
Ademi (a.s) nuk u krijua për lavdërim dhe shenjtërim të pastër si një engjëll, por ai u krijua për të ndërtuar, për të zhvilluar, për të zbuluar, për të krijuar dhe për të provuar, dhe për të realizuar veten përmes përpjekjes së vazhdueshme për të mirën, të vërtetën, dashurinë, punën dhe dhënien. Lidhja e tij me Zotin është furnizimi, forca dhe mbrojtja e tij nga dëshpërimi dhe humbja, si dhe nga padrejtësia dhe agresioni.
Pyetja e engjëjve duket sot, dhe përgjatë epokave, si një tregues i korrupsionit të madh, padrejtësive dhe derdhjes së gjakut nën justifikime të ndryshme, me të cilat është mbushur historia e qytetërimit! Po çfarë mund të thuhet për historinë e prapambetjes, primitizmit dhe injorancës?
Ndërsa përgjigjja hyjnore na fton të reflektojmë përtej kësaj, mbi kuptimet pozitive dhe për të parë anën tjetër të ekzistencës së njeriut, atë anë ku e mira e tij mbizotëron me siguri të plotë, edhe nëse ekziston ndonjë e keqe.
“Unë di atë që ju nuk e dini”[7] pra, ju përdorët analogjinë dhe e menduat Ademin (a.s) – sipas analogjisë së popujve – të prapambetur, të egër dhe me mendje të mangët, ndërsa Allahu e di për virtytin, pasardhësit, veçantinë, nderimin dhe mëshirën e Tij ndaj tij atë që ju nuk e dini. Ai është një rob i lidhur me Zotin, në njohje, dashuri, frikë dhe shpresë dhe i lidhur me tokën, në ndërtim, zbulim dhe krijimtari. Ai u krijua për t’i shtuar vlerë tokës, si dhe diellit, hënës, yjeve dhe qiejve. Prania e tij në to zbuloi mrekullinë e tyre, shfaqi nënshtrimin e tyre, dhe sqaroi qëllimet, urtësitë dhe synimet e tyre, si dhe zbuloi sekretet e tyre.
Përgjatë shekujve kanë qenë profetët, njerëzit e devotshëm, të sinqertët dhe dëshmorët, kanë qenë namazet, lutjet, vetmitë shpirtërore, përulësia dhe lotët, kanë qenë sprovat dhe durimi, vështirësitë dhe lehtësimet, ngushtica dhe shpresa, trishtimi dhe gëzimi, përpjekja, gabimi dhe e sakta, mëkati dhe pendimi, afrimi, largimi dhe qortimi… dhe ka pasur e ka pasur shumë të tjera!
Përgjatë këtyre shekujve ka pasur zbulim dhe mësim, aventurë dhe krijimtari, sukses dhe dështim, problem dhe zgjidhje, kërkim dhe pengesa, arritje dhe shërbime, lehtësim dhe zhvillim, si dhe teori të dijes…
Secili prej nesh mund të lexojë tek e gjithë veprimtaria njerëzore një anë të bukur dhe të mirë, megjithëse ka mbizotëruar gjuha e pesimizmit, e sharjeve, e komplotit, e konfliktit dhe e ndërprerjes së marrëdhënieve, derisa ne myslimanët pothuajse e kemi harruar urtësinë e Krijuesit në krijimin e jetës dhe të njerëzve, qofshin të mirë apo të këqij, gabimtarë apo të drejtë, besimtarë apo jobesimtarë.
Secili prej nesh mund të ndiejë diçka nga sekretet e krijimit të tij nën hijen e kësaj përgjigjeje hyjnore: “Unë di atë që ju nuk e dini”, në vend të dëshpërimit dhe humbjes së shpresës, dhe qëndrimit të gjatë përballë vështirësive të jetës, dështimeve dhe sprovave të saj, ose dëshirës për ta shkurtuar rrugëtimin, për të pritur fundin dhe për të nxituar largimin.
Le të besojmë në urtësinë dhe bukurinë e jetës, sepse ajo buron nga Allahu i Urtë, i Bukur, i Mirë dhe Durimtar. Le të jetë ky besim një shtysë për ta shijuar jetën dhe për të përjetuar bukuritë e saj, si dhe një nxitje për të dhënë kontribut krijues, qoftë shkencor apo letrar, sado i vogël qoftë, sepse bujaria vjen nga ajo që kemi.
Le të jetë veprimi ynë për të mirën, mirësia jonë ndaj të tjerëve dhe durimi ynë ndaj tyre një interpretim i bukur i përgjigjes së madhe hyjnore.
Le të përsërisim me engjëjt, për atë që na lodh në kuptim dhe njohje, përgjigjen e pamundësisë për të ditur emrat: “I Lartësuar qofsh Ti, ne nuk kemi dije përveç asaj që na ke mësuar; vërtet Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti.”[8]
Le të marrim nga Ademi (a.s) sekretin e frymëzimit dhe të lartësimit, guximin në mendim dhe përulësinë në krijim dhe origjinë, sepse dija nuk merret as nga i turpshmi që nuk pyet dhe as nga mendjemadhi.
Autor: Selman Aude
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kehf: 70.
[2] – Sure A’raf: 163.
[3] – Sure Junus: 94.
[4] – Sure Taha: 114.
[5] – Sure Rum: 7.
[6] – Sure Enbija: 20
[7] – Sure Bekare: 30.
[8] – Sure Bekare: 32.



















