Vargu i milingonës gjendet në suren Neml, në kontekstin e përshkrimit të kortezhit të Profetit të Allahut, Sulejmanit (a.s.), dhe ushtrisë së tij prej njerëzve, xhinëve dhe shpendëve, kur ata kaluan pranë një lugine të milingonave. Atëherë një milingonë tha: “O milingona! Hyni në banesat tuaja, që të mos ju thërrmojë Sulejmani dhe ushtria e tij, pa e kuptuar.”[1]
Kjo shprehje kuranore, “që të mos ju thërrmojë”, ka tërhequr vëmendjen e komentuesve të hershëm dhe të studiuesve bashkëkohorë, për shkak të saktësisë së saj gjuhësore dhe të një treguesi shkencor, i cili është zbuluar vetëm në dekadat e fundit dhe lidhet me strukturën e jashtme të milingonave dhe mekanikën e thërrmimit të saj.
Së pari: Saktësia gjuhësore në përzgjedhjen e fjalës “thërrmojë”
1 – Kuptimi leksikor
Në fjalorët arabë, si “Lisān el-Arab” dhe “Muhtār es-Sihāh”, thuhet se fjala “hatame” do të thotë të thyesh dhe ta copëtosh diçka në grimca, dhe përdoret zakonisht për të përshkruar thyerjen e një objekti të thatë e të fortë, si kocka, qelqi ose bimët e thata.
Ky kuptim i veçantë e dallon thërrmimin nga fjalë të tjera, si:
vret: është një kuptim i përgjithshëm për marrjen e jetës, pa përshkruar mënyrën e veprimit.
shtyp me këmbë / shkel: përshkruan lëvizjen dhe veprimin, jo rezultatin.
shtyp dhe bluan: nënkupton copëtimin në grimca, por nuk lidhet posaçërisht me trupat e brishtë.
2 – Shpjegimi i komentuesve të mëdhenj
Komentuesit e hershëm e kanë kuptuar këtë saktësi. Taberiu ka thënë: “që të mos ju thyejë”, ndërsa Kurtubiu e ka lidhur thërrmimin me vogëlsinë e milingonës dhe fortësinë e trupit të saj, duke konsideruar se, po të ishte trupi i saj i butë, ajo nuk do të thërrmohej nga shkelja.
Kjo dëshmon se lidhja ndërmjet fjalës dhe realitetit fizik të milingonës ka qenë e pranishme në vetëdijen e komentuesve prej shekujsh.
Së dyti: E vërteta shkencore: struktura e jashtme e milingonës
1 – Përbërja e mbështjellësit të jashtëm
Milingona, ashtu si insektet e tjera, zotëron një skelet të jashtëm, i cili kryen funksionin e kockave te vertebrorët, por e mbështjell trupin nga jashtë dhe përmbush njëkohësisht dy role: mbrojtjen mekanike dhe mbështetjen strukturore.
Ky mbështjellës përbëhet nga një material i përbërë natyror, me një strukturë mahnitëse, i cili përfshin:
Kitinën: që është një polimer organik me zinxhir të gjatë, i prejardhur nga një sheqer i modifikuar i quajtur N-acetilglukozaminë.
Për nga struktura kimike i ngjan celulozës, e cila gjendet në dru, por është mekanikisht më e fortë dhe më rezistente ndaj konsumimit.
Kitina formon fibra mikroskopike jashtëzakonisht të imëta, të cilat i japin mbështjellësit rezistencë të lartë ndaj tërheqjes, domethënë aftësinë për t’u përballur me forcat e tërheqjes dhe shqyerjes pa u thyer.
Proteina e ngurtësuar: Është një proteinë strukturore që i nënshtrohet një procesi kimik të njohur si ngurtësimi ose sklerotizimi, që është një proces lidhjeje të kryqëzuar ndërmjet molekulave. Ky proces e shndërron matricën nga një material i butë në një material të fortë dhe të ngurtë, rezistent ndaj ujit.
Ky ngurtësim i jep skeletit të jashtëm fortësi të lartë, së bashku me aftësinë për t’u rezistuar forcave të ngjeshjes.
Kjo strukturë e dyfishtë (fibra të forta + matricë e ngurtë) i ngjan plotësisht asaj që shohim te materialet e përbëra të projektuara nga njeriu, si fibra e karbonit dhe fibra e qelqit, por krijimi i Allahut e ka paraprirë këtë projektim me miliona vjet.
2 – Struktura shtresore (Struktura hierarkike e shtresuar)
Skeleti i jashtëm i milingonës nuk është një shtresë e vetme dhe homogjene, por një strukturë hierarkike me shumë shtresa, secila prej të cilave ka një funksion të veçantë mekanik:
Ekzokutikula (Exocuticle): Është një shtresë e jashtme e trashë, e karakterizuar nga fortësi e lartë, por në të njëjtën kohë është e brishtë, domethënë mund të thyhet papritur kur tejkalohet kufiri i saj i qëndrueshmërisë.
Ajo vepron si një “mburojë mbrojtëse” kundër gërvishtjeve dhe depërtimeve mekanike, por ka aftësi më të kufizuar për të përthithur goditjet e mëdha.
Endokutikula (Endocuticle): Është një shtresë më e butë dhe elastike, që përmban fibra kitine më pak të ngurtësuara, gjë që i jep asaj aftësi të lartë për përthithjen e energjisë dhe shpërndarjen e tensionit gjatë goditjeve.
Kjo shtresë pengon përhapjen e çarjeve nga shtresa e jashtme drejt pjesës së brendshme të trupit dhe kjo është e njëjta strategji që përdoret në inxhinierinë moderne për projektimin e mburojave mbrojtëse.
Ky projektim i dyfishtë (i fortë nga jashtë, elastik nga brenda) njihet në shkencën e materialeve si “materiale të shtresuara me përbërje të shkallëzuar”, një teknikë e përparuar në projektimin e materialeve për mbrojtjen e strukturave nga shkatërrimi.
Së treti: Mekanika e thërrmimit (Mekanika e frakturës)
1 – Sjellja e materialit nën ngarkesë
Materialet e ngurta dhe të brishta, si ekzokutikula e milingonës, nuk deformohen në mënyrë elastike kur tejkalojnë kufirin e qëndrueshmërisë së tyre, por shkatërrohen papritur përmes çarjes dhe thyerjes së brishtë.
Kjo mënyrë shkatërrimi ndryshon nga ajo e materialeve elastike, të cilat përthithin goditjet dhe përkulen përpara se të thyhen.
Kjo sjellje është përshkrimi i saktë i fjalës kuranore “që të mos ju thërrmojë”, pasi thërrmimi këtu nënkupton copëtimin dhe thyerjen e papritur.
2 – Vetitë mekanike të skeletit të jashtëm të milingonës
A – Fortësia (Hardness ≈ 0,7 GPa)
Përkufizimi: Matës i rezistencës së sipërfaqes ndaj gërvishtjes ose depërtimit.
Njësia: GPa (gigapaskal) = një miliard paskalë (forcë/sipërfaqe).
Vlera te milingona: ≈ 0,7 GPa, gjë që e bën atë më të fortë se thoi i njeriut (≈ 0,5 GPa) dhe më të afërt me disa materiale plastike të forta.
Për krahasim:
Qelqi i zakonshëm: ≈ 5,5 GPa.
Thonjtë e njeriut: ≈ 0,5 GPa.
Skeleti i milingonës: ≈ 0,7 GPa.
B – Moduli i Jangut (Young’s Modulus ≈ 20 GPa)
Përkufizimi: Matës i ngurtësisë strukturore të materialit dhe i aftësisë së tij për t’i rezistuar deformimit kur i nënshtrohet forcave të tërheqjes ose të ngjeshjes.
Vlera te milingona: ≈ 20 GPa, pra është më e ngurtë se druri (≈ 10 GPa) dhe më pak e ngurtë se alumini (≈ 69 GPa), por i afrohet materialeve inxhinierike me performancë të lartë.
Për krahasim:
Goma: ≈ 0,01 GPa (shumë elastike).
Druri: ≈ 10 GPa.
Alumini: ≈ 69 GPa.
3 – Zbulimi më i fundit – Mburoja minerale biologjike (Biomineral Armor)
Në vitin 2020, një ekip kërkimor i drejtuar nga Li et al. zbuloi se disa lloje milingonash, si Acromyrmex echinatior, zotërojnë një shtresë sipërfaqësore minerale biologjike, e përbërë nga kalciti i magnezit (CaMg(CO₃)₂).
Efekti mekanik: Fortësia dyfishohet, nga ≈ 0,7 GPa në ≈ 1,55 GPa, duke iu afruar fortësisë së qeramikës.
Modeli i thyerjes: I ngjan thyerjes së brishtë të materialeve qeramike (Ceramic Brittle Fracture), ku mburoja copëtohet papritur kur merr një goditje të fortë.
Së fundmi:
Nga përsiatja mbi fjalën “që të mos ju thërrmojë”, na bëhet e qartë se Kurani i Madhërishëm ka përdorur një shprehje me saktësi të jashtëzakonshme, e cila bashkon mrekullinë gjuhësore, që shpreh thyerjen e papritur të trupave të brishtë, me mrekullinë shkencore, të cilën e kanë zbuluar kërkimet bashkëkohore rreth natyrës mekanike të skeletit të jashtëm të milingonës.
Skeleti i përbërë nga kitina dhe proteina e ngurtësuar, i ndërtuar me një strukturë shtresore të shkallëzuar, përputhet në sjelljen e tij nën presion me konceptin e “thërrmimit” të përmendur në ajet. Madje, zbulimet e fundit mbi ekzistencën e një shtrese minerale biologjike te disa lloje milingonash, e cila ia dyfishon fortësinë dhe e bën më të ngjashme me materialet qeramike, konfirmojnë se ky përshkrim kuranor shpreh me saktësi një realitet fizik që nuk u njoh deri në shekullin XXI.
Kështu, shpallja hyjnore, e cila zbriti më shumë se katërmbëdhjetë shekuj më parë, takohet me shkencën moderne në një pikë të vetme, për të vërtetuar se ky Libër madhështor është nga Allahu i Lartësuar, i Cili thotë: “Ne do t’ua tregojmë atyre shenjat Tona në horizonte dhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ai është e vërteta.”[2]
Autor: Firas Uelid
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Neml: 18.
[2] – Sure Fussilet: 53.



















