Luftimet që ndodhën mes sahabëve të nderuar në kohën e halifëve të drejtë tregojnë një nga dy gjërat:
E para: se ata e dinin që ekzistonte një sistem politik që duhej zbatuar dhe se duhej t’i referoheshin atij, por nuk e bënë këtë duke ndjekur pasionin apo interesin personal. Kjo është shumë e largët si mundësi, sepse ata ishin njerëzit me zemrat më të pastra të këtij umeti e kuptonin më mirë se kushdo tjetër ligjin e Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij (a.s_.
Mundësia e dytë: se në atë që kishin kuptuar nga feja, ata nuk gjetën një sistem politik të formuluar në mënyrë të plotë dhe të detajuar, gjë që i detyroi të bënin ixhtihad (përpjekje interpretative). Dhe me ixhtihadin ndodhi edhe mospajtimi, madje edhe luftimi.
Kjo mundësi është më e forta dhe më e mundshmja.
Ligjvënësi i Urtë vendosi parime dhe vlera të larta që duhet të respektohen dhe të shërbehen në çdo sistem politik — dhe ato janë të pakta në numër — si: shura (këshillimi), drejtësia, ndershmëria, mosshfrytëzimi i pushtetit dhe përpjekja maksimale për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm.
Shërbimi i këtyre parimeve kërkon sisteme të ndryshme, ndër më të rëndësishmit sistemi politik dhe sistemi administrativ.
Sistemi është një rrjet metodash, mjetesh, procedurash, teknikash dhe rregulloresh organizative. Kjo do të thotë se ai është i përkohshëm, zhvillues dhe ndërveprues me realitetin. Kjo nënkupton se shpallja hyjnore nuk i dha myslimanëve një sistem të detajuar qeverisjeje, sepse nëse ajo do ta kthente atë që nga natyra është e ndryshueshme në diçka të pandryshueshme, do t’i vinte njerëzit në vështirësi të madhe.
Omer ibn Hatabi (r.a) ishte ndoshta strategu më i madh në historinë e myslimanëve. Ai u përpoq të krijonte një sistem politik që t’u shërbente parimeve të përmendura dhe realizoi vepra vërtet gjeniale. Por çfarë ka mbetur sot nga sistemet e Omerit?
Sot ne flasim për vlerat madhore që u mishëruan në qeverisjen e tij, por e gjejmë veten në nevojë për sisteme më të ndërlikuara, më të sakta dhe më të zhvilluara se ato që ai vendosi. Kjo buron nga një ligj hyjnor: një fazë e mëparshme nuk mund ta përmbajë plotësisht një fazë të mëvonshme.
Pyetja sot është: a qëndron problemi i vuajtjeve të myslimanëve në mosrespektimin e parimeve që respektoi Omeri, apo në moszbatimin e procedurave organizative që ai ndoqi?
Pa dyshim, problemi i sotëm i myslimanëve qëndron në largimin nga vlerat dhe parimet që Omeri i përqafoi dhe i bëri themel të shtetit të tij.
Përfundim:
Ajo që kërkohet sot është formulimi ose përshtatja e sistemeve që i shndërrojnë parimet nga fjalë morale e retorike në një realitet të jetuar nga njerëzit, të mbrojtur nga ligji dhe të përkrahur nga shoqëria.
Kjo është bindja ime. Mund të jem gabim, por, falë Allahut, nuk kam thënë veçse atë që e besoj si të drejtë. Allahu është Ai që udhëzon në rrugën e drejtë.
Autor: Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















