Të nderuar vëllezër dhe motra!
Në një hadith transmetohet se një bedeuin erdhi tek Profeti (a.s) dhe e pyeti se kur është Dita e gjykimit. Sa herë që të Dërguarit të Allahut (a.s) i është drejtuar kjo pyetje nuk i është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë, se çfarë dobie ka nëse njeriu e di datën, orën dhe sekondën në të cilën ajo do të ndodhë, dhe mbi të gjitha ajo është një nga ato njohuri të cilat i di vetëm Allahu i Madhëruar. Kështu pra, Profeti (a.s) nuk i dha përgjigje kësaj pyetje, madje vetë ai (a.s) i bëri pyetësit një pyetje: “Çfarë ke përgatitur ti për të? Kjo pyetje është ajo që në lidhje me këtë temë duhet të shtrohet. Ajo mund të ndodhë nga çasti në çast, sepse edhe nëse njeriu nëse nuk e përjeton Kiametin e Madh, çdo njeri e përjeton Kiametin e vogël, që është vdekja, ashtu sikur kanë thënë dijetarët. Dhe Kiameti vogël është i pritshëm që të vijë në çdo çast, orë, minutë dhe sekondë. Pyetja e vërtetë në këtë kontekst është: a jemi ne të përgatitur për Kiametin tonë me din, iman dhe vepra të mira, apo ne jemi në gaflet dhe të shkujdesur ndaj tij. Bedeuini tha: Unë nuk kam bërë shumë punë të mira, por e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këto fjalë burojnë nga zemra dhe tregojnë sinqeritetin e këtij bedeuini. Me sinqeritet të plotë ai tregon se nuk është se peshoren e veprave të mira e ka të ngarkuar, por përtej kësaj ai ka një vepër shumë të mirë me të cilën ai është përgatitur për Kiametin e tij: Ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kur Profeti (a.s) i dëgjoi këto fjalë tha: “Njeriu do të jetë me atë që do, në Ditën e Kiametit.” Përderisa ti dëshmon dhe e deklaron se e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, atëherë në Ditën e Kiametit ti do të jesh në taborrin e besimtarëve që do të orientohen dhe do të futen në Xhenet.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Islami nuk merret vetëm me atë që shfaqet në gjuhë apo në veprime, por mbi të gjitha merret me zemrën. Sepse zemra është mbreti i trupit, dhe sipas saj drejtohen gjymtyrët. Për këtë arsye Pejgamberi (a.s) na ka lënë një fjalë të shkurtër në formë, por shumë të thellë në kuptim: “Njeriu është me atë që do.” Kjo thënie nuk është vetëm lajm, por ligj hyjnor, që vepron në dynja dhe në Ahiret.
Kuptimi i kësaj thënieje është se : njeriu do të tubohet, do të ringjallet dhe do të gjykohet me atë që e do me zemër. Në qoftë se njeriu në këtë botë e do Allahun, Allahu është me të në Dynja dhe Ahiret. Nëse njeriu e do të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe të gjithë të Dërguarit e tjerë (a.s), ai në Ahiret do të jetë në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe gjithë profetëve. Nëse njeriu e do Kuranin, atëherë ai do të ringjallet dhe Kurani do të jetë ndërmjetsuesi i tij në Ditën e Kiametit. Nëse njeriu e do fenë e Allahut, ajo është rruga e drejtë që do ta drejtojë rrugës për në Xhenet. Nëse njeriu i do besimtarët dhe muslimanët ai do të ringjallet në shoqërinë e tyre në Ditën e Kiametit. Nëse ai e do besimin, dinin, veprat e mira dhe çdo gjë tjetër të mirë, do të ringjallet me të në Ditën e Kiametit.
Kur flasim për dashurinë, themi se ajo është ajo ndjenjë e fuqishme që buron nga zemra. Prandaj secili prej nesh duhet të kujdeset në maksimum që zemra e tij të jetë e pastër, e shëndoshë dhe e mirë. Zemra e gjithësecilit prej nesh duhet të mbushet me dashurinë për Allahun, fenë e tij, të Dërguarin e Tij, për Kuranin, për Xhenetin dhe mirësitë e tij. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Allahu ua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja.” Kurse Profeti (a.s) i drejtohej Allahut në lutje me këto fjalë: “O Allah, unë të kërkoj dashurinë Tënde, dashurinë e atyre që të duan Ty dhe veprën që më çon drejt dashurisë Tënde. O Allah, bëje dashurinë Tënde më të dashur për mua sesa vetja ime, familja ime dhe sesa uji i ftohtë për atë që ka etje nga vapa e madhe”
Të nderuar vëllezër dhe motra!
“Njeriu do të ringjallet me atë që do” Përmes kësaj fjale, Profeti (a.s) na tregon se dashuria formon sjelljen, sjellja formon përkatësinë dhe përkatësia përcakton destinacionin. Në qoftë se e duam Allahun, atëherë raportet dhe sjelljet tona me Të do të jenë të shëndosha dhe korrekte. Në qoftë se njeriu e do Kuranin sjellja dhe morali i tij do të jetë Kurani. Nëse njeriu e do Profetin (a.s) atëherë sjellja e tij do të jetë si ajo e të Dërguarit të Allahut. Nëse njeriu e do fenë e Allahut, atëherë ai është krenar me fenë e tij … e kështu me rradhë. Dashuria për Allahun, Librin e Tij, Profetin e Tij, fenë e Tij formon tek njeriu sjelljen, moralin dhe karakterin e njeriut, besimtar, musliman, adhurues mëkëmbës të Allahut në Tokë, dhe kjo përkatësi ka vetëm një destinacion…Xhenetin e amshueshëm, të cilin Allahu i Madhëruar e ka përgatitur për robërit e tij besimtarë që e duan Atë dhe Ai i do ata.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Ky rregull, ashtu sikurse vlen për dashurinë ndaj të mirës, po ashtu edhe vlen edhe për dashurinë ndaj të keqes. Kështu që nëse njeriu do mosbesimin, në vend të besimit, nëse do idhujt në vend të Allahut, nëse do errësirën në vend të dritës, nëse e do të keqen në vend të së mirës, nëse do padrejtësinë në vend të drejtësisë, nëse do shejtanin, nëse do njerëzit e këqinj e zullumqarë, nëse do dynjanë, nëse do pasurinë – dhe pasurinë të gjithë e duan, sepse ajo është një ndjenjë të cilën Allahu e ka instaluar në zemrën e çdo njeriu – por që e fiton dhe e shpenzon atë në rrugë të ndaluar, në Ditën e Kiametit – padyshim – njeriu do të ringjallet me të dashurit e tij, me idhujt, me errësirën, me të keqen, me shejtanin, me padrejtësinë me dashurinë për dynjanë, pasurinë..etj. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Tubojini ata që bënë padrejtësi dhe të ngjashmit e tyre!” “Ju dhe ata që i adhuroni do të jeni lëndë djegëse e Xhehenemit.” Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo popull do të ringjallet me atë që e ka pasë adhuruar.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Prandaj është detyrë e gjithësekujt prej nesh që të bëjë zgjedhjen e duhur në dashurinë e tij: midis besimit dhe mosbesimit, midis dritës dhe errësirës, midis Allahut dhe idhujve, midis të mirës dhe të keqes, midis Dynjasë dhe Ahiretit, midis rrugës së drejtë dhe rrugës së gabuar, midis të Vërtetës dhe të Kotës… e kështu me rradhë. Nuk ka dyshim se zgjedhja e duhur është dashuria për Allahun, të Dërguarin e Tij, fenë, Librin e Tij…etj. Sepse kush e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij do të jetë me të në Ditën e Kiametit dhe kush e do të Kotën e shejtanin me to do të tubohet në Ditën e Kiametit.
O Allah, na e pastro zemrën nga dashuritë e gabuara, na mbush zemrat me dashurinë për Ty, për Librin Tënd dhe për të Dërguarin Tënd. O Allah, na ringjall me të dashurit e Tu, dhe mos na tubo me ata që zemrat i lidhën me tjetërkënd përveç Teje.
Amin!
Imam – hatib: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















