Në Mekë, Profeti (a.s) njihej me epitetin “I Sinqerti Besnik”, saqë shumica e parisë së Mekës i vendosnin paratë tek ai për t’i ruajtur. Madje kishte prej atyre që ia jepnin paratë për të bërë tregti dhe pastaj e shpërblente prej parave të fitimit. Me këto para (të shpërblimit), Profeti (a.s) e ndihmonte xhaxhain e tij, Ebu Talibin.
Në Mekë, jetonte një grua e mençur që quhej Hatixhe bintu Huejlid. Ajo ishte e pasur dhe merrej me tregti. Më parë ajo ishte martuar me një burrë të pasur, i cili vdiq duke i lënë një pasuri të madhe. Pastaj u martua me një burrë tjetër të pasur, i cili edhe ky vdiq, e i la asaj pasurinë e vet.
Për mbarvajtjen e tregtisë, ajo punësonte burrat. Duke qenë se njerëzit në atë kohë jetonin në periudhën paraislamit, është mëse e sigurtë se atë mund ta kenë vjedhur disa herë.
Kështu që kur dëgjoi për sinqeritin, besnikërinë dhe moralin e Profetit (a.s), ajo dërgoi dikënd që ta thirrte atë. Ajo i propozoi Profetit (a.s) që të shkonte për tregti në Sham dhe i premtoi se do t’i jepte shpërblim më tepër se kushdo tjetër. Profeti (a.s.) pranoi. Bashkë me të u nis për rrugë një shërbëtor i Hatixhes që quhej Mejsere derisa mbërriti në Sham.
Gjatë rrugës, Profeti (a.s) pushoi nën hijen e një peme që ishte pranë një faltore të një murgu. Murgu e pyeti Mejseren:
Kush është ai burri i cili po pushon nën hijen e asaj peme?
Ai është kurejshit – u përgjigj Mejsere.
Murgu tha: Nën hijen e asaj peme nuk pushon askush përveç atij që është profet.
Në Sham, Profeti (a.s) shiti mallin që kishte dhe bleu mallra të tjera dhe pastaj u kthye në Mekë bashkë me Mejseren. Mejsereja vërente se kur vapa arrinte kulmin, dy melekë i bënin hije atij duke zënë diellin. Kur mbërriti në Mekë, Profeti (a.s) ia dorëzoi mallin Hatixhes, e cila vuri re se fitimet e saj ishin shumë të mëdha. Kjo gjë nuk kishte ndodhur më parë. Për këtë ajo e pyeti Mejseren, i cili i foli asaj për moralin, sinqeritetin dhe besnikërinë e Profetit (a.s). Ai i foli edhe për bisedën që kishte bërë me murgun si dhe për hijen që i kishin bërë dy melekët.
Hatixhja shkoi tek djali i xhaxhait të saj i cili ishte i krishterë, ai kishte lexuar Librin dhe kishte dijeni për cilësitë e Profetit të fundit. Ai i dha lajmin e gëzueshëm, se cilësitë e Profetit të fundit përkonin me cilësitë e Muhamedit.
Duke parë këto cilësi të mrekullueshme që gjendeshin tek Profeti (a.s), ajo mendoi që të martohej me të, por si? Duke qenë e zhytur në këto mendime, në shtëpi i vjen për vizitë shoqja e saj Nefisja. Gjatë bisedës me saj, ia hapi zemrën dhe i tregoi për dëshirën që kishte.
Kur Nefisja doli nga shtëpia e saj, shkoi tek Profeti (a.s) dhe i propozoi që ai të martohej me Hatixhen. Ajo i tha:
O Muhamed! Çfarë të pengon që të martohesh?
Unë nuk e kam në dorë që të martohem – u përgjigj ai.
Po nëse të propozon për martesë një grua e pasur, e bukur dhe fisnike, a do të pranoje – e pyeti ajo?
E kush është ajo- pyeti Profeti (a.s)
Hatixhja – u përgjigj ajo.
Nëse ajo pranon edhe unë pranoj – tha ai.
Nefisja rendi për t’i dhënë Hatixhes lajmin e gëzuar. Kurse Profeti (a.s) i lajmëroi xhaxhallarët e tij se dëshironte të martohej me Hatixhen. Kështu që Ebu Talibi, Hamzai dhe të tjerët shkuan tek xhaxhai i Hatixhes dhe kërkuan dorën e saj për Muhamedin dhe ranë dakord.
Në ditën e dasmës, Ebu Talibi mbajti një fjalim, u krye akti i martesës, u therrën shumë kurbane, të cilat iu shpërndanë të varfërve dhe shtëpia e Hatixhes u hap për familjarët dhe të afërmit. Lajmi u përhap gjithandej se “I Sinqerti, Besniku” u martua me Hatixhen.
Profeti (a.s) kaloi me Hatixhen një jetë shumë të bukur. Allahu i dhuroi atij: Kasimin, Abdullahun, Rukijen, Umu Kulthumin dhe Fatimen.
By: ardhmëriaonline.com



















