Projektimi hyjnor i furnizimit (rizkut)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sa krijesa vallë gjenden në Tokë? Sa peshq në det? Sa insekte fluturojnë ose zvarriten mbi tokë? Sa është numri i gjitarëve? Sa bletë ka e sa palma?

Janë shifra që nuk i di askush përveç Allahut të Lartësuar. Është Ai që ua rregullon, projekton dhe siguron atyre furnizimin (rizkun), me mënyra që ua lehtëson ose ua frymëzon. Mënyra që as na shkojnë ndër mend dhe as mund t’i përfytyrojmë: nga bimët te organizmat mikroskopikë, nga gjaku te frutat.

Mund të shohësh një luan që bëhet shkak për furnizimin e një gazele; dhe të shohësh një balenë gjigante që furnizohet me tonelata planktoni (organizma mikroskopikë detarë). Le të njihemi, përmes shembujve, me disa prej këtyre mënyrave të furnizimit.

Lakuriqi i natës vampir, Allahu ia ka bërë furnizimin në gjakun e kafshëve: ai pi gjak nga shpina e një kali ose nga këmba e një pule, ndërkohë që ato janë të gjalla dhe nuk e ndiejnë, sepse ai kryen fillimisht një mpirje lokale, pastaj pret një arterie të vogël dhe sekreton një substancë që pengon mpiksjen e gjakut, e më pas e pi atë.

Po kështu, këto flutura që kanë nevojë për kripëra, furnizimin e tyre e marrin nga sytë e gjitarëve të mëdhenj, si elefanti, kali e të tjerë. Krijuesi i ka pajisur me një aparat thithës, me të cilin stimulojnë sytë e këtyre kafshëve të prodhojnë lot, që përmbajnë kripëra të ndryshme të tretura në ujë të pastër; më pas ato i thithin, dhe ky është furnizimi i tyre.

Disa krijesa Allahu i vë në shërbim të të tjerave, me udhëzim prej Tij dhe me habinë tonë. Kështu, që është vënë re se disa peshq të vegjël në një pellg të vogël, të harruar nga njeriu dhe të goditur nga uria, u erdhi një zog për t’i ushqyer.

I Lartësuar qoftë Ai që nuk harron kurrë; i Lartësuar qoftë Ai tek i Cili është furnizimi dhe që e zbret atë sipas masës dhe vullnetit të Tij.

“Dhe në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju është premtuar. Pasha Zotin e qiellit dhe të tokës, kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë që ju flisni.”[1]

Autor: Sami Hamis Ez Zuman

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Dharijat: 22-23.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.