Objektivi i parë: Ngritja e një populli të reformuar. Pra thënë ndryshe: “Çfarë synojmë ne”? Ne nuk synojmë kapjen e shtetit, qeverisë, strukturave apo sistemit qeverisës. Ne synojmë formimin e një populli të drejtë dhe të reformuar. Një popull reformohet dhe bëhet i drejtë e i dobishëm, kur përmbush disa kritere. Nëse ne synojmë ngritjen e një populli, duhet që në këtë popull të konkretizohen disa cilësi. Ajo që kërkohet në krye të të gjitha këtyre është, që populli të ketë parime dhe vlera, sepse mesazhi i Islamit:
– është mesazh edukativ, para se të jetë mesazh organizativ apo legjislativ,
– është mesazh i vlerave morale dhe parimeve të qëndrueshme, para se të jetë mesazh i Xhihadit dhe luftës,
– është mesazh parimesh praktike, para se të jetë mesazh (teorik) që përhapet dhe zgjerohet.
Duhet ta kemi gjithmonë parasysh se mesazhi ynë është mesazh moral, para se të jetë çdo lloj gjëje tjetër. Ne (si xhemat) kërkojmë të ndërtojmë një popull, ku pjesëtarët e tij e duan njëri-tjetrin janë të lidhur mes tyre dhe kanë një mesazh. Ky është objektivi ynë i parë.
Objektivi i dytë: Ky popull të sakrifikojë, të punojë për fenë dhe të flijojë edhe gjënë më të shtrenjtë për të:“Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut”.([1])
Objektivi i tretë: Në ballë të këtij Umeti duhet të qëndrojë një qeveri e përshtatshme, e cila i zbaton dispozitat e fesë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Zbatojeni fenë e drejtë…”.([2]) Misoni i qeverisë është zbatimi i fesë. Prandaj qeveria duhet të jetë reformatore dhe kompetente, të jetë në shërbim të popullit dhe të mos mendojë apo besojë se udhëheqja dhe mbizotërimi i takon apo e meriton. Burimi i pushtetit të saj duhet të jetë burimi hyjnor: “Atij nuk mund t`i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë”([3]) dhe “Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë”.([4])
Për këto arsye, qeveria islame duhet të jetë:
– Manifestuese e koncepteve hyjnore dhe e ekuilibruar në zgjedhjet e saj.
– Pozitive në këndvështrimin që ka për gjithësinë, njeriun dhe jetën.
– E moralshme në objektivat dhe metodat që ndjek.
– Realiste në bashkëveprimin me individin dhe shoqërinë.
– Gjithëpërfshirëse në metodologjinë e saj.
– Universale në thirrjen dhe misionin e saj.
– Konsultative në veprimet e saj.
– Ushtarake dhe e disiplinuar.
Në të vërtetë, të gjitha këto janë specifika dhe veçori të thirrjes Islame. Ne punojmë për instalimin e këtyre specifikave në tokë, duke pasur parasysh gjithmonë këto koncepte:
1- Feja e Allahut do të mbizotërojë dhe sundojë, vetëm atëherë kur në shoqëri do të ngadhënjejnë vlerat, moralet, traditat dhe zakonet islame.
2 – Mbizotërimi dhe sundimi i fesë së Allahut do të jetë gjithëpërfshirës. Islami përfshin të gjitha fushat e shoqërisë. Ne nuk jemi një xhemat selektiv që përzgjedh disa dhe braktis të tjerët, por jemi një xhemat këmbëngulës, që përpiqet me të gjitha mundësitë për aplikimin e Ligjit të Allahut në tokë, Ligj që përfshin – në të njëjtën kohë dhe pa asnjë dallim – të bardhin dhe të ziun, arabin dhe joarabin, aristokratin dhe masën e gjerë. Xhemati ynë ia sqaron fenë e Allahut të gjitha shtresave shoqërore, duke mos bërë seleksionim në bazë të shtresës shoqërore, të nivelit kulturor apo duke u bazuar në ndonjë kriter tjetër.
3 – Mbizotërimi dhe sundimi i fesë së Allahut nuk realizohet nëpërmjet dhunës dhe represionit, por realizohet me dëshirë, vullnet të lirë, përzgjedhje, bindje dhe besim, të cilat vazhdojnë përgjatë gjithë jetës së njeriut: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t`i shpërblejë falënderuesit”.([5])
4 – Metodologjia nuk mund të realizohet në afate të shkurtra, prandaj duhen vendosur patjetër strategji afatgjata – pa harruar as strategjitë afatshkurtra -, duke punuar pa ndërprerje.
5 – Puna për sundimin e fesë së Allahut nuk është thjesht çështje atdhetare, as kombëtare dhe as rajonale, por është një çështje universale: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”.([6])
Ne kemi nevojë që ta ndërgjegjësojmë shoqërinë dhe ta lartësojmë nivelin e saj, me qëllim që Islami të jetë referenca e sjelljeve, bindjeve dhe veprave individuale, ndërsa më pas kalon në nivel shoqëror. Kështu Islami bëhet referenca e shoqërisë në çdo çështje dhe pa asnjë përjashtim.
Autor: Hasan El Benna
([1]) – Kurani: Teube, ajeti: 111.
([2]) – Kurani: Shura, ajeti: 13.
([3]) – Kurani: Fusilet, ajeti: 42.
([4]) – Kurani: Enam, ajeti: 38.