Historia Omejade midis padrejtësisë dhe drejtësisë
Harta e shtetit Omejad
Kërkimi mbi të vërtetën e historisë Omejade nuk konsiderohet luks kulturor, por ka një rëndësi të madhe shkencore dhe edukative, sidomos kur shohim dallime të mëdha – ashtu siç i paraqesin librat e historisë – midis pastërtisë së periudhës së Profetit dhe të Kalifëve të Drejtë dhe errësirës së epokës Omejade.
Ky kalim i sajuar synonte, në një masë të madhe, të zvogëlonte vitet e lavdisë dhe shkëlqimit në historinë islame, për qëllime që i kuptojnë ata që e vlerësojnë rolin e historisë në formësimin e kombeve dhe në shtyrjen e tyre drejt horizonteve më të gjera.
Pranimi i historisë Omejade ashtu siç na paraqitet në shumicën e shkrimeve të të vjetërve dhe të të rinjve na vendos përballë pyetjeve të ngutshme që imponohen nga disa kundërshti të mprehta.
Ne kemi të bëjmë me një shtet që arriti suksese të mëdha në fushën e çlirimeve dhe të përhapjes së Islamit, dhe që nxori personalitete të shquara që lanë gjurmë të mëdha në politikë, luftë dhe administrim. Ky shtet vazhdoi të udhëhiqte myslimanët – në atë kohë – pavarësisht prejardhjes, racës, fesë dhe ambicieve të tyre, për më shumë se nëntëdhjetë vjet në një shtet të vetëm, i cili shtrihej nga kufijtë e Kinës deri në jug të Francës.
Megjithatë, shumë nga ajo që na ka arritur nga historia e këtij shteti nuk përputhet me madhështinë e arritjeve të tij të përmendura më sipër. Për këtë epokë është përhapur ideja se ishte një periudhë komplotesh politike, rënieje morale, trazirash shoqërore, çrregullimesh ekonomike dhe shpërfilljeje ndaj gjërave të shenjta të myslimanëve. Si pasojë e kësaj shpërthyen shumë kryengritje dhe u derdh shumë gjak. Kjo është epoka që – siç është ngulitur në mendjet e shumë myslimanëve – e trashëgimit të pushtetit pasi më parë ishte me konsultim (shura), shpërdorimin e pasurisë së shtetit sipas dëshirave të sundimtarëve pasi më parë ishte e mbrojtur, dhe gjithashtu epoka që dëshmoi vrasjen e Husejnit, kryqëzimin e Ibn Zubejrit, goditjen e Qabes me katapultë, shkeljen e shenjtërisë së Medinës, padrejtësinë ndaj meuali-ve (joarabëve të konvertuar në Islam), dhe shumë gjëra të tjera që flitet për Benu Umejjen. Këto kanë skalitur në memorien e shumë njerëzve një imazh të një epoke të errët.
Ndërsa për arritjet e mëdha të përmendura më parë ka shumë polemika, paqartësi dhe debate, gjë që e bën të vështirë një pamje të qartë dhe një vlerësim të ekuilibruar.
Shtrembërimi dhe gënjeshtra në historinë e Benu Umejjes
Historia Omejade është ekspozuar ndaj shumë shtrembërimeve dhe falsifikimeve. Kjo dukuri u zgjerua aq shumë sa përfshiu shumicën e burimeve të historisë omejade dhe la gjurmë edhe në disa libra të tefsirit dhe të hadithit, të cilët përbëjnë një burim të pasur për historinë islame të asaj periudhe.
Nëse Allahu i Madhëruar ka bërë sebeb që për hadithin profetik të ketë dijetarë që dallojnë të saktin nga i dobëti dhe i shpikuri – për shkak të rëndësisë së tij të veçantë në legjislacion – natyra e shkencës së historisë, gjerësia e fushës së saj, shumëllojshmëria e epokave dhe bollëku i transmetimeve kanë qenë pengesë për ndjekjen dhe zbulimin e çdo përpjekjeje për shtrembërim dhe gënjeshtër në të, për shkak të shumësisë dhe larmisë së burimeve të saj.
Dëshmitë dhe provat për ekzistencën e shtrembërimit
Dëshmitë për ndodhjen e gënjeshtrave dhe shtrembërimeve në shkrimin e historisë omejade janë të shumta. Disa historianë të hershëm e kanë vërtetuar këtë dhe kanë paralajmëruar për të, megjithëse ndonjëherë nuk kishin rrugë tjetër veçse t’i përmendnin këto tregime të sajuara për shkak të përhapjes së tyre. Kjo bëhej edhe që të mos akuzoheshin se nuk njihnin gjëra që të tjerët i kishin përmendur, ose sepse e konsideronin pjesë të ndershmërisë shkencore që të përmendnin çdo gjë që u transmetohej.
Ndërsa një grup tjetër prej tyre u drejtua drejt përzgjedhjes nga ky grumbull i madh tregimesh, duke zgjedhur atë që e konsideronin të saktë dhe duke tërhequr vëmendjen për pavërtetësinë e shumë të tjerave.
Ibn Xherir et-Taberiu
Shejhu i historianëve tanë të hershëm, Ibn Xherir et-Taberiu, thotë në hyrjen e librit të tij “Historia e të Dërguarve dhe Mbretërve”: “Çfarëdo lajmi që gjendet në këtë librin tim dhe që lexuesi e konsideron të çuditshëm ose dëgjuesi e refuzon, sepse nuk i gjen bazë të saktë, le ta dijë se ai nuk ka ardhur nga ana jonë; por ka ardhur nga disa prej atyre që na e kanë transmetuar. Ne vetëm e kemi përcjellë ashtu siç na është përcjellë.”
Ndërsa Ebu el-Ferexh el-Isfahaniu transmeton atë që ai e konsideron si gënjeshtra të disa transmetuesve dhe ndonjëherë e tërheq vëmendjen për këtë duke thënë: “Kjo është nga gënjeshtrat e Ibn el-Kelbiut. Unë e përmenda ashtu siç është, që të mos mbetet jashtë libri diçka që njerëzit e kanë transmetuar dhe e kanë qarkulluar mes tyre.”
Ibn el-Ethir dhe Ibn el-Arabiu
Nga ana tjetër, Ibn el-Ethiri përzgjedh disa transmetime dhe lë të tjera, dhe për arsyen e kësaj thotë:
“Njerëzit i kanë mbushur historitë e tyre sipas prirjeve dhe dëshirave të tyre.”
Ndërsa Ibn el-Arabiu bën një kritikë të ashpër ndaj historianëve që ndjekin pasionet dhe nuk u beson përveçse transmetimeve të dijetarëve të hadithit, të cilët i shqyrtojnë transmetimet e tyre dhe dallojnë të mirën nga e pavërteta. Ai thotë: “Përndryshe kjo është vdekja e kuqe dhe rreziku më i madh; sepse ata shpikin rrëfime për përçmimin e sahabëve dhe të të parëve të mirë, dhe sajojnë fjalë e veprime që ua atribuojnë atyre. Nëse ju shkëputeni nga njerëzit e së pavërtetës dhe kufizoheni në transmetimin e njerëzve të drejtë e të besueshëm, do të shpëtoni nga këto kurthe.”
Megjithatë, në rrëfimin tonë për historinë e Omejadëve do të përpiqemi – me lejen e Allahut – të arrijmë tek rrëfimet më të sakta dhe t’i analizojmë ato, në mënyrë që të mund ta shohim shtetin Omejad ashtu siç ka qenë në të vërtetë, pa u ndikuar nga transmetimet e falsifikuesve dhe gënjeshtarëve.
Lindja e Kalifatit Omejad
Kalifati Omejad u themelua në “Vitit e Bashkimit”, në vitin 41 hixhri, pasi Hasan ibn Aliu (r.a) ia dorëzoi kalifatin Muavije ibn Ebi Sufjanit – Allahu qoftë i kënaqur me të dy – me dëshirën për të ndalur gjakun e myslimanëve dhe për të bashkuar fjalën e tyre, pas ngjarjeve dhe betejave që ndodhën gjatë kohës së trazirave.
Ky themelim erdhi si rezultat i shtypjes ndaj njerëzve që kishn shkaktuar trazira, ia shkatërroi ëndrrat të cilat kishin thurrur dhe po ashtu nuk i lejoi ata që të realizonin dëshirën që kishin për t’i shkaktuar dëm umetit mysliman. Po ashtu në të njëjtën kohë ai u bë burim gëzimi dhe stabiliteti për myslimanët pas periudhës së trazirave dhe luftërave. Për këtë arsye, kalifati i Muavijes konsiderohej plotësisht i ligjshëm.
Omejadët midis fuqisë dhe dobësisë
Historia e shtetit Omejad përbëhet nga dy periudha fuqie:
Periudha e parë zgjati nga viti 41 deri në 64 hixhri, dhe përfshiu kohën e dy kalifëve: Muavije ibn Ebu Sufjanin dhe djalit të tij Jezidit I.
Periudha e dytë zgjati nga viti 86 deri në 125 hixhri, dhe përfshiu pesë kalifë: Velidi I, Sulejman ibn Abdulmelik, Umer ibn Abduaziz, Jezid II dhe Hisham ibn Abdulmelik.
Gjithashtu pati një periudhë të shkurtër dobësie, e cila zgjati nga viti 125 hixhri deri në rënien e shtetit në vitin 132 hixhri, dhe përfshiu disa kalifë.
Po ashtu pati edhe një periudhë trazirash dhe konfliktesh mes myslimanëve, me luftë për pushtet nga viti 64 deri në 86 hixhri. Kjo periudhë filloi me Muavije II, vazhdoi me Mervan I, dhe më pas me djalin e tij AbdulMelik ibn Mervani.
Kalifi themelues dhe fillimi i fuqishëm
Sa i përket periudhës së parë të fuqisë, ajo filloi me kalifin e parë Omejad, Muavije ibn Ebu Sufjanin (r.a), i cili ishte dhëndri i të Dërguarit të Allahut (a.s). Thuhet se ai e pranoi Islamin para babait të tij, gjatë Umres së Kadasë në vitin 7 hixhri. Megjithatë, ai kishte frikë të bashkohej haptazi me Profetin (a.s) për shkak të babait të tij, dhe ai nuk e shfaqi haptazi Islamin përveçse në Çlirimin e Mekës.
Transmetohet se ai ka thënë: “Kur ishte viti i ngjarjes së Hudejbijes, dhe kurejshët e penguan të Dërguarin e Allahut (a.s) të hynte në Qabe, dhe midis tyre u shkruajt marrëveshja, Islami hyri në zemrën time. Ia përmenda këtë nënës sime dhe ajo më tha: Mos guxo të kundërshtosh babanë tënd! Kështu e fsheha Islamin tim. Për Allahun, i Dërguari i Allahut (a.s) u largua nga Hudejbija ndërsa unë besoja në të. Kur ai hyri në Mekë në vitin e Umres së marrëveshjes, unë tashmë isha mysliman. Ebu Sufjani e mori vesh Islamin tim dhe një ditë më tha: Por vëllai yt është më i mirë se ti, sepse ai është në fenë time. Unë i thashë: Unë nuk e kam kursyer veten për të zgjedhur atë që është më e mirë. Dhe e shpalla Islamin tim në ditën e Çlirimit. Profeti (a.s) më mirëpriti dhe unë shkruaja për të.”
Ai ishte gjithashtu nga transmetuesit e haditheve të të Dërguarit të Allahut (a.s). Muavija ka transmetuar shumë hadithe nga Profeti (a.s), të cilat gjenden në Sahihun e Buhariut, Muslimit dhe në libra të tjerë të suneneve dhe musnedeve. Nga ai kanë transmetuar një numër sahabësh dhe tabi’inësh. Në Musnedin e Bejhakiut janë transmetuar 163 hadithedhe, Buhariu dhe Muslimi kanë rënë dakord për katër prej tyre; Buhariu veçon edhe katër të tjera, ndërsa Muslimi pesë. Gjithashtu El-Ahvazi ka përgatitur një musned të tijin në një vëllim.
Dëshmitë e historianëve nga sunitët dhe shiitët
Muavije ibn Ebu Sufjani mori kalifatin duke pasur pas vetes një përvojë të gjatë në qeverisje, administrim dhe në drejtimin e njerëzve. Sundimi i tij në Sham para kalifatit për më shumë se njëzet vjet i dha një përvojë të madhe që ishte një parapërgatitje për administrimin e suksesshëm të kalifatit të tij.
Në të vërtetë, Muavija (r.a) gëzonte cilësi të larta që e bënin të përshtatshëm për të qenë njeriu i parë i shtetit dhe e bënin të denjë për këtë post të rëndësishëm. Këtë e kanë dëshmuar historianët sunitë, duke u mbështetur në mendimin e sahabëve që jetuan në kohën e tij. Ibn Tejmije thotë: “Ndër mbretërit e myslimanëve nuk pati ndonjë mbret më të mirë se Muavija, kur ditët e tij krahasohen me ditët e atyre që erdhën pas tij; ndërsa kur krahasohen me ditët e Ebu Bekrit dhe Umar Hatabit, atëherë bëhet e qartë dallimi i madh.”
Gjithashtu për të kanë dëshmuar edhe disa historianë shiitë – pavarësisht armiqësisë së tyre të fortë ndaj Benu Umejjes, si Ibn El-Tiktaka, El-Jakubi dhe El-Mesudi.
Kështu, pothuajse ka një konsesus midis dijetarëve të umetit – nga sahabët, tabi’inët dhe ata që erdhën pas tyre – për ta lavdëruar Muavijen dhe për ta konsideruar të denjë për kalifatin, për politikën e tij të mirë dhe drejtësinë e tij. Kjo bëri që ai të fitonte vend në zemrat e njerëzve dhe ata të bashkoheshin në dashurinë ndaj tij.
Profeti (a.s) ka thënë: “Imamët më të mirë janë ata që ju i doni dhe ata ju duan, që luten për ju dhe ju luteni për ta; ndërsa imamët më të këqij janë ata që ju i urreni dhe ata ju urrejnë, që i mallkoni dhe ju mallkojnë.”[1]
Muavija (r.a) ishte një luftëtar në rrugën e Allahut dhe e donte xhihadin. Ai ishte gjithashtu një administrator i aftë dhe një njohës i mirë i ekonomisë. Prandaj, gjatë sundimit të tij myslimanët përjetuan një periudhë të madhe mirëqenieje dhe ishin të kënaqur me qeverisjen e tij.
Kalifati i Jezidit: betim besnikërie apo trashëgimi?
Kur Muaviya u plak, ai pa të arsyeshme se nëse do të vdiste pa përcaktuar kalifin pas tij, trazirat do të ngrinin përsëri kokën. Prandaj filloi të mendonte se kush ishte i përshtatshëm për t’u propozuar si kalif pas tij. Pas një mendimi të gjatë, ai arriti në përfundimin se ai që mund të ishte i përshtatshëm për kalifatin pas tij, që i kishte cilësitë e nevojshme dhe që në të njëjtën kohë mund të bashkonte umetin dhe të pengonte përçarjen mes tyre, ishte djali i tij Jezidi I, të cilin Muavija e kishte përgatitur mirë.
Përveç kësaj, ai kishte një përparësi që shumë nga kandidatët e tjerë – të cilët në peshoren e Islamit ishin më të mirë se ai, si Hysejn ibn Aliu, Abdullah ibn Umer dhe Abdullah ibn Zubejri – nuk i kishin: ai gëzonte mbështetjen e shumë përkrahësve që e mbështesnin dhe që mund të kundërshtonin këdo që do të mendonte të dilte kundër tij. Këta ishin Beni Umejje, të cilët në atë kohë kishin fuqi dhe ndikim të madh. Për këtë arsye, Muavija ia besoi kalifatin pas tij djalit të tij Jezidit dhe mori betimin e besnikërisë nga myslimanët për këtë, përveç disa personave që refuzuan të japin betimin, ndër ta Husejni dhe Abdullah ibn Zubejri.
Ky betim ishte një pikë kthese në historinë e shtetit Omejad dhe në rrjedhën e shtetit islam në përgjithësi. Edhe pse ai u bë në rrethana të veçanta – sepse Muavija kishte frikë nga përçarja e umetit dhe nga rikthimi i trazirave – kalifët që erdhën pas tij e përdorën këtë precedent për qëllime të tjera. Secili prej tyre filloi t’ia linte pushtetin bijve të vet, dhe kështu kalifati islam, i cili që nga koha e Profetit (a.s), e Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut ishin ndërtuar mbi bazë të shurës (këshillimit), u shndërrua në një mbretëri trashëguese (dinasti), ku bijtë trashëgonin pushtetin nga etërit.
Megjithëse Muavija mund të justifikohet dhe për atë që bëri u përpoq sipas ixhtihadit të tij, ata që erdhën pas tij nuk kishin të njëjtin arsyetim. Ata u përpoqën ta bënin pushtetin trashëgimi në familjen e tyre pa ndonjë shkak të domosdoshëm, sepse pas Muavijes rreziku i përçarjes ishte larguar dhe çështja e kalifatit mund të ishte kthyer përsëri te shura. Por dëshira për pushtet ndryshoi rrjedhën e kalifatit.
Ngjarje të rënda në fillim të sundimit të Jezidit:
Muavija (r.a) vdiq në Damask në muajin Rexheb të vitit 60 hixhri. Pas vdekjes së tij, besëlidhja iu rinovua Jezidit. Nuk u pajtuan me këtë vetëm Husejni ibn Ali (r.a), dhe Abdullah ibn Zubejri (r.a). Secili prej tyre do të ketë një qëndrim të veçantë me Jezidin, siç do ta shohim. Ndërsa pjesa tjetër e sahabëve i dhanë besën Jezidit për të bashkuar fjalën dhe për të ruajtur unitetin e umetit, si dhe nga frika e përçarjes, si: Abdullah ibn Abasi (r.a) dhe Abdullah ibn Umeri (r.a).
Gjatë kohës së Jezidit ndodhën disa ngjarje të rënda që bënë që myslimanët ta shikonin atë me dyshim, edhe nëse ai vetë nuk ishte drejtpërdrejt fajtor për to. Ndër këto ishte dalja e Husejn ibn Aliut (r.a) kundër Jezidit, në përgjigje të thirrjes së banorëve të Kufes, megjithëse disa sahabë që ndodheshin aty e kundërshtuan këtë, nga frika e përçarjes së myslimanëve. Por Husejni këmbënguli.
Pastaj ndodhi ajo që ndodhi: banorët e Kufes e lanë në baltë, ashtu siç kishin lënë më parë edhe babanë e tij. Ai luftoi me familjen e tij dhe përkrahësit e tij, të cilët nuk arrinin as tetëdhjetë vetë në numër, kundër forcave të guvernatorit Ubejdullah ibn Zijad, të udhëhequra nga Umer ibn Sa’d ibn Ebi Uekasi në Kerbela. Më pas ai ra dëshmor, së bashku me burrat që ishin me të.
Jezidi qan për Husejnin dhe nderon familjen e tij:
Ubejdullah ibn Zijadi u pendua për vrasjen e Husejnit. Edhe Jezid ibn Muavije qau kur i erdhi lajmi dhe i tha të dërguarit: “Do të isha kënaqur me bindjen tuaj pa u vrarë Husejni. Allahu e mallkoftë Ibn Semijen (Ubejdullah ibn Zijadin). Pasha Allahun, sikur të isha unë në vend të tij, do ta kisha falur. Allahu e mëshiroftë Husejnin.”
Pastaj Jezidi i nderoi gratë dhe familjen e Husejnit, i futi tek gratë e familjes së Muavijes, të cilat qanin dhe vajtonin për Husejnin dhe familjen e tij. Kjo vazhdoi për tre ditë. Më pas Jezidi dërgoi t’i pyesnin secilën prej grave për çdo gjë që u ishte marrë; dhe nuk kishte asnjë prej tyre që pretendonte diçka, sado e madhe të ishte, veçse ai ua jepte dyfishin.
Pastaj Jezidi urdhëroi Nu‘man ibn Beshirin që të dërgonte me to një njeri të besueshëm, së bashku me burra dhe kuaj, për t’i shoqëruar gjatë udhëtimit drejt Medinës.
Kur po i përcillte, Jezidi i tha Ali ibn Husejnit (Aliut të vogël): “Allahu e shëmtoftë Ibn Semijen. Pasha Allahun, sikur të isha unë me babanë tënd, çfarëdo lloj gjëje që do më kishte kërkuar do t’ia kisha dhënë, dhe do ta mbroja nga vdekja me çdo mundësi, qoftë edhe me humbjen e disa prej fëmijëve të mi. Por Allahu ka caktuar atë që pe.” Pastaj e përgatiti (për udhëtim), i dha shumë pasuri, i veshi (me rroba) dhe e porositi të dërguarin për ta trajtuar mirë. Dhe i tha Aliut: “Më shkruaj për çdo nevojë që do të kesh.”
Ngjarja e Harres në Medinë, rrethimi i Qabes dhe goditja me katapultë
Ngjarja e Kerbelasë ishte shkëndija që ndezi luftën, dhe la pasoja të rënda politike në botën islame. Kur lajmi i vrasjes së Husejn ibn Aliut (r.a) arriti në Hixhaz, Abdullah ibn Zubejri (r.a) shpalli rrëzimin e Jezidit dhe filloi të merrte besëlidhjen për vete nga njerëzit në Mekë. Kjo u bë shkak për shkarkimin e Amr ibn Seid ibn el-Asit nga Hixhazi dhe emërimin në vend të tij të Uelid ibn Utbe ibn Ebi Sufjanit. Por më pas edhe atë e shkarkoi dhe emëroi Uthman ibn Muhamed ibn Ebi Sufjanin.
Ndërkohë, në Medinë u shtua shumë pakënaqësia dhe kritika ndaj Jezidit. Ai dërgoi tek ata Nu‘man ibn Beshirin për t’i paralajmëruar nga fitnet dhe për t’u kujtuar bindjen, por ata nuk e pranuan. Më pas shpallën rrëzimin e Jezidit dhe i dhanë besën Abdullah ibn Handhale el-Gasilit. Ata u ngritën kundër Uthman ibn Muhamed ibn Ebi Sufjanit, guvernatorit të Jezidit, dhe rrethuan Benu Umejët në shtëpinë e Mervan ibn el-Hakemit, të cilët ishin rreth një mijë vetë.
Kur Jezid ibn Muavije mori vesh për këtë, u dërgoi një ushtri nën komandën e Muslim ibn Ukbe el-Merrit, dhe nëse atij do t’i ndodhte diçka, komandanti pas tij do të ishte Husajn ibn Numajr es-Sekuni. Muslim ibn Ukbe u nis me ushtrinë dhe u takua me Benu Umejët në Vadi el-Kura, pasi banorët e Medinës i kishin dëbuar ata.
Muslim ibn Ukbe mbërriti në Medinë dhe u dha banorëve të saj afat prej tre ditësh, por ata refuzuan dhe zgjodhën luftën. Udhëheqësit e tyre ishin: Abdullah ibn Handhala el-Ensari, Abdullah ibn Muti’, Ma‘kil ibn Sinan dhe Abdurrahman ibn Zuhejr ibn Auf ez-Zehri, nipi i Abdurrahman ibn Aufit. Muslimi hyri nga ana e Harres lindore dhe beteja ndodhi në fund të Dhul-Hixhes së vitit 63 hixhri. Në këtë përplasje u vranë shumë prej prijësve të Medinës.
Pasi përfundoi në Medinë, Muslim ibn Ukbe u drejtua me ushtrinë e tij për në Mekë për të luftuar Abdullah ibn Zubejrin, duke lënë në Medinë Ruh ibn Zenba‘ el-Xhudhamin. Por nuk kaloi shumë dhe Muslim ibn Ukbe vdiq gjatë rrugës. Sipas porosisë së Jezidit, komandën e mori Husajn ibn Numajr es-Sekuni, i cili vazhdoi drejt Mekës.
Ndërkohë, banorët e Mekës dhe i gjithë Hixhazi i kishin dhënë besën Abdullah ibn Zubejrit. Ai i rezistoi ushtrisë, por në mesin e përkrahësve të tij u vranë persona si: Misver ibn Mehrama, Mus‘ab ibn Abdurrahman ibn Auf dhe vëllai i tij Mundhir ibn Zubejr. Luftimet vazhduan gjatë muajve Muharrem dhe Safar të vitit 64 hixhri.
Në fillim të muajit Rabi‘ el-Evvel, Qabja u godit me katapulta dhe u përfshi nga zjarri. Pastaj erdhi lajmi për vdekjen e Jezidit, në fillim të Rabi‘ eth-Thani; ai kishte vdekur më 14 të Rabi‘ el-Evvel të vitit 64 hixhri.
Dhënia e besës Abdullah ibn Zubejrit për hilafetin:
Jezidi vdiq ndërkohë që banorët e Shamit po rrethonin Mekën dhe Abdullah ibn Zubejrin. Lajmi arriti tek Ibn Zubejri para se të arrinte te ushtria e Shamit. Banorët e Mekës u thirrën atyre: “Pse po luftoni? Jezidi ka vdekur!” Por ata nuk i besuan dhe vazhduan luftimet. Kur u siguruan për lajmin, ndaluan luftën.
Husajn ibn Numajr i dërgoi fjalë Abdullah ibn Zubejrit dhe u takua me të, duke i thënë: “Nëse ky njeri ka vdekur, atëherë ti je më i denji për këtë çështje. Eja të të japim besën, pastaj eja me mua në Sham; sepse kjo ushtri që kam me vete janë prijësit dhe kalorësit e Shamit. Pasha Allahun, nuk do të kundërshtojë askush ndaj teje. Do t’i sigurosh njerëzit dhe do t’i ndalosh këto gjakderdhje që ndodhën mes nesh dhe jush, si dhe ato që ndodhën mes nesh dhe banorëve të Harres.”
Por Ibn Zubejri pati frikë të shkonte në Sham dhe nuk dëshironte të largohej nga Meka, ku ishte strehuar. Ndërsa mendimi i Husajnit ishte se në Sham kishte njerëz që mund të pretendonin hilafetin; por nëse do të shkonte vetë Ibn Zubejri, askush nuk do ta kundërshtonte, për shkak të pozitës së tij, si dhe sepse Jezidi nuk kishte djem të rritur apo ndonjë nga familja e tij që të synonte këtë çështje.
Meqë nuk u arrit marrëveshje mes Ibn Zubejrit dhe Husajn ibn Numajrit, ushtria e Shamit u kthye në vendin e saj, duke lënë Hixhazin që i kishte dhënë besën Abdullah ibn Zubejrit.
Disa dijetarë të Medinës kundërshtuan rrëzimin e Jezid ibn Muavijes dhe daljen kundër tij, dhe nuk i mbështetën ata që u rebeluan. Ata i këshilluan vëllezërit e tyre dhe u tërhoqën nga fitnet. Kjo ishte kryesisht mendimi i dijetarëve dhe juristëve të fesë. Ndër më të njohurit prej tyre ishin: sahabiu i madh dhe imami shembullor Abdullah ibn Umer ibn el-Hattab, Muhamed ibn Ali ibn Ebi Talib (Ibn el-Hanefije), Nu‘man ibn Beshir el-Ensari, Abdullah ibn Xhafer ibn Ebi Talib. si dhe Seid ibn el-Musejjeb, prijësi i tabi’inëve (r.h).
Dolën kundër imamit, megjithë madhështinë e tyre:
Vrasja e Husejnit, ngjarja e Harres në Medinë, rrethimi i Qabes dhe goditja e saj me katapulta ishin ndër gjërat më të rëndësishme që e dëmtuan imazhin e Jezid ibn Muavijes (r.h). Megjithatë, ai konsiderohej i arsyetuar; pasi ishte halifi legjitim. Ata që dolën kundër tij – megjithë pozitën e tyre të lartë në Islam, përparësinë dhe epërsinë e tyre ndaj Jezidit, si Husejni dhe Ibn Zubejri si dhe Abdullah ibn Handhala – në këtë rast konsideroheshin se kishin dalë kundër imamit legjitim, të cilit i kishte dhënë besën shumica dërrmuese e myslimanëve.
Dy periudha të forcës dhe xhihadit:
Kjo ishte periudha e parë e fuqisë në epokën omejade, ndërsa periudha e dytë filloi me sundimin e Uelid ibn Abdulmelikut dhe përfundoi me sundimin e Hisham ibn Abdulmelikut.
Këto dy periudha u karakterizuan nga dominimi i frymës së xhihadit; shteti në epokën omejade u kujdes që të mbetej një umet luftarak, duke shpenzuar pjesën më të madhe të burimeve financiare në fushën ushtarake. Përveç pagave për ushtarët, furnizimeve për pasardhësit e tyre dhe ndihmës për luftëtarët, shteti punoi për të siguruar mjetet e forcës dhe elementët e mbrojtjes për ushtrinë.
U ndërtuan qytete ushtarake në të gjitha frontet e luftës, të mbushura me ushtarë, dhe njerëzit u inkurajuan të shpërnguleshin e të banonin aty. Atyre u jepeshin toka bujqësore për t’i shfrytëzuar dhe shtëpi për të jetuar. Gjithashtu u siguruan ushqime, depo armësh dhe veshmbathje. Këto qytete u fortifikuan me mure dhe hendeqe, u ndërtuan kështjella dhe fortesa, si dhe u vendosën pika vrojtimi dhe kulla sinjalizuese përgjatë rrugëve midis kufijve dhe brendësisë, ku ndiznin zjarre për të përcjellë lajmet nga kufijtë në çdo kohë.
Shumë prej këtyre qyteteve ushtarake u shndërruan më vonë në qendra civile me ndërtime të zhvilluara, vende adhurimi, qendra kulturore dhe tregje, duke përjetuar një zhvillim të mirë në fusha të ndryshme të jetës.
Gjithashtu, shteti e forcoi fuqinë ushtarake duke krijuar flotën detare dhe ndërtoi kantierë për prodhimin e anijeve në Akka, më pas në Sur (në Sham), si dhe në ishullin Roda dhe Fustat në Egjipt, dhe në Tunizi. Këto qendra u pajisën me të gjitha materialet dhe mjeshtrit e nevojshëm.
Zgjerimi i territorit të shtetit islam:
Çlirimet islame gjatë periudhës omejade u shtrinë në horizonte që nuk ishin arritur në kohën e hilafetit rashidun. Shteti islam u zgjerua nga Kina në lindje deri në Andaluzi dhe jugun e Francës në perëndim. U trokit në portat e Kostandinopojës, iu shtrëngua rrethimi dhe u rrethua tri herë. Deti Mesdhe u shndërrua në një “liqen islam”, dhe flamujt e Islamit u ngritën në tre kontinentet e njohura të asaj kohe: Azi, Afrikë dhe Evropë.
Shumë njerëz hynë në fenë e Allahut, dhe gjuha arabe arriti kulmin e forcës dhe pasurisë së saj, duke u bërë gjuhë e përdorur nga shumë banorë të këtyre vendeve. U realizuan shembuj të rrallë heroizmi, sakrifice dhe kërkimi i shehadetit në rrugën e Allahut, duke lënë kujtime të lavdishme që mbetën frymëzim përgjatë historisë dhe brezave.
Deri më sot përmenden emra si: el-Muhel-leb ibn Ebi Sufra, Jezid ibn el-Muhel-leb, Kutejbe ibn Muslim, Muhamed ibn el-Kasim eth-Thekafi, Musa ibn Nusajr, Tarik ibn Zijad, Mesleme ibn Abdulmelik dhe të tjerë.
Epoka e dijetarëve dhe juristëve:
Periudha omejade ishte e pasur me shumë dijetarë në gjithë shtrirjen e saj kohore dhe gjeografike. Në krye të tyre ishin sahabët që jetuan në këtë periudhë dhe lanë gjurmë të qarta në jetën politike dhe shoqërore, si dhe gjenerata e tabi‘inëve që mësuan prej tyre, trashëguan dijen e tyre dhe e përhapën atë.
Vërehet se disa nga halifët më të shquar omejadë ishin vetë dijetarë, madje ndër më të mëdhenjtë, si: Muavije ibn Ebi Sufjan (r.a), sahabiu i nderuar dhe shkrues i shpalljes, i njohur për dijen dhe urtësinë e tij, si dhe Umer ibn Abdulazizi dhe të tjerë.
Gjithashtu, shumë nga ata që i rrethonin këta halifë ishin dijetarë dhe juristë, të cilët nuk u kufizuan vetëm në mësimdhënie, por morën pjesë edhe në politikë dhe e njihnin mirë atë. Kjo ndikoi që të jenë më pak të njohur në fushën e fikhut dhe studimit, edhe pse disa prej tyre ruajtën pozitën e tyre shkencore.
Ndër këta ishin disa sahabë që ishin pranë Muavijes gjatë sundimit të tij, si: Habib ibn Mesleme el-Fehri, Nu‘man ibn Beshir el-Ensari, el-Mugire ibn Shu‘be, Amr ibn el-As, Mesleme ibn Mekhled el-Ensari dhe Fudale ibn Ubejdi el-Ensari. Po ashtu, pranë tij ishin edhe disa nga bijtë e sahabëve të mëdhenj, si: Hasani dhe Husejni, bijtë e Ali ibn Ebi Talibit, si dhe Abdullah ibn Abbasi dhe Abdullah ibn Zubejri.
Mospajtimet tregojnë gjallërinë dhe fleksibilitetin e shoqërisë:
Ashtu si ndikimi i dijetarëve dhe qëndrimet e tyre – herë kundër omejadëve e herë pranë tyre – ishin dëshmi e gjallërisë së këtij grupi dhe ndikimit të madh të tij në shoqërinë islame, po ashtu lidhja e tyre e ngushtë me masat, përkushtimi i njerëzve ndaj tyre dhe përgjigjja që u jepnin, ishte një tregues tjetër se shoqëria islame në epokën omejade nuk ishte ashtu siç e paraqesin disa historianë, si një shoqëri e zhytur në argëtim dhe kotësi.
Kur vdiq Tavus el-Jemeni në Mekë dhe namazin ia fali Hisham ibn Abdulmeliku, nuk ishte e mundur që të nxirrej xhenazja për shkak të turmës së madhe, derisa guvernatori i Mekës urdhëroi ndërhyrjen e rojeve. Abdullah ibn Hasan ibn Hasan ibn Ali mbante mbi shpatullën e tij arkivolin e Tavusit, ndërsa kapela që kishte në kokë i ra dhe manteli iu gris nga pas, për shkak të shtyrjes së madhe.
Omejadët bënë përpjekje të mëdha për të ruajtur pastërtinë, thjeshtësinë dhe saktësinë e besimit islam pa shtrembërime apo teprime. Megjithatë, përzierja e arabëve me popujt e vendeve të pushtuara – që kishin besime, fe dhe koncepte të ndryshme – la patjetër ndikime negative te disa prej myslimanëve në kuptimin e drejtë të Islamit. Gjithashtu, është e natyrshme të pritet që këto qytetërime të mposhtura dhe këto kombe të mundura, edhe pse humbën në fushat e betejës, të përpiqeshin me forma të tjera për intriga, komplot dhe përpjekje për të prishur dhe ngatërruar besimet e myslimanëve.
Një rilindje shkencore dhe njohëse:
Studimet moderne kanë vërtetuar se myslimanët në epokën omejade njihnin shkrimin, hartimin e librave dhe klasifikimin e shkencave. Ata u interesuan edhe për përkthimin në gjuhën e tyre dhe u kthyen drejt dijeve të popujve të tjerë për të përfituar prej tyre.
Këto studime tregojnë gjithashtu se omejadët patën një rol të madh në inkurajimin dhe mbështetjen e kësaj lëvizjeje, duke kontribuar fuqishëm në zhvillimin kulturor dhe shkencor të umetit islam. Kjo rilindje nuk u kufizua vetëm në transmetimin e poezisë, ruajtjen e proverbeve apo njohjen e Kuranit dhe hadithit, por u shtri edhe në fusha të ndryshme të shkencave teorike dhe natyrore.
Periudha e fuqisë së shtetit omejad përjetoi një zhvillim të madh në tefsir, në shkencat kuranore, në fikh, në akide dhe në kelam. Në këtë kohë shkëlqyen shumë dijetarë, prej të cilëve myslimanët vazhduan të përfitojnë më pas, duke u mbështetur në mendimet dhe ixhtihadet e tyre, si: Ibn Abasi dhe nxënësit e tij, si Seid ibn Xhubejri, Muxhahid ibn Xhebr, Shurejh ibn el-Harith el-Kindi (gjykatës), Kubajsa ibn Dhu’ejb el-Khuza‘i – i cili ishte shkrues për Abdulmelik ibn Mervanin dhe i afërt me të – si dhe Ibrahim en-Nehai, Mekhul ibn Ebi Muslim ed-Dimeshki dhe shumë të tjerë.
Kujdes i veçantë për poezinë dhe poetët:
Omejadët i kushtuan vëmendje të madhe poezisë dhe poetëve, sepse e kuptuan rëndësinë e tyre në propagandën politike kundrejt grupeve të tjera, si dhe rolin e tyre në nxjerrjen në pah të arritjeve të shtetit dhe në kundërshtimin e argumenteve të kundërshtarëve. Për këtë arsye, ata mblodhën rreth vetes një grup nga poetët më të mëdhenj të asaj kohe; disa prej tyre iu përkushtuan plotësisht, ndërsa të tjerë i lavdëronin herë pas here. E njëjta gjë vlente edhe për guvernatorët e tyre. Disa prej këtyre poetëve mbetën besnikë ndaj omejadëve edhe në kohë vështirësish apo kur kundërshtarët morën pushtetin.
Nga ana tjetër, omejadët e donin poezinë dhe e vlerësonin rolin e saj shoqëror, përtej përfitimeve politike. Transmetohet se Muavije (r.a) i shkroi Zijadit: “Më dërgo djalin tënd Ubejdullahun.” Kur ai erdhi, Muavija ia plotësoi çdo kërkesë, derisa e pyeti për poezinë dhe ai nuk dinte asgjë. I tha: “Pse nuk e ke mësuar poezinë?” Ai u përgjigj: “O prijës i besimtarëve, nuk desha të bashkoj në zemrën time fjalën e Mëshiruesit me fjalën e shejtanit.” Muavija i tha: “Largohu! Pasha Allahun, ajo që më pengoi të ikja në ditën e Siffinit ishte fjala e Ibn el-Itnabes,” pastaj përmendi vargje që nxisnin guximin dhe qëndrueshmërinë.
Më pas i shkroi babait të tij që ta mësonte me poezi, dhe ai e mësoi derisa nuk i shpëtonte asgjë prej saj.
Gjithashtu, historia na tregon për interesimin e omejadëve për shkencat eksperimentale dhe përkthimin. Muavija ishte ndër të parët që mbështeti dijen dhe dijetarët, duke themeluar një “shtëpi të urtësisë” (qendër studimore) dhe një bibliotekë. Pasardhësit e tij vazhduan të kujdeseshin për këtë institucion, madje edhe gjatë udhëtimeve dhe luftërave.
Përparim i dukshëm në industri të ndryshme:
Myslimanët shfrytëzuan mirë pasuritë minerale dhe natyrore, dhe u dalluan në shumë industri, falë edhe burimeve të bollshme në territoret e pushtuara. Ndër më të njohurat ishin:
Prodhimi i armëve
Ndërtimi i anijeve
Industria tekstile
Punimi i metaleve (zbukurimi i bronzit dhe bakrit me ar apo argjend)
Industria ushqimore (sheqeri në Ahvaz dhe Sham, uji i trëndafilit, parfumet)
Shami dhe Egjipti u dalluan për prodhimin e qelqit, ndërsa Persia dhe Egjipti për qeramikën dhe porcelanin. Afrika e Veriut, Shami dhe Iraku u shquan për industrinë e lëkurës.
Ndër shpikjet ishte edhe matësi i Nilit për të përcaktuar nivelin e ujit, i vendosur në ishullin Roda. U zhvilluan gjithashtu industri si: prodhimi i sheqerit, qilimave prej leshi, hasrave, tharja e peshkut, përpunimi i drurit, prodhimi i aromave në Persi, mullinjtë dhe mullinjtë me erë, prodhimi i papiruseve dhe instrumente matëse si astrolabët.
Përparim në tregti dhe shërbime:
Një nga shenjat e fuqisë ishte kujdesi i shtetit omejad për ndërtimin dhe organizimin e tregjeve në qytetet e reja si Kajrauani, Tunizia, Uasiti, Mansura, Rrusafa dhe të tjera. Në këtë periudhë filloi planifikimi dhe klasifikimi i tyre.
Shteti caktoi mbikëqyrës të tregjeve, të quajtur “muhtesib”, të cilët zgjidheshin nga njerëz të drejtë dhe të rreptë në fe. Detyrat e tyre përfshinin mbikëqyrjen e adhurimeve (si namazi dhe agjërimi), tregtisë, peshave dhe masave, parave, ndalimin e mashtrimeve, kontrollin e ushqimeve, veshjeve, punishteve dhe rendit publik. Ata urdhëronin për të mirën dhe ndalonin të keqen.
Zhvillime në arkitekturë:
Ndër periudhat më të fuqishme ishte ajo e Uelid ibn Abdulmelikut. Gjatë sundimit të tij u rindërtua dhe u zgjerua nga të gjitha anët xhamia e Profetit (a.s) në Medinë, duke përfshirë edhe dhomat e grave të Profetit. Ai shpenzoi pa kursim për ta bërë atë sa më madhështore, dhe ia besoi këtë detyrë kushëririt të tij, guvernatorit të Medinës, Umer ibn Abdulazizit, i cili caktoi Salih ibn Kejsanin për mbikëqyrjen e punimeve. Uelidi dërgoi fonde, mermer, mozaikë dhe tetëdhjetë mjeshtër nga Shami dhe Egjipti.
Sa i përket xhamisë së Damaskut, Uelidi e bëri atë një mrekulli të arkitekturës islame, duke e zbukuruar në mënyrë të jashtëzakonshme si një simbol të madhështisë së Islamit. Ai shpenzoi shumë për të, aq sa disa e kritikuan, por ai u tha: “O banorë të Shamit, ju keni katër gjëra me të cilat krenoheni; desha t’ju shtoj një të pestë.” Ndërtimi zgjati gjatë gjithë sundimit të tij dhe u përfundua nga vëllai i tij, Sulejman ibn Abdulmeliku.
Halifët më të fuqishëm:
Mervan ibn el-Hakem:
Këto ishin tiparet e periudhës së forcës në shtetin omejad. Ndërsa periudha e trazirave, e cila ndërhyri mes dy periudhave të fuqisë, filloi me vdekjen e Jezid ibn Muavijes. Më pas, djali i tij Muavije ibn Jezidi hoqi dorë nga hilafeti, duke refuzuar parimin e trashëgimisë, dhe u tërhoq plotësisht në shtëpinë e tij derisa vdiq pas disa ditësh ose muajsh.
Kjo krijoi një boshllëk në pushtet që solli shumë konflikte mes degëve të familjes omejade, ndërkohë që Abdullah ibn Zubejri (r.a) shpalli veten halif dhe shumica e krahinave islame i dhanë besën. Më në fund, omejadët arritën të bien dakord mes tyre dhe i dhanë besën Mervan ibn el-Hakemit si halif në Konferencën e Xhabijes, në muajin Dhul-Ka‘de të vitit 64 hixhri.
Mervani ishte një nga fisnikët dhe prijësit e Kurejshit. Ai luftoi me trimëri në “Ditën e Shtëpisë” (gjatë rrethimit të shtëpisë së Uthmanit), dhe vrau disa prej havarixhëve. Në betejën e Xhemelit ishte në krahun e majtë të ushtrisë. Ali ibn Ebi Talibi (r.a) pyeste shpesh për të kur njerëzit u shpërndanë në atë betejë, nga frika se mos ishte vrarë. Kur u pyet për këtë, ai tha: “Më lidh me të një farefisni e ngushtë, dhe ai është një nga të rinjtë fisnikë të Kurejshëve.”
Pasi situata u stabilizua për të në Sham, Mervani u drejtua drejt Egjiptit për ta rikthyer atë nga duart e zubejrianëve. Egjipti iu bind atij dhe ai qëndroi atje rreth dy muaj. Pastaj u largua në fillim të muajit Rexheb të vitit 65 hixhri, pasi i kishte konsoliduar punët dhe e kishte rikthyer nën sundimin omejad. Ai emëroi djalin e tij Abdulazizin si guvernator të Egjiptit, e këshilloi me porosi të rëndësishme dhe më pas u kthye në Sham.
Abdulmelik ibn Mervan:
Mervani ibn el-Hakem vdiq në Damask tre ditë pas mesnatës të muajit Ramazan të vitit 65 hixhri, në moshën 63 vjeç, pas kthimit nga Egjipti. Pas tij, sundimin e mori djali i tij, Abdulmelik ibn Mervan.
Legjitimiteti i hilafetit të Abdulmelikut – dhe ende mbetet diskutues – ka qenë temë debati mes dijetarëve myslimanë. Disa e konsiderojnë atë legjitim dhe e shohin si halifin e ligjshëm, ndërsa shumë të tjerë nuk e pranojnë si të tillë, sepse shumica e myslimanëve i dhanë besën më parë Abdullah ibn Zubejrit, i cili gjithashtu konsiderohet më i merituar, se sahabiju i shquar. Sipas këtij opinioni, Abdulmeliku është jashtë ligjshmërisë së halifetit.
Disa dijetarë, si Sujuti, morën një qëndrim mesatar: ata pranuan se Ibn Zubejri ishte halifi i ligjshëm, dhe pas vdekjes së tij, hilafeti i Abdulmelikut u konsiderua i vlefshëm.
Haxhaxhi dhe goditja e Qabes me katapulta
Fillimi i sundimit ishte i vështirë për Abdulmelikun; ai u përball me shumë kryengritje, më e rëndësishmja ishte kryengritja e Të-Të-Pajtuesve (Et-Tuvvabin), të cilën e shkatërroi në betejën e Ain el-Verdës, ku u vranë shumica e rebelëve dhe udhëheqësi i tyre Sulejman ibn Surd, në muajin Rabi’ul-akhir të vitit 65 hixhri.
Më pas u përball me kryengritjen e Muktharit eth – Thekafi; Mukthari arriti të mundë dhe të vriste Ubeidullah ibn Zijad. Abdulmeliku u tërhoq për një kohë dhe la për Abdullah ibn Zubejrin të dobësonte të dyja palët. Në fakt, Mus’ab ibn Zubejri e rrethoi Muktharin në pallatin e tij në Kufë dhe e vrau në vitin 67 hixhri.
Më pas erdhi përballja midis Abdulmelikut dhe Abdullah ibn Zubejrit. Abdulmeliku arriti të mundë së pari Mus’ab ibn Zubejrin dhe më pas dërgoi ushtrinë e tij nën komandën e Haxhaxh ibn Jusuf eth Thekafi, i cili rrethoi Abdullah ibn Zubejrin në Mekë. Haxhaxhi guxoi dhe goditi Harem-in me katapultë, duke e konsideruar se Ibn Zubejri, duke u strehuar në Harem, kishte shkelur shenjtërinë e tij. Breshëri artilerie vazhdoi, ndërsa u ndal vetëm për kryerjen e ritualeve të haxhit, dhe pastaj rifilloi deri sa shumë ndjekës të Ibn Zubejrit dorëzuan dhe kërkuan siguri nga Haxhaxhi, i cili ua garantoi. Ibn Zubejri u vra më 17 të muajit Xhumada el-Eëëel të vitit 73 hixhri, duke i dhënë fund shtetit të tij që kishte zgjatur rreth nëntë vjet.
Përpjekje ekonomike të jashtëzakonshme:
Abdulmeliku ishte një administrator i shquar, dhe sundimi i tij shënoi një kthesë të madhe në historinë e myslimanëve, duke rikthyer stabilitetin, bashkuar shtetin, përmirësuar politikën shtetërore, krijuar institucione dhe përhapur Islamin në shkallë të gjerë.
Një nga veprimet e tij për të vendosur stabilitet dhe unitet ishte nxjerrja e monedhës islame për herë të parë dhe unifikimi i peshës së saj, si garanci për drejtësinë. Ky ishte një hap qytetar i madh, duke çliruar ekonominë islame nga varësia ndaj monedhave të huaja, veçanërisht dinari bizantin.
Një tjetër veprim i shquar ishte arabizimi i administratës së taksave, që më parë ishte i rezervuar për jo-arabët. Kjo masë hapi mundësinë që arabët myslimanë të punonin në këtë administratë dhe të stërviteshin në çështjet financiare dhe ekonomike, duke pasur një ndikim të madh qytetar dhe historik.
Abdulmeliku vdiq në gjysmën e muajit Sheval të vitit 86 hixhri, dhe pas tij hilafetin e mori djali i tij Uelidi, e më pas djali i tij i dytë Sulejmani.
Uelid ibn Abdulmelik:
Ashtu siç ishte i interesuar për ndërtimin e xhamive, Uelidi u kujdes edhe për shtrimin e rrugëve, veçanërisht atyre që çonin në Hixhaz, për të lehtësuar udhëtimin e haxhinjve drejt Shtëpisë së Shenjtë. Ai i shkroi Umer ibn Abdulazizit për të lehtësuar kalimet malore, për të hapur puse dhe për të ndërtuar burime uji në Medinë, duke caktuar njerëz për mirëmbajtjen e tyre dhe për furnizimin me ujë të xhamisë.
Nëse sundimi i tij u dallua me reforma dhe ndërtim në brendësi, në planin e jashtëm ai përjetoi çlirimet më të mëdha në historinë omejade, madje ndër më të mëdhatë në historinë islame pas kohës së halifëve rashidun. Në këtë periudhë dolën komandantë të mëdhenj që u dalluan për trimëri dhe sakrificë:
Në lindje: el-Haxhaxhi, nga Iraku dërgoi Muhamed ibn el-Kasim, i cili çliroi Sindin, dhe Kutejbe ibn Muslim, i cili çliroi territoret përtej lumit (Transoksianën).
Në perëndim: Musa ibn Nusajr dhe Tarik ibn Zijad hapën Andaluzinë.
Ndërsa Mesleme ibn Abdulmelik luftoi kundër Bizantit dhe mori shumë fortesa kufitare.
Në përmbledhje, periudha e Uelidit ishte kohë begatie dhe zhvillimi të madh, me stabilitet të brendshëm dhe zgjerim të madh territorial – nga kufijtë e Kinës deri në Andaluzia – duke e bërë shtetin islam fuqinë më të madhe të kohës.
Ai vdiq në mes të Xhumada el-Ahire të vitit 96 hixhri, dhe u pasua nga vëllai i tij.
Sulejman ibn Abdulmelik:
Sulejmani ndoqi një rrugë të ngjashme, duke qenë i devotshëm dhe i përkushtuar. Fjalimet e tij ishin të mbushura me thirrje për devotshmëri, frikë ndaj Allahut dhe studim të Kuranit. Ai thoshte: “Bota është vend mashtrimi… Merreni Librin e Allahut si udhërrëfyes.”
Ai u rrethua me njerëz të mirë si Umer ibn Abdulazizi dhe Rexha ibn Hajuah, gjë që ndikoi shumë në karakterin e tij. Një herë, gjatë haxhit, kur pa turmat, i tha Umerit: “A nuk e sheh këtë popull?” Umeri iu përgjigj: “Sot janë nën përgjegjësinë tënde, nesër do të jenë kundërshtarët e tu para Allahut.” Sulejmani qau shumë dhe kërkoi ndihmën e Allahut.
Ai vdiq në Merxh Dabik në vitin 99 hixhri dhe në të njëjtën ditë u zgjodh halif kushëriri i tij.
Umer ibn Abdulazizi (kurora e halifëve):
Umeri ibn Abdulazizi konsiderohet më i shquari ndër halifët omejadë, edhe pse sundimi i tij zgjati vetëm rreth dy vjet e pesë muaj (99–101 hixhri).
Metodë e veçantë në qeverisje:
Ai u përqendrua në: Zbatimin e Kuranit dhe Sunetit, përhapjen e dijes, edukimin fetar të popullit
Ai e shihte hilafetin si përgjegjësi për ruajtjen e fesë dhe rregullimin e jetës sipas saj.
Ai caktoi rroga për dijetarët që të përkushtoheshin në mësimdhënie dhe dërgoi mësues në vende të ndryshme si Egjipti dhe Afrika.
Kujdesi për njerëzit:
Ai ndiente përgjegjësi të thellë për popullin. Transmetohet se qante duke menduar për: të varfrit, jetimët, të sëmurët, të shtypurit Ai thoshte se do të japë llogari për ta para Allahut.
Aftësi të larta administrative:
Ishte administrator i shkëlqyer: kujdesej për pasurinë publike zgjidhte me kujdes guvernatorët dhe gjyqtarët vendoste drejtësi dhe barazi përpiqej të bindte kundërshtarët me dialog. Qeverisja e tij karakterizohej nga drejtësia, mëshira dhe mençuria.
Politika e jashtme:
Ai vendosi të ndalojë zgjerimin ushtarak dhe të përqendrohet në: stabilizimin e territoreve ekzistuese përhapjen e Islamit me thirrje dhe shembull.
Ai u shkroi mbretërve dhe sundimtarëve duke i ftuar në Islam. Shumë prej tyre e pranuan për shkak të drejtësisë së tij.
Fundi i jetës:
Ai vdiq në vitin 101 hixhri, pa arritur moshën 40 vjeç, pasi shëndeti i tij u dobësua nga përkushtimi i madh ndaj punëve të shtetit. Pas tij, hilafeti kaloi te Jezid ibn Abdulmeliku.
Dobësia dhe rënia e Shtetit Omejad:
Mbetet të flasim për periudhën e dobësisë, e cila zgjati shtatë vitet e fundit të ekzistencës së Shtetit Omejad. Kjo periudhë u karakterizua nga konflikte midis princëve të familjes omejade, përfshirë kryengritje dhe intrigat e brendshme. Kjo çoi në neglizhimin e institucioneve shtetërore dhe ushtrisë, ndërprerjen e lëvizjes së xhihadit dhe përkeqësimin e kushteve në të gjithë territorin e gjerë të shtetit. Gjithashtu, vëmendja u shpërqendrua nga parandalimi i veprimeve të Abasidëve, dhe në fund shteti ra në duart e tyre me vrasjen e Mervan ibn Muhammedit, halifit të fundit omejad, në vitin 132 hixhri.
Në fund, për të kuptuar arsyet e rënies së Shtetit Omejad pas periudhës së tij të fuqisë, mund të përmenden:
1 – Kalimi i hilafetit islam në një monarki të trashëguar (sundim i trashëgueshëm).
2 – Caktimi i dy trashëgimtarëve në të njëjtën kohë.
3 – Shfaqja e frymës së fanatizmit tribal.
4 – Largimi i halifëve omejad nga udhëheqja fetare.
5 – Konfliktet midis fëmijëve të familjes omejade.
6 – Mosmarrëveshjet mes anëtarëve të familjes omejade (shumica nga sunitët), mbështetësve të alevit (shiitë), grupit të havarixhëve dhe Abasidëve.
7 – Neglizhimi i halifëve omejad ndaj përhapjes së thirrjes abaside.
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu dhe Muslimi.



















