Përqafimi dhe puthja e fëmijëve: gjuhë e heshtur dhe mjete magjike

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Puthja dhe përqafimi i fëmijëve konsiderohen ndër mënyrat më të rëndësishme të shprehjes së ndjenjave mes prindërve dhe fëmijëve. Është një sjellje shoqërore dhe njerëzore që forcon lidhjet familjare. Gjithashtu, mënyra e qetë e komunikimit me fëmijën është shumë e rëndësishme; përmes saj mund të arrijmë rezultate të mira. Kur i flasim fëmijës me qetësi, i japim siguri, e përqafojmë dhe e puthim, ne mbjellim tek ai vetëbesim; ai na shpreh atë që ka në mendje dhe na pyet për gjërat që nuk i kupton.

Ndër sjelljet që ushqejnë anën emocionale dhe psikologjike të fëmijës është edukimi përmes puthjes dhe përqafimit. Ky është një stil që sot mungon tek shumë prindër, pavarësisht rëndësisë dhe domosdoshmërisë së tij. Ndër përfitimet e puthjes dhe përqafimit të fëmijëve janë: forcimi i ndjenjës së sigurisë, pasi fëmija ndihet i dashur dhe i mbrojtur kur merr një puthje nga prindërit; ndërtimi i vetëbesimit, pasi puthjet e bëjnë të ndiejë vlerë dhe rrisin besimin në vetvete; si dhe forcimi i marrëdhënies mes prindërve dhe fëmijëve duke e bërë më të qëndrueshme.

Po ashtu, shprehja fizike e dashurisë përmes puthjes dhe përqafimit ndihmon në ndërtimin e lidhjeve të shëndetshme emocionale mes prindërve dhe fëmijëve, ul ndjenjat negative si frika dhe ankthi, dhe përmirëson gjendjen psikologjike në përgjithësi.

Studimet shkencore kanë vërtetuar se puthja e fëmijëve nxit tek ata prodhimin e hormoneve të lumturisë si oksitocina, madje disa e kanë quajtur atë “hormoni i përqafimit”. Ai ndihmon në forcimin e lidhjeve mes nesh dhe atyre që duam, dhe rrit ndjenjat e sigurisë, besimit dhe lumturisë.

Islami fton për mëshirë dhe butësi dhe për largim nga metodat e shtypjes, dhunës dhe detyrimit në trajtimin e fëmijëve, duke theksuar domosdoshmërinë e përdorimit të butësisë dhe fjalës së mirë. Mirësjellja ndaj fëmijëve është mënyra më e mirë për t’i trajtuar dhe edukuar drejt, mbi bazën e mësimeve islame dhe moralit të lartë. I Dërguari (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, butësia nuk gjendet në asgjë veçse e zbukuron, dhe nuk hiqet nga diçka veçse e shëmton.” Gjithashtu ai (a.s) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk mëshiron të voglin tonë dhe nuk njeh të drejtën e të madhit tonë.”

Dashuria e zemrës nuk mjafton në marrëdhënien me fëmijët; ajo duhet të zbatohet dhe të bëhet realitet i prekshëm përmes kujdesit, përkujdesjes, sjelljes së butë, përkëdheljes, puthjes dhe përqafimit, si dhe përkëdheljes së kokës së tyre. I Dërguari (a.s) është shembulli më i mirë për ne. Pavarësisht angazhimit të tij në thirrje, luftë dhe edukimin e umetit, ai nuk e neglizhoi këtë sjellje, por praktikonte edukimin përmes puthjes me fëmijët e tij dhe me fëmijët e sahabëve. Puthja është shenjë mëshire që fëmija duhet ta ndiejë dhe që prindërit duhet ta forcojnë në marrëdhënien me të.

Transmetohet nga Ebu Hurejra (a.s) se i Dërguari i Allahut (a.s) e puthi Hasanin, birin e Aliut, ndërsa tek ai ishte ulur el-Akra’ bin Habis et-Temimi. Ai tha: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe asnjërin prej tyre nuk e kam puthur.” I Dërguari i Allahut e pa dhe i tha: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”

Gjithashtu transmetohet nga Usame ibn Zejdi (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) e merrte atë dhe e ulte në njërin kofshë, ndërsa Hasanin në tjetrën, pastaj i përqafonte dhe thoshte: “O Allah, mëshiroji ata, sepse unë i mëshiroj.”

Prindërit duhet ta praktikojnë këtë sjellje edukative duke puthur dhe përqafuar fëmijët e tyre qoftë edhe një herë në ditë. Më e rëndësishmja është që fëmija të ndiejë afërsinë dhe kujdesin e prindërve, jo domosdoshmërisht numri i puthjeve apo vendi i tyre.

Në të vërtetë, puthja dhe përqafimi i fëmijëve janë sjellje të thjeshta, por me ndikim të madh pozitiv në shëndetin e tyre psikologjik dhe emocional. Si Islami ashtu edhe shkenca theksojnë rëndësinë e këtyre veprimeve që forcojnë lidhjet familjare dhe kontribuojnë në rritjen e një brezi të shëndetshëm emocionalisht dhe psikologjikisht. Përmes ofrimit të dashurisë dhe kujdesit, prindërit mund të sigurojnë një edukim të drejtë për fëmijët e tyre, që sjell dobi si për ta ashtu edhe për shoqërinë.

Autor: Ahmed Muhamed el Kaz’al

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *