Peshorja e zgjedhjes dhe peshorja e detyrimit dhe lehtësimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me këtë nënkuptojmë përzierjen ndërmjet peshores së zgjedhjes dhe peshores së detyrimit dhe të caktimit hyjnor, pra ndërmjet çështjes mjaft të debatueshme që ka ndodhur midis “el-Xhebrijes” dhe “el-Kaderijes.”

Ai që studion filozofinë e lashtë dhe moderne, madje edhe shkencën e kelamit, has vështirësi në kuptimin e çështjes së qenies së njeriut: a është ai i lirë në zgjedhjen e tij apo i detyruar?

Në këtë çështje kanë humbur orientimin filozofët grekë dhe romakë, si dhe shumica e ithtarëve të Librit. Po ashtu, në lidhje me të, mendimet e grupeve dhe rrymave të ndryshme islame kanë pasur shumë debate e mospajtime, duke u luhatur – në shumicën e rasteve – ndërmjet teprimit dhe mangësisë.

Mirëpo, nëse i drejtohemi fikhut të peshores për të kuptuar zgjedhjen dhe detyrimin, zgjidhja bëhet plotësisht e qartë, largohet paqartësia dhe zbulohet e vërteta. Kjo e vërtetë është se: Çdo gjë që është objekt i përgjegjësisë fetare hyjnore, mbi të cilën ndërtohet përgjegjësia, llogaria, shpërblimi dhe ndëshkimi, aty njeriu është posedues i vullnetit dhe i zgjedhjes, në një masë që i përshtatet natyrës së tij njerëzore të dobët. Por zgjedhja dhe vullneti i tij nuk janë të njëjta me vullnetin e Allahut të Lartësuar, Krijuesit të Fortë dhe të Plotfuqishëm.

Kjo përfshin të gjitha veprat që njeriu i kryen, të mira apo të këqiaj qofshin ato. Kjo sepse peshorja e përgjegjësisë fetare kërkon që njeriu të zgjedhë, dhe po ashtu peshorja e shpërblimit dhe ndëshkimit bazohet mbi përgjegjësinë, e cila kërkon që personi të jetë i aftë dhe të ketë mundësi zgjedhjeje për veprimin. Prandaj, nuk ka ndëshkim dhe as përgjegjësi fetare për atë që nuk ka arsye, vullnet dhe zgjedhje. Përndryshe, kjo do të ishte ngarkim me diçka të pamundur dhe bie ndesh me parimin e drejtësisë së shenjtë, e cila në Islam nuk lejohet të cenohet apo të prishet.

Ndërsa çdo gjë që nuk është objekt i përgjegjësisë, llogarisë, shpërblimit dhe ndëshkimit, aty njeriu është i drejtuar nga caktimi hyjnor dhe nuk ka të drejtë zgjedhjeje, siç janë: forma e trupit të njeriut, gjinia e tij mashkullore ose femërore, ngjyra e tij, gjatësia, gjerësia, bartja në barkun e nënës dhe të ngjashme me këto.

Nuk ka asnjë kundërshtim ndërmjet faktit që njeriu është zgjedhës dhe posedues i vullnetit, dhe ndërmjet vullnetit, dëshirës dhe zgjedhjes së Allahut të Lartësuar. Kjo sepse vullneti i Allahut të Lartësuar ndryshon nga vullneti i njeriut. Vullneti i Allahut është absolut, mbizotërues dhe gjithëpërfshirës, ndërsa vullneti i njeriut është i kufizuar, i dobët dhe i nënshtrohet vullnetit hyjnor.

Megjithatë, ligjet e Allahut të Lartësuar kanë qenë që Ai t’i japë njeriut vullnetin dhe aftësinë e përshtatshme me natyrën e tij, në mënyrë që ai të jetë i aftë për përgjegjësi, llogari, shpërblim ose ndëshkim. Kjo sepse Allahu i Lartësuar është Gjykatësi më i Drejtë, prandaj Ai nuk e merr në llogari njeriun për diçka që ai nuk e ka bërë me vullnetin dhe zgjedhjen e tij.

Nëse i mbledhim ajetet kuranore që lidhen me këto dy vullnete dhe dy dëshira, do të shohim se ato shpërndahen qartë në të dyja anët e peshores, sipas parimit të ekuilibrit që përmendëm.

Për shkak të çrregullimit në kuptimin e këtyre dy peshoreve, devijuan “el-Xhebrijjet”, të cilët thanë se njeriu është i detyruar dhe nuk ka të drejtë zgjedhjeje, si dhe “el-Kaderijjet”, të cilët  pohuan se njeriu posedon zgjedhje absolute.

E gjithë kjo ndodhi për shkak të mungesës së kuptimit të saktë të ajeteve që lidhen me vullnetin absolut të Allahut dhe vullnetin e njeriut.

Kështu, “el-Xhebrijjet” u mbështetën vetëm në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ju nuk dëshironi, përveçse kur dëshiron Allahu, Zoti i botëve.”[1] dhe në fjalën e Tij:“Dhe ti nuk hodhe kur hodhe, por Allahu hodhi.”[2] dhe në ajete të ngjashme me to, prandaj ata erdhën me pohimin e detyrimit absolut.

Ndërsa “el-Kaderijje” u përqendruan në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.”[3] dhe në ajete të ngjashme me të, prandaj ata erdhën me pohimin e vullnetit dhe zgjedhjes absolute nga njeriu.

Nga njëra anë tjetër, grupi i parë – el-Xhebrijjetu – duke u përqendruar te madhështia e Allahut dhe fuqia e Tij absolute, nuk panë veprues të vërtetë përveç Allahut të Lartësuar. Ndërsa grupi i dytë – el-Kaderijje – u përqendruan te çështja e përgjegjësisë fetare dhe te ruajtja e pastërtisë së Allahut nga ideja se Ai t’i ngarkojë robërit e Tij me përgjegjësi, t’i marrë në llogari ose t’i shpërblejë, pa pasur ata vullnet dhe aftësi.[4] Kështu, secili prej tyre mori gjysmën e së vërtetës dhe la gjysmën tjetër. Ndërsa e vërteta qëndron në bashkimin e të dyja aspekteve, përmes peshores që përmendëm.

Imam Ibn Kajjimi thotë: “Argumentet e “el –Xhebrijve” janë të shumta dhe të sakta kundër atij që mohon fuqinë e Zotit të Lartësuar mbi çdo gjë, prej qenieve dhe veprave, dhe që mohon gjithëpërfshirjen e vullnetit dhe krijimit të Tij për çdo ekzistues. Ndërsa argumentet e “el – Kaderijve” janë të shumta dhe të sakta kundër atij që mohon veprën e robit, aftësinë e tij, vullnetin dhe zgjedhjen e tij.”[5]

Sikur këta dhe ata t’i ishin kthyer peshores së përgjegjësisë fetare dhe peshores së fuqisë së Allahut të Lartësuar, nuk do të kishin rënë në këtë çrregullim dhe huti. Për këtë arsye, Ibn Kajjimi ka thënë: “Njerëzit e së vërtetës janë ata që bashkojnë të vërtetën që gjendet te secila palë me të vërtetën që gjendet te pala tjetër, dhe distancohen nga e pavërteta e secilës palë.”[6]

Pra, besimtari beson në fuqinë absolute të Allahut të Lartësuar, të cilën e dëshmojnë ajetet ku janë mbështetur “el – Xhebrijtë.” Po ashtu, ai beson në të gjitha ajetet ku janë mbështetur “el – Kaderijjtë”, dhe i kupton ato në këtë mënyrë: Allahu i Lartësuar ka vendosur si pjesë të ligjeve të Tij që t’i japë njeriut aftësi dhe zgjedhje, në mënyrë që ai të merret në llogari dhe të shpërblehet për të këqijat dhe të mirat e tij. Prandaj, nuk ka asnjë kundërshti ndërmjet këtyre teksteve. Ky kuptim arrihet përmes fikhut të peshores, i cili e vendos drejtësinë si bazë mbi të cilën njerëzit gjykohen dhe përmes së cilës realizohet drejtësia ndërmjet njerëzve.

Autor: Ali Karadagi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Tekuir: 29.

[2] – Sure Enfal: 17.

[3] – Sure Kehf: 29.

[4] – Për më tepër shih “El Merxhiatul Ulja fil Islami” i doktor Jusuf Kardavit, fq: 177, shtëpia botuese “Er risale”.

[5] – “Shifaul Galili fi Mesailil Kadai uel Kudreti uel Hikmeti uet Ta’lili” fq: 51 – 52.

[6] – I njëti burim.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *