Nëse ne themi se është e domosdoshme që dija t’i paraprijë veprës në çështjet e fesë, atëherë këtë domosdoshmëri e theksojmë edhe më fort në punët e kësaj bote.
Ne jetojmë në një epokë ku çdo gjë ndërtohet mbi dijen, dhe nuk pranohet më improvizimi apo veprimi kaotik në asnjë aspekt të jetës.
Prandaj, çdo veprim serioz kërkon patjetër studim para se të merret vendimi për të; kërkon bindje për dobinë e tij para se të nisë zbatimi; kërkon planifikim para realizimit; dhe kërkon mbështetje në shifra dhe statistika përpara se të ndërmerret.
Në libra dhe studime të tjera të miat kam theksuar se statistika, planifikimi dhe studimi para veprimit janë pjesë përbërëse e vetë Islamit. I Dërguari i Allahut (a.s) ishte i pari që urdhëroi kryerjen e një regjistrimi statistikor të rregullt për ata që besuan tek ai pas shpërnguljes në Medinë. Gjurmët e planifikimit shfaqen qartë në jetën e tij në shumë forma dhe situata.
Më prioritar që duhet të planifikojnë të nesërmen e tyre janë ata që merren me veprimtari islame; ata nuk duhet t’i lënë çështjet të ecin pa fre, pa përfituar nga përvojat e së djeshmes, pa vëzhguar realitetet e së sotmes, pa vlerësuar saktësinë dhe gabimet në përpjekjet e bëra, pa matur fitimet dhe humbjet në rrugëtimin mes së djeshmes dhe së sotmes, dhe pa njohur me saktësi kapacitetet dhe mundësitë që zotërojnë, materiale dhe shpirtërore, të dukshme apo të fshehura, të shfrytëzuara apo të shpërdoruara. Po ashtu, duhet njohur qartë se cilat janë burimet tona të forcës dhe pikat tona të dobëta, si edhe ato të kundërshtarëve tanë: kush janë kundërshtarët tanë të vërtetë? Cilët janë kundërshtarë të përhershëm dhe cilët të përkohshëm? Cilët mund të fitohen dhe cilët jo? Me cilët mund të zhvillohet dialog dhe me cilët jo? Nuk është e drejtë të barazohen kundërshtarët, sepse në realitet ata janë të ndryshëm mes vete.
Të gjitha këto nuk mund të njihen veçse përmes dijes dhe studimit objektiv, larg gjykimit emocional dhe të çliruar — sa të jetë e mundur — nga ndikimet personale, mjedisore dhe kohore; edhe pse çlirimi i plotë dhe absolut mbetet pothuajse i pamundur.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















