Problemet financiare mes bashkëshortëve dhe zgjidhjet e tyre

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

A është e detyruar gruaja të kontribuojë në shpenzimet e shtëpisë? A ka të drejtë burri ta detyrojë gruan të paguajë për arsimin e fëmijëve? Kush i mbulon shpenzimet e shoferit ose të punonjëses së shtëpisë? A është burri i detyruar t’i blejë makinë gruas së tij? Si e përcaktojnë bashkëshortët buxhetin familjar? Si duhet të merren me borxhet? Nëse gruaja është e punësuar, a nuk është më burri i detyruar të shpenzojë për të?

Pyetje të tjera të shumta bëhen shkak për mosmarrëveshje mes bashkëshortëve nëse nuk bien dakord për një sistem financiar të përshtatshëm për të dyja palët. Konfliktet financiare zakonisht shfaqen në fillim të martesës ose pas lindjes së fëmijëve. Arsyeja shpesh lidhet me ndryshimet në zakonet e shpenzimit dhe kursimit midis burrit dhe gruas, gjë që vjen si pasojë e mënyrave të ndryshme të edukimit të djemve dhe vajzave gjatë fëmijërisë së tyre.

Shpesh, vajza rritet me përkëdhelje dhe i plotësohen shumica e kërkesave, kështu që kur martohet, pret që bashkëshorti ta trajtojë në të njëjtën mënyrë si babai i saj. Por me kalimin e kohës, ajo mund të habitet kur sheh se burri i saj llogarit çdo shpenzim, sidomos në fillim të jetës së tyre, pasi dëshiron të sigurojë një të ardhme për familjen. Kjo mund ta bëjë atë ta perceptojë si tepër të kujdesshëm me paratë apo edhe koprrac, dhe mund të ndiejë sikur është zhgënjyer nga kjo martesë. Prandaj, mirëkuptimi dhe marrëveshja që në fillim të martesës janë çelësi për të shmangur problemet dhe konfliktet financiare.

Kur bashkëshortët bien dakord për një politikë të qartë financiare, rreth shpenzimeve, detyrimeve, borxheve dhe ndarjes së informacionit mes tyre, si p.sh. vlera e qirasë, shpenzimet e jetesës dhe detyrime atëherë jeta bëhet më e qëndrueshme mes tyre. Në thelb, burri mban përgjegjësinë për shpenzimet bazë si sigurimi i banesës, ushqimi, shpenzimet për bashkëshorten dhe fëmijët, si dhe detyrimet sociale që lidhen me familjen në raste festash dhe ngjarjesh. Megjithatë, duhet të merret gjithmonë parasysh çdo rast martese sipas kushteve të saj financiare.

Jeta sot është e vështirë, kostot e jetesës janë të larta dhe kërkesat e familjes janë të shumta. Prandaj, marrëveshja që në fejesë ose në fillim të martesës për përcaktimin e buxhetit dhe planit financiar për të ardhmen është shumë e rëndësishme, në mënyrë që të shmangen mosmarrëveshjet mes dy palëve. Ndarja e përgjegjësive financiare duhet patjetër të jetë e dakordësuar. Në shumicën e familjeve, burri mund të mbulojë shpenzimet bazë të familjes; ndërsa nëse gruaja ka kërkesa shtesë apo luksoze dhe burri nuk mund t’i përmbushë, atëherë duhet të ketë koordinim dhe mirëkuptim mes tyre.

Një nga zgjidhjet mund të jetë që gruaja të kontribuojë vetë në shpenzimet për gjërat që dëshiron, sidomos ato luksoze apo argëtuese. Kjo sepse burri mund t’i japë përparësi shlyerjes së borxheve ose kursimit për të siguruar një shtëpi në të ardhmen, apo për të mbuluar shpenzimet e arsimit të fëmijëve. Nëse gruaja është e punësuar, paga e saj i takon asaj dhe burri nuk merr prej saj, përveç nëse ka pasur një marrëveshje para martesës ose nëse ajo kontribuon me dëshirën e saj për shpenzimet familjare, apo nëse të dy bien dakord për ndarjen e shpenzimeve.

Gruaja mund të blejë një makinë nga paratë e saj personale, ose ndoshta bashkëshortët mund të bien dakord që burri të mbulojë shpenzimet nga të ardhurat e tij, ndërsa gruaja t’i dedikojë të ardhurat e saj për investime. Megjithatë, është e rëndësishme të dihet se kontributi financiar i gruas në shtëpi nuk është detyrim për të, edhe nëse burri është i varfër dhe ajo është e pasur ajo nuk është e detyruar të shpenzojë për të. Nga ana tjetër, ajo duhet të respektojë mundësitë financiare të burrit dhe të mos e ngarkojë atë përtej kapaciteteve të tij me kërkesa, sidomos nëse ato janë për argëtim apo luks dhe jo nevoja bazë.

Së fundmi, mund të themi se ka disa rregulla të rëndësishme për suksesin financiar mes bashkëshortëve. Ndër to janë: respektimi i prioriteteve të secilit në shpenzim, krijimi i një fondi ose llogarie të veçantë për emergjenca, menaxhimi i borxheve me mençuri duke i planifikuar dhe ristrukturuar ato, si dhe shmangia e shpenzimeve të rastësishme për çdo gjë që u pëlqen apo dëshirojnë.

Diskutimi i çështjeve financiare përmes bisedave dhe takimeve të rregullta ndihmon në afrimin e pikëpamjeve mes tyre. Të gjitha këto janë të rëndësishme, dhe që Zoti t’u japë begati në pasurinë dhe familjen e tyre, është e nevojshme të shtojnë bamirësinë (sadakanë), të përmbushin detyrimin e zekatit dhe ta vendosin atë ndër prioritetet e shpenzimeve.

Autor: Xhasimi Mutava

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *