Drejtësia është shtylla themelore mbi të cilën ndërtohen shoqëritë e qëndrueshme dhe të bashkuara. Drejtësia është parimi që realizon ekuilibrin midis të drejtave dhe detyrimeve, dhe garanton shpërndarjen e mundësive në mënyrë të drejtë, larg diskriminimit apo padrejtësisë. Gjatë historisë, drejtësia ka qenë faktori i përbashkët në lulëzimin e qytetërimeve, pasi ajo çon në paqe të brendshme dhe zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë tre shtylla kryesore rreth rëndësisë së drejtësisë dhe ndikimit të saj mbi individët dhe shoqëritë.
Roli i drejtësisë në ndërtimin e shoqërive të shëndosha
Drejtësia është themeli mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet e forta shoqërore, pasi ajo siguron që çdo individ të marrë të drejtat e tij pa tejkalim apo cënim nga të tjerët. Kur drejtësia mbizotëron në shoqëri, të gjithë ndihen të sigurt dhe kanë besim, gjë që çon në forcimin e bashkimin shoqëror.
Ndër shembujt më të spikatur të ndikimit të drejtësisë është eliminimi i pabarazisë shoqërore, e cila krijon urrejtje midis shtresave të ndryshme. Drejtësia u jep të gjithëve mundësi të barabarta në arsim dhe punë, pavarësisht nga klasa apo prejardhja shoqërore, gjë që forcon ndjenjën e përkatësisë dhe besnikërisë ndaj shoqërisë.
Për më tepër, drejtësia parandalon lindjen e konflikteve dhe ul nivelin e krimeve. Kur individët ndiejnë se ekziston një sistem që u garanton të drejtat dhe i mbron nga padrejtësia, ata shmangin përdorimin e dhunës ose hakmarrjes dhe si rrjedhojë, shoqëria bëhet më e qëndrueshme dhe më e sigurt.
Drejtësia në Islam: Themeli i marrëdhënieve njerëzore
Në Islam, drejtësia zë një vend të madh si një vlerë qendrore në legjislacionin islam. Ajo është një parim hyjnor që është theksuar në Kuranin e Shenjtë dhe në traditën Profetike, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit.”[1]
Drejtësia në Islam nuk kufizohet vetëm në vendimet gjyqësore, por përfshin të gjitha aspektet e jetës, duke filluar nga marrëdhënia mes udhëheqësit dhe të udhëhequrve, deri te marrëdhëniet mes individëve në familje dhe në shoqëri.
Për shembull, Islami nxit drejtësinë mes fëmijëve në trajtim dhe në dhurata, siç ka thënë Profeti (a.s): “Bëhuni të drejtë mes fëmijëve tuaj në dhurata, ashtu siç dëshironi që ata të jenë të drejtë ndaj jush në mirësjellje dhe butësi.”
Drejtësia në Islam shfaqet edhe në mënyrën e trajtimit të armiqve dhe kundërshtarëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë…!”[2]
Ky parim pasqyron lartësinë e Islamit në vendosjen e drejtësisë edhe ndaj atyre me të cilët kemi mospajtime, duke forcuar kështu vlerat e larta njerëzore dhe morale.
Ndikimi i mungesës së drejtësisë në stabilitetin e shoqërive
Mungesa e drejtësisë çon në shkatërrimin e shoqërive dhe përhapjen e padrejtësisë dhe korrupsionit. Kur shkelen të drejtat e individëve, ata ndihen të zhgënjyer dhe humbasin besimin tek institucionet, gjë që i shtyn të kërkojnë zgjidhje individuale që mund të jenë të dëmshme për shoqërinë në tërësi.
Padrejtësia lind urrejtje dhe çon në shpërbërjen e marrëdhënieve shoqërore. Këto pasoja shfaqen qartë në shoqëritë që vuajnë nga diskriminimi klasor ose racor, ku krijohet një hendek i madh mes shtresave të ndryshme, duke kërcënuar paqen shoqërore.
Përveç kësaj, mungesa e drejtësisë çon në pengimin e zhvillimit. Shoqëritë ku mbizotërojnë nepotizmi dhe korrupsioni dështojnë të përfitojnë nga aftësitë e individëve të tyre, gjë që sjell largimin e trurit dhe uljen e produktivitetit. Kjo, nga ana tjetër, ndikon negativisht në ekonomi dhe rrit nivelet e varfërisë dhe papunësisë.
Rivendosja e drejtësisë në kushte të tilla kërkon reforma rrënjësore, të cilat përfshijnë vendosjen e ligjeve të drejta dhe zbatimin e tyre me vendosmëri, krahas forcimit të ndërgjegjësimit kulturor për rëndësinë e drejtësisë.
Përfundimi:
Drejtësia nuk është thjesht një vlerë morale, por është themeli i çdo përparimi dhe zhvillimi. Me praninë e drejtësisë, shoqëritë gëzojnë paqe dhe stabilitet, ndërsa mungesa e saj çon në kaos dhe shkatërrim. Ne të gjithë duhet të përpiqemi ta zbatojmë drejtësinë në jetën tonë të përditshme dhe të punojmë për ta rrënjosur atë si një vlerë themelore tek brezat e ardhshëm, për të siguruar një të ardhme më të mirë.
Autor: Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nahl: 90.
[2] – Sure Maide: 8.



















