Roli i gruas në rilindjen e arsimit islam në Bullgari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Rilindja e arsimit islam në Bullgari nuk filloi me rihapjen e shkollave fetare pas rënies së regjimit komunist, por nisi nga njeriu që mori përsipër përgjegjësinë për rindërtimin e identitetit islam brenda shoqërisë. Në zemër të këtij procesi u shqua gruaja, e cila luajti një rol thelbësor në edukimin e fëmijëve, përgatitjen e brezave dhe lidhjen e familjes me xhaminë, derisa u bë një partnere kryesore në ndërtimin e një prej përvojave më të organizuara të arsimit islam në Ballkan.

Ky rol nuk ishte rezultat i ndonjë vendimi administrativ apo i një programi të përkohshëm, por u zhvillua përmes një procesi gradual që u shtri ndër vite. Ai filloi me përpjekjet e myslimanëve të Bullgarisë për të ringjallur arsimin islam përmes mësimeve në xhamitë dhe kurseve sezonale, më pas vijoi me përgatitjen dhe kualifikimin e mësueseve, përpara se të kurorëzohej me krijimin e një strukture institucionale të specializuar, e cila drejton veprimtarinë e grave dhe garanton vazhdimësinë e saj. Kështu, gruaja u bë një nga faktorët më të rëndësishëm të suksesit dhe qëndrueshmërisë së projektit të arsimit islam në Bullgari.

Kur myslimanët e Bullgarisë rifituan lirinë e tyre fetare në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, mejtepet e xhamive ishin institucionet e para arsimore që pritën fëmijët, ndërsa gruaja, që në atë fazë, përbënte shtyllën kurrizore të këtij projekti.

Mësueset morën përsipër mësimin e shkronjave arabe, më pas leximin e saktë të Kuranit fisnik, si dhe bazat e besimit dhe adhurimeve, në qindra qarqe mësimore të shpërndara nëpër xhami. Arsimi nuk kufizohej vetëm brenda sallave të mësimit, por shndërrohej në një përvojë edukative që fëmija e përjetonte së bashku me familjen dhe shoqërinë e tij.

Kjo u mishërua në fshatra si Ribnovo, ku banorët ishin mësuar të festonin zotërimin e shkronjave arabe nga fëmijët, duke e konsideruar atë hapin e parë në rrugëtimin e mësimit të Kuranit fisnik. Këto festime, të cilat organizoheshin nga mësueset në bashkëpunim me myftinitë rajonale, pasqyronin rikthimin e arsimit islam në jetën publike pas dekadash të gjata ndalimi, si dhe forconin lidhjen e familjes me xhaminë që në vitet e para të jetës së fëmijës.

Me zgjerimin e madh të mejtepeve të xhamive dhe të kurseve verore e dimërore, Myftinia e Përgjithshme kuptoi se suksesi i këtij projekti varej nga përgatitja e mësueseve që zotëronin kompetencën shkencore dhe aftësitë pedagogjike.

Për këtë arsye, përgatitja e mësueseve nuk u kufizua vetëm në studimet në Institutin e Lartë Islam, por Myftinia e Përgjithshme miratoi programe të rregullta vjetore trajnimi, ku mblidheshin mësueset e Kuranit fisnik nga provinca të ndryshme, me synim shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e metodave të mësimdhënies, forcimin e aftësive për t’u sjellë me fëmijët dhe familjet, si dhe ndjekjen e mjeteve bashkëkohore të mësimdhënies.

Me kalimin e kohës, këto programe u zhvilluan dukshëm dhe filluan të përfshinin trajnime për mësimdhënien përmes lojës, teknikat e dramës edukative, komunikimin efektiv, gjuhën e trupit dhe krijimtarinë artistike, krahas përgatitjes fetare, çka tregon kalimin e përgatitjes së mësueses nga faza e kualifikimit bazë drejt një sistemi të integruar të zhvillimit të vazhdueshëm profesional.

Gjithashtu, përvojat e një numri mësuesesh dëshmojnë për një cikël të plotë arsimor: shumë prej tyre e nisën rrugëtimin si nxënëse në mejtepet e xhamive dhe në kurset verore, më pas vazhduan studimet në Institutin e Lartë Islam, për t’u rikthyer më vonë si mësuese që edukojnë një brez të ri fëmijësh. Kjo siguron ripërtëritjen e kuadrove arsimore në mënyrë të natyrshme dhe të qëndrueshme.

Gruaja dhe ndërtimi i identitetit islam brenda familjes dhe shoqërisë

Qëllimi i punës së mësueseve nuk ishte vetëm t’u mësonin fëmijëve leximin e saktë të Kuranit fisnik, por edhe të ndërtonin një personalitet mysliman që ndihet krenar për identitetin e tij, është i lidhur me xhaminë dhe i përkthen vlerat islame në sjellje të përditshme.

Për këtë arsye, mësueset u përqendruan në kultivimin e dashurisë për Kuranin dhe Islamin, zhvillimin e virtyteve morale dhe forcimin e përkatësisë ndaj shoqërisë myslimane. Kjo u pasqyrua gradualisht edhe te familjet, të cilat u bënë partnere themelore në procesin arsimor.

Rezultatet e këtij roli u shfaqën në forma të ndryshme, ndër të cilat edhe ceremonitë e përfundimit të mësimit të Kuranit, të cilat dëshmuan pjesëmarrje të gjerë të familjeve dhe të komunitetit vendor, si dhe konkurset kulturore islame që zhvillohen çdo vit, ku marrin pjesë mijëra fëmijë pasi kanë përfunduar programet e mejtepeve të xhamive. Krahas tyre, u shfaqën edhe modele të spikatura të grave, si diplomimi i hafizes së parë të Kuranit fisnik nga Shkolla e Imamëve dhe Hatibëve në Momçilgrad, arritje që drejtoria e shkollës e konsideroi një ngjarje historike në rrugëtimin e saj.

Ndikimi i gruas u shtri edhe në fushën shoqërore, përmes organizimit të nismave bamirëse dhe panaireve të dedikuara për mbështetjen e jetimëve, duke e lidhur edukimin islam në mënyrë konkrete me vlerat e solidaritetit dhe të punës vullnetare. Këto nisma nuk u kufizuan vetëm në ngulitjen e vlerave në ndërgjegjen e fëmijëve, por kontribuuan edhe në krijimin e një mjedisi shoqëror mbështetës për institucionet islame. Gratë morën pjesë në përgatitjen dhe organizimin e panaireve bamirëse që zhvillohen në xhami, së bashku me fëmijët dhe familjet, duke i shndërruar këto nisma në një mbështetje për veprimtaritë arsimore dhe shoqërore që mbikëqyren nga Myftinia e Përgjithshme, si dhe duke forcuar lidhjen e komunitetit me projektin e arsimit islam dhe vazhdimësinë e tij.

Nga puna në terren te institucioni

Me zgjerimin e programeve për gratë dhe rritjen e numrit të mësueseve dhe të veprimtarive arsimore, puna kaloi në një fazë më të organizuar, kur Myftinia e Përgjithshme, në vitin 2023, krijoi një sektor të posaçëm për gruan, i cili ka për detyrë të koordinojë të gjitha veprimtaritë për gratë të zhvilluara nga myftinitë rajonale në qarqe të ndryshme.

Krijimi i këtij sektori nuk shënoi fillimin e rolit të gruas, por përbënte një njohje institucionale të suksesit të një përvoje që ishte zhvilluar ndër vite, derisa arriti në një pikë ku kishte nevojë për një administrim të specializuar që të mbikëqyrte zhvillimin e saj, unifikimin e programeve dhe përgatitjen e kuadrove.

Shpejt, detyrat e sektorit u zgjeruan dhe ai filloi të mbikëqyrte kurset shkencore dhe punëtoritë kombëtare të trajnimit për mësueset e mejtepeve të xhamive, të punonte për zhvillimin e programeve mësimore dhe metodave pedagogjike, të përfitonte nga përvojat akademike dhe të ndërtonte një rrjet profesional që bashkon mësueset në të gjitha anët e vendit. Kjo pasqyron kalimin e veprimtarisë së grave nga nismat vendore në një sistem institucional të integruar.

Gruaja… garancia e qëndrueshmërisë së projektit arsimor

Përvoja bullgare tregon se qëndrueshmëria e arsimit islam nuk u mbështet vetëm në ndërtimin e shkollave apo hartimin e programeve mësimore, por edhe në investimin e vazhdueshëm te njeriu, dhe gruaja qëndroi në krye të këtij investimi.

Mësuesja që nis me fëmijën duke i mësuar shkronjat arabe, vazhdon ta shoqërojë në rrugëtimin e tij për mësimin e Kuranit fisnik, e përgatit për pjesëmarrje në konkurset dhe ceremonitë e përfundimit të mësimit të Kuranit, pastaj frymëzon disa prej vajzave që të vazhdojnë studimet dhe të rikthehen si mësuese në të ardhmen. Kështu, cikli i arsimit përtërihet brez pas brezi.

Prandaj, gruaja nuk luan më një rol ndihmës brenda sistemit të arsimit islam në Bullgari, por është bërë një nga shtyllat e tij kryesore. Ajo ka kontribuar në përgatitjen e kuadrove, lidhjen e familjes me xhaminë, kultivimin e identitetit islam në zemrat e fëmijëve, zhvillimin e punës institucionale dhe garantimin e vazhdimësisë së projektit arsimor ndër breza. Kështu, përvoja bullgare dëshmon se rilindja e arsimit islam nuk do të ishte e plotë pa rolin thelbësor që ka luajtur gruaja.

Autor: Hani Salah

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *