Të nderuar organizues të këtij takimi, të nderuar pjesëmarrës es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.
Allahu i Madhëruar për të plotësuar mirësinë e tij udhëzuese, Kuranin, ka zbritur edhe një burim tjetër udhëzues, pasues të Kuranit, sunnetin e Profetit Muhamed (a.s) “Dhe Ne ta kemi zbritur dhikrin, që t’u sqarosh njerëzve atë që u është zbritur.”
Pra Profeti (a.s) me fjalën, punën, dhe sjelljen e tij është sqarues i Kuranit. Ose thënë ndryshe, njeriu e sheh Kuranin të kristalizuar dhe të konkretizuar te vetë Profeti Muhamed (a.s). Nga kjo pikëpamje Aishja (r.a) e përshkruan duke thënë: “Profeti (a.s) ishte Kurani, që ecën në tokë”. Nga rëndësia e këtij fakti u nisën të gjithë brezat e besimtarëve myslimanë, për t`iu afruar Allahut duke i shërbyer kësaj tradite të shenjtë profetike, derisa arritën te imam Buhariu e deri në ditët tona.
Por kur bie fjala për sahihun e imam Buhariut, të bën përshtypje një fenomen shumë i rëndësishëm, fenomen për të cilin të gjithë muslimanët janë dëshmitarë. Kjo çështje që të tërheq vëmendjen fuqishëm dhe që realisht duhet të konsiderohet një pikë vendimtare referimi për çdo ftues dhe teolog ka të bëjë me shkakun e pranueshmërisë së madhe që gjeti ky libër tek muslimanët në përgjithësi, tek studiuesit e tyre në veçanti, por edhe tek studiuesit jo muslimanë. Meditimi i mbështetur në një studim të thellë të kësaj çështje do të dilte realisht me perla dhe xhevahire shumë të çmuara për muslimanët dhe mbarë njerëzimin, si dhe për teologët muslimanë në veçanti. Por gjithsesi kërkimi i thjeshtë i një të dashuruari pas punës së imamit të madh Buhariut rezulton se janë disa faktorë shumë të fortë objektivë, që çuan në këtë pranim kaq masiv të kësaj vepre madhore. Këto kategori natyrshëm mund të ndahen në dy kryesore .
Kategoria e parë ka të bëjë me vetë imam Buhariun dhe personalitetin e tij.
Ndërsa kategoria e dytë ka të bëjë me metodën, që ka përdorur imam Buhariu në formulimin e këtij libri dhe me mekanizmat që ka përdorur për përzgjedhjen e perlave profetike.
Përsa i përket kategorisë së parë – atë të personalitetit të imam Buhariut – duhet pasur parasysh, se Allahu i Madhëruar e ka bërë ligj, që pranimi i fesë nga një burim i caktuar të jetë i lidhur drejtpërdrejt me besueshmërinë në burimin nga vjen kjo fe. Jo më kot Allahu i Madhëruar i parapriu zbritjes së fesë së tij mbi Muhamedin (a.s) me imunizimin e tij në aspektin e moralit dhe vlerave, siç shprehet vetë Profeti Muhamed (a.s): “Më ka edukuar Zoti im dhe e ka përsosur edukimin tim”. Kjo deklaratë profetike bazohet tek targeti hynor për të: “Në të vërtetë ti je në nivelin më të lartë të moraleve”. Kështu që një rol të madh në pranimin e kësaj pune ka luajtur besimi që kishin njerëzit në devotshmërinë, besën, besnikërinë dhe përgjegjësinë e imam Buhariut. Ky besim shprehet qartë në gjuhët e kolosëve me të mëdhenj të fushës së traditës profetike.
Imam Ahmedi (r.h) thotë: “Nuk ka nxjerrë Horasani si shembulli i Muhamed ibn Ismail el-Buhari”.
Kur imam Ali Ibn El-Medini u njoftua, se imam Buhariu kishte thënë: “Nuk e kam parë veten më të vogël para dikujt tjetër përveç Ali Ibn El-Medinit”, tha: “Lërini këto. Muhamed Ibn Ismaili nuk ka parë kënd tjetër si vetja e tij”.
Rexha El-Hafith ka thënë: “Buhariu është argument prej argumenteve të Allahut”.
Imam Muslimi kur u takua me imam Buhariun i tha: “Më lejo të të puth këmbët o mjeshtër i mjeshtrave, o zotëriu i dijetarëve dhe mjeku i hadithit”.
Salih Xhezere thotë: “Kur imam Buhariu vinte në Bagdat, 20 mijë nxënës mblidheshin në kuvendin e tij”.
Besimit të madh që kishin njerëzit tek devotshmëria, besa, besnikëria dhe përgjegjësia e Buhariut para Allahut i bashkangjitet në të njëtin nivel besimi që kishin në devocionin, besnikërinë, përgjegjësinë dhe saktësinë shkencore të vetë imam Buhariut.
Fakti që imam Buhariu e ka shkruat këtë libër në një periudhë kohore prej 16 vjetësh është një tregues shumë i fortë për pohimin e mësipërm.
Dy nga bashkëkohësit e imam Buhariut tregojnë, se së bashku me të, që në vegjëli, mësonin tek të njëjtët dijetarë të Basras. Ndërsa të tjerët shkruanin ai vetëm dëgjonte.
Kjo gjë u bëri shumë përshtypje dhe e kritikuan. E pas një këmbëngulje të tyre ai ua vërtetoi, se gjithçka kishin shkruar ata, imam Buahriu i kishte mësuar përmendësh.
E kjo siguri i shtyu të korrigjojnë hadithet që kishin shkruar, në bazë të memories së tij.
E kush mund të dyshonte më tek përgjegjësia dhe saktësia shkencore e imam Buhariut pas suksesit të tij të bujshëm ndaj provës së hollë të dijetarëve të Bagdadit me 100 hadithet e përmbysura dhe të shkapërderdhura.
Kjo përgjegjësi shkencore ishte forcë e mishëruar tek imam Buhariu me atë para Allahut të Madhëruar.
Imam Buhariu pohon: “Nuk kam vendosur asnjë hadith në këtë libër, para se të lahem dhe të fal dy rekate”.
Madje ky fakt na bën të pohojmë, se burimi kryesor i përgjegjësisë dhe saktësisë shkencore është përgjegjësia para Allahut të Madh.
Kjo bindje i ka bërë dijetarët e kësaj fushe, t’i kristalizojnë këto dy përgjegjësi në dy kushte kryesore te pranimit të hadithit nga një transmetues i caktuar besueshmëria dhe saktësia apo të dyja këto kushte ishin mishëruar në nivelin më të lartë te vetë imam Buhariu.
Përsa i përket kategorisë së dytë të faktorëve që ndikuan në përhapjen në masë të këtij libri, ajo konsiston në specifikat e metodës së ndjekur nga Imam Buhariu në formulimin e këtij libri.
Këto specifika janë shumë më të gjëra sesa të përfshihen në këto minuta të numëruara. Megjithatë kushtet garantuese dhe imunizuese që ka vendosur imam Buhariu për pranimin transmetimit të një hadithi dhe transmetuesit të tij rrezatuan fuqishëm dhe pozitivisht, si në pranimin e këtyre haditheve, po ashtu edhe në ndjekjen e kësaj metode model nga shumë dijetarë të tjerë.
Ky fakt më shumë se çdo gjë tjetër nxjerr në pah vlerën e argumentit në Islam. Kjo do të thotë, se Islami ashtu siç është i interesuar për dijen po në të njëjtin nivel është i interesuar për burimin se nga vjen kjo dije. Madje dija e vërtetë nuk mund të përfytyrohet pa argumentin e saj.
Mrekullia nuk qëndron vetëm te kjo risi shkencore islame – pra zinxhiri i transmetimit – por edhe tek fakti se për herë të parë në historinë botërore zinxhiri i transmetimit u fut në përdorim për studimin e referencave të ndryshme historike, filozofike, sociale etj, gjë që filloi para imam Buhariut.
Vendosja e hadithit të nijetit në krye të këtij libri përbën në vetvete një vlerë edukative e metodiko-shkencore shumë të madhe, sepse dija e keqmotivuar apo e pa motivuar jo vetëm që nuk i ka sjellë ndonjë dobi njerëzimit, por shpesh e ka dëmtuar rëndë. Vetëm motivimi i saktë i dijes i jep garanci vazhdimësisë së ekzistencës dhe dobisë së saj.
Një karakteristikë tjetër shumë specifike e kësaj metode, që i ka garantuar këtij libri pranimin nga kategoritë kryesore të dijetarëve islam, është bashkimi dhe mishërimi mes hadithit dhe fik’hut apo të kuptuarit dhe të perceptuarit objektiv të tij.
Mënyra e përzgjedhjes së titujve të kapitujve nga ana e imam Buhariut është tregues i fortë i pohimit të mësipërm. Këta tituj, të cilët janë pjesë apo copëza të një prej haditheve të kapitullit, përfaqësojnë në vetvete boshtin dhe objektivin, rreth të cilit sillen këto hadithe.
Pra që në momentin e parë imam Buhariu të mundëson, që të njihesh me thelbin e këtyre haditheve dhe objektivin e tyre. Kjo metodë i nevojitet sot teologut dhe ftuesit musliman më tepër se kurdoherë tjetër.
Përcjellja e dijes duke iu referuar objektivave të saj dhe realizimi i ftesës islame duke pasur parasysh objektivat sheriatikë lehtëson rrënjësisht këtë përgjegjësi në të dyja dimensionet e saj, atë të përcjelljes së kësaj dije dhe atë të përthithjes dhe përqafimit të saj. Mentaliteti racionalo – shkencor dhe karakteri materialist – pragmatik, bashkëkohor, me të cilin ndeshet vazhdimisht teologu dhe ftuesi islam, nuk pranon metodë tjetër përveç kësaj metode kuranore dhe profetike të mishëruar fortë bukur tek metoda e ndjekur nga imam Buhariu në këtë libër.
Imam Is’hak Ibn Rahovejhi nuk mund të linte pa përmendur këtë specifikë themeltare të karakterit shkencor të imam Buhariut, të reflektuar ndjeshëm në metodën e tij.
Ai u thoshte studiuesve të hadithit: “Merreni hadithin nga ky djalosh, sepse nëse do të kishte jetuar edhe në kohën e Hasan Basriut, njerëzit do ia kishin pasur nevojën për shkak të njohjes së tij të thellë të hadithit dhe të fik’hut”. Një person e pyeti imam Kutejbe Ibn Seidin për Buhariun. Ai e uli kokën pastaj e ngriti drejt qiellit dhe tha: “O njerëz unë kam studiuar hadithin, po ashtu edhe fik’hun. Kam ndenjur me dijetarët e fik’hut, me asketët dhe adhuruesit, por që kur kam rënë në mendtë e mia, nuk kam njohur si Muhamed Ibn Ismail El-Buhari”.
Në mbyllje, duke iu referuar hyrjes së kësaj fjale, ku u theksua vlera e traditës profetike, mendoj se teologu dhe ftuesi shqiptar, po ashtu edhe lexuesi i thjeshtë, me këtë shërbim serioz që i është bërë këtij libri është pajisur me një mundësi tjetër të madhe, për të përvetësuar dhe përthithur këto perla profetike në formë më të lehtësuar dhe më të kapshme për këdo. I lutem të Madhit Allah, që këtë punë ta pranojë dhe ta bëjë burim drite dhe udhëzimi për të gjithë njerëzit, si dhe t’iu mundësojë autorëve dhe mbështetësve të saj suksese te mëtejshme e të pranuara.
Ue salallahu ala sejjidina Muhamed ue ala alihi ue sahbihi ue selim.
Autor: Sabaudin Jashari
By: ardhmëriaonline.com



















