Ruajtja e interesave realizohet si nga aspekti i ekzistencës, ashtu edhe nga aspekti i mos të ekzistuarit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Konteksti i këtij rregulli:

Shumë shpesh për objektivat e Sheriatit përdoret shprehja “ruajtja e interesave”, dhe gjithashtu thuhet: “ruajtja e pesë interesave të domosdoshme”, ose thuhet se Sheriati përfshin ruajtjen e domosdoshmërive, nevojave dhe përmirësimeve (të dobishme).

Ky rregull që po shqyrtojmë shpjegon se çfarë kuptohet me këtë “ruajtje” dhe mënyrën se si realizohet, duke korrigjuar disa ide që mund t’i vijnë ndër mend disa njerëzve rreth kuptimit të saj.

Imam Shatibiu, në kontekstin e diskutimit të tij mbi pesët domosdoshmëritë ka thënë: “Ruajtja e tyre realizohet nëpërmjet dy gjërave: E para, ajo që konsolidon themelet e tyre dhe forcon strukturat e tyre, dhe kjo lidhet me kujdesin për to nga aspekti i ekzistencës. E dyta, ajo që parandalon dëmtimin aktual ose të pritshëm, dhe kjo lidhet me kujdesin për to nga aspekti i mos të ekzistuarës.”[1]

Edhe imam Gazali ka shprehur përmbajtjen e këtij rregulli duke thënë: “Objektivi ndahet… në fitim dhe ruajtje. Fitimi është shprehur me sjelljen e dobisë, ndërsa ruajtja me largimin e dëmit.”[2]

Origjina e kësaj ideje gjendet tek Imami i Haramejneve, i cili i ka përshkruar shkaqet dispozitive të Sheriatit si përmbajtje të përbërë nga qëllime të dobishme dhe qëllime mbrojtëse.[3] Ai – gjithashtu – është shprehur duke thënë: “Të kërkosh atë që nuk është arritur dhe të ruash atë që është arritur.”[4]

Shpjegimi i këtij rregulli:

Ky rregull, së bashku me çfarë është thënë më parë nga Xhuejni, Gazaliu dhe Shatibiu, tregon se ajo që nënkuptohet me ruajtjen e interesave në Sheriat, ose veçanërisht me ruajtjen e pesë domosdoshmërive, nuk është thjesht mbajtja dhe ruajtja e asaj që tashmë ekziston dhe është arritur nga interesi dhe objektivat, në kuptimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së tyre nga shkatërrimi, humbja apo prishja. Përkundrazi, ajo fillon më parë me sigurimin dhe fitimin e tyre, konsolidimin dhe zhvillimin e tyre, ose që sipas citimit të Shatibiut është “ajo që vendos themelet e tyre dhe forcon bazat e tyre.”

Më pas vjen aspekti i dytë i ruajtjes së interesave, që është mbrojtja e tyre nga rreziqet, dëmet e mundshme dhe rreziqet që i kanosen.

Kështu duket qartë se ruajtja e interesave dhe objektivave përfshin përmbushjen dhe mbajtjen e tyre, dhe për secilin prej tyre Sheriati ka vendosur rregulla dhe mjete, siç do të shihet më pas në shembuj.

Argumentet e këtij rregulli:

Argumenti përmbledhës për këtë rregull është induksioni i plotë i Sheriatit, i teksteve dhe i dispozitave të tij. Sepse Sheriati gjithmonë i bashkon dy gjëra: atë që sjell interesat që në fillim, dhe atë që i ruan ato më pas, duke i mbajtur dhe duke i mbrojtur nga humbja.

Imam Iz ibn Abduselami ka thënë: “Nëse do të ndiqnim dhe do të shqyrtonim objektivat e asaj që gjendet në Libër dhe në Sunet, do ta kuptonim se Allahu ka urdhëruar për çdo të mirë, qoftë ajo e vogël apo e madhe, dhe ka ndaluar nga çdo e keqe, qoftë ajo e vogël apo e madhe.

Sepse e mira përdoret për të shprehur sjelljen interesave dhe evitimin e dëmeve, ndërsa e keqja përdoret për të shprehur sjelljen e dëmeve dhe evitimin e interesave. Allahu i Lartësuar ka thënë: Kush bën sa një grimcë të mirë, do ta shohë atë; dhe kush bën sa një grimcë të keqe, do ta shohë atë.[5][6]

Shembuj praktikë të zbatimit të këtij rregulli

1 – Në ruajtjen e fesë nga aspekti ekzistencës: Janë vendosur shtyllat e saj të besimit me argument, fakte, natyrën e pastër njerëzore dhe ndjenjën e brendshme, veçanërisht besimi në Allahun dhe në cilësitë e Tij. Pastaj janë ligjëruar adhurimet që mishërojnë dhe forcojnë këto shtylla besimi. Po ashtu, Allahu i Madhëruar e ka bërë detyrim mësimin e fesë dhe thirrjen drejt saj.

Nga ana  aspekti i mos të ekzistuarës: Allahu ka ndaluar kufrin, shirkun dhe shpikjen e risive në fe (bidatin). Gjithashtu ka ligjëruar xhihadin kur është e nevojshme, për të garantuar lirinë e besimit dhe të praktikimit të fesë. Allahu i Lartësuar thotë: “Luftoni ata derisa të mos ketë më fitne dhe feja të jetë për Allahun; e nëse ata ndalen, atëherë nuk ka armiqësi veçse ndaj zullumqarëve.”[7]

2 – Në ruajtjen e jetës (shpirtit) nga aspekti i ekzistencës: Sheriati ka nxitur shumimin dhe vazhdimësinë e njerëzimit, dhe Allahu i ka vendosur shkaqet e tij si një prirje të fortë në natyrën e njerëzve. Po ashtu, Allahu i ka krijuar njerëzit me dashurinë për jetën dhe me përpjekjen për t’u kapur pas shkaqeve që e ruajnë atë.

Nga aspekti i mos të ekzistuarës: Allahu i Madhëruar ka ndaluar vrasjen dhe çdo lloj agresioni pa të drejtë, përfshirë edhe vrasjen e embrioneve. Për këtë ka vendosur ligjet e kisasit (ndëshkimi i barabartë) dhe dijes (kompensimi i gjakut), përveç dënimeve në botën tjetër.

3 – Në ruajtjen e pasardhësve (fisnisë) nga aspekti i ekzistencës: Është ligjëruar martesa dhe të drejtat e detyrimet që rrjedhin prej saj për bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit.

Nga aspekti i mos të ekzistuarit: Allahu i Madhëruar ka ndaluar imoralitetin, devijimet seksuale (homoseksualizmin) dhe marrëdhëniet me gratë në anus. Për të gjitha këto janë vendosur dënime të përcaktuara me tekst ose ndëshkime disiplinore.

4 – Në ruajtjen e mendjes nga aspekti i ekzistencës: Allahu e ka bërë mendjen një dhuratë dhe mirësi të natyrshme për njeriun, që lind me lindjen e tij dhe zhvillohet me rritjen e tij. Pastaj Allahu ka urdhëruar përdorimin e arsyes, meditimin dhe kërkimin e dijes.

Nga aspekti i mos të ekzistuarës: Allahu ka ndaluar alkoolin dhe çdo lëndë dehëse, si dhe çdo gjë që e prish mendjen dhe e paralizon të menduarit, si magjia, falli, bestytnitë dhe sharlatanizmat.

5 – Në ruajtjen e pasurisë nga aspekti i ekzistencës: Allahu u ka mundësuar njerëzve shkaqet dhe burimet e fitimit dhe aftësinë për ta arritur atë. U ka lejuar pronësinë private, qoftë pak apo shumë. Gjithashtu ka ligjëruar trashëgiminë dhe forma të tjera të fitimit të pronës.

Nga aspekti i mos të ekzistuarës: Allahu ka ndaluar shpërdorimin, teprimin dhe humbjen e pasurisë; ka ndaluar vjedhjen dhe ka urdhëruar prerjen e dorës së vjedhësit; si dhe ka ndaluar çdo përvetësim apo marrje të pasurisë së njerëzve padrejtësisht.

Kështu pra vepron Sheriati edhe me të gjitha interesat e tjera fetare dhe jetësore… dhe kjo është metoda e tij që duhet ndjekur.

Autor: Ahmet Rejsuni

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

 

[1] – “El Muafekat” fq: 2/8.

[2] – “Shifaul Galil”, fq: 159.

[3] – “El Burhan fi Usulil Fikhi”, fq: 2/80.

[4] – “Gijathul Umemi fit Tijathidh Dhulmi”, fq: 56.

[5] – Sure Zelzele: 7 – 8.

[6] – “Kauaidul ahkami fi mesalil enam”, fq: 2/160.

[7] – Sure Bekare: 193.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *