Shenjat e Ditës së Gjykimit: Ngritja e njerëzve të ulët mbi njerëzit e virtytshëm

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet më të zgjedhura dhe përshëndetjet më të plota qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

O vëllezër të nderuar! Ndër shenjat e Kiametit për të cilat na ka njoftuar i Dërguari ynë, Muhamedi (a.s), është që njerëzit më të ulët, më të pavlerë dhe më të mangët në dije e në fe të ngrihen në pozitë, të marrin në dorë drejtimin e çështjeve, të ushtrojnë pushtet mbi njerëzit dhe të bëhen prijës të tyre.

Ndër shenjat e Kiametit është ngritja në pozitë e njeriut të poshtër, i cili fiton vlerësim dhe pozitë në sytë e njerëzve; ngritja e njeriut të pavlerë, i cili bëhet ai që urdhëron dhe ndalon; si dhe ngritja e njerëzve të këqinj, ndërsa njerëzit e mirë dhe paria e popullit bien në pozitë. Kështu, këta të fundit nuk gëzojnë më një vend të lartë në sytë e njerëzve. E gjithë kjo, ndodh sepse njerëzit janë pushtuar nga dashuria për këtë botë dhe lidhja e tepruar me të mirat materiale, gjë që ka përmbysur tek ata kriteret e vlerësimit.

Pasuria është prejardhja, ndërsa fisnikëria është devotshmëria

O vëllezër të nderuar! Kjo botë është mashtruese: për shkak të saj kanë humbur rrugën shumë njerëz dhe, të joshur nga dredhitë e saj, kanë rrëshqitur shumë të tjerë. Dashuria për të është rrënja e gabimeve dhe e gjynaheve, ndërsa mospërfillja dhe heqja dorë prej saj janë ndër themelet e bindjes ndaj Allahut, të veprave që të afrojnë tek Ai dhe të atyre që të shpëtojnë.

Kjo botë është e pavlerë dhe nuk peshon asgjë tek Allahu i Lartësuar. Ai thotë: “Dijeni se jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë, dëfrim, stoli, mburrje ndërmjet jush dhe rivalitet në shtimin e pasurisë e të fëmijëve. Ajo i ngjan shiut, bimësia e të cilit i mahnit bujqit, por më pas ajo thahet dhe ti e sheh të zverdhur, pastaj bëhet kashtë e thërrmuar. Ndërsa në jetën e përtejme ka dënim të rëndë, por edhe falje nga Allahu dhe kënaqësi të Tij. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një kënaqësi mashtruese.”[1]

Sehl ibn Sa’di (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur kjo botë të kishte tek Allahu vlerën e krahut të një mushkonje, Ai nuk do t’i jepte asnjë jobesimtari prej saj as edhe një gllënjkë ujë.”[2]

O vëllezër të nderuar! Kjo botë është shkak i devijimit dhe i humbjes së rrugës së drejtë. Ebu Darda (r.a) ka thënë: “Një herë, i Dërguari i Allahut (a.s) doli tek ne, ndërkohë që ne po flisnim për varfërinë dhe kishim frikë prej saj. Ai na tha: “A keni frikë nga varfëria? Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se kjo botë do të derdhet mbi ju me bollëk, derisa zemra e askujt prej jush të mos devijojë, veçse ajo do të devijojë për shkak të saj. Betohem në Allahun se ju kam lënë në një udhë të qartë, të bardhë e të ndritshme, ku nata dhe dita janë njësoj.” Ebu Darda tha: “Për Allahun, i Dërguari i Allahut (a.s) tha të vërtetën! Për Allahun, ai na la në një udhë të qartë, të bardhë e të ndritshme, ku nata dhe dita janë njësoj.”[3]

Në këtë hadith fisnik gjendet një përgëzim për umetin, se Allahu do t’i bëjë të pasur pasi të kenë qenë të varfër. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ai i paralajmëron ata kundër kësaj pasurie, e cila i bën robërit të harrojnë adhurimin e Zotit të tyre. Dashuria për këtë botë vazhdon t’i pushtojë zemrat e tyre, derisa ato devijojnë pasi kanë qenë të qëndrueshme në rrugën e drejtë dhe humbasin rrugën pasi kanë qenë të udhëzuar. Kështu, kjo botë bëhet shkak i sprovës së tyre dhe, për shkak të saj, zemrat anojnë dhe largohen nga e vërteta.

Jeta e kësaj bote, megjithëse është e pavlerë, është shndërruar në kriterin dhe masën me të cilën vlerësohet çdo njeri. Ai që është i pasur vihet në krye dhe nderohet, edhe nëse është njeri i ulët dhe bir i një njeriu të ulët. Ndërsa ai që është i varfër konsiderohet i pavlerë dhe lihet pas dore, edhe nëse është ndër njerëzit më të ditur, më të përkushtuar në adhurim dhe më asketë në këtë botë.

Sa të vërteta janë fjalët e zotërisë sonë, të Dërguarit të Allahut (a.s), kur thotë: “Vlera e prejardhjes së njerëzve të kësaj bote, së cilës ata i kushtojnë rëndësi, është pasuria.”[4]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Prejardhja vlerësohet me pasurinë, ndërsa fisnikëria me devotshmërinë.”[5]

Kuptimi është se njeriu i varfër, sado fisnike ta ketë prejardhjen, nuk nderohet dhe nuk pritet me vlerësimin që meriton. Ndërsa ai që nuk ka prejardhje të nderuar, kur bëhet i pasur, fiton vlerësim të madh në sytë e njerëzve. Por, tek Allahu i Lartësuar, fisnikëria e vërtetë qëndron te devotshmëria; nuk ka fisnikëri të vërtetë veçse nëpërmjet saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshmi.”[6]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Vërtet, ky dinar dhe ky dirhem i shkatërruan ata që ishin para jush, dhe nuk mendoj se do të bëjnë gjë tjetër veçse t’ju shkatërrojnë edhe juve.”[7]

Bishr el-Hafiu (r.h) thotë: “Atij që kërkon këtë botë, thuaji: Përgatitu për poshtërim!”

Njerëzit më të lumtur në këtë botë janë të pavlerët, bij të të pavlerëve

O vëllezër të nderuar! Kjo botë dhe materializmi kanë mbizotëruar mbi vlerat shpirtërore, ndërsa egoizmi dhe urrejtja janë përhapur mes njerëzve. Si rrjedhojë, njerëzit më të lumtur në këtë botë janë bërë të pavlerët, bij të të pavlerëve. Kjo është një nga shenjat e Kiametit.

Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kjo botë nuk do të marrë fund derisa ajo të bëhet pronë e të pavlerëve, bijve të të pavlerëve.”[8]

Omer ibn Hattabi (r.a) trasnmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Ndër shenjat e Kiametit është që botën ta sundojnë të pavlerët, bijtë e të pavlerëve. Në atë kohë, njeriu më i mirë do të jetë një besimtar i rrethuar nga dy njerëz fisnikë.”[9]

Kur kjo botë u përket njerëzve të tillë, ata bëhen më të lumturit në të dhe zënë pozitat më të larta në sytë e atyre që i përkasin kësaj bote.

Hudhejfe ibn Jemani (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë derisa njerëzit më të lumtur në këtë botë të bëhen të pavlerët, bijtë e të pavlerëve.”[10]

Të ulëtit ngrihen mbi fisnikët

O vëllezër të nderuar! Ndër shenjat e Kiametit është që të shohësh njerëzit fisnikë, të cilët janë paria dhe personalitetet e shquara të shoqërisë, të mbizotërohen nga njerëz të ulët, të cilët dikur qëndronin nën këmbët e të tjerëve. Këtë na e ka bërë të ditur zotëria ynë, i Dërguari i Allahut (a.s), i cili ka thënë: “Ndër shenjat e Kiametit janë përhapja e koprracisë dhe e fjalëve e veprave të turpshme, besimi i tradhtarit dhe akuzimi i besnikut për tradhti, shfaqja e rrobave që i veshin gratë të cilat janë të mbuluara, por njëkohësisht të zhveshura, si dhe ngritja e njerëzve të ulët mbi fisnikët.”[11]

Në një transmetim tjetër thuhet: “O Abdullah ibn Mesud, a e ke dëgjuar vërtet këtë nga i dashuri yt?” Ai u përgjigj: “Po, për Zotin e Qabesë!” Ne e pyetëm: “Kush janë et-tuhutët (njerëzit e ulët)?” Ai u përgjigj: “Janë njerëzit më të ulët e më të pavlerë, si dhe ata që u përkasin familjeve të panjohura e pa pozitë shoqërore. Ata ngrihen mbi njerëzit e tyre të virtytshëm.”

Ndërsa “el-vu‘ul”  janë njerëzit që u përkasin familjeve të ndershme e të virtytshme.

Kurse “fusul er-rixhal”  janë njerëzit e pandershëm, mashtrues dhe të devijuar.

Përmbyllje: Allahut të Lartësuar i kërkojmë një përfundim të mirë të jetës

O vëllezër të nderuar! Kur njerëzit e kësaj bote ngrihen mbi njerëzit e fesë dhe njerëzit e ulët, të pandershëm e të pamoralshëm ngrihen mbi njerëzit e devotshëm, të cilët u përkasin familjeve të ndershme e të virtytshme, rendi i kësaj bote prishet. Kjo është një nga shenjat e Kiametit, siç na ka njoftuar zotëria ynë, i Dërguari i Allahut.

Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë derisa hipokritët e çdo fisi të bëhen prijësit e tij.”[12]

Abdullah ibn Amër ibn el-Asi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ndër shenjat e afrimit të Kiametit janë ngritja e njerëzve të këqij dhe ulja e njerëzve të mirë, lejimi i fjalëve pa u vënë në praktikë dhe lënia pas dore e veprave, si dhe leximi mes njerëzve i methnates, pa pasur askënd që ta kundërshtojë atë.” E pyetën: “Çfarë është methnatja?” Ai u përgjigj: “Ajo që është shkruar përveç Librit të Allahut të Madhërishëm.”[13]

O vëllezër të nderuar! Kjo shenjë tashmë është shfaqur dhe vazhdon të jetë e pranishme. Kështu, dija është shndërruar në padije dhe padija në dije; të vërtetat janë përmbysur, njerëzit e këqij janë ngritur në pozitë, ndërsa njerëzit e mirë janë ulur e janë lënë pas dore.

Si rrjedhojë, njerëzit më të lumtur në këtë botë janë bërë të pavlerët, bijtë e të pavlerëve; të poshtrit, bijtë e të poshtërve; të ligjtë, bijtë e të ligjve; dhe të shthururit, bijtë e të shthururve.

Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe as fuqi për të bërë mirë, përveçse me ndihmën e Allahut, të Lartit, të Madhërishmit. Allahut ia parashtrojmë ankesën tonë!

O Allah, na ruaj nga e keqja e njerëzve të këqij dhe nga intrigat e të shthururve! Amin!

Salavatet dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i fuqisë, mbi gjithçka që ata i atribuojnë Atij! Paqja qoftë mbi të dërguarit! Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Autor: Ahmet Sherif Na’san

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Bottom of Form

[1] – Sure Hadid: 20.

[2] – Tirmidhiu.

[3] – Ibn Maxheh.

[4] – Ahmedi.

[5] – Ahmedi, Tirmdhiu dhe Hakimi.

[6] – Sure Huxhurat: 13.

[7] – Tabaraniu.

[8] – Ahmedi.

[9] – Tabaraniu.

[10] – Ahmedi dhe Tirmidhiu.

[11] – Tabaraniu.

[12] – Tabaraniu.

[13] – Hakimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *